POEZI NGA RIZA LAHI

Riza Lahi


POEZI TË RINISË SË PARË

MOJ NËNË

Moj nënë, shpesh më thua: “Po, lëri tash vjershat
Po lodhesh, dëshpërohesh, s’tu botua asgjë!”
Po, prap rri me mua dhe me llampen e ndezur
Tek grindem me vete gjer më dymbëdhjetë a më një

Kur nxitoj për shkallësh drejt marrshimeve të gjata
Lehtë – lehtë , si mbaron tëra punët e shtëpisë
I mbledh fletët e mia të shkruara e të bardha
Dhe lehtë i ujdisë  tek syndyku i nusërisë
1971, Shkodër



ÇVIT - ÇVIT

Jo rrallë ulem te lulet
e shplodhem i menduar...
...Sa shumë dallandyshe
në vapë shpërthejnë tër’ gaz:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Ca vërtiten mbi mua,
sa u shoh sytë e zgjuar...
Pastaj shkojnë tutje - tutje...
Papritur kthehen prap:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Po, pse, sa herë i shoh
Diçka më bien nga ti
Ma lënë diku këtu
S’arrij t’i falënderoj:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Diçka nga shkumbë e detit
Diçka kur nxiton ti
Diçka nga qeshja jote
Me mëndje bëlbëzoj:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!


Në gjumë të parë, nga qielli
Më vijnë gjith’ dallandyshet,
Në mes tyre, dhe ti
Me një palë krahë si tyret:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Më lidh një shall te gusha,
Më kruhesh te qerpikët...
Dhe...i rreh krahët e ikën
Me një këngë dallandyshesh

Çvit – çvit, - çvit – çvit !


1978, Tirane



PEISAZH NËN KALANË E SHKODRËS

Rrjedh Buna, rrjedh ëmbël, rrjedh  shtruar, menduar
Drejt gjoksit të leshtë të Drinit të rrëmbyer...
Një vajzë me buzën e lehtë të Mona Lizës
Nga libri i saj një faqe ka kthyer

Pulëbardhat i sillen përqark dhe asaj
Dhe Bunës, që plagë po më çelin pa faj...
Dhe Bunës... Ky Drini për beli përfshin
Stolirat dhe ojnat vajërore të saj.

Si plagë trëndafilash këto buzë buzë Bunës...
Ç’lexojnë mbi libër këto vetulla si shtiza?
Mes lotëve të shelgut i heshtur rri unë
Mes lotëve të shelgut buzëqesh Mona Liza.

Po, kush do t’i puthë pa i vrarë ato buzë
Fare lehtë...sa një fllad...jo si Drini lugat
Por ...vajza me dorë thërret djalin e saj
Dhe Buna shkujdesur po shkon për në shtrat.

Këto plagë, pse m’i çelën dhe vajza dhe Buna
Pyes vete dhe buzën kafshoj gjer në asht...
Pulëbardha krahëbardha fluturojnë drejt bedenave
Zemërbardha kridhen në qiellin e  lashtë...
1980


POEZI TË VITIT 2010

SULMI QË NUK I REZISTON ASKUSH

Ujrat ecin qetë
Shtruar, si një jare e lashtë

Pranvera po afron

Pulëbardhat sulen pingul
Njëra pas tjetrës
Në këtë spektakël të heshtur dhe
Pafundësisht të bukur

Pranvera po afron

Një peshkatar e hodhi sërish në ujë cironkën e vogël
Ai është rritur me muzikës ujrave
Dhe është kaq i dhimbsur për këtë cironkë
të vockël sa një flutur e bardhë

Pravera po afron

Ujrat po ulen ngadalë
Dhe shelgjet
Po presin qetësisht sa të rrethohen nga bari i madh dhe grafullonjës


Pranvera afron
Duke ndryshuar gjithëçka ëmbël, bukur, pa zhurmë
Njerëzit i hoqën vetë palltot e dimrit që i shtërngonin aq shumë nëpër dimër
Dielli i fton të gjithë të këndojnë
Kur të duan,
si të duan,
sa të duan,
vetëm të duan dhe
sipas zërit të tyre

Ky është sulm.

Edhe ky  është sulm

Është sulmi i bukur i pranverës.


22 – 23 mars 2010, Tiranë





ÇFAR MË KA MBETUR NGA SHKODRA IME

Të vetmet që më mbetën nga Shkodra ime
Janë këto këngë
Këto shkodranet e mia të gjalla, të bukura dhe që ecin duke spërdedhur belin
Si një grup biblilash pylli.
Këto këngë
që vijnë qënga blirët e gjimnazit, piaca, vështrimet e ngulura te një dritare
dhe më rrëmbejnë nga kthina ime ku shkruaj....

Nisem për Shkodër.

Askush nga këta djem nuk e di se kam qënë dikur si ata
Se e kam dashuruar para tyre  ”Motrën Tone”;
Para tyre si i çmëndur
Kam ndënjur me orë të tëra pa u ngirë para saj
Ata flasin për sex ndërsa
Para tyre shkojnë vajza gjysëm të çveshura
Ata se dijnë se i gjallë në botë nuk kisha ardhur këta çaste nëpër Shkodër
Po të mos më rrëmbenin këto këngë
Që rinia ka nisur t’I harrojë
Të harrojë edhe Motrën
Që unë e kundroja me orë të tëra
Megjithse ajo ishte e mbuluar
Po plot zjarr
Si shkodra ime
E cila nuk e di
Përse më rri kaq larg

Dhe këto lotë që vijnë qënga rinia ime.

28 tetor 2010


JESHILNAJË...

Zogj me pendë të jeshilta
Shelgje jeshil
Me flokët e mrekullueshëm të jeshiltë
Që përkulen mbi ujrat jeshil
Dhe ujrat e jeshiltë ende flënë
Si një vajzë e bukur
Që i janë hapur mbi jastëk e argjentë
Flokët e jeshiltë të shelgjeve

Mes barit të jeshiltë
Vajzat më të turpëshme dhe më kokëulurat e botës
- disa lulevjollca.

Ora 07.00 , 22 mars 2010, buzë vënndit ku Buna ndahet përj së ëmës, liqenit...


PRANVERË

E shoh pranverën...

Te lulet e çelura
Te bilbilat e rinj që këndojnë ngado
Te vërshimi i dallëndysheve, tollumbaceve dhe
Te rekrutët që pagujanë ryshfet
Për në Afganistan dhe Irak
Të marrin apo të lënë kokë
atje.

Tiranë, 11 prill, 2010


NËNA IME

Të lutem
Rro edhe pak
Se ndryshe
Sa herë të shfaqem
Te ura e Bahçallëkut
Ajo do të tronditet shumë

Unë do të përkulem mbi ujrat e Drinit të shpërlaj lotët

Rozafa
Do të më shikojë akoma më shumë me dhimbje

Ajo është mësuar të më shikojë duke qeshur
Duke kënduar mbu urë
Duke llustruar këpucët, duke fshirë pluhurin, duke u krehur
Para se të hyj në qytet

Rro edhe pak nëna ime
Që unë të jem ende djalë shtëpie përmbi këtë urë
Jo mysafir i largët

I largët dhe i përlotur.

Shkodër -  Tiranë, 20 - 21 mars 2010


DASHNORI  I PERANDORESHËS

Ua, sa pyll pafund i mrekullueshëm
Me kurorat si kodrina prej kaçurrelash të blerta

Si dashnor  për të cilin bëjnë një kompromis të heshtur dhe të prerë
Bota ajrore
Dhe bota e ujrave.

Para pak muajsh   dielli
më kot i dërgonte poezi dashurie
mes rrezeve
qënga kangjellat me dry të reve të shiut.

Para pak muajsh ka qënë në perandorinë e ujrave
në shoqerinë e cironkave, mëlyshëve, gjucave, krapuliqëve, bretkockave
mes të fshehtave,
intimiteteve,
kërcënimeve,
premtimeve,
thithjeve,
puthjeve,
epsheve
të perandoreshës  së ujrave
perandoreshës që  e mbante ditë e natë shtërnguar mes kofshëve...

Sa puhizë e ëmbël ajore
nën këtë blerinë pyllnajore!
Gardalina -  cicërojnë papushim
Dallandyshe - koloviten dhe këndojnë
Lejlekë si kajmaklie
sipër ... nëpër
kaçurrelat e dëndur  si t’ia ketë dhruar ndonjë oaz nga orienti;
flutura...fluturaaaaa...fluturafluturaflutura....sidomos flutura të kaltra
si dhurata mëngjesore nga qielli i këtij agimi

Por do  te vijë perandoresha  sërish!

Do të vijë me taborret e reve të zeza
me tamtamet e luftës së bubullimave
e etur për dashuri
do  vijë perandoresha  e ujrave
për ta futur në kështjellën e saj këtë pyllnajë
për ta shtërnguar fort
mes krahëve të saj
mes gjirit të saj
mes kofshëve të saj
rretheqark duke u sjellur si eunukë
cironkat, mëlyshët, gjucat, krapuliqët, bretkockat

dielli do të struket pas reve duke i shkruar poezi dashurie papushim
lejlekët, dallandyshet do të  kenë ikur përtej….

Përmbi  këto kurorëza
duke prekur me pendë ujrat
do të sillet plot guxim
zogu me i shëmtuar i dheut
dhe më besniku

trumbcaku....


30 korrik 2010  - liqeni artificial, shtëpi
Tiranë





QENTË  E  RRUGËS

Sa më vëjn keq për qentë e rrugës
Janë më shumë se sa duhet të edukuar
Ta lirojnë rrugën si njerëz
Të shikojnë me sy fëmije
Nuk lehin kurr
I ka edukuar e njëjta dorë
- rruga tmerrësisht jo livadhore e kryeqytetit.

Ata iu qahen me sy, me të lutur
Qenëve që shëtitin me qafën me zinxhirë
Që e kanë një strehë dhe ushqim
Por dhe n jë oborr për të lehur
1 – 2 shtator 2010 , ora 05 e mëngjesit, ndërsa këndon hoxha jacinë e syfyrit, Shkodër


POR LIQENI NUK KA DALLGË

Liqeni ende flë
Kanë nisur ngacmimet e lehta të diellit nëpër gjethe
Por ujët me sytë gjysëm mbyllur ende ëndërron
Po të kishte dallgë
Dallgë shumë
Do të ngrihej prej shkumbëve të tyre  për të ardhur tek unë
Afërdita
Me qerpikët, buzët , sytë dhe flokët e derdhura gjer në fund të këmbëve
Krejt  prej shkumbësh
Prej zambakësh të bardhë që kanë vetëm dallgët.
Që andej do të ngrihej mbretëresha e  bukurisë
Bija e Poseidonit
Përbindëshit të detrave
.


PESHKATARËT E UJRAVE TË ËMBËL

Liqeni u paska falur sot në mëngjes peshkatarëve
shumë peshk,
shumë peshk,
shumë peshk
të qeshura dhe rrjeta shumë

Taraboshi nga larg
si një dallgë
që ka dalë nga liqeni
dhe është ngurrosur atje

Shelgu buzë Bunës
si një vajzë që sapo ka dalënga ujrat
duke vërvitur pas me një të lëvizur vjzëror të kokës ajore
flokët e gjatë , të shumtë dhe të gjelbër….




REJA ISLANDEZE DHE UJRAT NË SHKODËR

Qielli i botës
Kërcënuar ngado prej resë
Që nxorën nga dhimbja e tmerrëshmë dherat
Atje
Por ujrat e Shkodërs sime janë zbukuruar
Nga sytë e kulluar të pranverës

A thua i dhimbset Shkodra  kësaj pjelle të egër të nëntokës?
Apo ka rënë në dashuri
Në një dashuri platonikë
Siç bijnë përbindëshat?



E ÇMËNDURA DHE NJËZET DJEM

Ata qeshin me të madhe
E thërresin me emër
E thërresin të gjithë

Kavaleria Rostikano e ka mbushur bulevradin
Me të qeshura

Pietro Maskanji ka vdekur
Kavaleria qeshën me të madhe.

Ajo i  ka lyer  buzët me të kuq
mban një trëndafil në dorë
përkulet me reverancë
deri në tokë
si aktoret e Romës klasike
dhe trëndafilin
ma zgjat
mua

Të vetmit që po qaj
ndërsa Kavaleria Rostikano
tund bulevradin e  Shkodrës me të qeshura


DALËNGADALË....

Rrugët...
E Ndjej
kanë nisur të më presin
përditë dhe më ftohtë

Po ec nëpër rrugët e qytetit më të panjohur të botës
- nëpër rrugët e qytetit tim

Vetëm ujrat nuk më paskan harruar
Dhe shokët e fëmijërisë
Të mplakur që të gjithë
Dhe që kthehen në adoleshëntë menjëherë
Si ujrat e Drinit
Sapo nisin papritur shirat.

ZOGU

Kam filluar të këndoj te një dritare tjetër, atje
ku më duan të gjithë dhe më përkëdhelin të gjithë

Atje ku këndoja më parë
U mësuan me këngën time
A nuk ia vunë veshin kurr

Ka nisur t’u vrasë veshët kjo qetësi absolute
Ka nisur t’i marrë malli për mua

Kalojnë poshtë dritares ku po këndoj unë
Ngrënë kryet
Dhe i ulin sytë poshtë
Me përjashtim
Të së dashurës së parë
Që më lutej të këndoja edhe një këngë
Kur më qeshnin të gjithë...


PILOTËT E VJETËR

Hodhën nga një grusht dhe në varrrin e hapur
ku qanin të gjithë.

Iu afruan të heshtur tavolinës së mortit.
U ulën
Pikëlluan ca
Pinë dhe nga pakëz raki
Dhe bënë shaka.

Kishin luajtur me vdekjen tër jetën.

Unë ua njoh të gjithëve:
Mëritë,
Djallëzitë,
Modestitë,
Egoizmin,
Pisllëqet,
Furinë,
Plogështinë
Fuqinë
Dobsinë
Të qeshurat
Lotët

Që të gjithë këta
E patën një të dashur
Që i treguan gjithëçka
Që i falën gjithëçka
Që i qeshën gjithëmonë
Që nuk e tradhëtuan kurr...

Hapsirën mbi atdhe.





POETËT E DIKURSHËM...TË GJENERATËS SIME

Flisnin me duar, sikur po
po shtynin  botën për në një
tjetër galaktikë me
përrenjtë prej zjarri të fjalëve dhe
lëvizjet e furishme
të duarve

Shëtisnin me njëritjetrin, si
gjeneralët e  bulevardit , madhështorë  si një
tufë meteorësh para
syve të turpëshëm të
letrareve të reja dhe të
panjohura nga
askush

S’ngopeshin së recituari
vargjet e tyre përmendësh . Tregonin
me një mijë variante
ç’i kish thënë “Ismaili”, apo si kishin
pirë me “Dritëroin” dhe...

Kur ndaheshin
shanin fshehur njëritjetrin....

Sot…

Sot
të mplakur, të drobitur, si
gjeneralë të mbyllur në hekura
ecin
vetëm.

Dikush ka lënë flokë të gjatë, si
poetët klasikë; dikush
i pa rruar si Mciri* , ai,
murgu që
u arratis nga monastiri; dikush me
cigaren në gojë , sikur të
ketë lindur me të
mes buzëve.


  tërë  e kanë kush një
kopse të rënë, kush një
lidhëse këpuce të palidhur; kush me
këmishë të palarë . Pranë
vajzave kalojnë me
vështrimin që u hedhë luleve një
gruaje të vejë që
është nisur te
varrezat


Nuk flasin më me zë të lartë
por mërmërijnë dhe
shkojnë rrugës duke u këshilluar me veten

Nuk flasin më me duar
duart tani u dridhen
si të një epshelliu plak.

Bota i ka mundur

Tani ata nuk botojnë më asgjë. Mbi ta dhe mbi lulet
shkelin  këpucët me gozhdë   botës
që marshon


Ata i shikojnë rivalët e dikurshëm tër mirësi dhe dhimbje

Unë i dalloj që janë ende poetë

Që të gjithë

I dalloj nga
shkëlqimi i jashtëzakonëshëm i
syve , nga
mënyra se si vështrojnë
ujrat dhe nga
lulja që mbajnë
buzëve
kur vjen pranvera

Shënim:
Mciri – një murg nga poema me të njëtin titull e Lermontovit

Ora 06.50 , 22 mars 2010, buzë vëndit ku Buna ndahet përj së ëmës, liqenit...







PËRSE NUK  MUND TË BËHEM BIZNESMEN?

…Ja,
sepse nuk kam shpirt.

Që të mbijetoj në luftën e përditëshme
Do të më duhej të ha
Të ha me uri, sa më shumë dhe pa u nginjur nga
Puna e punëtorëve që do të vijnë me rrogë te unë. Mirëpo
Unë
Nuk kam shpirt të ha mish njeriu
Dhe rri i tërhequr
Në botën time të letrave.

Që të mbijetoj në luftën e përditëshme
Mua më duhen edhe skllevër; jo asish që
I mbanin lidhur këmbët me hekura; as zezakë që
I shisnin sipas peshës dhe që i kontrollonin, si kuajt - nga
Dhëmbët,
Po asish , që
Qeshin sa herë që të qesh unë, që
Më japin të drejtë sapo të flas unë, që
E dijnë sinqerisht se unë
Jam më i bukuri i tyre; jo unë, por edhe ime shoqe
Sepse janë vetë paratë e bukura , po aq. Mirëpo
Ja që
Nuk kam shpirt të ha mish njeriu
Dhe rri i tërhequr
Në botën time të letrave.

Nëse ka vetëm dy rrugë
“Bëhu skllav , o bëhu mbret!”
Njëmijë herë më mirë skllav
Se satrap, kokën përpjetë

Më mirë prit si burrë goditjet
Si mandatin pret një plak
Se sa egër  të qëllosh
Me sy, fjalë e dajak - x


Një mal dallohet me një të parë se
Është më i madh nga një kodër
Një mbret dallohet menëherë
Nga lypësi që rri te porta e pallatit
Një pasanik dallon menjëherë
Nga një varfanjak, mirëpo
Se kush është më i mëncur dhe kush më pak?
Më gjeni qoftë dhe një të vetëm që
Të pranojë disfatën në këtë konkurencë.

E dini? Sinqerisht
Ma më pëlqen kjo barazi e
Mëncurive absolutisht të pabarabarta

Është më e nderëshmja!

Jam në vetminë hyjnore të qiellit të letrave.



Shënim – x – vargje nga vjershai gjigand Persian,Xhelaludin Rumiu, shqipëruar nga unë në vitin 2002





LAMTUMIRË
Ledias, me rastine  mbarimit të maturës
kujtim nga babi   5 shkurt 2010

Lamtumirë gjimnazi im “Qemal Stafa”
Lamtumirë mësues, shokë, ti, banka ime
Kushedi hapat e mi, kur do m’i ndjeni prap
Hapat e vajzës që notonte në ëndërrime

Mësuesit e mi, gjer të mësoheni pa mua
Do pyesni njëritjetrin, po... ku shkoi?
Me aromë mimozash do përgjigjet pranvera:
E katërta shtatë dhe… ajo…oh…fluturoi

Po kur një ditë do më keni harruar
Qemalsja juaj do të vijë te dera
Ngadalë , hutuar, do të ngjitet te shkallët
E drejt te banka ku rrinte përhera

Në mos paça me vete t’u sjell lule
Të freskëta , të bukura siç  i rrit saksia
Të rrahura zëmre do t’ dhuroj pafund
Dhe lule të zbehta nga thinjat  e mia

Do të pyesë roja plak, ku e kam parë
Këtë zonjë që s’qesh si nxënësit e tjerë?
Do t’i them :më lër, më lër të hyj, o plak
Qemalse edhe unë kam qënë një herë

Lamtumirë, lamtumirë gjimnazi im
Të erdha e ndrojtur,   e vogël , si manare
Më rrite… Lehtë  një ditë  më puthe flokët
Dhe nëpër botë më lëshove krenare.




AH...SI U HAKMORR MJERIMI!...

Mjerimi u hakmorr më shumë
ndaj kësaj gjysheje  me sy të ëmbël si zogj të ulur
në rrjetën e peshkatarëve të fytyrës së saj


Mjerimi nuk kish patur shpirt për këtë plakë të dashur
ishte treguar më mizor nga sa e priste ajo
më i pafytyrë
më i pacipë
më i keq
më i lig
ndaj kësaj gjysheje që ka një bohçe të madhe
nga xhepat e së cilës
gjithmonë del diçka e  vogël
për fëmijët e mëhallës

Ajo...

Ajo po u lutet
Ajo po u lutet kolopuçëve
Ajo po u lutet kolopuçëve të mëhallës
të luajnë
të luajnë me këtë fëmijë
me këtë fëmijë të shëndetshëm,
të bukur,
të veshur bukur,
me lodra të bukura,
të heshtur,
të bukur
tëbukurtëbukurtëbukurtëbukur

Është nipi i saj
Ka ardhur për herën e parë
Për herën e parë që nga andej
“andej”
Dhe
nuk din
as edhe një fjalë nga gjuha
e  gjyshes..

Unë shtërngoj dorën e  nipit tim
është syblu,   kokderr,  gjithë tula
po e ngacmove si shumë të shanë “të qifsha robt”
gratë e lagjes duan ta puthin secila, ndërsa e marr nga kopështi
po ai  tulic,
nuk ia jep faqen asnjërës
me përjashtim të ndonjërës që i falë një lodër apo ëmbëlsirë
ia jep faqen  shpejteshpejt dhe
e fshin prap
me doçkë.

Ja, me këtë  tulipan të bardhë
që kam shtërnguar unë
ndërsa plaka u lutet fëmijëve
me sytë e përgjëruar….

30 – 31 korrik 2010



Google+ Followers