Rri urtë o brenga ime...


Një tufë poezish franceze, sprova rinore të përkthyesit Vedat Kokona të përmbledhur në librin “Lule të pavenitura”, që panë dritën e botimit në 2006, ruajnë gjurmën e freskët në impresionet e përkthyesit për të cilat pat thënë:...atëherë sapo kisha filluar të çapitesha dhe të bridhja në lulishten e poezisë franceze, kur lija mënjanë, me gëzim po edhe me pendim, problemet e gjeometrisë apo të fizikës, lodroja lëndinave poetike dhe dehesha me nektarin e vargjeve të Lamartinit, Hygojt e sidomos Mysesë...nuk më shkonte asnjë t’imtë ndër mend se një ditë, buzë mbrëmje së pleqërisë, do t’i mblidhja lulet e këputura ende të njoma dhe të pikuara me vesën e mëngjesit për t’i bërë një tufë...

Charles Baudelaire (1821-1867)

Rri  urtë o Brenga ime dhe falmë qetësinë;
Ti mbrëmjen e kërkoje, ja tek po zbret tani;
Pëlhurën mbi qytet të mugëtit po e shtrin,
 Disave u sjell paqe, të tjerëve mërzi.

Kur turma e ndyrë e njerzve, që veç dëfrime dinë,
 Të fshikur nga kamxhiku i Epshit në gosti
 Të poshtër zhgryhen krejt ndërsa pendime u vinë,
O Brengë, nëma dorën, me mua eja e rri

Larg tyre. Shih si kërrusen gjith' vjetët e harruar
Lart nga ballkoni i qiellit me petka të vjetruar,
 Si ngrihet Mall'i hidhur nga ujrat buzëgaz;

Nën urë Diell i mekur si bje kur vjen ndajnata
Dhe, si qefin në Lindje, nga hijet ndjekur pas,
Dëgjo, dëgjo, e dashur, si ecë e ëmbël Nata.


Feux Arvers (1806-1850)

Në shpirt kam një të fshehtë

Në shpirt kam një të fshehtë dhe një mister në jetë;
 Një dashuri e zjarrt' në çast m'u ndez në gji;
Brenga s'më ka shërim, andaj e mbaj të fshehtë,
Edhe ajo që e ndezi misterin nuk ma di.

Oji! Posi një hije nga pas un do t'i rri,
 Ngaherë pranë saj, por prapë fill i vetë,
 Gjersa një ditë sytë un do t'i mbyll përjetë
Pa thënë gjysmë fjalë nga gjithë kjo dashuri.

Ajo, që Zoti e bëri të butëzë si shtjerrë,
 Udhës do të kalojë pa vënë re, pa ndjerë,
Se ne çdo hap të saj ky shpirt do psherëtijë.

Besnike ndaj kurorës, e pastër, e kulluar,
 Do thotë këta vargje pasi t'i ketë kënduar:
"Cila të jet' kjo grua?" dhe kurrë s'do ta dijë!



PIERRE CORNEILLE (1606-1684)

Sidi
(fragment)

AKTI II, SKENA IV

DON DIEGU
O turp! o ditë e zezë! u shofsh, moj pleqëri!
Gjer sot mos kam jetuar veç për ket poshtërsi?
 Në fushat e betejës mos vallë unë u thinja
Të shoh brenda një dite të fishken aq dafina?
 Ky krah, te cilin Spanja sodiste me nderim,
Ky krah, që sa e sa herë shpëtoi perandorinë,
Dhe fron'i mbretërisë sa ish ai s'u lua
Në balt' sot të më lërë e s'bën asgjë për mua?
Oh, sa më qan kjo zemër për një lavdi të shkuar!
Veprën e kaqë ditëve një ditë e ka rrënuar!
Kjo shkallë ku u ngrita ç'ma prishi lumturinë,
Nga nderi im i shtrenjtë bie si në greminë.
Atje kur te arrijë un Kontin ta shikoj
 Të vdes pa marrë gjakun, ose me turp të rroj?
O Kont, governator i princit ji ti sot,
 Se një njeri pa nder kjo gradë s'pranon dot;
Edhe zilia jote që më varros të gjallë
Dhe pse mbreti më zgjodhi, më zbret nga ajo shkallë.
Dhe ti, e trimërive o vegël lavdiplotë,
Por sot e trupit akull veç një stoli e kotë,
O shpatë e lemeritshme kur të vërtitja unë,
Që, kur ma muar nderin s'më hyre aspak në punë,
Shko, ikë tani shpejt nga kjo dorë e pështire,
Kalo, për të shpaguar në dorën më të mirë!

SKENA V

(Don Diego, Don Rodrigue)


DON DIEGU
Rodrig, a më je burrë?

DON RODRJGU
Veç teje kush të dojë
Të vijë e ta provojë!

DON DIEGU
Të lumtë ajo gojë!
Por dhembjen s'ma shëron, o bir, ky zemërim!
Në pezmin tënd fisnik e njoh sot gjakun tim!
Gjithë rinia ime rilind në këtë flakë,
Pa eja, bir, pa eja që të shpagosh tët atë,
Pa eja ma laj turpin.

DON RODRIGU
Çfarë turp?

DON DIEGU
Shuplakë e shkretë
Sot nderin e shtëpisë na nxin, o bir, përjetë:
Atë që pat guximin s'e lija, besa, gjallë,
Por pleqëri e zezë nuk mundi t'i bëj' ballë!
Dhe shpatën që kjo dorë e zonja s'eshtë ta mbajë
Ja ku ta jap, o bir, që turpin të na lajë!
Më një kapadai shko të luftosh ti fill,
 Se vetëm gjaku e lan një poshtërim të tillë.
 Vra, o vdis. Por ki mendjen, mos u hidh me rrëmbim:
Armiku që të jap, ta dish, ësht burrë trim;
Gjithë gjak e gjithë pluhur me sytë e mi e kam parë
 Kur kallte lemerinë ndër mijëra ushtarë;
Kam parë si vërsulej e hidhej drejt në sulm,
Edhe ta dish, jo veç që ësht luftar plot zulmë,
 Jo veç një trim i madh në fushat e betejës, Por ësht...

DON RODRIGU
Të lutem, thuamë.

DON DIEGU
I ati i Kimenës.

DON RODRIGU
I a....

DON DIEGU
Oh, jo, mos folë, e di që e do shumë,
Por kush jeton me turp të mbytetë në lumë.
 Sa më shum' që ta duam atë që na ka fyer
M'e madhe është fyerja; detyrën e kam kryer;
 S'të them më asnjë fjalë; shpagohu dhe shpagomë,
Në je vërtet im bir këtë ti sot tregomë.
I mbytur në mjerim ku fati më ka hedhur,
Me lot un do ta qaj. Shko, ik, vrapo, shpëtomë.

SKENA VI
DON RODRIGU
O, se ç'më ther kjo zemra ime
Nga një shigjetë e mortshme që m'erdhi pa kujtuar,
 Në mes të dashurisë e nderit kam qëndruar,
E shoh se fati i hidhur më shtie në mjerime;
Kam mbetur si i ngrirë dhe zemra e sfilitur
Për vdekje është goditur;
 Ky fat i zi sa keq më ka mashtruar,
 O zot, kështu ç'më gjen!
Në këtë turp im atë ësht poshtëruar
Dhe poshtëruesi yt atë ësht, moj Kimenë!
Në shpirtin tim po zien beteja!
Në nderin dashuria ka hyrë dhe bën pjesë:
 Më duhet të marr gjakun edhe ta prish fejesë
Njeri më shtyn të vritem, tjetra më thotë: "eja!"
Dy udh' më kanë mbetur, o zemrën ta tradhëtoj,
Ose me turp të rroj;
Ngado të shkoj ky helm nuk ka të shuar,
0 zot, kështu ç'më gjen!
A mund të lihet turpi pa u dënuar?
A duhet vrarë yt atë, moj Kimenë?
Baba, mikesh', nder, dashuri,
 Detyrë e shenjtë, e ashpër, e ëmbël tirani,
 Të gjitha ëndjet shuhen, ose s'ka më lavdi,
Njëri më vret dhe tjetra më mbyt në poshtërsi.
Shpresë e ëmbël dhe hidhur e shpirtit trimëror
Po edhe dashuror,
Armik që sot ti jetën po ma nxin,
Shpat' që në dor' me vjen,
A mos m'u dhe ta laj un nderin tim,
 A mos m'u dhe që ta humbas Kimenë?
Më mirë vdekjen të kërkoj:
I detyroj mikeshës po aq sa atit tim:
Sikur ta laj un turpin më pret një zemërim,
Ose përbuzjen pres tim at' po mos shpagoj.
Nga shpresa ime e ëmbël që sot do të largohem,
Ose do turpërohem;
Më kot mundohem helmin që ta tres: E liga prap më gjen;
Po hajde, pra, moj zemër, dhe pse vdes,
Më mirë vdes pa fyerë Kimenë.
Të vdes un turpin pa e larë!
Dhe vdekja gjithë jetën të ma shuaj' lavdinë!
 Dhe të pranoj që Spanja të ma njollos' kujtimnë
Pse nderin e shtëpisë un mbeta pa e marrë?
Me dashuri të merrem kur shpirti i hutuar
 E sheh se është shuar!
Këtë mendim ta heqim për ngaherë
Sepse veç më gënjen!
Po hajde, pra, moj dorë, shpëto nderë,
Sepse u dashka ta humbas Kimenë!
Jo, jo, nuk jam, aspak i marrë!
Kaq shumë u mendova por vetëm nga hutimi,
Në vdeksha në luftim apo nga hidhërimi,
Un gjakun të kulluar do derdh siç e kam marrë.
Më kot kaq shum' ngurova e sytë kot m'u laknë
Pa eja marrim gjaknë;
Më kot kaq shumë veten kam mashtruar,
Kontin të shkojm' ta gjejmë:
Sepse im atë sot është poshtëruar
 Dhe poshtëruesi yt atë ësht, moj Kimenë!



Jean Racine (1639-1699)


Fedra

(fragment)

AKTI I, SKENA III
(FEDRA, ENONA)
FEDRA
Le të mos shkojmë' më tutje. Këtu le të qëndrojmë;
Këputur jam e tëra, e dashurë Enonë.
 Drita që shoh sërish sytë po m'i verbon
Dhe trupi që më dridhet më këmbë dot s'qëndron.
E mjera unë! (Ulet)

ENONA
Mëshirë të kenë perënditë!

FEDRA
 Të rënda sa më duken kjo napë edhe stolitë!
 Në ballin tim kështu, më thuaj, cila dorë
Me kaqe nyje flokët m'i gërshetoi kurorë?
Mërzia që po ndiej më ka kapitur krejt.

ENONA
Aty kërkon një gjë, aty pendohet shpejt.
Ju vetë, pak më parë, duart tona i nxisnit
 Që me stoli më shumë ju trupin t'ju stolisnin;
Ju vetë, duke hedhur në kokë ketë napë,
Kërkuat qe të dilnit, të shihnit dritën prapë.
Tani që e shihni zonjë, të fshiheni kërkoni,
Dhe dritën që e donit tani më nuk e doni.

FEDRA
 Ti, që në jetë solle një familje të ngratë,
O ti, që nëna ime mburrej se të kish atë,
Që ndoshta tani skuqe kur sheh se jam e mjere
Vij të të shoh, o Diell, sot për të fundit herë.

ENONA
 Si? Ende të brengos ajo dëshir' mizore?
Nga jeta do të t'shoh përher' të heqësh dorë?
Të duash sa më shpejt që vdekja syt t't'i mbylli?

FEDRA
Sa mir' do qe të rrija në hijen e një pylli!
 Ah, kur do të mund, vallë, mes pluhurit të artë,
Të ndjek me sy vrapimin e kuajve të zjarrtë?

ENONA
Si, zonjë?

FEDRA
Mos u çmenda? Ku jam? E ç’thashë ashtu?
 Ku më fluturoi mendja? Si fola kuturu?
 Mendjen ma kanë prishur, Enonë, perënditë;
 Faqet më janë skuqur, ç'u bëra në kët' ditë!
 Brengën time të turpshme un nuk ta fsheha dot
Dhe syt e mi ngarkuar, Enonë, jan' me lot.

ENONA
 Fajin e ke ti vetë, se brengën që të bren,
 Në heshtje ti e mban, Enonës s'ia rrëfen.
 Më gjith kujdesin tim po tretesh prej mërzisë
Dhe vdekjen e kërkon në lulen e rinisë.
Vallë ç'tërbim ty jetën në mes po ta shkurton?
Ç'magji, o çfarë helmi burimin ia shteron?
Tri herë lart në qiell u ndezë e u fikën yjtë
Qëkurse gjumi i ëmbël nuk t'i ka mbyllur sytë;
Tri herë është ngrysur, tri herë është gdhirë,
Qëkurse ti, moj zonjë, s'ke ngrënë e as ke pirë.
Ç'mendim i tmerrshëm vallë drejt vdekjes te thërret?
Jetës ti fund kërkon t'i japësh, me ç'të drejtë?
Që jetën perënditë ta falën nuk mendon?
Kështu ti rëndë i fyen dhe burrin e tradhton;
Tradhton edhe fëmijët, fëmijtë e tu të mjerë
Se nën' një zgjedhë t'ashpër i hedh ti për ngaherë.
Ti mos harro se vdekja nënën do t'ua rrëmbejë
Edhe djalit të huaj prap shpresën do ia kthejë,
Atij armikut tënd, djalit të nj'Amazone
Që ësht armik e armik do mbetet gjithmonë.
Ai Hipoliti...

FEDRA
O, Zotër!

ENONA
Të shoh të zemëruar.

FEDRA
 Ç'emër ashtu nga goja ti nxore pa menduar?

ENONA
E ndiej se si të dridhet nga pezmi ajo zemër
Dhe trupi të rrëqethet kur e dëgjon kët emër.
Jeto, pra, dashurinë, detyrën të kesh nxitës;
 Jeto dhe mos duro që djali i një Skites
Fëmijtë e tu përjetë t'i mbajë nën sundim:
Për fisin tënd fisnik do t'ish një poshtërim.
Të trupit të këputur shpejt mposhte dobësinë

Dhe katalinë e keqe këmbeje me fuqinë;
Gjersa pisha e jetës, që gati regëtin,
Nuk është shuar ende, sado pak që shëndrin.

FEDRA
Të jetës mëkatare e zgjata fillin shumë.

ENONA
Çfar' brenga e shqetësime natën të lën' pa gjumë?
Çfar' krimi kaqe tepër ty zemrën ta ka thyer?
Me gjakun e pafajshem duart mos  i ke lyer?

FEDRA
 Jo, duart un përlyer s'i kam aspak me gjak,
Por zemrën e kam sterrë, Enonë, edhe farmak!

ENONA
Ç'mendim i zi, i tmerrshëm, kaq shum' të ka tronditur
Që po më dukesh sot, moj zonjë, e lebetitur?

FEDRA
Të fshehtën, moj Enonë, ti mos kërko të dish;
Të vdes më mirë: pohimi mynxyr' për ty do t'ish.

ENONA
Ahere vdis; të fshehtën Enonës mos ia thuaj;
Por për t' t'i mbyllur sytë kërko një dor' të huaj.
Megjithëse jeta jote po fiket me nxitim
I pari ndër të vdekur do zbresë shpirti im.
Shumë udhe atje e shpien zemrën plot hidhërime,
 Por udhën më të shkurtër do zgjedhë brenga ime.
Qëkur Enonës sate s'i jep më jo ti besë?
Për ty ç'kam bër', mizore, si ranë në harresë?
Për ty kam lënë vendin, fëmijët, dashurinë;
 Kështu po ma shpërblen ti sot besnikërinë?

****
FEDRA
Do të dëgjosh një emër plot llahtar,
Unë dua...trupi krejt më dridhet kur e kujtoj
Unë dua..

ENONA
Kë?

FEDRA
Të birë e Amazonës besoj
E njeh princin që unë e kam munduar shumë?

ENONA
Hipolitin? O Qiells!

FEDRA
Emrin ti e the, jo unë.

ENONA
O zotëri gjithë gjaku në rrembat më ka ngrirë!
O ç'gjëmë e madhe! Ç'krim! Mallkim, moj racë e nxirë!
O udhëtim fatzi!
O vise të mallkuar,
Ktij bregu të rrezikshëm a duhej vallë afruar?

FEDRA
Rrënjet më thellë, Enonë, i ka kjo brengë e shkretë.
 Me djalin e Egjeut sa lidhur qesh' përjetë,
E lumtur dhe e qetë kujtoja do jetoj;
Armikun tim krenar Athina ma tregoi.
E pashë, u skuqa, u zbeva, mbeta si e zalisur,
 Si valë u ngrit hutimi në shpirtin e trallisur;
M'u errën sytë e ballit dhe goja m'u nemit,
Akull m'u bë gjith' trupi, njëherësh m'u zhurit.
E njoha Afërditën dhe zjarrin shkatërrimtar
Në gjak që më kish ndezur shpagimin për të marrë.
Në lutje të paprera kërkoja ngushëllim.
Një tempull i ndërtova, e stolisa me durim;
Ngahera me viktima siç isha e rrethuar
N'gjitë e tyre kërkoja mendjen time t'hutuar;
 Por zjarri i dashurisë po digjej si më parë.
Më kot dogja, e mjera, temjanin mbi altarë:
Kur emrin e Hyjneshës shqiptonte zëri im
Un doja Hipolitin; e shihja pa pushim

Google+ Followers