Poezi nga Sulejman Mato

Sulejman Mato


   
 Një libër i mirë


Një libër i mirë  është si një lis i moçëm
Lind dhe plaket brenda një shekulli,
Degët e tij janë plot gjak në damarë.


Një libër i mirë është pjellor si fusha
Shtegtar si retë dhe i heshtur si shkëmbinjtë,


Një libër i mirë është rezistent ndaj ngricave
I errët si mendimi dhe i padepërtueshëm si guri.


Një libër i mirë i shtohet tokës
Përkrah qyteteve të rinj dhe shkëmbinjve të moçëm.


Në damarët e tij qëndron sekreti
I lidhjeve të njeriut, lisit , shkëmbit dhe librit.



S'ka kohë për të thënë shumë gjëra


S'kemi kohë për të thënë shumë gjëra,
por më të rëndësishmet duhet t'i themi,
si për shëmbëll: E kaluara na u tret si brymë.
E ardhmja? Gjë e gjëzë që dot s'e gjeni.

Ishte një kohë e gjatë, e gjatë,
që ne e shkurtuam me hallet tona,
u përpoqëm shumë , por bëmë fare pak.
Për çfarë bëmë keq,  Zot, mëshirona!

S'kemi  kohë për të thënë shumë gjëra,
të gjitha sa thamë midis jush i lamë.
Po ikim të qetë në një vend që s' e dimë
pas hijeve të dashura të të parëve tanë.



Sonte do të vij

Deti dhe ullishtat do të më kenë harruar
dhe pezuli gri i reve më ka fshirë nga kujtesa,
vetëm shtëpitë e bardha që dremitin nën yje
ma ruajnë kujtimin.

16 vjetë
pa të parë ty.
Sonte jam aty.

Se dua të takoj zërin e largët të nënës sime...
Ndoshta malli i saj rastësisht ka ngecur
në degët  e një ulliri të pikëlluar.




                *    *     *
Një vetëtimë theu krahët dhe ra diku,
në honet e vetmuara të horizonteve të muzgut,
pylli i madh i  kujtimeve u lëkund mbi Jug
si imazhet dimërore të Frederikut.


Ku shkon kaq i vonuar ,malli im, për ku,
si krifa e gëzuar e një kali të bardhë?
Një vetëtimë malli shkrepëtiu diku
dhe ra në baladën e një reje mbi mal.



Ç'natë është kjo.!?



Ç’natë është kjo?
Ç’natë qenka kjo?
Me ullinj  të vetmuar që dremitin të pikëlluar
nën yjet e mëdhenj të fëminisë...?


Një këngë greke çuditërisht më mirseardh,
në vend të këngëve të vendlindjes sime.
Valët në breg oshëtijnë
si këngët e Neço Mukës.

Nga nëndeti vijnë ca bubullima të mekura .



Ftera!


Këtu dhe ajri të deh  si vera.
Tingëllojnë zilet e dhive në male,
tutje deti psherëtin, psherëtin…
Ullinjtë e  vjetër si pleq të përmalluar.


Tinguj resh trokasin mbi xhamat e heshtur
të shtëpisë sime të vjetër
Ftera…Rrjedhja e qetë e ujrave të heshtur
më zgjojnë fëmijërinë e largët.
Ul kokën të pi ujë e s'ngopem së piri.


Eci kalldrëmeve që i ngritën të parët tanë,
si  fije bari e përkundur nga era.
Jam shndërruar i tëri në dritë e tinguj
Një plakë e lashtë picëron sytë…
"Mos je ti, djali i tretë i Vahidesë?"
Më fton në shtëpinë e saj,
oborri plot me menekshe dhe lule bore,
më gostit me mjaltë mali dhe çepele.


Ftera! Ftera!
Bekuar qofsh ti moj erë e malit që ulërin në stanet e  bagëtive!
Bekuar  qofsh dhe ti mbrëmje që pikon aromë yjesh!
Bekuar qofshi ju zëra çobanësh,
dhe ju zërat e largët të stërgjyshërve të mi!
Bekuar qofshi ju pemë e ju ujëra!
Dhe ti shi vere mbi çatinë e vjetër të shtëpisë sime.
Bekuar qoftë ky vend magjish dhe këto zgafella ajri…!


-Sulejman, Sulejman! Ku vdekja  pihet ëmbëlsisht si verë?
-Në Fterë!
-E ti ku dëshiron të vdesësh pa e ndjerë?
-Në Fterë! Në Fterë!


Tri mushka


Tri mushka zbresin nëpër një tërthore
me kosha me fiq  ngarkuar.
Një e kuqe
një e zezë,
një gri.


Det   qielli
Qiell deti.



Tri zilka yjesh vibrojnë ajrin.
Një në "la"
një në "do "
një në "mi."


Det    qielli
Qiell deti.


Ca zëra polifonikë
vajtojnë për ca gjëra të largëta



Tim vëllai
              
                     Jakupit.



Qëndroj i heshtur  te varri yt.
Sa e çuditshme?


Ti ka nisur të të mbulojë harrimi...
Dhe mua  më ka mbuluar errësira.


Po dhe unë, vëlla,
edhe pse jetoj
se mos jam i gëzuar.


Më fal, vëlla,
për të gjitha ngricat e shkurtra dimërore
që të kam krijuar.


Më fal, ashtu siç dije  ti të falje ,
se ti kishe një karakter të fortë
dhe një zëmër të madhe.


Po si na ike kaq papritur dhe na le kështu?
Si na le për fare?!



Pashë një ëndërr sikur isha qen


Unë pashë një ëndërr sikur isha qen
Dhe thashë me vete:”Përse shqetsoheni ju njerëz?
Jeta është e bukur…
vetëm kur je njeri… 
Mund të ishe dhe qen
dhe mace,
dhe mi. »


Në mëngjez  dola në trotuar
dhe pashë në rrugë një qen qyqar,
flinte si qen, pa dyshek, pa çarçaf
pa jastëk , pa jorgan.

Midis kalimtarëve  kalonin indiferentë
flinte si një mbreti vërtetë.


Më erdhi   keq për qenin qyqar.
 për racën të cilës  i përkisja dhe unë,
vetëm në gjumë,
dhe nisa ta dua racën e qenve 
dhe më shumë.


Për të gjithë  këtë dashuri
u bë shkas një ëndërr…
Dhe një qen qyqar
që flinte si mbret
në trotuar.



Shtëpia me tulipanë



Eshtë një shtëpi në periferi të Korçës
që ka një kopsht  me tulipanë,
aty erërat fryjnë si  mall i largët,
e dëbora ulërin  si  harrim i bardhë.


Eshtë një shtëpi   e plakur dhe e harruar,
tulipanët në kopsht digjen si zjarre ,
brenda  vërtitet një flutur krahëshkruar...
Ç'ishte aq të bukur në prillin e malleve!?


Te ajo shtëpi shkoj  netëve, veç në ëndrra,
dhe pres i shqetsuar të kërcasë një dritare.
Yjet lart- si në një ceremoni mortore,
tulipanët në kopsht digjen  si zjarre.


Atje ka kohë që ka  rënë dimri  i pullazeve,
oxhaku nxjerr shtëllunga të bardha malli…
Ajo zbret çdo mëngjez në kopshtin e vet
të zgjojë rininë  me dritë tulipanësh.

              


Mbretëria  Huang ti



Larg, larg, më larg se sa largësia,
në perëndim të perëndimit
dhe në veri të veriut të largët,
është një mbretëri që quhet:
"Mbretëria Huang ti."

Në atë mbretëri mund të arrish  vetëm
mbi krahët e  erërave dhe stuhive.
Atje nuk ka ligje ,
nuk ka  gjykata dhe prokurori...
Atje është afërsisht si në Shqipëri.

Atje shpirtërat  futen në ujë e nuk mbyten,
Atje shpirtërat futen në zjarr e nuk digjen,
lëvizin në ajër dhe nuk peshojnë,
vërtiten si fluturat rreth dritës,
po zotin Huang ti nuk e shikojnë.


Ai rri fshehur brenda një reje
hera-herës shfaqet në formë rrufeje..



Në panairin e librit në Sarandë


Erdhën dhe librat.
I  sollën  tregtarët e shpirtërave.
Vetëm poeti mungon.
Në stendë ka lënë  lëkurën ndërsa ai vetë,
                                          aventurier si gjithmonë,
                                          lakuriq dhe pa një dyshkë në xhep,
                                          bën shoqëri me  gaforen e guvave të thellësive,
                                          me yllin e detit
                                         dhe me breshkën  turiste, të deteve të largët.
I pyet për jetën nënujore, për gjuhën e peshqeve,
për dashuritë e tyre të pafata, e për gjëra të tjera...
Sa mijra qenie të mjera  nuk dinë  fare
ç'janë metaforat dhe librat...



Tani mbi Sarandë ka rënë muzgu  i mesdheut
edhe dritat e qytetit   kanë shtënë dashuri me alget e thellësirave,
vetëm tregtarët nuk i trondit asgjë.
Ata i gëzohen fitimit,
i numërojnë mijëshet e fituara me gishta, një nga një,                                                                                 

Jeta është e bukur...Apo jo?
Vetëm për poetin nuk kujtohen, jo.
Doli nga deti...apo u mbyt?


E  ç'rëndësi ka kjo?
Kujt i duhen poetët ?




Dajke Zonja



Sa linde nise të qaje,
të thanë ,  je martuar.
E di, -the ti,- e dija  më parë se të lindja,
kisha përgjuar bisedën e dy burrave  lart në male,
një mbrëmje me murmurima bubullimash të largëta.
Po linde vajzë,- tha i pari  do ta marr nuse për tim bir,
Dakort,- tha tjetri, kështu rritet  miqësia,
si bari që fle dimrit nën tokën e lagur
dhe zgjohet pranverave me kundërmim Lulezonjash.

Zonjë të thirrën,
si zonjë  në shtëpinë e gjyshërve të mi u rrite,
14 vjeç... "nusja e Nedimit",16 linde djalin e parë,
34, nënë e gjashtë fëmijve… Lëvizje nëpër dhoma me çelsa në brez,
herë si zonjë e rëndë e herë  si hije-
mërmërimë e kopshteve në pranverë
përzier me tingujt rinorë të nënës sime.

Kur ike : "më futni në një varr me vjehrrën ,-the".
Tani mbi varrin tuaj ka rënë muzgu i Lulezonjave,
si u e deshët mbi tokë ashtu duheni dhe nën tokë,
me eshtra këmbeni mërmërima dashurie.


E ç'është jeta... Në mos një lule Zonjë?
Mbin dhe vyshket, pastaj mbetet vetëm  fara.
Vetëm farërat dhe kujtimet nuk vdesin kurrë.
Të tjerat janë heshtje.




Pesë poezi për nënën

Në një yll të largët kam nënën time


S' kemi kohë për të matur distancat midis largësive.
Në një yll të largët  kam nënën time.
Zëmërbardha shqetsohet përditë për fëmijët
ca i la në tokë,  ca në qiell…


S'kemi kohë të merremi as me gjëra tokësore.
Koha  rrjedh si dritë pas veshëve të mi,
                                     e herë si shi me vetëtima.


S'kemi kohë  për të mësuar as ca gjëra të thjeshta:
Nga vijmë? Ku shkojmë?


Në një yll të vogël kam  flokëbardhën time,
e gëryen malli për të dashurit e largët.
Ca i ka në tokë ca nuk i di ku janë…
Dhe ka aq mall dhe ka aq mall për t'i parë
sa thonë se edhe vetë është shndërruar në mall.



Baret netëve nën vjeshtën e yjeve,
dhe ëndërron të bëhet kometë
të rendë në kërkim qiejve të tjerë…


Rruga për në tokë zgjatet e zgjatet,
gumëzhin nga zërat e gëzuar të fëmijve.




                     
                  *    *    *
Kur ti ike toka ndali për një çast rrotullimin,
dhe rrugët humbën  krejtësisht kuptimin.

Dielli-pasqyrë zjarri
Hëna- pasqyrë  ujrash në ikje.

Në çfarë pasqyre përsëritet profili yt prej hëne,
moj shën Mëria ime?

Imazhi yt përthyhet
në muzgun e  pikëllimit të trëndafilave.





                    *    *    *
Ne rrinim në oborr, përballë njeritjetrit
hija e nënës, e re dhe e bukur, zgjatohej si shtyllë drite,
ajo rrinte ulur në stol, thurrte  çorapë me shtiza,
po mendjen e çonte larg…


Jeta me nënë  ,thoshja unë, 
është si deti i madh dhe i paanë…


Zoti ynë që je në qiell,
ndaloje përjetësisht  atë çast,
mos ma lër të ikë.


Ne rrinim në oborr , përballë njeritjetrit
dhe dielli lumturohej mbi kokat tona.
Ajo thurrte çorapë me shtiza
por mendjen e çonte larg.


Jeta me nënë, thoshja unë,
i jep forcë  dhe globit në rrotullim…
U jepte forcë  bletëve që gumëzhinin rreth luleve të kumbullës
u jepte gjallëri dhe pulave në oborr që kakarisnin gjithë gëzim.


Zoti ynë që je në qiell, thoshja unë,
ndaloje  përjetësisht këtë çast!

Po tani që  ti s'je më,
ku ta përplas unë kokën
moj nëna ime?!

                    *    *    *
Atje ku ti jeton bien  shira monotonë.
Nënë e dashur, ki kujdes,mos më ftohesh,
tani jam unë që shqetsohem për ty
 e të pres çdo natë  të më vish në ëndërra.


Jam nisur shumë herë të vij gjer aty
po shtigjet s’i njoh, shenjat e qiellit s’i di.


Aty ku  jeton ti thonë gjelbërim nuk ka,
as zogj  as flutura as zile bagëtish,
shtëpizat u ngjajnë reve në lëvizje.


                *    *    *
Pas shirave të vetmuar, larg, shumë larg,
më rri e veshur me mjegull drite.


Ishte një kohë e largët,  e largët
që kisha nevojë të të kisha pranë.
Unë kisha shumë punë dhe ti më prisje,
më prisje gjithë ditës me sytë te dera.


Tani kam shumë kohë për të qëndruar me ty.
Lëviz një degë shiu ,  të të shoh ku je…

Po ti më je larg  dy galaktika.



  *    *    *

Dal çdo mbrëmjenë bregun me ullinj
të dëgjoj vajtimin e zi të mëllinjave.


Isha mësuar  me zërin tënd
si zogjtë me erën dhe me qiellin.

Tani qielli im ka mbetur i shkretuar,
pa një re të bardhë përkujtimi.
Rri në breg i vetëm dhe i harruar
si hija e parë e njeriut të botës.

Si një zonjë e rëndë, e rëndë,
shëtit  e vetmuar në qiej të tjerë,
ndërsa unë rri e të pres çdo mbrëmje
se kam kaq shumë gjëra për të të thënë.



Një balenë e largët erdhi gjer në shpellën time

                                           Balena që zoti e mbrojti dhe e respektoi
                                            u largua me shpejtësi në dete të tjera
                                            duke shkëlqyer përballë diskut të diellit.
                                                                                        Jeme Jaramillo



Dhe ja, një balenë e largët  erdhi gjer në shpellën time,
që gjendet poshtë  maleve  Akrokeraune.



Unë e ftova atë për një vizitë, i shtrova para mish të pjekur dhe verë
dhe ajo më  tregoi  çfarë kishte parë në thellësirat e oqeaneve,
anije dyrekthyera të ushtrive romake , ….të zhytura në rërë,
peshq luspaartë, yje deti, peshkaqenë e oktapodë mitikë.
Unë nisa t'i tregoja për udhëtimet e Argonautëve,
për anijet dyerekthyera dhe  ushtarët fatkeq të Odiseut…
Si erdhën një ditë nga deti. Ishte mbrëmje e errët me  dallgë dhe furtunë ,
te pragu i shpellës u ndalën.Unë i prita ata sipas zakonit, si në shtëpinë e zotit,
dhe pimë verë  të vjetër gjithë natën dhe poqëm mishrat në hell,
pastaj ata si u dehën nga mylli nxorrën shpejt shpatat,
dhe në zëmërim e sipër  më nxorrën syrin e vetëm…
Të nesërmen  dolën nga shpella vjedhurazi, herët në agim,
dhe unë, unë Polifemi i lashtë i shpellave  të majëmaleve të larta Akrokeraune
kam tremijë vjet që kërkoj të shuaj zëmërimin tim të verbër
duke përgjuar netëve zërat e sirenave të anijeve të huaja.



Të gjitha këto unë ia tregova balenës  gjatë asaj mbrëmjeje  vetmitare,
balenës mërgimtare të detrave të largët.
Dhe ajo, si një mikeshë e vjetër, mikeshë tepër besnike
në ikje më premtoi se do të kthehej përsëri.
Në agim  zbriti gjer te bregu me rërë të lagët:
Kur të kthehem, më tha, do të të sjell shumë lajme të gëzuara,
për atë çka ndodhi me luftëtarët e tjerë trojanë.
Pas asaj nate të kobshme, nga ikën, ku vanë?
Çfarë ndodhi ato netë zulmëmëdha , tre mijëvjetë më parë?


Balena, mikja ime e mirë, u largua me shpejtësi për në dete të tjera
e unë i ktheva krahët diellit  gjithë shkëlqim
dhe u zhyta përsëri në errësirën time të vjetër.


O njeri- përbindësh, kush të paska mbyllur kështu
të qëndrosh kaq shekuj i vetmuar në këtë shpellë të errët…
Larg, shumë larg  shpirtligësisë njerëzore?!


S'themi gjëra të mëdha...




S'themi gjëra të mëdha,
Ca gjëra të thjeshta që i dinë të gjithë...
Si për shëmbëll: Këmishës sime i mungon një komçë,
si për shëmbëll: Këpucëve iu janë ngrënë shollët nga bredhjet e ditës.


S'themi gjëra të mëdha.
Ca gjëra të thjeshta  që i dinë të gjithë.


Si për shëmbëll:
"Mbretëria e qiejve është brenda te nesh..."
Si për shëmbëll: Në botë ka ligje, censurë dhe burgje,
vetëm në parajsë ka liri.


Mugëtirë mëngjesi







Ora katër e pesëdhjetë e shtatë,
lëviz në errësirë, i vetëm,  ngadalë,
për shkak të prostatit që  më pickon nga pak,
nga dhoma e gjumit shkoj  në banjë.


Uturima e një veture që vjen së largu
lajmëron qytetarët :”Erdh koha për zgjim.”,
një çift të rinjsh  kthehet nga  dasma,
dhe  një djalosh i dashuruar që shkon në  takim.


Katër e pesëdhjetë e nëntë...Fiks pesë.
Trokasin sekondat. Drita hapet si duvak.
Pas pak pompat e ujit nisin të cicërojnë
si zogjtë e mëngjesit në fshatin tim, atje larg.




*     *      *

Nga e gjithë ajo mbrëmje
mbeti kjo shushurimë e vjetër shiu
çuditërisht, që më ndjek nga pas
vazhdimisht.

Nga e gjithë  ajo natë e gjatë
mbeti tek unë 
zëri yt ankues
melankolik, i trishtë.

Jehonë e largët kujtimi.




Shpirti im ka ngecur tek një re


Shpirti im ka mbetur tek një re
që lëviz në qiell papushim.
herë digjet si një boçë zjarri
herë si ujvarë  gjithë trishtim.



Iku shpirti im, dhe u ngjit lart,
s’e duronte dot monotoninë,
korrupsionin,  luftën politike,
mbi të gjitha s’duronte zilinë.



Ndaj, kur mos më shihni midis jush
hidhni sytë  tek  ajo re që ndrin,
e vetmuar edhe kalimtare,
brenda saj kam lënë shpirtin tim.




   *     *     * 

Dy vëllezërit e mi i ruaj në lëkurë,
 Babanë e ruaj prej kohësh në eshtra,
 nënën e dashur e ruaj në vena.

Njerëzit e mi  i ruaj në lëkurë e në eshtra
dhe në venat që zemrën ma ushqejnë  pa pushim.


Dhe veten e ndjej si një tren në udhëtim,
i ngarkuar me një lëndë të çuditshme kujtimesh,
në një ikje pa kthim.


         Monologu i Ciklopit...                     





M’i shqyet  sytë e m’i bëtë rrema,
e më pas çatë tutje deteve pakufi.
Po më e keqja erdhi kur  ju shpifët për mua,
se   qenkisha  përbindësh me një sy.

Mbetën sytë e mi si dy lakuriqë nate
ndërsa sirenat këndonin atë ditë mynxyre,
yjet zbritën poshtë, të më ngushëllonin mbas darke
duke më kujtuar si një statujë ilire.

Dhe ne nuk ishim bij perëndish,
as unë as mbreti me  emrin Odise,
ti e quaje veten mbret  ndonëse ishe bari derrash Itake
po mbret isha unë, dhe Zot i maleve.

Qysh nga ajo ditë kanë rënën tokë shumë kometa
dhe toka ndërkaq  është rrotulluar pa pushim.
Të verbërit  e botës të gjithë janë harruar,
 kam mbetur veç unë dhe Homeri im.



                           




                     Prometeu



Në natën e errët dhe të pafund ,të Kaukazit,
unë ndeza një zjarr të madh mbi gjithësinë,
ndaj qëndroj i lidhur në këtë majë mali
duke më shqyer orlat , ditë e natë,  mëlçinë.

Unë zjarrin e ndeza   për ju  o njerëz,
që u treguat  indiferentë ndaj fatit tim,
i latë Zotat  të më lidhin me zinxhirë
për çka bëra për ju ky qenkej shpërblimi im.
Tani rri i varur nën yje e  në erë
si pendul i gjithësisë që ndan dy kohëra
ndërsa Zotat bëjnë festë  në Olimpin e lartë,
derdhin verë mbi tavolina e harbohen ndër lodra.


Mund të kisha qenë dhe unë  midis tyre.
i qetë e  pa travaj, duke kthyer gotat me verë ,
po si do mundja  ta bëja unë  një gjë të tillë,
kur  populli im i gdhinte netët në terr.?

Ndaj  e braktisa Olimpin e zotave,
që të vuaj ditë e natë, në këtë shpat mali, vetminë,
për ty, o popull, mos mirënjohës dhe i ftohtë,
duroj sqepat e orlave të më shqyejnë mëlçinë.


Plakat e Vunoit
         Mbrëmje gushti e qëndisur me yje.Mugëtirë.
         Disa plaka vunotase janë ulur në një  prag të një porte
         dhe monologojnë pa zë.


Nuk  dimë sa kohë kemi  që presim kështu...?
Nuk  dimë sa kohë  u bë që kanë ikur djemtë tanë?
Tani na ka lënë dhe mendja, nuk  kujtohemi dot.
Si na iku kështu  kjo jetë, si një ëndërr e keqe
me sy të  pisëruar nga deti…



Nuk e kujtojmë dot, jo, kur na kanë ikur.
Megjithatë s' themi themi gjë.Ishin djemtë tanë.
Bëjmë sikur s'dimë gjë, sikur s'ua kemi vënë re fëmijve tanë,
që ikën e na lanë.



                         *     *      *
Kështu  dalim së bashku çdo mbrëmje, në mugëtirë,
me duart e fshehura në futatë e zeza
dhe bëjmë sikur presim...
Dëgjojmë të qeshurat e tyre të largëta,
në Amerikë, në Kanada.

Kur do të kthehen  djemtë tanë?

Çdo mëngjez   u rregullojmë krevatet e martesës,
u pastrojmë fotografitë. Hapim sëndukët e vjetër të nusërisë
dhe u mbajmë erë këmishave të tyre,
përzier me erën e molës.


             *     *     *
Kur do të kthehen djemtë tanë?
Pyesim Hënën , një hënë të ftohtë dhe memece
që shëtit  mbi çatitë tona netëve. Mos vallë i ka parë...
Çdo natë kur ikën larg nëpër dete,
mos vallë i ka parë djemtë tanë...
Ku janë?
Ç'bëjnë?
Si jetojnë?
Pyesim një yll që qëndron gjatë gjithë natës ndezur si fener
mbi mallin tonë të përvëluar,
pyesim  murmurimën e detit që imiton brengat tona…
I rrit , i shton, i shumëzon, i shpërndan
në të pesë kontinentet.
Ikën bijtë tanë.
I kishim si drita e syrit.
U lanim rrobat çdo mbrëmje … gatuanim gjithë gëzim.
Tani  jetojmë pa zëmër në gjoks,
nuk kemi më kujt t'i  qajmë një hall,
nuk kemi  kujt t'i themi: "jetoo"
Nuk kemi më jetë...
Prapa botës i çuat jetët tona, jetoo!



Tani jemi hije të ditëve tona të dikurshme,
shpirtëra që vërtiten rreth këtyre gërmadhave të vjetra.
Na kanë  harruar jo vetëm fëmijtë
por dhe   vetë vdekja.
Nuk  dimë për kë të gatuajmë, për kë të lajmë?
Për kë të  pastrojmë odatë  mëngjezeve, shkallët , oborrin?
Për kë të lyejmë pragjet e portave me gëlqere?



Kemi harruar të dëgjojmë të qara fëmijësh,
kemi harruar kur kemi lindur,
kemi harruar sa vjeç jemi,
kemi harruar të kemi qenë ndonjëherë të martuara…
Po mbase nuk jemi ne që vërtitemi në dhomat tona të mëdha,
nuk jemi ne që dalim në kopsht, nuk jemi ne që u hedhim thërrime pëllumbave,
nuk jemi ne, jo…Janë shpirtërat tanë të paqetsuar,
që vërtiten portë më portë.
Herë herë na duket se do na hanë këto mure,
do na hanë gojët e dyerve dhe të dritareve,
do na hanë trarët e nxirë të shtëpisë…
do na hanë….do na hanë!



Po kush ju çoi kaq larg, jetoo?
Ishit aq mirë dhe këtu, shtëpia dhe buka mjaftonte për të gjithë.
Deti rrit peshq, mali rrit bar e trëndelinë,
mblidheshit mbrëmjeve te sheshi, mbanit iso: "Vajza e valëve…"
iso mbanin dhe dallgët e detit në Jal,
dhe hëna e yjet në mal mbanin iso,  bashkë me ju.
Janë të bukura këto vende, jetoo, janë të bekuara nga zoti,
Po kush u çoi kaq larg, jetoo?,


                 *    *    *
Herë -herë , kur muzgu  i qëndisur me hënë e  yje  bie mbi këto brigje
dhe dritat shkëlqejnë në ishuj,
na kap një mërzi aq e madhe, aq e madhe…
Kemi frikë mos na ikë mendja,
kemi frikë se mos  dhëmbja na shndërron në qyqe
kemi frikë mos shndërrohemi në qyqe të pyjeve
dhe kukuvajka të brigjeve,
kemi frikë mos zëmra do të na plasi papritur,
kemi frikë mos vdesim të vetmuara në dhomat tona të gjumit,
sidomos, kemi frikë mos vdesim netëve,
sidomos kemi frikë mos vdesim në ndonjë natë të tillë,
nën krisma vetëtimash me bubullima shurdhonjëse,
kemi frikë mos nuk na troket njeri te porta, ditë të tëra,
kemi frikë mos na lënë pa varrosur…
Kemi frikë! Kemi frikë!



Jo.Jo.Nga vdekja nuk kemi fare frikë.
Po kemi frikë nga ndonjë ëndërr e keqe...
Kur shohim se  fëmijve tanë  diçka u ka ndodhur.
Mos i kanë vrarë?  Mos  i kanë grabitur?
Mos i kanë fyer?    Mos i kanë përgojuar..?
Shpatull më shpatull janë vrarë me mall
për  këto plaka gërmadha e për gërmadhat e shkreta,
për Skutarën dhe Jalin?
I  ka vrarë malli për llampën e madhe të Hënës që shëtit
çdo natë mbi  çatitë e pikëlluara të Vunoit…
I ka vrarë malli. I ka vrarë malli!



                 *     *     *
Sa e shkurtër qënkishte kjo jetë, jetoo!
Si iku kaq shpejt? Si na iku kaq shpejt?
Pa shplarë duart e futura në kazanët e rrobave,
pa drejtuar trupin e kërrusur mbi brumin e magjeve,
pa kaluar  një natë  me burrat tanë
që ikën dhe na lanë…
Pa kërcyer një herë të shkujdesura në dasmat e fëmijve,
Pa qarë një herë me zë të lartë nën drurët e ullinjve,
pa u ngopur një herë me gjumin e mëngjezit,
po iu gëzuar  dashurisë së fëmijve…
Si na iku kështu kjo jetë, jetoo?!


                *    *    *
Herë- herë na duket se s'jemi fare fillikat,
kur dëgjojmë në male  zilet dhe këmborët e bagëtive,
dëgjojmë zërin e një fyelli të brengosur që këndon mbi çatitë tona ,
dhe shohim se si na afrohet macja me mjaullima malli,
dëgjojmë zërin e një gomari që këndon i vetmuar në brigje
dhe zërin gazmor të këndesit të shtëpisë
që lajmëron yjet çdo agim mbi sorua…
Eshtë i bukur ky vend , jetoo!
Brigje të kaltërta të mallkuara me kurbet të zi.



S'jemi fare vetëm, jo,
kur shikojmë se si dhe minjtë e zhapikët
hyjnë e dalin  mureve  të vjetra, të gëzuar,
e një merimangë mbi dritare thurr ditë e natë rrjetin e saj me fije ari.
S'jemi fare vetëm, jo.
S'jemi fare vetëm, jetoo! Jemi shumë plaka
në një fshat me 100 shtëpi.
S'jemi fare vetëm…jo. Kemi dhe varret pranë kishës,
Varre të lashta dhe të reja, varre, varre, varre…
Dhe shtëpitë tona të gurta na ngjajnë si katakombe,
S'jemi fare vetëm,jo. Sidomos netëve
kur takohemi të gjallë e të vdekur,
bisedojmë me shpirtërat gjatë gjithë natës
gjer kur del mbi det ylli i mëngjezit.
I kemi bërë gati takëmet e vdekjes
dhe i ruajmë në syndyqet e vjetra të nusërisë.
Nuk dimë  kush do të na lajë trupin
ditën e fundit të mbrëmjes ?
Dhe kur të ikim  përsëri këtu do të na gjeni-
zogj të egër malli duke vajtuar mbi ullishta.



          *      *     *
Kalojnë tragetet në det dhe ikin
si ëndërra të bardha të ditëve të pajetuara.
Lëvizin ndadalë, treten në largësi…
Brenda  ka jetë, brenda  ka ngrohtësi.
I shikojmë nga larg, të qeta dhe indiferente.
Udhëtimet nuk janë tonat, as dashuritë e të tjerëve.
Tashmë jemi shndërrruar të gjitha
në statuja prej shtufi të zi.
Kur të vini, bijtë tanë e mos të na gjeni,
na gjeni në pyje…Qyqe, këndojnë gur mbi gur,
mbi varret tona  emra mos vini...
Ishim  ca plaka  që s'jetuan kurrë.



                                           Jeto.- Është një shprehje dashurie ,
                                           karakteristikë vetëm e grave Vuniotase









Dy fjalë për veten

Linda në fshatin Fterë të Sarandës 1 mars 1941
Shkollën fillore e mbarova në fshat-Gjirokastër, shtatvjeçaren në Gjirokastër
Të mesmen ”Teknikumi i ndërtimit” Tiranë,
Faktultetin Gjuhë- letërsi shqipe, në Tiranë. Dy vjet arsimtar në Berat.
Revista ”Nëntori ” Lidhja e shkrimtrëve, Tiranë 1067-1973
Libretist Teatri i Operës 73-76, dhe 1985-90 Mësues letrësie shk.J.Pashko ,Tiranë (76-84)
Drejtor i Agjensisë së tregtimit të librit artisitk     (1992-1894)
Kryeredator i gazetër ”Tirana” Bashkia e Tiranës. (1997 -2001)
 Kam nisur të shkruaj në fillim të viteve '60-të.


                                    *    *    *
Ideja për të shkruar më ka lindur në vitet 50-të,  për të shprehur emocionet e moshës .Poezia ime  ka qenë  e kushtëzuar nga koha dhe  vendi.
:"Poezia lind nga dashuria për ta rijetuar jetën në vargje, por edhe për ta konsideruar atë si një moment, si " e tashme e fiksuar." thotë poeti amerikan Oktavio Paz.
Shekspiri poetët i quante: "materiale me të cilat ndërtohen ëndërrat."
Vitet 60-të e  pasuruan denjësisht traditën e poezisë shqiptare jo vetëm Kadarenë , Agollin dhe Arapin por dhe me bashkëmoshatarët e mi: Musa Vyshka, Frederik Reshpja, Xhevahir Spahiu , Moikom Zeqo, Faslli Haliti, Koçi Petriti., etj.
Qysh në krijimet  tona të para u vu re nga kritika një frymë e re, një brez i ri poetësh po futej në poezi me problematikën e kohës dhe çiltërsinë e moshës.
Disa prej poetëve të brezit tim  ranë në grackën e angazhimit letrar, ”nën përkëdheljen e optimizmtit të financuar nga shteti”,  mirëpo talentet e mirëfillta  e konsideruan atë klimë thjesht  si veshje stine.
Në kushtet e një trysnie të thellë, të diktaturës dhe të shtypjes së individualiteteve , qoftë dhe nga nomenklatura e një tresheje poetësh, poetët e brezit tim ia dolën mbanë, duke ruajtur të paprekur thelbin e  vlerave .



                                             *     *      *
Në krijimtari kam synuar të jem gjithmonë vetvetja.
Kam patur shumë idhuj, ndërkohë që parimi im mbetet:  "Çfarë nuk dhëmb nuk është jetë" Pëlqej të gjitha llojet e poezisë, moderne dhe klasike, lirike dhe epike, të thjeshta dhe metaforike.Tani që  mbusha  45 vjet krijimtari poetike dëshiroj të them :Faleminderit poezi!.



                          *     *      *
Në ruajtje të strukturës  popullore  dhe  kërkesave bashkëkohore,  në vitin 1967 doli fëmija im i parë  "Shtegu i Blertë".
Historia e krijimtarisë së  kohës socialiste është një krijimtari  brenda kornizave të kërkesave të kohës. ”Pozicioni i shkrimtarit  s'mund të jetë pasiv në shoqëri"-shkruan kritiku Antonio Gramshi. Këto realitete u sendërzuan në mjaft poezi të mia, të cilat ia vlejnë të gjykohen, jo si një kompromis me ideologjinë e kohës por si një vlerë që kërkonte përsosje.
Ne nuk kemi patur një  kritikë strukturaliste që të gjykonte rreth dukurive letrare  të poetëve të brezit tim. "Kritika  i ka kërkuar gjithmonë shëmbujt te "të mëdhenjtë", thotë nobelisti  S.Quazimodo.



Botime  të autorit
      Poezi:
 “Shtegu i blertë" 1967
“Nën diellin e jugut"1969 
“Mbi glob fryjnë erëra” 1972
“Në stinën e poezisë “1975
“Mesi i jetës “ 1985.
"Kryengritësit”1986 “Poezi” 1985.               
“Fjalët" 1988 .
“Dallga e Jonit”  1977. (Shkup)
“Jeta në dy kohë” Prishtinë. 1983
"Balada e vetmisë"" 1998
"Kitara e jugut"     « Toena « 2006
« S’kam kohë për të thënë shumë gjëra. »  2010
  Drama:
”Ankthi”. 1971 
“Një natë e gjatë” 1975  
 “Viti i   provës së madhe”   1982
 "Bukë në shkëmb" 1985 “
 “Familja Zhavora” 1988


 Librete të vëna në skenën e T.O.B.it:
“Legjenda e lules Honinë”    Balet
“Vajzat e qytetit të gurtë “    Balet  
“Paja “                                 Opera komike


Tregime:
“Drita e syve “ (1988) 
“Banorët e Vilës”(1994) 
“Vizitor në parajsë “ (2003)
"Nusja e Borajve" (2007)
« Zarfi me mizë » 2011 Toena
      
Libra studimorë
“Labirinte dhe enigma”  (2000) 
“Endrrat profetike”       (2001 )
“Arti i të shkruarit”        (2002)
 "Në kërkim të rrënjëve"(2005 )
"Vëzhgime mbi lashtësinë e gjuhës shqipe" (2008)
Arti i të shkruarit (Ripunim) 2011

Romane
Njerëzit janë si retë   Toena 2009
Banorët e shpellës    B.Sh.   2011 

Google+ Followers