Vjen ne shqip Bernard Lewis me FUNDI I HISTORISË MODERNE NË LINDJEN E MESME‏

PARATHËNIE

Vizioni i historianit: mjeshtëria e Bernard Lewis-it

Nga Fouad Ajami
 


Fati – ose, ndoshta është më me vend të thuash historia – e përcaktoi udhëtimin e tij amerikan dhe drejtimin që ai do të merrte. Historiani Bernard Lewis erdhi në Princeton nga Londra në vitin 1974, në moshën 58 vjeçare, për t’u marrë me Orientalizmin, çka i kishte dhënë atij emër si studiues. Por në vitet që pasuan për të nuk do të kishte ndonjë izolim akademik. Pa shkuar shumë kohë, territoret e Islamit, gjuhët dhe kulturat e të cilave ai i njihte nga aq afër, do të përflakeshin. Dhe vendi që e kishte adoptuar, i cili tashmë mbante mantelin perandorak që e kishte zhveshur Anglia e tij, do t’i jepte atij me kalimin e kohës një vend nderi, dhe thuajse do ta shuguronte për t’i shërbyer si udhërrëfyes në viset e përflakura të botës islamike. Ai do të bëhej orakulli i kësaj epoke të re të amerikanëve në viset e arabëve dhe në botët e Islamit.
Në kushte normale, Amerika nuk është një vend që e ka zakon të tregojë ndonjë respekt të veçantë për historianët apo për pretendimet që vijnë prej historisë, sepse për amerikanët e shkuara është realisht një vend i huaj. Por tri dekadat e shkuara nuk kanë qenë një kohë normale dhe po ashtu, Z. Lewis nuk është një historian i zakonshëm. Ai i njihte dhe punonte me arkivat, kjo është e vërtetë; po ashtu, ai mësoi gjuhët e “Lindjes”, duke u ngjitur kësisoj në majën e gildit të vet akademik. Por ai është shumë më tepër se kaq: ai është që nga koka e deri te këmbët një njeri i çështjeve publike. Ai e parashikoi ardhjen e luftës, përplasjen e madhe të qytetërimeve, dhe s’pati kurrë drojë të fliste për faktet e kësaj lufte. “Unë do të të mësoj dallimet,” i thotë Kent njërit prej shërbëtorëve të Lirit. Dhe z. Lewis na ka mësuar ne dallimet. Ai e njihte shkëlqimin e Islamit dhe periudhën e tij iluministe; ai kishte kremtuar “dinjitetin dhe domethënien” që ky iu kishte dhënë “jetëve të zymta dhe të varfra.” Por po ashtu, ai nuk do të ngurronte ta hidhte vështrimin – dhe ta quante me emrin e vet – atë terr dhe tërbim pre e të cilit kanë rënë kohët e fundit shumë prej pasuesve të Islamit.
                              *      *      *
Ne i shugurojmë të urtët kur ua kemi nevojën; ndonjëherë dhe i lemë që në emrin tonë të thonë ato gjëra që ne vetë i dimë dhe i nuhasim me intuitë, por nuk i themi vetë, ato lloj gjërash që arrijmë t’i shquajmë përmes errësirës, por nuk i shohim dot të plota. Dhe kështu, në kohën e iluzionit të madh, në dekadën e humbur të viteve 1990 kur historisë mendohej se i kishte ardhur “fundi,” Bernard Lewis na u shfaq për të na thënë, në një ese që pati një ndikim aq të madh, të titulluar “Rrënjët e zemërimit mysliman” (në The Atlantic, shtator 1990) që fatit tonë të mirë i kishte ardhur fundi dhe se përplasja e lashtë mes “krishterimit” dhe Islamit kishte nisur sërish të merrte formë. (Vini re emërtimin që i jep botës perëndimore; ky emërtim i botëve dhe përvijim kufijsh – dhe dallimesh – është diçka tipike për Lewis-in). Qe koha e tregtisë dhe e globalizimit; dekada u përkiste “modernistëve” ndaj dhe paralajmërimet e zymta të një historiani mbi një qytetërim të zhgënjyer që kërkonte të hakmerrej për fyerjet dhe plagët ndër shekuj, nuk do të bindnin askënd. Z. Lewis ishte zëri i konservatorëve, një pesimist i zymtë në një kohë që karakterizohej nga besimi sublim tek gjërat e reja dhe të paprovuara. Ishte ai që në artikullin e vitit 1990 na dha konceptin e “përplasjes së qytetërimeve” të cilin Samuel Huntington do ta bënte popullor pa ia njohur meritën që i takonte Bernard Lewis-it.
Mëria e Islamit s’përbënte ndonjë mister për Z. Lewis. Kjo s’duhet të na habisë, sepse e kishte burimin pikërisht te respekti që ai kishte për mënyrën sesi i shihnin gjërat myslimanët. Për 14 shekujt, ka shkruar ai, Islami dhe Krishterimi u ndeshën e luftuan përgjatë një kufiri të përgjakur e që zhvendosej, ku armiqësia mes tyre mori formën e “një serie sulmesh e kundërsulmesh, xhihadi e kryqëzatash, pushtimesh e ripushtimesh.” Për thuajse njëmijë vjet avantazhin e pati Islami. Besimi i ri pushtoi Sirinë, Palestinën, Egjiptin dhe Afrikën e Veriut – të cilat duhet kujtuar, ishin territore të vjetra të krishtera. Ai goditi Europën, ngriti zotërime në Sicili, Spanjë, Portugali, si dhe disa pjesë të Francës. Përpara se rrota e fatit të kthente, në Europë pati panik se mos Krishterimi ishte i dënuar të humbte. Në një seri letrash të shkruara nga Kostandinopoja mes viteve 1555 dhe 1560, Ogier Ghiselin de Busbecq, ambasadori perandorak në oborrin e Sulejmanit të Madhërishëm, shprehte ankthin e tij për fatin e Europës; ai ishte i sigurt që turqit “do të na hidhen në fyt të mbështetur nga fuqia e tërë Lindjes.” Kurse Europa, shkruante ai me shqetësim, po e shpërdoronte pasurinë e saj “duke kërkuar Inditë dhe Antipodet anembanë fushave të stërmëdha të oqeanit, në kërkim të arit.”
Por siç e dimë, Busbecq gabohej. Kërcënimi i Islamit u zmbraps. Pasuria që erdhi nga Bota e Re ndihmoi për t’i kthyer kushtet me të cilat bëhej tregtia në disfavor të Islamit. Besimi i Europës tek vetja kapi majat. Pika e madhe e kthesës erdhi në vitin 1683 kur rrethimi turk i Vjenës përfundoi me dështim dhe humbje. Teksa turqit ia mbathën këmbëve dhe vetë raportet mes Europës dhe Islamit kishin ndryshuar. Rusia e flaku tej zgjedhën tartare; në gadishullin Iberik ndodhi Reconquista. Në vend që të fitonin çdo luftë, vë në dukje z. Lewis, tashmë e tutje myslimanët filluan të humbnin çdo luftë. Pa shkuar shumë, Anglia, Franca, Holanda dhe Rusia u derdhën që të gjitha në viset e Islamit. “Europa dhe bijat e saj” tashmë vendosnin për fatin e zotërimeve myslimane. Amerikanët dhe europianët mund ta shohin këtë shestim të ri të fuqisë si diçka të natyrshme. Por z. Lewis s’ka reshtur së paralajmëruari se myslimanët s’e ndjenin veten të detyruar për ta pranuar këtë rend të ri të gjërave.
Islami modern lëngon nga një plagë – humbja e fuqisë. Dhe z. Lewis ka një nuhatje të hollë kur vjen puna tek ata që e shpallin veten si shpëtimtarët dhe hakmarrësit e botës myslimane, duke premtuar të ndryshojnë pozitën e Islamit në botë. Kjo dhimbje, na thotë historiani, buron nga sukseset e hershme të Islamit, nga vetë triumfi i profetit Muhamed. Moisiut nuk iu lejua të shkelte në tokën e premtuar, pasi i priu popullit të tij nëpër shkretëtirë. Jezusi u kryqëzua. Kurse Muhamedi triumfoi dhe qeverisi. Feja që ai u la pasuesve të tij do të ngulte gjithnjë këmbë tek përputhja mes fesë dhe politikës. Atje ku të krishterët në shkrimet e tyre nxiten që “t’i japin Çezarit atë që është e Çezarit dhe Zotit atë që është e Zotit,” në teorinë dhe praktikën e Islamit nuk bëhet ndonjë ndarje e tillë.
Ishte diçka tipike e Lewis-it, që teksa lexonte burimet, në rastin konkret një gazetë periferike arabe që botohej në Londër, Al-Quds Al-Arabi, në shkurt të vitit 1998, hasi një shpallje lufte kundër Shteteve të Bashkuara prej një luftëtari të vetëshpallur të shenjtë, të cilit ai “s’ia kishte dëgjuar kurrë emrin”, Osama bin Laden. Në një prej atyre eseve që shpalosin nuhatjen e historianit për gjërat që kanë rëndësi, “A Licence to Kill, botuar në numrin e nëntor-dhjetor-it 1998 të Foreign Affairs, z. Lewis e përktheu deklaratën e bin Ladenit në anglisht në një prozë sublime, së bashku me analizën e saj. Historiani ndoshta vërtet s’ia kishte dëgjuar kurrë emrin bin Ladenit, por megjithatë terroristi nga Arabia Saudite praktikisht merr jetë në faqet e historive të z. Lewis. Shqyrtoni këtë pasazh të shkruar nga ky komplotist arab: “Qëkurse Zoti krijoi Gadishullin Arabik, krijoi shkretëtirën e tij dhe e rrethoi atë me det, në të s’ka pllakosur kurrë një gjëmë si kjo e kësaj mizërie kryqtarësh të shpërndarë nëpër të si karkaleca, duke ia ngrënë frutat e duke i shkatërruar gjelbërimin; dhe kjo po ndodh në një kohë kur kombet po iu sulen myslimanëve si ata që shtrohen të hanë e zihen rreth një tasi me ushqim ... Me lejen e Zotit ne i bëjmë thirrje çdo myslimani që beson në Zot dhe që shpreson të shpërblehet që t’i bindet urdhrit të Zotit dhe të vrasë amerikanët e të plaçkitë zotërimet e tyre kudo që t’i gjejë e kurdo që të mundet.”

Tre vjet më vonë tërbimi i Bin Ladenit, kadenca dhe përmbajtja e gjuhës që ai përdorte – që dukej sikur kishin dalë nga analet e luftërave të lashta fetare – do të ndryshonin botën. Tashmë drejt z. Lewis do të vërshonin valë njerëzisht të gatshëm për të besuar. Në veprat e tij ata do të lexonin për mënyrën dhe zemërimin çoroditës të predikuesve, komplotistëve dhe ushtarëve të thjeshtë që qenë sulur kundër rendit perëndimor. Zgjedhja e kohës ishte sa mizore, aq dhe e goditur. Në 11 shtator, libri “Ku është gabuar?” ndodhej tashmë në shtypshkronjë. Ai nuk e kishte shkruar atë për stuhinë që do të vinte. Po ai thuajse e kishte parashikuar atë që do të ndodhte. Kjo diagnozë e sëmundjes së Islamit do të kthehej në një bestseller. Në rrethana të tjera, z. Lewis kishte shkruar për fuqinë e historisë, “Mos u gaboni, ata që nuk kanë vullnetin të përballen me të shkuarën e tyre do të jenë të paaftë të kuptojnë të tashmen dhe të pazotë për t’u përballur me të ardhmen.” Ajo që ne dëshmuam qe një pështjellim epik mes të shkuarës dhe të tashmes. Por nuk ishte faji i këtij historiani që ne kishim vënë bast se e shkuara kishte vdekur. 

FUNDI I HISTORISË MODERNE NË LINDJEN E MESME
nga
Bernard Lewis

Autori:     Bernard Lewis
Titulli:      FUNDI I HISTORISË MODERNE NË LINDJEN E MESME
Përktheu:  Maklen Misha
Numri i faqeve:  203 fq
Cmimi: 700 leke
Botues: Botimet IDK
ISBN:   978-9928-136-18-3

   Vepra e fundit e Bernard Lewis-it, dekanit të studimeve për Lindjen e Mesme dhe Islamin, e cila na sjell të përmbledhur gjykimin e tij për të sotmen dhe të ardhmen e vendeve të Lindjes së Mesme.
Me fundin e epokës së përballjes ideologjike mes dy superfuqive, Lindjes së Mesme iu desh të përshtatej me një realitet të ri, i cili kërkonte prej saj të merrte më në fund përgjegjësitë e veta, duke njohur gabimet e bëra, e njëkohësisht, duke pranuar pasojat. Në librin ‘Fundi i Historisë Moderne në Lindjen e Mesme’, Bernard Lewis trajton të ardhmen e këtij rajoni në këtë epokë të re, pas-imperialiste. Për secilin prej këtyre vendeve, si dhe për rajonin në tërësi, na shpjegon ai, ekzistojnë një sërë perspektivash: nga njëra anë, mundësia e bashkëpunimit dhe e progresit, nga ana tjetër, rrethi vicioz i varfërisë dhe i injorancës.
   Autori shqyrton në mënyrë të hollësishme çështjet më me rëndësi që, sipas tij, kanë për të përcaktuar të ardhmen e këtij rajoni, ku sot malli kryesor i eksportit vazhdon të mbetet nafta. Dhe ka shumë të ngjarë, na paralajmëron ai, që shpejt zhvillimet teknologjike do ta bëjnë naftën më pak të nevojshme, duke hapur përpara atyre vendeve që do vazhdojnë të mbeten të varura prej saj, një të ardhme vërtet të zymtë. Sipas Lewis-it, tre janë faktorët që mund të kontribuojnë më shumë për të transformuar Lindjen e Mesme: Turqia, Irani dhe gratë. Por po ashtu, argumenton ai, vetë kultura tradicionale e Islamit dhe përvoja moderne e popujve të rajonit, fare mirë mund të shërbejnë për të hedhur themelet e përparimit, duke kryer ato ndryshime sociale, kulturore dhe shkencore për të cilat ka nevojë Lindja e Mesme që të mbërrijë nivelin e vendeve të tjera të zhvilluara qoftë në Perëndim qoftë në Lindjen e Largët.

Google+ Followers