Gjithnjë e më pak i vetes

Poezi/ Ekskluzivisht për “Standard”, poeti nga Kosova, Ali Podrimja, në të gjallë dha të drejtën e botimit të poezisë për Jamarbër Markon, poetin e ndarë nga jeta para kohe; paralel një tufë poezie nga i njëjti brez që perceptojnë jetën dhe ndjeshmërinë në realitete krejt të ndryshme



Ali Podrimja

Kometa e harruar
 Poetit Jamarbër Marko

Gjithnjë e më pak i vetes
Dje e varrosëm poetin Jamarbër Marko
Tirana e zbrazur dhe më bëhej se
një peshkaqen kërkonte gjahun e vet

Jam i huaj gjithnjë e më shumë
Më kapërdinë zbraztësia me kockë e mish
Gurin tim e kërkoj dhe ik
nga Uji i Madh që rrah brigjet e mia

Nuk besoja se kaq shumë vetmi
Tjerret metropoleve shqiptare
Ku ndonjë mbret i minjve
Hedh dhe duçin e fundit të cigarës

Duhet ikur duhet ikur miku im
Para se t’më zërë nata e thikave

Në Lesbos tek kërkoj Safon
Kokën e poetit të panjohur nga Australia
E pashë si fluturonte në qiellin grek

Komet e harruar nga koha e Homerit.
(Lesbos, 8.9.2010)




Petrit Nika


Është …

Është qenia ajo që dhemb deri në thelb,
që korpin e salvon për tmerr në kryq;
përjetë kërkon lirinë dhe kurrë s’e gjen,
Ndaj lëndën e tret, ku dikur u kyç.

Se qenia është melos dhe ditiramb,
gjuhë dhe korp i njëjtësuar në pakohësi,
zgjedhim në njëmijë mënyra i foljes Jam,
dhe po aq për foljen Kam – me siguri.

Harrimi e pret dhe qenien. Është ligj,
për ata që i besojnë format modale;
për aktin nistor të fjalëve; Asgjë dhe Hiç,
që shkon trajtëzbrazur drejt për në finale.

Tepricat janë format inkompetente, pa fat,
mungesat plotësojnë imazhet pa shpirt,
strukur larg arsyes dhe Shkakut pa Shkak,
ku zbruhen në kaos nga viti në vit.

Është qenia dhe mbi të prapë nuk ka asgjë,
është melos, ditiramb dhe korp, dhe gjuhë,
indeks ku gjenden qiell, dhé, ferr, parajsë,
një tabllo edeniane e zbehur – bojë retush.


Intermexo vjeshte

Cantiunikula nature*

Vallëzon shelgjishtja në erën e vjeshtës,
Me kujën e kohës në fir,
Në mirëkuptim të plotë me lajmin e vdekjes;
- e din që s’është zefir.

Dhe velloja e gjelbër bëhet e verdheme,
Me nuancat e trishtimit të ri;
Tevona rrotull trungut prehet mbi treme,
- plot melankoli.

Mëkot ëndërron për agimet e bruzta,
Çka pa e çka la në këtë jetë,
Ndaj rrugët me fletëza të verdha i mbushka,
- dhe qiellin gjer tek retë.

Mbi viset e ftohta e shpërndan trishtimin,
Mes vallëzimit të fundëm funebër;
Me kalimin e kohës do kalojë koha,
- dhe prapë bëhet e gjelbër.


Rekuiem padashur dyvetor

Udhëtar i rënduar nga vitet mbi shpatull,
me ngjarje kohësh të largëta në kujtesë,
që në zanafillë caktuar për ta mbartur,
monadën tënde që përfundon në harresë.

Dënuar nga fati të shkosh përjetë vetmitar,
ku bota kufizohet në “të jesh a të mos jesh”,
dhe gjuha noprane e vetës së parë,
të kumt pa shpresë në të kryerën e thjeshtë,

për aktet që kreve, apo të mbetën pezull,
dëshirat që u tretën si frymë në hapësirë.
Dhe kur prania jote materies të jetë velur,
harrimit do i hakërrehesh në humbëtirë,

për gjithë ç’pate e s’pate në shtegun e gjatë,
për humbjet, për brengat, padrejtësitë;
në fund vetëm heshtja të ngelet dëshmitar,
t’ia tregojë botës – postum – historitë.



Flurans Ilia

Lëvozhga e fjalës

1.
Pasi shishet e shtrenjta të verërave u pinë
U pinë të shtrenjtat shishe të verërave pasi
U grisën fjalitë e stërzgjatura
Kapota e vjetër zhele u bë ndërkaq

U zhvol lëvozhga e fjalës nga fjalët
Dhe fjalët e palëkurta, copë mishi
e rrjepur, kullon gjak mbi parmak e kuqja
Brenda shisheve në heshtje u pi ndërkaq

U mblodhën gotat e boshatisura
Gotat këmbëholla si balerina
Balerinat si gota këmbëholla
U vendosën për t’u shpëlarë në lavapjatë

Si dekor në sfond: Puthja sipërfaqësore
E Hënës mbi të ftohtin Posedon!
Tylëhollë është maska e lunatizmit
Arketipi lunatik i të maskuarës tylëhollë

Si dekor në sfond: Puthja sipërfaqësore
E Hënës mbi të ftohtin Posedon!
{Një çarçaf dëbore është
mbi kratere shikimesh opake,
Histori e lexuar, e fatëzuar dikur
në faqet e Perandorisë Romake}


Mangall vetullbronzët
Përtej kufijve të «Arkipelagut Gulak»
Ku gjithsecili nga NE
është një ishull vullkanik, i tredhur,
që vlon i heshtur,
si dem i përndjekur,
dërgon mesazhe danteske,
thëngjijsh të djegur…
tëpkë
mu si
Sy-
-të arratisur nga «Guernika»
shtresojnë
portretet
tona
impotente materializuar
mbi parmak.(ku fjalët e rrjepura
kullojnë gjak në fakt)
Copëza yjesh që ndizen dhe shuhen janë presjet,
fishekzjarr mbi buzën e mardhur.

2.
E kështu
E ashtu
Dhe
Bisedat materiale vazhdojnë
Vazhdojnë të jenë po materie bisedat!
Forma e fjalisë griset si kapota e vjetër
(me ashtu dhe kështu
dhe bën ftohtë)
Shërbëtorja spanjolle servir kafe të fortë
{të kredhur në dhimbje si buzëqeshja e Çe Gevarës}
ndër sytë e saj latin të ngrohtë


Si dekor në sfond: Puthja sipërfaqësore
E Hënës mbi të ftohtin Posedon!


Gishtat e mi të ënjtur qerosë-
tëpkë
mu si
Buda
misionarë-paqësor-barkfryrë:
Cicat e forta të porcelanit aziatik prekin butësisht!
Cicat e bukura të të maskuarës tulëhollë!
Cicat e bardha të «bukurosheve të fjetura»!
Nga Fisi i Pemës
kur i gërvishtet lëvozhga ndjenjës
rrjedh si kauçuk teposhtë viteve të rrjedhës,
një lëng i nxehtë, i bardhë, nën lëkurën e fatit
nën dëborë,
shtresuar brenda meje
filiz dimëron fjala
një livadh me dashuri që më risjell në fëmijëri…


3.
…dhe më kujton:
Dashurinë e bardhemtë të vendit tim.
Si dekor në sfond: Puthja sipërfaqësore
E Hënës mbi të ftohtin Posedon!
Dashuri e dikurshme me to(oh)llona, si askund.
Dashuria e njelmët e vendit tim.
Da(ah)shuri e dikurshme e rreshtuar në radhën e shishes së kosit të pafund.
Dashuri e bardhë e bardhë e bardhë e vendit tim.
Për një kile djathë,
një pako gjalpë,
një kile mish,
Nga trupi i dikurshëm i Dashurisë.

Në radhë! Në radhë qafira!

Si dekor në sfond: Puthja sipërfaqësore
E Hënës mbi të ftohtin Posedon!


4.
Kush e solli Doruntinën?
Valltaren këmbëzbathur nga njëri yll në tjetrin, përmbi shpinë?
Premtimi i pleksur i flokëve të përbaltura
Ai premtim i dikurshëm që të Ringjalli
mos ishte vallë vet Mëma e Dheut?
Ajo, që prodhonte aq pak qumësht vetëm
me njërin gjoks përjashta prej «murimit legjendar».
Dashuri e dikurshme – Dashuri e sotme
(me ashtu dhe me kështu) që vjen, kalëron
drejt meje
me galopim jetësor
(apo vrastar?)
në bregun e këtij oqeani të ftohtë
ku zhvoshken lëvozhgat e fjalëve nga fjalët
dhe fjalët që duhen zgjedhur shpesh
ikin,
mërgojnë,
të nëmura,
si zogj
okatar


Si dekor në sfond, ah!, mbetet jeta:
Puthja sipërfaqësore
E Hënës mbi të ftohtin Posedon!


O Kalorës Fantazmagorik!
O Lunatik i Veçuar!
Ku je duke shkuar?


Ç’kërkon ti në këtë gosti peshk-a-qensh?
(gjakftohtësisht të pasur)
Si një Konstadin për kushedi se ku?
:-Përsëri
I rimërguar


Alban Bala
Miqve


Ne po ikim miq, ashtu si kujtimet
drejt heshtjes së vjetër, asaj heshtjes së butë
që jetojmë qysh prej lindjes… Koha po shprishet
si një flok i shkulur prej dhimbjes.
Tash në vend të ajrit thithim mall
dhe mes fjalëve të fundit, në çantat e rënda
fshehëm lotët.
-Jetofshi miq, se toka e huaj është gjithmonë e njëjta;
-Jetofshi miq, fatin tuaj
që në një puthje të vogël nganjëherë lindi dhe vdiq i paparë;
-Jetofshi miq, aq mirë sa ua paça zili;
Se s’paska asgjë më të madhe në botë
se zemra, asgjë më të rëndë se malli
vetë prej lëkurës sonë.
Në trena të kundërt do të hipim, mbi dy sirena
duart do t’i ngulim e më vonë të uritur
lotët do gëlltisim me lodhje si bukën e ngelur.
E tash, jetofshi miq
aq mirë
sa ua paça zili!


Zbuloj veten

Si një rrobe pa vlerë është lëkura
gjersa nën të rrjedh dhe buron gjaku…
- Kujdes; kujdes me mua;
Po provoj moshën e vështirë të të qenit
për herë të parë

(…Një dorë e ngritur është direk anijeje
një dore e frikur thyhet si pikëpyetje.
Dhe dy duar të zgjatura, qoftë dhe me dhimbje
a nuk i ngjajnë ato një barazimi?…)

Sot po përpiqem ta zhvesh lëkuren time
dhe ta hedh në pirgun e gjërave të vjetra
në qofte se s’do t’ia fal më të varfrit të botës…
Po, po. Ta zhvesh lëkurën time
që më largon nga njerëzit,
që më mban ngrohtë dhe s’ma lë gjakun
të derdhet
veçse syve.
Zbuloj veten dhe nuk e di as vetë
në do të vdes pa u parë
sypastër me njerëzit.


Largësi

Larg prej teje
dhe Toka rrotullohet në krahun tjetër
Të tepërta janë duart për t’u veshur
sytë për të fjetur
fjalët që brenda meje bien si gjethe…
Ishim pranë; Oh, atëherëë
qiellin mbështillja për trup me kopsat e yjeve
rrugën tonë e kisha rreth qafës si një shall të hirtë
dhe ty si gjithmonë diku pranë fytyrës
brenda frymës sime, si brenda një stine
Po tani larg
…..larg jemi
Dhe toka rrotullohet në krahun tjetër

Dita

E shpejtë që sot dita si një skicë me laps
Të gjithë vumë një vijë, dikush bëri hijet
dikush s’bëri asgjë dhe kjo sipas kritikës
quhet drita

E nënshkruam të gjithë, pastaj ramë të flemë
Dikë se zuri gjumi, se ç’vijë të verë nesër
Ata që bënë hijet, nesër kanë pushim
kurse ata të dritës, fjetën

E shpejtë qe sot dita, si një skice me laps.

Google+ Followers