Në mirënjohje të Musine Kokalarit

Nga Dr. Lavdosh Ahmetaj

Duke vendosur të shkruaja për “intelektualizmin e burgosur”, u ndjeva i trishtuar dhe njëherësh i motivuar, për shkak se ndihet në brendësi të qenies intelektuale, një brishtësi dhe fajësi fenomenale, për më tepër, në rastin e zonjushë Kokalarit, e cila ngeli si e tillë deri në fundin e jetës së saj, sepse mendonte politikisht ndryshe nga sistemi politik, njëherësh ishte e shoqëruar nga disa tipare hyjnore: ajo ishte rrjedhe gjenetike, e asaj pak aristokracie qytetare, që kishte kultivuar koha e shprehur te fytyra e saj, e cila përfaqësonte intelektualët perëndimor, që kishin studiuar në universitetet europiane, përpara se në Shqipëri të instalohej sistemi unitarist. Për më tepër aureola e saj, me sa tregon historia e viteve 1945–1990, kishte efekte verbuese për politikën hidraulike. Për më tepër thelbi i doktoraturës së Kokalarit ishte doktrina bektashiane, e cila përbënte herezi për sistemin bunkerizuaes.
Natyrshëm pyesim kush është Musine Kokalari?
Musine Kokalari i përket asaj shtrese intelektualësh të mohuar për vite me radhë nga politika primitive, por që kanë zënë vend në memorien e kombit për kontributet që kanë dhënë ndaj tij. Jeta e saj ishte antitezë tragjike, e pasur intelektualisht dhe shpirtërisht, por mjaft e varfër sepse u persekutua, u burgos dhe vdiq në një mjerim të plotë deri në mohimin e kujdesit mjekësor.
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt 1917. Pas vitit 1920 është rritur në lagjen Palorto në Gjirokastër, në një shtëpi dykatëshe, mbi të cilën është çardaku, një nga tiparet sinjifikative të shtëpive aristokratike shqiptare. Ajo u rrit me mitin e librit dhe kulturës kombëtare, si këngët, legjendat, zakonet, arkitektura, ritet, dasmat, vdekjet dhe tregimtaria.
Ndërkohë në vitin 1941 u laureua “Doktoreshë në Letërsi” nga Universiteti i Romës, me temën: Literatura Albaneze-Naim Frashëri, përmes së cilës shpreh urtësinë dhe harmoninë shqiptare të tipizuar në portretin e Baba Allushit, i cili ishte njohës i thellë i ndjenjave njerëzore dhe i ndritur nga doktrina humane e bektashizmit. Atij i pëlqente të ndalej shpesh me të rinjtë për tu folur atyre në gjuhën amtare dhe për të rrënjosur dashurinë për atdheun dhe vëllazërinë e ndërsjelltë. Ai simbolizon thjeshtësinë dhe harmoninë fetare, edhe pse ishte mysliman, duke mos munguar në ditët e festave apo kremtimeve të kishave vendase ortodokse. I ulur pranë altarit, me respekt shembullor, dëgjonte meshën dhe merrte pjesë në të gjitha manifestimet liturgjike të fesë ortodokse.
Megjithëse u rrit në kushte komode, ajo arriti të bëjë kritikën e plagëve sociale të kohës, përmes botimeve në vargje dhe skicave poetike, me pseudonimin “Muza”. Një nga veprat e saj është Kolla e Vdekjes, e cila përbëhet prej vargjeve të para, ku fokuson plagët e shoqërisë shqiptare, duke shprehur në të njëjtën kohë gjykimin e saj në lidhje me to. Në krijimtarinë e saj ajo vendosi femrën si personazh qendror, e rrethuar nga mentalitetet primitive të kohës që ajo jetoi. Motiv të cilin e ka marrë nga veprat e rilindasve shqiptarë, të cilët kërkuan ta mitizonin, jo vetëm si riprodhuese biologjike e jetës, por të mitizohej përmes ndërtimit të një shtatoreje në sheshin e qytetit, sepse ajo kishte në dorën e saj shtetin.
Ndërsa: Siç më thotë nëna plakë, është një libër me tregime me vlerë etnografike, kurse për titujt e tyre ajo ka preferuar frazeologjizmat e të folurës së Shqipërisë së jugut, duke i ngulitur ato në mendjen e lexuesit, dhe këtë e bënte me qëllimin që leximi i veprave të saj të ishte sa më i artikulueshëm nga popullsia e jugut. Mbrojtja e diplomës në Universitetin e Romës me studimin: Naim Frashëri, nuk mund t’i lihet rastësisë; ajo nderonte Shqipërinë përmes këtij studimi. Përmes Naim Frashërit ngrinte dinjitetin e kombit, krenohej me të, duke treguar se Shqipërisë nuk i mungonte mendimi iluminist për t’u përfaqësuar përballë Europës së qytetëruar.
Ajo zgjodhi simbolin e letërsisë shqipe edhe për faktin se ajo i zotëronte potencialet romantike, letrare, idealiste, filozofike, për ta prezantuar sa më denjësisht edhe në opinionin e studiuesve perëndimorë. Ajo shkruante se tek ai është mendimi që ka rëndësi, madje më shumë se mendimi, është qëllimi që i vë vetes. Është pikërisht ky qëllim që ne gjejmë qelizën promotore të të gjithë veprës së Naimit. Mund të thuhet pa frikë se energjia lëvizëse e gjithë botës së tij poetike dhe njerëzore është ideali i vetëm i madh, Atdheu. Atdheu si objekt, ai “skllavëron” mendimin, ai modelon krejt veprën e vet fetare, edukuese, sentimentale, për Atdheun ai u bë apostull
Këtu qëndron gjithë rëndësia e veprës së Naim Frashërit. Ai është një farëhedhës dorëlëshuar, nga mendimet e të cilit nuk do të vonojë të mbijnë filizat e historisë së re të atdheut tonë. Për këtë arsye çdo shqiptar, mendonte Musineja, duhet të shohë tek ai një pararendës dhe të admirojë tek veprat e tij vullnetin krijues e formues të racës sonë si racë intelektuale, dhe ishte në gjendje të prodhonte aristokraci intelektuale
Vlerësimi i bërë prej Musinesë ndaj figurës së Naim Frashërit do të thotë se ajo ishte studiuese me dimensione kombëtare, të cilët koha i afirmon si simbole, por mbi të gjitha ishte me zemër të madhe, njohëse e kulturës, historisë dhe letërsisë shqipe. Duke e vëzhguar nga jashtë veprën e Musinesë, ajo duket si një Sokrat i përvuajtur plot brenga dhe privime të lirisë intelektuale dhe shpirtërore, ajo ka përjetësuar vetminë e fatit; ndërsa duke depërtuar më në brendësi të shpirtit të saj, reflekton një jetë krejt tjetër. Ajo në odën e saj të vogël, përballë kishte vënë fotografitë e iluministëve shqiptarë, si Samiun, Naimin, të patriotit Sotir Kolea, të punëtorit të gjuhës shqipe e të Lëvizjes Kombëtare, Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, të mendimtarit Naum Veqilharxhi, të De Radës dhe të Aleksandër Xhuvanit. Këto fotografi nuk ishin thjesht dekori ku ajo jetonte, por ashtu siç shprehej: “Në vetminë time nuk jam vetëm, jetoj me njerëz të nderuar, të ditur e demokratë, që kanë punuar për vendin, për mëmëdheun gjer sa mbyllën sytë”.
Vepra “Sa u tund jeta” u shkrua në vitin 1944. Titulli i librit është shumë domethënës dhe pasqyron dasmën gjirokastrite me të tëra zakonet e saj, të cilat duheshin zbatuar me detyrim. Mesazhi i saj është i qartë: njohja, ruajtja dhe përcjellja në breza e zakoneve dhe e traditave të popullit, përmes frymës humane që i karakterizon në mënyrë të veçantë shqiptarët. Duke e parë në këtë sens, ky punim që në titull të krijon impresion të thellë shpirtëror. “Flitet për një bëmë universale siç është dasma, baza e jetës. Thuajse po kalon një kometë dhe duhet të kthesh kryet patjetër nga ajo anë, për të marrë vesh se çfarë po ndodh” – është fjala për dasmën gjirokastrite, shprehje e plotë e identitetit të kësaj treve, e cila kryhet me të gjitha ritet, zakonet, traditat dhe përgjegjësitë e zbatimit nga aktorët, që janë banorët e trevës.
Por intuita e studiueses bëhet edhe më interesante kur ajo depërton në “arkitekturën e saj” (dasmës), që ajo e quan: “Përgjegjësia e zbatimit është ligjore, e pa diskutueshme. Kemi të bëjmë me kushtetutën shpirtërore, me ligje, nene, që duhen njohur dhe zbatuar”. Musineja kërkon me ngulm që zakonet shqiptare të njiheshin edhe nga brezat që do të vinin, në mënyrë që të mos i lihej spontanitetit, por të kishte studiuesit e saj, të cilët duhej të ishin të përgjegjshëm, përmes hulumtimeve të vazhdueshme, dhe të kishin për mision fisnikërimin e njeriut. Kombëtaria e saj duket se ka një ngjizje për t’u admiruar, tendencë e cila reflektohet në momentet e trishta: “Nëqoftëse vdes, thoshte ajo, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për muzeun e Gjirokastrës” , dhe për ta vërtetuar po i referohemi një burimi tjetër, Sonata e Hënës, ku tregohet që edhe ditën e vdekjes, pikërisht më 13 gusht 1983, në dhomën e saj janë gjetur mbi 1000 faqe pune të atyre viteve, nga folklori i Mirditës dhe ajo çka kishte mbledhur burgjeve.
Pra, duke iu referuar këtyre burime, duket se prirja e studimeve të saj s’kishte karakter thjesht krahinor por ato përfshinin në subjektin e tyre përmbajtje gjithëkombëtare. Ndërsa kombin e shihte me një vizion modern, përmes një sistemi politik i cili duhej të çonte në përsosjen e tij, fakt i argumentuar përmes programit të Partisë Socialdemokrate.
Ndjeshmërinë kombëtare në aspektin modern e shihte të lidhur me sistemin politik pluripartiak, e konkretizuar nëpërmjet formimit të Partisë Socialdemokrate. Ajo u përpoq të integronte këtë parti në Frontin Nacional-çlirimtar, por nuk e arriti për shkak të qëndrimit të udhëheqësve komunistë. Ndërkohë, kishte refuzuar pjesëmarrjen e saj në këtë institucion për motive individuale. Pra kjo përbën një nga dëshmitë e shumta për të arritur në përfundimin se ajo mendonte dhe gjykonte në kundërshtim me sistemin politik që ishte duke u instaluar në Shqipëri; dhe duke e parë nga koha që jetojmë, mendoj se vizioni kombëtar për të ishte përmes formimit të një sistemi politik modern.
Pas vrasjes së vëllezërve të saj, Vesim e Muntas Kokalari gjatë luftimeve për çlirimin e Tiranës, u arrestua më 13 nëntor por u lirua pas dy javësh për të qetësuar opinionin e trazuar nga vrasja e vëllezërve. Sipas Thomi Bares, në mars të vitit 1945 në Shqipëri vepronin tre grupe rezistence, midis të cilëve edhe ai socialdemokrat me Musine Kokalarin. Të tre grupet në nëntor formuan “Bashkimin Demokratik”, të drejtuar nga Komiteti Nacional, ku bën pjesë edhe Musine Kokalari. Bashkimi Demokratik iu drejtua aleatëve nëpërmjet një memorandumi, për të kërkuar anullimin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit si antidemokratike.
Për këtë, Musineja kishte marrë edhe një takim me kolonelin anglez Palmer, por ky memorandum ishte kaluar në heshtje. Ndërkohë që i kishte dhënë një armë të “fortë” diktaturës komuniste për ta konsideruar “Bashkimin Demokratik” si një forcë politike që kërkonte përmbysjen e sistemit politik. Më 23 janar 1946 Musine Kokalari u arrestua. Gjatë procesit gjyqësor ajo u mbrojt me dinjitet, pa pranuar avokat mbrojtës. Ajo u dënua me 20 vjet burg, kurse në tetor 1961 ajo u lirua nga burgu dhe u internua në Rrëshen deri sa vdiq.
Në internim ajo u shoqërua me fyerje me nofkën “cariste”, “rini fashiste”, me punë të rënda, e vetmuar, e ndarë nga familja dhe shoqëria, me mohimin e përkujdesjes shëndetësore; deri në momentet e fundit ajo u kujdes që dorëshkrimet e saj të ruheshin, duke i kërkuar me këmbëngulje nipit të saj që “dorëshkrimet i kam në një çantë plasmasi, t’i dorëzosh në arkivin e shtetit e të lihen në shkrimet e Sotir Kolës. Vërtet, shtonte Musineja, se unë i kam mbledhur e përpunuar, por ai ka qenë mësuesi dhe frymëzuesi im”.
Më vonë ajo shkruante përsëri: “Njeriu sa të jetë e mundur të shpëtojë si vlerë morale”. Kjo fjalë merr vlera dhe përmasat e një himni të artikuluar nga një grua intelektuale, një himn përjetësisht aktual dhe i domosdoshëm për shqiptarët dhe jo vetëm për ata. Në prag të vdekjes ajo i kërkon një fustan mbesës së vet, sepse ajo do të respektojë traditat e vdekjes, të cilat ajo i pasqyronte me mjeshtëri në: Siç më thotë nënua plakë. Ajo vishet vetë, falenderon mbesën për fustanin që i solli dhe e gjetën të vdekur me libër në dorë; e duket se libri kishte luajtur një rol vendimtar në mbijetesën e saj intelektuale, aty kishte gjetur shpresat ku mund të bisedonte në kushtet e një kontrolli dhe në mungesën e kontakteve më njerëzit dhe botën intelektuale. Nuk ka si shpjegohet ndryshe që, përveç shumë shkrimeve të botuara deri tani, gjenden ende të pazbuluara në arkivat e shtetit shqiptar. Diku dëgjohet një intelektual të thotë se janë ende rreth 6000 faqe të pazbuluare ende.
Musineja, simbol i bukurisë fizike femërore, energjisë së pashtershme rinore, etjes për të lexuar dhe për dituri. Megjithëse gjatë jetës askush nuk mundi t’i mbyllë gojën dhe t’i ndalë mendjen dhe dorën, e lidhën të vdekur, por dhe të vdekur askush nuk mundi t’i zhdukë krijimet e saj. Ajo flet edhe sot nëpërmjet shkrimeve e librave të saj, nëpërmjet ideve e mesazheve, nëpërmjet nesh që e kujtojmë me respekt dhe admirim për jetën dhe veprën e saj.
Ajo duket se është me një ndjeshmëri të veçantë edhe ndaj jetës dhe njerëzve që merreshin me punën e krahut, aq e lodhshme për kohën që ajo jetoi. Në ditar ajo shkruante se “ato pak kursime dhe gjithçka tjetër e lënë, duhej të hynë në fondin e shtypit, që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, dhe sipas saj ishte e domosdoshme që të demokratizohej puna e krahut dhe të kulturohej punëtori i thjeshtë . Vepra e saj është e mbushur me frymëzim, me vlerat më të mira humane, intelektuale, shpirtërore, krijuese, me realizëm, njohje të shoqërisë, me gëzim pak dhe hidhërim plot, me mall për jetën, lirinë, demokracinë, dashurinë për vendin e vet. As diktatura, as pushtimet, as burgu e internimi nuk e mposhtën dot shpirtin e saj krijues dhe kritik.
Por me interes studimor është pikëpamja e saj lidhur me konceptin e fajit, duke deklaruar: “Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk mund të jem. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”. Këto janë fjalët e Musine Kokalarit, që i tha para gjyqit, të cilat vijnë sot si një mesazh i një shpirti të pamposhtur që sfidon vdekjen dhe promovon përjetësinë përmes: Unë s’jam fajtore”.
Pra ajo ishte duke u cilësuar si heretike e sistemit politik, që njëherësh përmes qëndrimit të Musinesë tregonte që sistemi politik dhe shoqëror ishte prekur nga një sëmundje shumë e rëndë, prandaj analiza e mendimit intelektual të Musinesë na ndihmon për të analizuar me kujdes “kartelat klinike“ të sistemeve shoqërore që përmbahen në arkivat e historisë, për të nxjerrë mësime si mund të mbrohemi, çfarë të korrigjojmë dhe si të parandalojmë fenomenet e shëmtuara që prodhon shoqëria.
Duke qenë një intelektuale e tipit perëndimor, ajo iu kundërvu komunizmit dhe fashizmit si një e keqe shumë e madhe për shqiptarët, dhe asnjëherë nuk pranoi as të bëhej anëtare e Partisë Komuniste, duke i mëshuar vazhdimisht idesë se ne kemi ideologjinë tonë kombëtare, e cila duhet vënë në shërbim të atdheut dhe ideve përparimtare dhe demokratike.
Ajo ishte e papranueshme për diktaturën jo vetëm nga pikëpamja politike por edhe si shkrimtare, sepse ajo ishte një vëzhguese e mprehtë e shoqërisë në të gjitha aspektet dhe njëherësh ishte protestuese ndaj asaj që ishte e dëmshme dhe e papranueshme, duke zgjedhur kështu jo rrugën e heshtjes dhe pajtimin si shumë të tjerë, por rrugën e vetëmohimit për idealin kombëtar. Ajo ishte e pamposhtur, duke mos hequr dorë nga idetë e saj, nuk u nënshtrua dhe nuk pranoi asnjëherë “fajin”, prandaj dhe hakmarrja ndaj saj ishte e tejskajshme.
Në dorëshkrimin: Mbi jetën time, ajo shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk u kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?. Unë s’jam fajtore”. Në seancën gjyqësore, kur dikush bërtiti nga salla “me vdekje në litar”, kryetari Frederik Nosi e pyeti Musinenë, e pandehur: “e dëgjoni ç’thotë populli?”. Ajo iu përgjigj me gjakftohtësi: “Nesër kështu do të thotë edhe për ju”, dhe ndryshimet erdhën për të vërtetuar idetë profetike të Musinesë.
Mendoj se ajo kishte ardhur në këtë konkluzion e nisur nga kultura dhe vizioni i saj mbi sistemet politike dhe për më tepër, duke ndjerë dhe studiuar nga afër ndryshimet e sistemeve politike në Europën perëndimore, ajo dinte prirjet pricipiale të sistemeve politike dhe shoqërore. Në vitet e fundit të studimeve në Romë, shkroi librin “Kujtimet e mia universitare”, ku vendosen momente të rëndësishme të jetës së saj; e shkroi në italisht, por kjo vepër nuk mund të quhet autobiografike. Ajo ka vlera të veçanta historike, letrare, filozofike e pedagogjike. Mund të quhet roman, ku personazhet reale kanë arritur të tipizojnë studenten shqiptare, por edhe atë europiane. Studentja në marrëdhënie me Romën, muze, kisha, vende historike, përshkruan me kujdes, duke dhënë tablonë e antikitetit të shkrirë me aktualitetin ku jeton. Musineja e fut lexuesin në marrëdhënie me kryeqytetin e Italisë, Romën e lashtë, lagjet, mjediset, që përshkruhen thjeshtë, por që mbeten në kujtesë, portrete, familje të varfërish, zanatçinj, karrocierë, hamej, shitës, etj.
Kjo është arsyeja pse shkrimtari më me zë i kohës, Mitrush Kuteli, do të shkruante në Revistën Letrare, 15 korrik 1944: “Musine Kokalari afrohet në rangun e mirë të letërsisë shqipe, jo si relativitet femëror, si mund ta shohë dikush, por si vlerë absolute” .
Ndërsa natyrshëm del pyetja: cilat ishin motivet që e shtynin Musinenë të sfidonte gjyqtarin, në kohën që nga salla e gjyqit bërtisnin me vdekje në litar. Mendoj se:
së pari, kjo rezistencë intelektuale e ka burimin tek shkollimi perëndimor, për më tepër duke u specializuar përmes shkencave humane.
së dyti, studimi i thellë i veprave të rilindasve shqiptarë, deri në mbrojtjen e doktoraturës.
së treti, përshkrimi me aq kujdes i kulturës dhe politikës antike romake kishte krijuar tek ajo përfytyrime dhe model modern mbi qeverisjen dhe shtetin e një kombi.
së katërti, duke iu referuar disa shkrimeve (analizave) politike të bashkëpunëtorit më të afërt të saj, Skënder Muços, i cili në vitet 1938 në gazetën Përpjekje Shqiptare analizon me kujdes dialektikën e sistemit politik të fashizmit dhe komunizmit.
së pesti, origjina aristokratike dhe kombëtaria, shoqëruar me pjesëmarrjen në forcën politike antikomuniste, sidomos pas mbledhjes së Mukjes, të çojnë në përfundimin se përse Musineja demonstroi kurajo intelektuale përballë inkuizicionit politik.
Këto ishin disa ide dhe pikëpamje, të cilat kishin kohë që më shqetësonin, por dhe për më tepër duke marrë shkas nga ky simpozium, përfitova nga rasti dhe po i materializoj në këtë punim modest, por me motive të forta në botëkuptimin tim intelektual dhe shpirtëror.
*Rektor i universitetit Pavarësia, Vlorë

Google+ Followers