Estetizimi i dhimbjes në romanet e Agron Tufës, Rudi Erebarës dhe Lindita Arapit

Dhurata Shehri



Prerjet tematike nuk të japin dorë gjithmonë për të studiuar një periudhë apo dukuri letrare, të paktën në një letërsi relativisht të vogël si letërsia shqipe.Kur janë të ngjashme rrethanat letrare e jashtë letrare, kur procesi letrar zhvillohet në qarqe të vogla e shumë të vogla, tema bëhet modë e moda kalon shpejt. Megjithatë, ka pasur raste në letërsinë shqipe kur një temë është bërë dominante në letërsi prej rrethanash jashtë letrare e më pas e kamarkuar një periudhë të caktuar, ndonjëherë edhe të gjatë, siç është letërsia e Rilindjes kombëtare.
Jo me të njëjtat përmasa, por nga të njëjtat shtysa nga jashtë letërsisë, në letërsinë shqipe të pas viteve ’90 (po përdorim këtë etiketë në pritje të një më të mire) shfaqet tema e dhimbjes. Letërsia bashkëkohore shqiptare duket sikur ishte purifikuar shumë e shumë shpejt prej dhimbjes. Në fakt dhimbja ishte kryetema e letërsisë së pas realizmit socialist,  por njëkohshëm edhe tema tabu. Letërsia optimiste dhe “faqekuqe” e realizmit socialit, me shëndetin e saj social e përjashtonte për arsye profilaktike temën “fytyrëzbehtë” të dhimbjes, e bënte tabu. Bashkë me temën u shndërruan në tabu edhe shkrimtarët që shkruan për dhimbjen, u etiketuan etikisht (disidentët, të persekutuarit), duke u hequr mundësinë e gjykimit estetik, ndonëse pohimi dhe kujtesa e dhimbjes në veprat zinte kryet e vendit, estetizimi e sublimimi letrar i saj nuk ndodhi aq shpesh.
Hierarkia e letërsisë shqiptare kishte funksionuar në mënyrë të dyfishtë, së pari duke asgjësuar hierarkinë e mëparshme, dhe duke krijuar ex novohierarkinë e re mbi baza të forta ideologjike, por jo vetëm.  Hierarkia nuk përfshinte vetëm autorët dhe nuk kishte vetëm primatin e metodës, hierarkia ishte kapilare. Kishte edhe tema “të ngritura”, edhe heronj “të ndritur” nga familje “të ngritura” etj. Viktimat siç nuk kishin vend në shoqëri, për fat të keq nuk kishin vend as në letërsi.
Letërsia shqiptare e kritika, pa viteve ‘90, aq sa mbijetoi dhe me mjetet që trashëgoi, maksimalisht mund të pranonte personazhet e zhbërë, kaotikë, pa shtyllë kurrizore e pa identitet të tranzicionit të shprehur më së miri në penën e Fatos Kongolit, por ka gjasa që nuk ishte e gatshme t’i pranonte viktimat, të vuajturit, të heshturit, të persekutuarit, të mallkuarit që të paktën duheshin dënuar sërish, me heshtje.
Ishte e tepërt të përmendeshin, të bëhej letërsi për to, ish kulakët, ish të pasurit, ish klerikët, tashmë vetëm ish të persekutuarit.
Shkrimi katartik për dhimbjen nuk erdhi as shpejt e as ngadalë, dukej sikur kishte shumë dhimbje për të shkruar për dhimbjen, por më shumë ishte frikë e turp të shkruar për të. Frikë mos dhimbja kthehej sërish e turp se mos ky shkrim të klasifikonte asgjësueshëm në kategorinë ish. Ndoshta e gjykojmë shumë ashpër mungesën e tyre në letërsinë shqipe pas viteve ’90. Ndoshta dhimbja ishte shumë e thellë për t’u sublimuar kaq shpejt. Edhe personazhet e dhimbjes, si personazhet e Pirandelos, ishin ende në kërkim të autorit.
Duhet të presim fillimin e shekullit XXI që këto personazhe dhe kjo temë të marrë qytetarinë në letërsinë që përfillet nga kritika e nga publiku. Lexuesi dhe kritika kanë pasur kohën e mjaftueshme për të harruar e për të pasur nevojë të kujtojë sërish harresën e vet të shëndetshme.

Shfaqen pak a shumë në të njëjtën kohë tre romane nga tre shkrimtarë të një brezi: kronologjikisht Tenxherja i Agron Tufës, Vezët e thëllëzës i Rudi Erebarës dhe Vajzat me çelës në qafë i Lindita Arapit.
Janë romanet e dhimbjes, të kujtesës personale e kolektive, të sublimimit, të estetizimit të pabujë të vetes si subjekt e objekt shkrimi.
Ata marrin trajta në ndryshme e të ndryshueshme nga njëri autor te tjetri: intimja e personalja e vogël, e brishtë dhe e përmbajtur në përmasa me aromën e hidhur të së shkuarës pa histori monumentale bëhet poetikë e rrëfimit në vetën e parë të një bote që pa u rrëfyer nuk mund të falet. Tjetri aty është sfond, jo pengesë, shkak e pasojë e reflektimit për veten si prani e domosdoshme, por e mbyllur, me “çelës në qafë”. Ky është shkrimi i Lindita Arapit, që vuan ndërsa e ndërton botën e vet estetike, estetikën e vet të dhimbjes.
Agron Tufa shkruan ndryshe, Tenxherja është as romani i tij i parë, as më i gjati, as më i miri ndoshta. Është romani përmbyllës, i ciklit të dhimbjes që është bërë kujtim, i kujtimit të peshon e bëhet rrëfim, i rrëfimit që duke ndodhur ndërton një variant e variacion të vetes dhe botës që shndërrohet ndërkohë.
Rudi Erebara krijon një botë monotone, një monotoni madhështore, një monument të së keqes të çuar në skaj, përsëritur pafund, përditë, çdo çast, deri në sfilitje. Ligjërimi është i ashpër si natyra që nuk përshkruhet, por thjeshtë është. Dy njerëz, dy femra nuk kanë asgjë për të thënë, nuk e kanë luksin e përsiatjes, nuk kanë fuqinë për të menduar, ato vetëm ndërtojnë botën e vet të dhimbjes, të vetmuar, pa të tjerë. Kanë vetëm një detyrë, ta jetojnë pa fjalë kufirin e jetës.

Më pas mbetet heshtja madhështore e botës së krijuar, estetikisht.

Google+ Followers