Letërsia rrit popullsinë e botës - Josè SARAMAGO (Nobel)



1.
Shkrimtari duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e detyrojë personazhin të bëjë diçka, e cila do të shkonte kundër logjikës së personalitetit të personazhit, por edhe personazhi nuk duhet të jetë i pavarur.
Personazhi është në grackën e dorës së shkrimtarit, në dorën time, por veçse në një mënyrë të tillë, që nuk e kupton se është në grackë. Karakteret janë të lidhura me shumë fije, por vetë fijet janë të lira; personazhet gëzojnë iluzionin e lirisë, të pavarësisë e ndëkaq, prapëseprapë, ata s’mund të shkojnë diku, ku s’dua unë të shkojnë. Kur kjo ndodh, shkrimtari duhet të tërheqë fijet dhe t’u thotë: “Dale, këtu hyj unë në fuqi.”

2.
Një ngjarje s’mund të ekzistojë e shkëputur nga personazhet, që shfaqen aty. Përkundrazi, personazhet janë atje për t’i shërbyer strukturës, që shkrimtari do të krijojë.
Kur fus në ngjarje një personazh, e di se ai më nevojitet dhe e di ç’kërkoj prej tij, por prapë personazhi është i papërfunduar, ai është në zhvillim e sipër. Unë jam ai që e zhvilloj atë, por në sensin që personazhi vetëndërtohet, unë vetëm sa e shoqëroj.
Kjo do të thotë që unë s’mund ta formoj personazhin kundër vullnetit të tij. Ose do ta respektoj personazhin, ose ai do të bëjë gjëra për të cilat s’ia thotë fare. Për shembull, unë s’mund ta detyroj të kryejë një krim, kur kjo s’është në logjikën e karakterit të tij; pa atë motivimin, që e përligj këtë akt përpara lexuesit, kjo s’do të kishte kuptim.
Do t’ju jap një shembull. “Baltazari dhe Blimunda” është një histori dashurie. Në fakt, nëse më lejohet ta them, është një histori e bukur dashurie. Mirëpo vetëm në fund të librit e kuptova se, në të vërtetë, kisha shkruar një libër dashurie pa fjalë të kësaj natyre. Sepse as Baltazari, as Blimunda nuk i shqiptojnë njëri-tjetrit asnjë nga ato fjalë, që të mund të quheshin fjalë dashurie. Lexuesi mund të thotë se kjo ka qenë me paramendim nga ana ime, por jo. Unë u befasova i pari. I thashë vetes: “E si ka mundësi? Kam shkruar një histori dashurie, por pa një fjalë dashurie në dialog.” Sikur të përfytyrojmë që dikur, në një ribotim të ardhshëm, për faktin se ashtu do të më shkrepte, unë do ta ndryshoja dialogun midis dy dashnorëve dhe aty-këtu do të shtoja ndonjë fjalë, kjo do t’i shtrembëronte kokë e këmbë ato personazhe. Mendoj se lexuesi, edhe pa e njohur librin ashtu siç ka qenë, do të vërente se aty ka diçka që nuk shkon. Si mundet që këto personazhe, të cilët shoqërohen bashkë qysh në faqen e parë, papritmas thonë të dua në faqen dyqind e pesëdhjetë?!

3.
Kjo pra është ajo që unë nënkuptoj me respektin ndaj integritetit të personazhit, jo ta detyroj atë të ndëmarrë veptime që dalin jashtë karakterit të tij, psikologjisë së tij, thelbit që ai është, mbasi personazhi i një romani është një njeri më tepër. Natasha te “Lufta e Paqja” është një njeri më tepër; Zhylieni te “E kuqja dhe e zeza” është një njeri më tepër; Raskolnikovi te “Krim e ndëshkim” është një njeri më tepër. Prandaj letërsia e rrit popullsinë e botës. Ne nuk mendojmë për këto tre personazhe si qenie që nuk ekzistojnë, thjesht si seri fjalësh në vandak letrash që i quajmë libra. Ne i mendojmë ata si njerëz të vërtetë.
Besoj se kjo është ëndrra e gjithë romancierëve: një nga personazhet e tyre të bëhet “dikush”.
Ndoshta jam duke kryer mëkatin e krenarisë, por të them të vërtetën, e ndiej se të gjitha personazhet e mia, që nga piktori H. te “Manuali i pikturës dhe kaligrafisë”, e deri te senior Hose te “Të gjithë emrat”, janë vërtet “dikush”. Mendoj se kjo i detyrohet faktit që asnjë nga personazhet e mia nuk është thjesht një kopje ose imitim i një personazhi të vërtetë. Secili prej tyre i bashkëngjitet vetë kësaj bote, prë të jetuar aty. Si qenie, ndonëse të fantazisë, vetëm trupi u mungon. Kështu i shoh unë, megjithëse dihet nga të gjithë se shkrimtarët akuzohen si të njëanshëm.

4.
Ashtu siç ka ndodhur me të gjitha romanet e mia, edhe “Verbëria” lindi nga një ide që u shfaq papritur në mendjen time. (Nuk jam i sigurt se kjo është formula më e saktë, por s’mund të gjejë diçka më të mirë.) Isha në një restaurant duke pritur të më shërbenin drekën, kur pa ndonjë paralajmërim, befas mendova: Po sikur të ishim të gjithë të verbër? Dhe si përgjigje, prapë mendova: Po ne vërtet jemi të verbër.
Ky ishte embrioni i romanit. M137 pas m’u desh vetëm të përfytyroja rrethanat e nisjes dhe të lejoja që të lindnin idetë pasuese. Si ide janë të frikshme, por kanë një logjikë të çeliktë. Në romanin “Verbëria” nuk ka shumë fantazi, ka thjesht një zbatim marrëdhëniesh shkak-pasojë.
Për mua, e rëndësishme është që të bëj punën time, dhe ta bëj në përputhje me kërkesat e mia për punë të mirë, që libri të jetë shkruar ashtu siç do të doja unë të shkruhej.
Pasi e përundoj, është si çdo gjë tjetër në jetë. Nëna i jep jetë fëmijës, i dëshiron të gjitha të mirat atij, por veçse ajo jetë i takon fëmijës, jo nënës. Fëmija do të bëjë një jetë, ose të tjerët do ta bëjnë jetën e tij, diçka që ka shumë mundësi të mos përputhet me jetën që nëna e tij kishte ëndërruar. S’ka kuptim të ëndërroj një pritje të shkëlqyer për librat e mi nga shumica e lexuesve, sepse lexuesit do t’i presin ata sipas qejfit të tyre.
Nuk do të pohoj se librat e mi nxitojnë të kënaqin të gjithë lexuesit, se kjo do të thoshte se vlera e një libri varet nga numri i lexuesve. Kurse kjo, siç e dimë, nuk është e vërtetë.

Përktheu Gerta Shkupi

Google+ Followers