Ibrahim Veliu - Resh etje (Përmbledhje poetike)

I B R A H I M     V E L I U

R E S H   E T J E

(P o e z i)





TETOVË
2009

Recensues:
Hasan HASANI
Nehas SOPAJ



Parathënia:
Salajdin SALIHU


Salajdin SALIHU

NË VEND TË PARATHËNIES


Poeti shkruan sepse brenda tij këndon Demiurgu.
Poeti shkruan për lexuesin ideal, kurse poezia thotë gjëra të papërkthyeshme.
Poeti shkruan në një gjendje tjetër, rrethuar me hije e fantazma.
Poeti shkruan sepse për të arti është pjesëmarrje, dialog me botën dhe frymëmarrje.
Kur i mungon lexuesi i sotëm, beson në ardhjen e lexuesit të nesërm.
Poeti shkruan dhe s'e honeps hijen e vdekjes.
Poeti shkruan sepse dëshiron që të rrëfehet.
Poeti shkruan, shqipton një klithmë... shpesh nuk i bëjnë përshtypje lavdia, prestigji dhe paraja...
Nëse për të tjerë janë kulme triumfi, për të mund të jenë vetëm fatkeqësi...
Poeti shkruan sepse është i prekur nga një mallkim hyj-nor.
Ka mundësi mos t’i bëjë përshtypje as promovimi i një libri...
Por një poet s’mund të jetë indiferent kur libri i promo-vohet në prag të Ditës së Alfabetit[1]...
Sepse alfabeti është shpikja më e madhe e njeriut, të vetmes qenie që prodhon simbole dhe kulturë;
sepse alfabeti e shenjon gjuhën;
sepse poetët kanë atdhe gjuhën e cila "hap portat e mendimit" (Brodski);
sepse nëpërmjet shkrimit njeriu pushtoi kohën dhe hapësirën;
sepse nëpërmjet shkrimit siguroi një formë tjetër ekzistence;
sepse nëpërmjet shkrimit sublimoi përvojën e atyre që nuk janë dhe u flet atyre që do të vijnë...
Besoj fuqimisht, se libri i poetit Ibrahim Veliu, “Resh etje”, do ta ketë jo vetëm lexuesin e sotëm, por edhe lexuesin e së nesërmes…

II.
Në këtë vend ku “vetëm arrihet dhe përfundon çdo udhëtim” dhe në këtë kohë kur “të vetëpëlqyerit promovojnë raritetet e marrëzisë dhe shpallen heronj kombëtarë”, kur “për një frymëmarrje mund të përjashtohemi nga ëndrra”, kur “anonimët defilojnë shpengueshëm” dhe maskat fillojnë “ushtrimin e shtirjeve dhe stërvitjen e grimasave”, nuk ka gjë më të bukur se sa t’i kthehemi poezisë, të “ëndërrtës, të lehtës, flatërores dhe të shenjtës” (Platoni).
Duke iu kthyer poezisë arrijmë që të shqiptojmë më fuqishëm fjalën NJERI.
Duke e shqiptuar fjalën NJERI zgjojmë respektin për të dhe nuk e shndërrojmë në statistikë.
Duke e lexuar poezinë e Ibrahim Veliut ne pasurojmë vetveten dhe bëhemi më njerëzor...
Poeti Odiseas Elitis thoshte se ne kemi nevojë të shqiptonim fjalën NJERI, për shkak të përbindëshave që duhej t’i shkatërronim brenda vetes, duke aluduar, kështu, në për-balljen mitike ndërmjet Edipit dhe Sfinksit, kur ky i fundit u zhbë sapo u përmend NJERIU.

III.
Ibrahim Veliu, ky njeri i heshtur, i fisëm; ky banor i azilit të kësaj bote, që s’e honeps zhurmën, rrëmujën e rrëmetin, as hosanatë dhe trumbetat, po këndon në heshtje një këngë të dhimbshme, siç është kënga e të gjithë atyre që artin e konsiderojnë si nevojë për të krijuar.
Ai vazhdon që të shkruajë poezi në këtë kohë kur poetët priten, ashtu si në çdo stinë të historisë njerëzore, me për-çmim. Sepse janë arkitektë të qiellit, albatrosë që reflektojnë bukuri mahnitëse atje në lartësitë qiellore, kurse poshtë, pranë kapitenëve të anijes që noton në oqean absurdi, duken si qenie që zgjojnë talljen njerëzore.
Bota gjithmonë kështu i ka pritur poetët dhe kjo atyre s’u ka bërë përshtypje.
Ky keqkuptim ndodh për shkakun se poezinë nuk e lexojmë ne, por kultura jonë.
Kur poezinë s'e gjejmë në vetvete, atëherë fajësojmë poetin dhe e marrim për të krisur.
Bota gjithmonë u është gëzuar spektakleve...
Ibrahim Veliu shkruan poezi në një kohë kur thonë se poezia po shuhet përgjithmonë.
Ai shkruan se është poet, pjesë e racës së atyre që besojnë se për sa kohë njerëzit ëndërrojnë, do të kenë nevojë për poezinë.
Por, poezia, kurdoherë, do të jetë princeshë artesh që jo çdokush do t’i afrohet.
Pranë princeshës janë princërit, kontët e konteshat. Ata që dinë dhe që duan t’i aviten kurorës shkëlqimtare.

IV.
Poeti Ibrahim Veliu nuk është indiferent ndaj zhvillimeve të kohës së tij, por ai nuk e torturon poezinë, nuk e shndërron në pamflet, nuk e zhvesh gjuhën nga magjia. Ai nuk i ka dhënë vetes kurrfarë misioni. Poezinë nuk e ka shndërruar në parullë. Nuk pretendon që të jetë prej ideologëve “me pak ide dhe shumë frymë për të folur” (O.Paz).
Poezia e Ibrahim Veliut përfaqëson një kohë intime dhe personale, e cila, sa do e tillë, është edhe kohë historike dhe sociale (sërish O.Paz).
Në poezinë “Medaljon i falur” i kundërvihet estetikisht shëmtisë, me formë qeniesh që mbartin në qafë dhëmb miu, dhëmb të një brejtësi, të “vetmin medaljon të paturpësisë”.



V.
Poetin më shumë e frymëzon ambienti rural, që është bota dhe përtejbota e tij.
Në atë ambient ai kërkon hijet e më të dashurve - hijen e babait që “iku nga shtëpia një mëngjes me këmishë të krah-nezë dhe këpucë ajri”.
Është kërkim i së munguarës për të cilën kemi nevojë.
Duke i kujtuar ata që i kemi humbur përgjithmonë, ne i ngjallim brenda vetes. U japim jetë.
Jemi të gatshëm t’u falim gjithçka pa kërkuar asgjë si kundërvlerë.
Ai kujton babanë e pamoshë, të urtë, të shumëfishuar, që ruan mistere brenda vetes; babanë e veshur me petk epik që, herë pas here, “var rrebet e ditës”“degët e gështenjave”.
Ai kujton të ëmën, një grua sqimatare, të fisme, të përku-shtuar. Dy hije që dridheshin “në ethet e njëri tjetrit”.
Derisa në një anë kujton rrënjët e tij, nga ana tjetër komunikon me degët, pra me pasardhësit.
U fal dashuri njerëzore dhe keqardhje për një ikje të ardhshme, dialektike...

VI.
Libri “Resh etje” është i strukturuar si tërësi, i shkruar me një gjuhë të pasur figurative, pa sforcime e stërzgjatje. Çdo pjesë funksionon brenda tërësisë. Si i tillë na krijon kënaqësi estetike. Poezia e Ibrahim Veliut, e ngjeshur me figura, është si ëndrra, e ngatërruar dhe pashpjegueshme. Pikërisht te kjo pamundësi deshifrimi është madhështia e artit.

VII.
Ibrahim Veliu na ka ofruar një libër që do ta ruajë gjithmonë autonominë e tij dhe nuk do të ketë nevojë për autorin. Një libër që, besoj, se nuk do t’i mbyllet horizonti i pritjes. Një libër që e nderon autorin.


LULEVE TË MUROSURA

Viktimave në Monopol të Tetovës

Mbi lëkurë të daulles
dritëhijet thehen trishtë
Në dorë të jevgut
thupra dridhet pafundësisht

Ndërrimi i xhelatëve të rinj
paralajmëron gremisjen e yjeve
dhe mpiksjen e gjakut të freskët

Në shenjë refuzimi
dyert e qytetit mbyllen
lakadredhat ngjyrë vishnje
gëlojnë tej vrimave të minjve

Atdheu kërkohet
edhe para luleve të murosura
në rënkimin e hirit
ku zogu i shpresës ringjallet
dhe ëndrra bëhet më e nartë se vdekja

ETJE E KALLUR

Luftëtarëve të lirisë

 

ETJE E KALLUR


Ti pikturë e varur në atë treg dritash
kometë që digjesh rrezëllishëm
vetëtimat të regëtijnë çeltinave
dhe tok me rritet e murosura
ujërave të nëntokës kridhesh miklueshëm

Si t’i avitem asaj kodre diellshumë
etjen të ta shuaj me ujin e mirë
dhe plagët t’i lidhi me fasha zefiri


PEIZAZH I ZGJUAR


Prej askujt leje s’kërkoni
me askënd hise nuk ndani
përherë brofni shpengueshëm
buzëqeshjeve në gjumë
roje t’u bëni

Para jush malet përulen devotshëm
shkëmbinjtë tkurren thekshëm
erërat ngujohen trukshëm
kurse lumenjtë nuk ankohen
pse miturisht verbohen

Herë në lule të hardhisë
dhe në bulëz të vesës banoni
herë në polen të luleferrës
e në pluhur yjesh shndërroheni

Prore regëtini mbi peizazhin e zgjuar
dhe tok me djepat e qivuret
Rrugës së Qumështit
rrënjës së gjakut vrujoni

ZAMBAK I MUNDUR


Brodhët me vrajet e pezmatuara
të mos mbeteni të përhimët

Rritët shtat me zambakun e mundur
dhe sërish qitët sytha
nga çdo nyje e lënduar

HIJE TË HARLISURA


Ju hije të harlisura
mes shkëmbinjve të rimtë
ku jeta thërrmohet
dhe ëndrra bëhet dritë

Ju roje në këmisha të bardha
krisma në çdo pritë

XIXËLLONJAT NEVRIKE


Xixëllonjat dhe motakët sallamadi
mbanë asnjë plis i bardhë
asnjë unazë e humbur

Deri te aguliçet e djersitura
vetëm një rrugë
dhe syri sogjetar
që ndjek të përdalët

LULET KRYENEÇE


Në vendlindjen time
lulet janë kryeneçe
dhe nuk firojnë
nga mërmërimat e vetëtimave
gjithnjë në lojë
me shirat nanuritës
duke peshuar të nesërmen
dhe ngjyrat që nuk preken


TI QIELLI I GJAKUT TIM


Sa herë vdekja kaloi këtejpari
Kafkat gojëhapur i lëshuan varret
Lumenjtë nxituan drejt diellit
Kosovë germë e parë e lindjes
Trualli dhe qielli i gjakut tim
Me gjithë ato qivure
Pa një të vdekur



TATUAZHET E AJRIT


Plima zogjsh të shpërndarë
 shumohen shkujdesshëm
dhe lëvrojnë qiellin e Sharrit

Trualli gjithandej i plasur
shkëmbinjtë prore gojëhapur
reshon pushi i yjeve




BRITMË E NGRIRË


Atë mbrëmje
toka kundërmoi aromën e lulepjeshkës
hijet vrapuan lodhshëm
pas polenit që e merrte era

Ti nxënësi im i mirë
vazhdove  ëndrrat t’i shartosh
me lotin e hardhisë

Shtjella u ngrit beftë sheshit të hënës
kënga e gjinkallës heshti me ngashërim
përroi rënkoi ankueshëm

Gjaku zbriti në rrënjë të luleferrës
drejt peizazhit të ngrirë



SËRISH I LIGJËRON DETIT


Do të ngjitesh gejzerit të dritës
sërish t’i ligjërosh DETIT
për Atdheun Kombin Gjuhën
dhe emrat tjerë konkret

Assesi t’u bindesh qortimeve të përhimëta
dhe kërcënimeve haxhuze matanë grilave

Ti gjithnjë i padëgjueshëm
para ngashënjimeve të balsamosura
dhe llumit bezdisës të meskinëve



GJETHON PRAPA GRILAVE


Ora e gjuetisë fillon pas mesnate
Lakuriqtë ndjekin vezullimën e xixëllonjave
Dallëndyshet protestojnë qortueshëm
mbi çatitë e burgjeve
dhe nëpër dhomat e hetuesisë

Për detin e prapësuar
dhe barkën e fundosur
karafilat shpallen fajtorë

Ti Abeli im
do të kthehesh muajin e shartimit
të digjesh edhe një herë prej fillimit
për degën e ullirit
që gjethon prapa grilave

SI NË FESTAT ILIRE

(Abdylazis Islamit)

Kësaj here
kënga e fyellit është  vonuar
dhe agu i mëngjesit nuk feks
Ti me gurin e vendlindjes peng
pas erërave të panjohura
dhe vetëtimave të largëta
deri në sfilitje
               
Në këtë shtegtim
ngrihesh për të satën herë
dramën e lindjes tënde e dëshiron

Çka mbetur nga kopshti yt i mermertë
pos dritëhijeve që lëvrijnë pafundësisht
dhe etjes së mpiksur
që pikon përsëritshëm

Miku im
loja me zjarrin
nuk është dashur të ndodhi
as në një kohë të largët
kur emër tjetër do të kishe

Ti megjithatë
vazhdon t’i ulish majet
t’i afrosh largësitë
pranë e pranë
si në kohërat pa moshë
në festat ilire

PIKON DRITË

Lisat zgjohen lëvrishëm
Zogjtë digjen luginave
Ti shkel rrënjës së gjakut
Tingujve të nëndheshëm t’u dorëzohesh

Nga maja e  shtjellës
Sërish pikon dritë

PIKTURË E DETIT QË LËKUNDET


Andej e këndej detit
Shkëmbinjtë e krehur në erë
Thneglat e kuqe bartin zemërimin
Shelegët i shterin përroskat
Shemrat me qivuret e të përkëdhelurve
Mëndeshave u therin gjinjtë rrefkët
Të vetëpëlqyerit promovojnë raritetet e marrëzisë
Dhe shpallen heronj kombëtarë


PEIZAZH I SHIRAVE TË RIMTË


Në këtë pjerrinë me shira të rimtë
Shkëmbinjtë kundërmojnë aromë algash
Ujërat huazojnë mbarësinë e yjeve
Zogjtë digjen të kërthneztë
Lulet rriten të merakosura

Në këtë peizazh me shira të rimtë
Prometeu i dorëzohet zjarrit të vjedhur
Këtu vetëm arrihet
Përfundon çdo udhëtim


MËKIM ME QUMËSHT YJESH


Në vendlindjen time
Lulet butësisht të egra
Pemët me dhimbjet e shtatëzënisë
Lehonat me lotoret e remta
Burimeve të Sharrit bredhin
Dritën e ujërave
Qumështin  e yjeve mbledhin
T’i mëkojnë foshnjat

 

NGASHËRI E MALL


Sa herë marr udhë mes lisave të vjetër
vrujimi i përroskave dhe fërfërima e zogjve
më ngazëllejnë thekshëm si në asnjë vend tjetër

Ulem mbi gurin e zhuritur në rrezet e arta
të sodis zabelin hejzës përballë
dhe dëgjoj trokun që vjen me të katra

Mes eshkës së thatë dhe gurit të bardhë
shkreptinë ajo xixë që hidhet rrëpirës
farfurinë shpatit e bredh lak më lak
rishtas kthehet - më kridhet në gji
regëtinë ndër brinjë dhe merr flakë në gjak



KTHIMI NGA LEGJENDA


Këtejpari
asnjë gjurmë e drenushës së lajthitur
asnjë hije e krahut të lënduar
pos bareshës dhe kopesë së gurëzuar
që kthehen nga legjenda



VETËTINË BARDHË


Këtu në rrënjë të pjergullës
pranë gurit të lëmës
patkoi i kalit arab
vetëtinë prore bardhë

Këtu te pragu i shtëpisë së vjetër
kam pritur me përdëllim
dielli të lindë më i zjarrtë
hëna të del më e përtërirë
dhe pastaj   jam ngjitur kodrës
me zogjtë e shpërndarë

SHIRAT E BARDHË


Ti qokth i mbrëmjeve të bruzta
dhe vetëtimave shterpe
thekshëm ligjëron në këtë blerinë
ku pemët shpërlahen në shirat e bardhë
dhe hijet lëshojnë rrënjë pafundësisht
të rrezatojnë blertë edhe në errësirë


GENTIANËS


Erdhën me paruka
dhe urna të zbrazëta të duar
erë myshku kundërmonin

Sharrit pash më pash i ranë
Gentianës rrënjët t’ia vjedhin
në mbrojtje brofën bimët e egra
dhe hijet e nëntokës

Gjoli i zi ulëriu
mbi shpinë të Demit
që s’i mjaftonte toka



DRITA FIRON ETHSHËM


DRITA FIRON ETHSHËM


Andaj detit të prapësuar
fillon shumimi i marimangave
dhe shkulja e brinjëve

Përtej heshtjes së sirenave
nis djegia e këmishëve
në trupin e atletëve

Lulet prore  bien në gju
ndërsa drita firon ethshëm





ZBRITJA NË GJYSMËSHTIZË


Shtegut të malit vetëm një rrugë
Troku i vrançit dhe asnjë pendë zogu
Që te maja e kepit e në rrënjë të shelgut
Hijet e mardha rrinë zgjuar
Pranë shtratit të dhëndrit
Lëkura e gjarprit dhe këmisha e mirë
Koka e maces dhe molla e bajrakut

Vetëtimave të bardha dhe hirit të gjakut
S’do t’ua mësojmë prejardhjen
Pa zbritur në gjysmështizë



MARAMENDJA E YJEVE


Zhapinjtë bartin ujë tej bregut
zjarrin mbi pergamene ta shuajnë
kotelet e zeza nxitojnë me zemërim
sheshit të gjysmëhënës
ku bëhet obduksioni i mishit të egër

Loja me urnat
dhe marramendja e yjeve
vazhdon me përulësi



HUDHJA E ZARIT


Zari hudhet me pandehmë
Hijet e pudrosura zmbrapsen
Pushin e yjeve mos e shkelin
Aguliçet protestojnë shqetësueshëm
Bustet belbëzojnë përçart
Të pangjarat japin shpirt pa ritual



LULET E TULATURA


Shkrepat s’janë fajtorë
pse gjurmët s’na përgjaken

Detit mëkot i biem në qafë
për fundosjen e vazave
me ëndrra vjeshtore

Herëkeqja dëgjohet tej ishullit të akullt
ku bëhet shkulja e qerpikëve
dhe tulatja e luleve


LAOKONTI


Gjithnjë para rrugëve asnjanëse
me një daulle të vjetër në krah
britmës së ngrirë ngjitet
hyjve t’u kumtojë
për ajrosjen e kafkave
dhe çeljen e vezëve të gjarprit


KOKËDHEMBJET E PASDITËS


Askush s’do t’na e zë për të madhe
pse vezët e gjarprit
te pragu i derës na i lanë
dhe farën e shtarës
ndër strehë të vjetër e varën

Nuk do të shqetësohemi
për kokëdhembjet e pasdites
koha e Besës së Madhe
ende s’ka kaluar


SYRI QË DIGJET ME PËRGJËRIM


Mes frutave të egra
dhe luleve të vrerosura
kitara e zgjuar

Përreth asnjë gjurmë
e yllit të largët
pos syrit që digjet me përgjërim


PUTHJE E METALTË


Një tymnajë zbret
foleve të zbrazëta
djepave u afrohet ngjethshëm
duke nanurisur me dinakëri

Majë thikës molla e sherrit
Majë shtjellës një kafkë që vërshëllen
Njëra-tjetrën puthin metaltë


TROK NË ERRËSIRË


Është një hap
dhe një dorë rrufake
që afrohen nëpër natë

Dëgjohet një trok
që vjen nga larg
dhe një gur
që i mungon secilit mur



GJITHNJË NË PRITJE


Qiriri soset lodhshëm në dritare
Hëna tkurret përgjumshëm
mes kandrave mishngrënëse

Ti Abeli im
gjithnjë në pritje
të rënies së mollës
nga shtiza e bajrakut



PEIZAZH I MUZGËT


Në këtë peizazh
Me përkrenare zotash të penduar
Hallka e zinxhirë larosh të ndërsyer
Frerë e potkoj kuajsh të pihatur
Lëkurë kurbanesh qethur nën lëkurë
Edhe për një frymëmarrje
Mund të përjashtohemi nga ëndrra

PSHERTIMË


Në rrugën e ndaluar për zogj
Kitara e vjetër dhe shiu që mërmërit
Ti do të kthehesh çmendurisht
Pas helmit shërues në gotën e harrimit
Të zbresësh në rrënjë të Gentianës
Ku mbretëresha psherëtinë
Për këmishën e djegur
Bishtalecat e hedhura në det
Dhe të trokiturat e shumëpritura


HESHTJA E PLEHRAVE


I merakosur u ngjit në pirg të shtjellës
Detit t’i tregojë çehre

Përreth asnjë tymnajë zjarri
asnjë uturimë e largët
pos heshtjes së plehrave
dhe copës së mishit
që i shtohej ndër dhëmbë

Para pasqyrës
i provoi maskat kërcënuese
helmetat dhe kamishat antiplumb
dorezat e zeza dhe syzat e errëta

I pështyn yllit
dhe u shtri përmbys
gjumi ishte nisur në një rrugë tjetër




POLEMIKË ME DËSHTAKËT



Nëpër kolltukë pranë tryezave rrethore
diç nga zjarrmia mblidhet paria
dhe kuvendojnë për çështje gjoja parimore
se ndryshe s’u ka hije alamet burrëria

Disa mjekërruar të tjerët në të murme
me poza falco e këto imituese
porosisin liker dhe çaj me rum
për marifetet e tyre deskridituese

Veç rreth e rrotull s’i bijnë dot trup
me dokrra të vjetra e me naze të reja
pa peris në gojë - halldup e pa turp
çirren e zgërdhihen s’i t’papunët në ndeja

Pasi pihaten duke ndarë receta
duke dhënë vlerësime për vepra e persona
mbi EMRA vënë kryqe - shtojnë etiketa
dhe tym e llum lënë tek e vona


Kështu si shpesh pranë tryezave rrethore
debatojnë matrapazët për çështje madhore
porosisin xhus dhe ndonjë uiski
për aspiratat e sëmura prej karrieristi



SHTRENJTIMI I MASKAVE


Dallëndyshet teksa u larguan
Të pauruarit erdhën me helmeta
Fëmijët defiluan me paterica akulli
Lehonat prore në të zeza
Fytyrat çuditërisht  tepruan
Maskat u shtrenjtuan çmendurisht



 



DJE ISHTE VERË


PREJARDHJA E ZJARRIT



Ishte vere
 Kur zgjohesha natën
Për një lutje të Madhe
Dhe kundroja zjarret
Qe me afroheshin pranë
E s’ua dija prejardhjen 


Ishte vere
Kur  më mungonte akulli
 më tepronte vetmia
dhe  i pambrojtur
Nga gjysmëfjalët

DJE ISHTE VERË


Ti zogu im i trembur
Shporoju rrahjeve zemërake ndër brinjë
Dhe ëndrrës që të zgjon frikshëm

Medito për dridhjen e maleve
Përqafimin e yjeve
Dhe dyndjen e rrufeve

Ti zogu im i merakosur
Që në fluturim përflakësh
Në një kohë tjetër
Do ta zësh kometën në të ikur
Dhe do të bindesh
Se dje ishte verë

 

SHI VERE


Në sfond
Ende s’ka filluar loja e thikave
As thirrja e emrave

Ti biri im i vogël
Ke bekimin tim
Të bëhesh shi vere
Të zbresësh
Në rrënjë të gjakut
Të bëhesh njësh
Me ulërimën  ndër brinjë
Dhe të shumohesh me veten
                           
                           Ohër, 9.10.2007


PËRHERË I MERAKOSUR

Fadil Rifatit

Ti prore i merakosur
Për trokun që ikë çeltinës

Kur kthehesh në krahun e djathtë
Mjekra çuditërisht te rritet
Vetullat çmendurisht te thinjen

Sa larg ylli i mëngjesit
Dhe hapi i babëlokut
Te pragu i derës

Një copë qiell bjeshke
Në bebëza të ka zënë vend
Ti dhe Sharri
Me të gjitha të mirat

 

TI MALL I LARGËT


Për çdo mbrëmje
Mes një  shkurre
një grua zhvishet ngeshëm
Derdh butësisht dritë
Feks tmerrësisht hirshëm
Dhe fshehet magjishëm
Si një mall i largët

PRORE E HËNË

Profesorit  tim, Xhevahir Shaqirit

E hënë
 edhe në  katin e trete
Ku një dritë rri përherë ndezur

Mes xixëllonjave
Miku im i vjetër
Kërkon mollën e fshehur
Për mysafirët e rrallë
Që orëve të vona
Do t’ia çelin derën

E hënë
Edhe Rrugës së Qumështit
Ku yjet përqafohen
Para se të vdesin




E hënë
Edhe këtu

Pranë rënkimit të përroskave
Ku s’dëgjohen hapat e pritjeve
As kënga e vetëtimave

KRUSHQIT E PASMESNATËS



Nëpër të çarat e reve
Dhe përmes grilave të dritares
Një shkulmë rrezesh  të remta
Mbi portretin tënd

E dashur të ikim që këndej
 edhe kështu lakuriq
Krushqit do t’na ndjekin pas
do  të këndojnë çka t’u kujtohet
Ose  le t’na shajnë pafundësisht

PARA DRITARES I VETËVRARË


Përreth meje
Rojet e veshura gri
Pikturat kërcënuese
Dhe hijet e gozhduara

Para dritares
Për të satën herë
Mbetem i vetëvrarë
                           

KURRIMI I HIJEVE


Në qytetin tim
Edhe një natë e thinjur
Me rrugë të verbëta
 Me parqe të zbrazëta
 pa çifte të rinjsh

Sonte
 Trenat nuk ndalen
stacioneve të nëntokës
 as sirenat s dëgjohen
Brigjeve të largëta
Anijet i kanë braktisur limanet
dhe janë nisur
drejt ishujve të ngrirë


MIRËUPAFSHIM NË NJË PRANVERË TJETËR


Mirupafshim vjeshtë
Në një pranverë tjetër
Kur pemët do të gjethojnë
Para se të çmenden
Dhe lulet  do të kaniten
Me qumështin e yjeve

SHPËRNGULJA E DHIMBJES



Dy guralec të bardhë Sharri
Me vete mora
Dhe për në Shën Naum u nisa
Në  valët e  liqenit i hodha

Dy  gur të lëmuet gri
Nga bregu i detit Jon  nxora
Dhe këtu në kopshtin tim
Mes luleve të egra  i solla

Ndjeva sikur dhimbjes
 Që  më sëmbon ndër brinjë
 vendin përkohësisht  ia ndërrova

                   Golem, 2.08.2008                          

MURAT ISAKUT


Ti dhe të urtit tjerë
Keni arritur duarplot
Deri  te ky breg i ngrirë
Ku bustet pozojnë ngeshëm
Dhe zogjtë gjithandej në të ikur


Këmbëzbathur ngjitesh pjerrinës
Duke çminuar ajrin
Duke fikur zjarret
Para vetes
Pa ditur
Në cilën këngë të Homerit
Do të ndalesh
Në cilën baladë  arbëreshe
Do të përflakësh

Tevona të takoj
Para akuariumit të blertë
Me syza dielli 
Dhe kapelë vere
Në kërkim të pasqyrës
Qe atë natë  gushti  te mungoi
kur erërat pushuan
Mbi hirin e zjarrit të fikur


PËRHERË NË TË IKUR


 TI s’do të pushosh së djersituri
S’do t’i kthehesh
 AS hapit tënd të parë

Gjithnjë në kërkim
Pas lules së kristaltë
Dhe agut të purpur
Që çel në të gdhirë

Ti përherë në të ikur
Ylli im  i përndezur


URATË PËR ERËN


Ti ende nuk di
 ti rritësh thonjtë
dhe ëndrrat e mëngjesit
Ti qethësh vete

Për çdo mbrëmje
Yjet i zbret ne shuplake
Xixëllonjat në grushte i mbledh
Margaritarë për në llërë e qafë

Ti patjetër emrit t’i shëmbëllesh
Lëndinave pas fluturave të bredhësh
Ne qiellin e hapur
 fluturimin  e zogjve të ndjekësh
Edhe te gjyshi të kthesh ndonjëherë
Si dallëndyshja kur e viziton folenë
Mbi dritare të cicërosh me mall
Si gjyshja kur të këndonte në djep
Për atë ëndrrën tënde –perlë e rrallë
Dhe pagjumësinë tonë-mikeshën e shpeshte

RRUGËT E BABAIT


GJURMËT E BABAIT


Muza pa e hedhur këmishën në breg
nëna i stërpikte gjurmët me ujin e mirë

Babai ngutej pjerrinës
bastrës t’ia disiplinojë çmendurinë
shtarës t’ia bëjë zap helmin

Dhe kthente me hijet e pasdites
dhe ferrat e murrizit në shpinë              


 

BABAI IM I SHUMËFISHUAR


Babai im nuk brengosej
për ethet që s’e harronin çdo pranverë
ai nuk ankohej as për lythin
që në rrënjë të qerpikëve
i kishte zënë vend

Gjithnjë me fytyrë kah qielli
lutej devotshëm
lulen e rrushit
sëmundja mos e prekë

Përherë mes gjysmëhijeve
dritën e vesës mblidhte
Babai im i urtë
i rreptë
dhe i shumëfishuar


LUTJET E BABAIT


Babai lutej
kopshtit t’i shtohen zogjtë
dhe vrahut të lëmës
troku zemërak i kalit arap

Çdo të premte
Akrepat e orës i kthente prapa
hapin e qiste përtej hijes së vet
dhe kosiste shiun e rimtë


BABAI IMITONTE SHIUN


Babai kur nisej te burimi
që në rrënjë të lisit vrujonte
gjarpri pullali i dilte para

Ai s’e dëshironte këtë ballafaqim
andaj rrugë ndërronte
me shkopin e pjekur të thënës
hijet e pasdites i trazonte
dhe mërmërimën e shiut imitonte




PERLË E HUMBUR


Hëna pa u sosur në dritare
babai dilte megjeve të arës
të korrte hije cullake

Laraska pa u larguar nga çatia
nëna i fikte gacat në ujin e mirë
dhe sëpatën e kthente ndër strehë

Hijet e prindërve të mi
herë djersiteshin në diell
herë tereshin në erë
dhe lodhshëm zdirgjeshin përroit
duke kërkuar stolinë e humbur kaherë

 

PRIKA E NËNËS


Nëna ime sqimatare
me prehrin plot aguridhe të egra
gërshërët e ndryshkura dhe thonjtë e prerë
lugën e drurit dhe protezat e thyera
prore e merakosur
ndër hije të gështenjës
priste udhëtarin e parë
këto dhurata me testament t’ia falte



ZOGU IM I TREMBUR


Mes kandrave agresive
dhe busteve të krahneztë
ti  nuk zë vend
 zogu im i trembur

Pahetueshëm u afrohesh
hijeve të tulatura
dhe barit të mirë
ethet ngjethëse t’i kurosh





HESHTJE ULËRITËSE


Babai im
zgjohej me kambanat e nëndheshme
te pragu i derës pengohej në hijen e vet
dhe ngjitej ngutshëm faqekodrës

Mbrëmjeve zbriste
me një plym rrezesh të remta në zverk
rrebet e ditës
në degë të gështenjës i varte
truallin e opingave
për pragun e derës e shkundte
dhe kokë më kokë me nënëloken
në dritën e zjarrit
dhëmballët e prishur numëronin



PRITJET E BABAIT


Gjithnjë galuc
pranë përroskave të dritës
dhe zogjve të dëborës
që hynin shpërfillshëm
nëpër të çarat e derës

Babai prore mendueshëm
shfletonte librin në dorëshkrim
për shartimin e luleve të egra
dhe acarin që kafshonte me tërbim

Nga ai shikim i ritë
s’kuptohej në lutej
ose kërcënohej me hakërrimë



FTOHTËSI VERE


Ishte pasdite gushti
kur pemët e kopshtit tim
e humbën të pamurin

Babai pa plis në kokë
nëna me shaminë në dorë
ndiqnin degdisjet e vetëtimave
dhe dridheshin në ethet e njëri-tjetrit


IKJA E BABAIT


Babai iku nga shtëpia
një mëngjes të mjegullt
me këmishë të krahneztë
dhe këpucë ajri

Nëna e hudhi nënkresën
dhe vrapoi drejt gjolit
ku kridheshin vetëtimat
dhe buluronin demat


UDHËT E BABAIT


Mes pemëve kokulura
dhe hijeve të grisura
udhët e babait
sa të largëta, aq të sheshta
sa të afërta, aq të fshehta

Në këtë peizazh
çdo ditë e hënë
dhe babai im i pamoshë



RESH ETJE


Që te pragu i derës
kokën e gjarprit zullumqar
në nishan e merr

Zogjtë dhe hamshorët
fshihen në pyllin tjetër

Syri sogjetar
ndjek të puthurat e yjeve
dhe qiellin që resh etje

LOTËT E GJYSHIT


Gjyshi im
nuk mbajti zi
kur ujku ia preu delet  në torishte
as për kalin nopran
kur të përdalët ia morën pabesisht

Gjyshi im
veç një herë
pas një trokitje në mesnatë
derdhi lot gjaku

HARKU I BRINJËS


Gjyshi im
nuk shkruajti asnjë letër dashurie
as gruan se tradhtoi në jetë

Gjyshja ime
në shenjë besnikërie
nëpër ecejake
setrën e tij mbante krahëve


DRITËHIJET



MBRESA E VRAGË


Udhëtuam me vetëtimat ndër sqetull
kasnecëve s’ua varëm veshin
as hujet e të përdalëve s’i përfillëm
zumë vend në rrënjë të trëndelinës
u shndërruam në erë pëshpëritëse
mbresat e vragshme
në një stinë tjetër
i lamë t’i vjelim

SYRI SOGJETAR


Hijet i braktisin marramenthi ledhet
Plima zogjsh gurëzohen pa kaluar lumin
Kometa ndërron vend mbi vetull të malit
Kashta e Kumtrit në një qiell tjetër rishfaqet
Abelit papritur i rritet mjekra
Thika i ndryshket mes shpatullave
Syri sogjetar i gjarprit
Në kalavesh të bardhë


DRITË NË SFOND

Bijës sime Yllditës

Kukuvriqët dhe kotelet e zeza
Nëpër këmbët e mpira të publikut
Deti kundërmon erë vezësh të prishura
Lisat zbresin ngathët nga pikturat e vjetra
Vetëtimat ngujohen në luginën e rrëshirtë
Anonimët defilojnë shpengueshëm
Ndërsa plehrat dergjin artistikisht

Bija ime
I gjuan ëndrrat tej bregut
Rrëshemet i lëshon nga kosherja
Drita  rishfaqet
Tejxhamave të tymosur


KURIMI ME AKSH


Mes shkëmbinjve
dhe hijeve që hirojnë kaltër
vazat e thyera
dhe lulet që dergjin

Rrugëtimi vazhdon
pas yllit që e krijuam vetë
qiellin e plugojmë vragshëm
mërinë e kurojmë me aksh
dhe përkohësisht
shpallemi të pafajshëm




YLLI QË DIGJET BARDHË


Vistër kuajsh frelëshuar
gjithnjë me të katra
pas yllit që digjet bardhë

Hijet kokëqethura
me nga një zile alarmi në qafë
testojnë pagjumësinë

Ceremonia e varrimit të hënës
mbahet në një qiell tjetër


ULURIMË NDËR BRINJË


Trëndelinë
zjarri është fikur në vatër
sofra kaherë rri shtruar
këto kandra zevzeke
varur nëpër rafte
m’i hiq qafe

Maskat dhe erashkat do të ndahen
pasi të fillojë ushtrimi i shtirjeve
dhe stërvitja e grimasave
                                   
Loja me lakuriqtë do të ndiqet
pasi të pushojë shiu në sfond

Trëndelinë
Njëri - tjetrit t’ia lidhim sytë
ta mashtrojmë pagjumësinë
vine veshin ne kraharor
dëgjo të rrahurat me sertëllimë
dhe këtë çurg gjaku
që ulurin ndër brinjë

NË ANËN TJETËR TË VJESHTËS


Trëndelinë
kjo ditë ka nisur ters
t’i thejmë të gjitha vazat
pasqyrat e vjetra
dhe në lëkurën e kësaj nate
ta zbrazim këtë heshtje ulëritëse
kurse thikën që krekoset
ta hedhim përtej vjeshtës së madhe



SËMBIM I PËRSËRITSHËM


Ti kopilesha ime
domosdo të kthehesh
një mbrëmje të acartë
për të zënë vend
mes librit tim në dorëshkrim
të mbetesh e rrëshirtë
pa rrudhë të shtuar
pa thinjë të rritur

Kjo patjetër të ndodhi
pasi të digjet mali në brerore
të kthehesh më e trëndafiltë
dhe të më sëmbosh përsëritshëm


THYERJA E DRITËHIJEVE


Kambanat lajmërojnë përsëritshëm
ndërrimin e kafazeve të vjetër
dhe pranimin e klientëve të rinj

Gjithandej ngjitemi pjerrinës
me nga një thumb të ndryshkur në thembra
t’i afrohemi drurit të blertë
dhe foleve të merimangave
ku dritëhijet thyhen sikletshëm

Kujdesshëm shkelim barin
që kundërmon djersën e yjeve
dhe sërish kthehemi me rrungajën
që na shembet ndër brinjë

HESHTJE E TREMBUR


Mes nesh s’ka mbetur gjë tjetër
pos heshtjes së trembur
dhe sendeve pa shpirt
që bashkë me pikturat e vjetra
dhe enët e botëta
do t’i nxjerrim në ankand
ta arsyetojmë pafajësinë


MËRMËRIMË E ACARTË


Hajnesha ime
Eja në një stinë tjetër
mundesh me erërat shpupuritëse
të vjeshtës së madhe

Këtu mes kandrave
që shumohen lëvrishëm
të pret një lugë e harruar ndër sofër
dhe një gacë që i dorëzohet verbimit

Unat e zjarrit
s’do t’i përpushim si dikur
as prushit s’do t’i frymë

Të mundur do të lexohemi sy më sy
dhe do të shkasim rrënjës së pendimit
duke murmuruar acartë

PEIZAZH I PARALIZUAR


Në këtë natë të madhe
s’na duhet bashkëbisedues tjetër
mosmarrëveshjet i kemi tejkaluar kaherë
dënesat dhe ngjyrat e vetmisë
të paparashikueshme për shëndetin që kemi
andaj të kalojmë në një vend tjetër
t’i lexojmë në heshtje  mbishkrimet


Në këtë peizazh të paralizuar
s’do të ketë vend për të dy
ata që na dashuronin
nuk janë mes nesh
andaj të urrehemi miqësisht

LIBRAT E BIBLIOTEKËS SIME

Kardiologut Jusuf Rexhepit

Librat e bibliotekës sime
çuditërisht të brishta
ditën vuajnë nga marramendja
natën nga pagjumësia
kaherë shtohen si bleta
ndonjëherë minusohen
si lulet e egra

Librat e bibliotekës sime
si  dallëndyshet në erë
herë lëshohen vetëtimthi përtokë
herë ngjiten shigjetë te retë
dhe bashkë me yjet
mërmërisin kokë më kokë


PËRQAFIM YJESH



GAZ DHE LOT

Nipit tim Erandit
Gjysh ç’është ky tym që të del ndër vetulla
dhe ky prush që të djeg ndër brinjë
afroju dritares në këtë fresk me teka
ndoshta të hiqet gjithë kjo zjarrmi

Nipi im
në këto gropa të errëta - zgavra pakufi
shumë zjarre janë ndezur dhe rishtas janë fikur
vetëtimat kanë gjuajtur dhe tinëz kanë ikur
por sërish kanë mbetur dy gaca në hi

Gjysh
po këto hulli të gjata në mollëza e në ballë
dhe këto tufa të bardha që i ledhatoj me mall

Nipi im
këto brazda të thella që s’mbulohen më kurrë
janë lavrat e pllugut të jetës që s’i kalon dot
po kur të rritesh dhe të bëhesh koxha burrë
mbi to do të hapërosh me gaz dhe me lot

 

PËRGJËRIM DHE MALL

Time mbesë Erës

Era eja vëmendshëm për parmakë kapur
ngjitu shkallëve një kat më lartë
këtu të pret gjyshi gjithnjë krahëhapur
Me një dhuratë - pekuli të artë

Era mbylle derën
dritaret të rrinë hapur
duart t’i mbushësh me diell
sytë me qiell të kaltërt

Bija ime eja çdo ditë këtu lartë
pranë teje edhe pak më ka mbetur
dhe do të nisem një rruge të gjatë
bashkë me kometën që rrezëllinë mekur




Lektura:
Vjollcë BERISHA

Korrektura:
Valbona VELIU

P ë r k u j d e s j a   t e k n i k e:
S.  S A L I H U


T i r a z h i
500 kopje

Libri u dorëzua në shtyp  dhe u botua në tetor të 2009


[1] Botimi i parë i librit Resh etje, u promovua në prag të shënimit të Ditës së Alfabetit.

Google+ Followers