Lojë me armikun - John Carlin


“Lojë me armikun”, botimet “Pegi”, një rrëfim historik për Nelson Mandelën dhe lojën që shpëtoi një komb. Një libër që dëshmon përdorimin e sportit (konkretisht ragbisë) si një urë lidhëse në vendosjen e marrëdhënieve midis të bardhëve dhe të zinjve, duke krijuar simbolin e parë të një kombi të bashkuar, i cili me pas do te kthehej ne kombin ylber. “New York Times” shkruan se “do të meritonte një vend midis vëllimeve mbi menaxhimin dhe librave vetëndihmues, të cilët sundojnë listat e bestsellerëve mbi biznesin, një udhërrëfyes mbi lidershipin, që i drejtohet pjesës më të mirë të njerëzve”. Libri është ekranizuar nga Clint Eastwood në filmin “Invictus” me Matt Damon dhe Morgan Freeman. Drejt leximit të këtij teksti të shkruar nga gazetari John Carlin ndihet vizioni dhe karakteri i një udhëheqësi të madh. Konteksti shkon përtej rrëfimit për t’u përqendruar tek politika, në raport me shoqërinë dhe idealin.

Mëngjes në Houghton
24 qershor 1995
Ai u zgjua, sikurse bënte gjithmonë, në 4:30 të mëngjesit; u ngrit, u vesh, palosi pizhamet dhe rregulloi shtratin. Gjithë jetën kishte qenë revolucionar, ndërsa tani ishte presidenti i një vendi të madh, e megjithatë asgjë nuk mund ta detyronte Nelson Mandela-n të prishte ritualin e vendosur qysh prej njëzet e shtatë viteve të shkuara në burg.
Kjo nuk ndodhte as kur ai ishte në shtëpinë e dikujt tjetër, as kur qëndronte në një hotel luksoz, e madje as kur e kalonte natën në Buckingham Palace ose në Shtëpinë e Bardhë.
Çuditërisht i pandikuar nga ndryshimi orar- edhe kur kalonte nga Uashingtoni, Londra apo Nju-Delhi – ai do të ngrihej njëlloj në 4:30 dhe do të rregullonte shtratin. Në të gjithë botën, pastrueset e dhomave reagonin me habi tek zbulonin se vizitori i tyre i lartë kishte bërë për ta gjysmën e punës. Por askush nuk do të çuditej më shumë sesa zonja e caktuar për të pastruar suitën e hotelit ku ai ishte vendosur gjatë vizitës së tij në Shangai. Ajo u habit nga mënyrat krejt të veçanta të Mandela-s në rregullimin e dhomës. I vënë në dijeni nga stafi i tij për shastisjen e pastrueses, Mandela e ftoi atë në dhomën e vet, i kërkoi ndjesë dhe i shpjegoi se, për të, rregullimi i shtratit ishte njëlloj si larja e dhëmbëve, si diçka që ai nuk mund ta përmbante dot veten e të mos e bënte.
Po kështu ai ishte i dhënë së tepërmi pas një regjimi të vendosur qysh përpara se të burgosej, rreth viteve ’40-’50 kur ishte avokat, revolucionar dhe boksier amator. Në ato kohëra, ai e kishte bërë zakon të vraponte rreth një orë para lindjes së diellit, nga shtëpia e tij e vogël me tulla në Soweto, Johannesburg. Më 1964-ën, ai u burgos dhe u dërgua në burgun e Robben Island-it, larg brigjeve të Cape Town-it, ku qe i detyruar të rrinte në një qeli të vogël për tetëmbëdhjetë vjet radhazi. Atje, në mungesë të një mundësie më të mirë, ai vraponte në vend.
Çdo mëngjes, përsëri, për plot një orë. Më 1982, u transferua në një burg në kontinentin, ku ndante qelinë me mikun e tij më të ngushtë, Walter Sisulu-n dhe tre veteranë të tjerë të luftës së Afrikës së Jugut kundër aparteidit. Qelia ishte e madhe, gati sa gjysma e një fushe tenisi, gjë që i jepte atij mundësinë të vraponte, me xhiro të shkurtra. Problemi ishte se të tjerët qenë ende në shtrat, kur ai ngrihej dhe bënte këto gjysmë-maratona në sallë. Shokët e tij të qelisë, ankoheshin mjaft, ndonëse me nderim, për shokun e tyre, gjashtëdhjetëvjeçarin me fuqi të pashtershme, i cili nuk mungonte t’i zgjonte çdo mëngjes me tok tok-un e tij të pamëshirshëm.
Pas lirimit të tij nga burgu në moshën shtatëdhjetenjëvjeçare, në shkurt 1990, ai do të qetësohej disi. Në vend të vrapimit, tani do të ecte me hap të shpejtë dhe kjo, sërish çdo mëngjes, para agimit, sërish për një orë. Zakonisht, këto ecje zhvilloheshin në afërsitë e Houghton-it, Johannesburgut, ku ai u vendos në prill 1992, pas prishjes së martesës së tij me gruan e dytë, Winnie-n.
Pas dy vjetësh ai u bë president dhe kishte në dispozicion të vet dy rezidenca të mëdha, një në Pretoria dhe një tjetër në Cape Town, por ndihej më rehat në shtëpinë e tij në Houghton, strehëz e qetë në pjesën veriore të metropolit më të pasur e më të populluar vetëm nga të bardhët e Afrikës. Çdo banor i Los Angeles-it do të habitej do të habitej nga ngjashmëria që ekzistonte midis Beverly Hills-it dhe Houghton-it. Të bardhët ishin kujdesur shumë për veten gjatë periudhës së gjatë të Mandelës në burg, dhe tani ai e ndiente sikur, më në fund, edhe ai kishte fituar pak mundësi për një jetë të mirë. I pëlqente madhështia e qetë e Houghton-it, ajri i freskët i ecjeve të tij mëngjesore, bisedat e shkëmbyera me fqinjët e tij të bardhë, në ditëlindjet dhe festat e tjera ceremoniale të të cilëve ai shkonte ndonjëherë. Ende në fillimet e presidencës së tij, një djalë i vogël trembëdhjetëvjeçar ndaloi pranë shtëpisë së Mandela-s dhe i zgjati policit te dera një ftesë për bar mitzvah-un e tij. Prindërit e tij u habitën pa masë, kur pas disa ditësh, morën një thirrje telefonike nga vetë Mandela, i cili donte të dinte se ku ndodhej saktësisht shtëpia e tyre. Akoma më shumë do të habiteshin kur ai shfaq para derës së tyre, trupmadh dhe i qeshur ditën e festës e një komuniteti, ku ai do ta kishte pasur mundësinë të hynte vetëm si një shërbyes, një njeri që në Afrikën e Jugut ishte zakon të quhej, “djalë kopshtar”, pavarësisht nga mosha. Ai u dashurua pas Houghton-it, vijoi të jetonte atje gjatë gjithë presidencës së tij dhe flinte në vilat zyrtare vetëm kur ia kërkonte detyra.
Në atë mëngjes dimri të veçantë të hemisferës jugore, Mandela u zgjua në 4:30, si zakonisht, u vesh dhe rregulloi shtratin…por kësaj here, duke u sjellë sipas një mënyre çuditërisht të ndryshme nga e zakonshmja, për një njeri që ishte aq i përpiktë në zakonet e tij; kësaj radhe ai kishte thyer rutinën; nuk doli të bënte ecjen e mëngjesit. Në vend të kësaj, ai zbriti poshtë, u ul në karrigen e dhomës së ngrënies dhe nisi të hante mëngjesin. Këtë ndryshim plani e kishte menduar qysh një natë më parë dhe për të kishte njoftuar edhe truprojat e tij të Njësisë së Mbrojtjes Presidenciale, që e kishin dëgjuar si të shastisura, se të nesërmen në mëngjes ata mund të flinin në shtëpitë e tyre një orë më shumë. Në vend që të vinin në pesë, ata mund të vinin në gjashtë. Ata do ta kishin të nevojshëm këtë pushim plus, pasi dita, si për ta, ashtu edhe për Mandela-n, do të qe një provim i vështirë.
Një tjetër shenjë që tregonte se kjo ditë nuk ishte një ditë e zakonshme, ishte se Mandela, zakonisht jo i prirë për të qenë nervoz, ndiente një si lëmsh në stomak. “Nuk mund ta përfytyroni se ç’kam kaluar atë ditë, – më rrëfeu ai. – Isha aq i tensionuar!” E thënë nga një njeri me atë të kaluar, kjo dukej diçka e çuditshme. Ajo nuk ishte dita e lirimit të tij nga burgu në shkurt 1990, as dita e ceremonisë së marrjes së postit presidencial, në maj 1994, madje as mëngjesi i largët i atij qershori 1964, kur ai u zgjua në qeli, pa pasur kurrfarë ideje nëse gjykatësi do ta dënonte me vdekje apo me burgim të përjetshëm, sikurse ndodhi. Kjo ishte dita, kur vendi i tij, Afrika e Jugut, do të luante me ekipin më të mirë të botës, Zelandën e Re, për finalen e Kupës së Botës në Ragbi. Bashkatdhetarët e tij ishin po aq të tensionuar sa edhe ai. Por gjëja më e çuditshme për t’u thënë, në një vend që, historikisht, kishte kaluar nga kriza në katastrofë, ishte se ankthi që ndienin ata të gjithë, kishte të bënte me perspektivën e një triumfi kombëtar krejt të afërt.
Deri atëherë, kur një ngjarje dominonte faqet e gazetave, kjo donte të thoshte se kishte ndodhur ose do të ndodhte diçka e keqe; një ngjarje që një pjesë e vendit do ta interpretonte si të mirë, ndërsa pjesa tjetër si të keqe. Atë mëngjes, rreth asaj ngjarjeje, kishte një konsensus kombëtar të padëgjuar ndonjëherë. 43 milion afrikanojugorë, të zinj të bardhë pa dallim, përfshirë të gjitha nuancat e tjera të njerëzve me ngjyrë mes tyre, bashkëndanin të njëjtën aspiratë: fitoren për ekipin e tyre, Springbok-un.
Pothuajse të gjithë, sepse, të paktën, deri në orët e fundit para fillimit të ndeshjes, kishte një të pakënaqur, i cili donte që Afrika e Jugut të humbiste. Ai quhej Justice Bekebeke, por atë ditë ai ndihej krejt ndryshe nga e zakonshmja. Ai vijonte të ngulte këmbë pas asaj që ai e konsideronte si qëndrimin e tij parimor, edhe pse e dinte se askush tjetër nuk ndante me të dëshirën për një fitore të ekipit kundërshtar. Madje as vetë e dashura e tij, as familja dhe as miqtë e tij më të mirë të Paballelo-s, taunshipi i zi ku banonte. Të gjithë të njohurit e tij ishin me Mandela-n, dhe Springbok-un, edhe pse nga të pesëmbëdhjetë lojtarët që do të vishnin fanellën e gjelbër e të artë të ekipit të ragbisë së Afrikës së Jugut atë pasdite, të gjithë do të ishin të bardhë, me përjashtim të njërit. Dhe kjo, në një vend ku pothuajse 90% e popullsisë ishte e zezë ose me ngjyrë. Bekebeke nuk mund të bëhej pjesë e kësaj loje. Ai po rezistonte, duke mos pranuar të hynte në këtë frymë pothuajse të dehur miqësie multiraciale, që çuditërisht kishte pushtuar edhe vetë Mandela-n, udhëheqësin dhe heroin e tij.

Sipas tij, e drejta ishte me të, ndërsa Mandela e gjithë ne të tjerët, jo vetëm që gaboheshim, por edhe ishin marrosur. Ragbia nuk ishte loja e Afrikës së Jugut të zezë.
As Bekebeke, as Mandela dhe as shumica dërrmuese e bashkatdhetarëve të tyre nuk ishin rritur ndonjëherë me këtë sport dhe as nuk kishin ushqyer ndonjëherë ndonjë lloj ndjenje të veçantë për të. Nëse Mandela, do të kthehej begas në një tifoz kaq të apasionuar pas saj, le të tregohej i ndershëm e të rrëfente, se të paktën, njihte disa rregulla të saj. Ashtu si edhe Bekebeke, Mandela e kishte kaluar pjesën më te madhe të jetës së vet pa ndonjë pëlqim për ragbinë. Ai ishte sport i të bardhëve dhe saktësisht sporti i afrikanëve, tribuja e bardhë sunduese e Afrikës së Jugut – raca sunduese e aparteidit. Springbok-u shihej nga atë zinjtë, qysh prej një kohe të gjatë, si simboli shtypës i aparteidit, ishte po aq e urryer, sa edhe himni kombëtar i të bardhëve dhe flamuri i tyre i moçëm kombëtar. Urrejtja ishte akoma edhe më e fortë në njerëz që, ashtu si Bekebeke dhe Mandela, kishin kaluar njëherë kohe në burg, në luftën kundër aparteidit – Bekebeke gjashtë nga tridhjetë e katër vjetët e moshës së tij i kishte kaluar në burg.

Fragment nga libri “Lojë me armikun”, përkthyer nga: Krenar Hadëri
Standard

Google+ Followers