Pse Matranga është i rëndësishëm për publikun shqiptar?!

Intervistoi Ben Andoni



Libri për Matrangën është i botuar duke përfshirë origjinalet, i botuar në një mënyrë të ngjashme si Statutet e Drishtit. Gezim Gurga, pedagog pranë universitetit të Palermos, është autori i përkthimit të shkëlqyer me të cilin i paraqitet monografia mbi Matrangën lexuesit shqiptar, kurse Profesori Matteo Mandala është autori i librit botuar cilësisht nga OMBRA GVG... 


Prof. Mandalà, cilat janë arsyet që ju shtynë të ndërmerrni një ribotim kritik të katekizmit të Matrangës? A kanë dalë fakte të reja që e përligjin këtë ribotim?


"Arsyet që më shtynë ta bëja këtë punë janë të shumta. E para ka të bëjë me një rrethanë që lidhet me fillimet e veprimtarisë sime si studiues. Kur isha i ri kam punuar për shumë vite në një nga arkivat më të rëndësishëm arbëreshë, në atë të Seminarit arbëresh të Palermos që sot ndodhet në Horën e Arbëreshëve, ku ruhen materiale civile dhe fetare qysh nga gjysma e dytë e shek. XVI. Këtu kam pasur rastin të gjej disa dokumente që hidhnin dritë në disa nga momentet deri asokohe të panjohura të jetës dhe të personalitetit të Lekë Matrangës, si akti i pagëzimit që përmbante datën e saktë të lindjes, akti i martesës apo ato të lindjes së fëmijëve. Dokumente të tjera përmbanin të dhëna mbi detyrat e ndryshme me të cilat u ngarkua Matranga, si ajo e "mësuesit të shkollës" apo e kryepriftit të katedrales së Horës. Pas zbulimit të këtyre të dhënave të para, ua hyra kërkimeve të thelluara në arkiva të tjerë të Palermos, Monreales dhe Romës, ku gjeta jo vetëm shumë informacione të panjohura, por edhe një kopje të librit të shtypur të Matrangës, e vetmja kopje e plotë që njohim. Atëherë vendosa të botoja një monografi të plotë mbi jetën dhe veprën e bashkëfshatarit tim të shquar dhe të përfshija në të edhe tekstet e Të mbsuames së krështerë si pjesë e projektit BETA (Bibliotela elektronike e teksteve arbëreshe), përpunuar nga miku dhe kolegu Francesco Altimari, krahas veprave të tjera klasike të letërsisë arbëreshe. Mirëpo për t'ia dalë kësaj ndërmarrjeje duhej bërë një analizë rigoroze kritiko-filologjike e botimeve pararendëse, në mënyrë që të arrihej në një rezultat cilësisht të ndryshëm nga të parët".

A keni gjetur shumë gabime në punën e studiuesve pararendës? 


"Në filologji ka një aksiomë sipas së cilës nuk mund të ketë vetëm një botim kritik të përsosur të një vepre, por duhen shumë botime kritike, të tilla që secila syresh të dëshmojë një fazë të re zhvillimi të shkencës ekdotike dhe të ndriçojë aspekte të reja a të zgjidhë çështje që pararendësit i lanë të hapura. Pra çdo botim është i rëndësishëm. Studimet që kryen Marco La Piana, Matteo Sciambra, Fadil Sulejmani, por edhe Selman Riza, Kolë Ashta e Justin Rrota, përbëjnë një thesar të paçmuar njohurish për të gjithë studiuesit që kanë ndërmend ta thellojnë e ta çojnë më tej punën e tyre mbi veprën e Matrangës. Sa më shumë botime kritike të ketë një vepër aq më shumë pasurohet filologjia e tekstit. Duhet thënë edhe se kritikat përligjen nga çasti kur propozojnë dhe argumentojnë interpretime të reja. Vetëkuptohet se, sikur botimet pararendëse të kishin shteruar e zgjidhur të gjitha çështjet, sot nuk do të ishte ndier nevoja e një botimi të ri kritik të veprës së Matrangës. Në fakt, përveç dokumenteve dhe të dhënave të reja arkivore që zura ngoje, botimi i ri përmban edhe interpretime të reja tekstore që kanë përcaktuar dy rezultate: nga njëra anë, një rishqyrtim të analizave të kryera ndër vite dhe, nga ana tjetër, një rindërtim të historisë dhe të procesit të shkrimit të dorëshkrimeve dhe të librit të shtypur. Kështu kanë dalë në pah kufizimet që karakterizonin botimet e para, ndër të cilët më i rëndi është ai i një qasjeje metodologjike të përciptë nga pikëpamja e praktikës ekzotike".

Cilat janë rezultatet kryesore të këtij punimi të ri filologjik? 


"Rezultati i parë ka të bëjë me historinë e shkrimit të dorëshkrimeve të veçanta që përbëjnë kodikun Barberini Latino 3454, i cili sot ruhet pranë Bibliotekës së Vatikanit. Këto janë variante shumëduarshe që u përkasin fazave të ndryshme të procesit të gjatë që ndoqi përkthimi i Matrangës, nga varianti i parë derisa mbërriti në shtypshkronjë në Romë. Kuadrin e plotësojnë dy emisione të ndryshme të shtypura. Këtyre u shtohen elementet e ndryshme tekstore që dëshmojnë ndërhyrjen e shumë duarve, duke nisur nga varianti i parë autograf deri te të tjerët që u hapën shumë kokëçarje studiuesve që janë marrë me këtë vepër (teksti origjinal ishte në italisht apo spanjisht? Pse u shtua kënga e përshpirtshme? A e ndoqi apo jo Matranga vetë punën e shtypit etj.). Me fjalë të tjera, një rindërtim i kryer në hullinë e shkollës së Çabejt dhe të këshillave të tij të papërmbushura kërkon shqyrtime të thella e të kujdesshme të kontekstit historiko-kulturor, të profilit të përkthyesit, të rishikuesit e të radhitësit, të gjuhës së tekstit origjinal dhe të atij të përkthyer, e së fundi, kërkon zgjidhjen njërës prej çështjeve kyçe të filologjisë së tekstit: përcaktimin e vullnetit të fundit të autorit. Për të gjitha këto arsye, por edhe për të tjera që nuk po i përmend për të mos u zgjatur shumë, vepra e Matrangës merr një rëndësi të madhe që shkon përtej faktit të të qenit i dyti libër në shqipe pas Mesharit të Buzukut".

Me fjalë të tjera, botimi juaj kritik rindërton procesin e prodhimit të librit? 


"Pikërisht kështu. Një proces që fillon me shkrimin e tekstit dhe që kurorëzohet me përdorimin e tij, pra me leximin. Libërthi i Matrangës i përmbush të gjitha kriteret për t'iu përgjigjur pyetjeve që shtrojnë zakonisht studiuesit e filologjisë së librave të shtypur, sidomos atyre që i përkasin shek. XVI. Imagjinoni se si do ta ndjente veten një studiues i Shekspirit sikur të kishte në dorë, qoftë edhe për një vepër të vetme të dramaturgut të madh, jo vetëm dy ksombla të shtypura të botimit të parë, jo vetëm variantet dorëshkrim të përdorura nga rishikuesit gjuhësorë dhe nga radhitësit e shtypshkronjës, por edhe versionin autograf të autorit. Do të zgjidhte përfundimisht shumë çështje që sot mbeten ende pa përgjigje. Në rastin e Matrangës unë kam pasur mundësinë jo vetëm të rindërtoj fazat e procesit të gjatë të shtypit dhe të qarkullimit të librit, por edhe të përcaktoj rolin dhe profilin e secilit prej personazheve që drejtpërdrejt apo tërthorazi morën pjesë në realizimin e këtij projekti modest editorial të shek. XVI: përkthyesi (Lekë Matranga), porositësi i veprës (Ludovico II Torres), autori i veprës origjinale (Diege da Ledesma), rishikuesi (një shqiptar anonim pas gjasash me prejardhje gege), punëtorët e shtypshkronjës (radhitësi dhe tipografi), ndreqësi i bocave, dhe së fundi lexuesit".

Po leximi i veprës? 


"Lekë Matranga, sikurse e thashë, ka qenë edhe mësues shkolle. Ndër lëndët e ndryshme që jepte, përveç kulturës greke dhe latine, ishte edhe "katekizmi në shqip". Këtë e dimë qoftë sepse na e thotë vetë Matranga në letrën e kushtimit, qoftë nga dokumentet arkivore që ruhen në Horën e Arbëreshëve dhe në Monreale. Në fakt historia e kësaj vepre lidhet me veprimtarinë mësimore që zhvillonte Matranga për të edukuar fëmijët arbëreshë me vlerat e doktrinës së krishterë, sipas udhëzimeve të Koncilit të Trentos. Kemi dëshmi se vepra E mbsuame e krështerë u përdor pa ndërprerë për një kohë të gjatë edhe pas vdekjes së Matrangës, madje gjurmët dhe pasojat e qarkullimit të saj i gjejmë në disa mbishkrime shqipe të shek. XVII që janë shkruar me alfabetin e veçantë që shpiku Matranga; s'do mend që autorët e tyre kishin mësuar ta shkruanin shqipen duke studiuar librin e Matrangës. Pikërisht ky ka qenë "funksioni" i vërtetë e librit të Matrangës: duke u mësuar fëmijëve arbëreshë katekizmin në gjuhën e mëmës, i njihte për të parën herë shqipes statusin e një "gjuhe kombëtare", të ndryshme "nga italishtja që flitej përreth", për ta thënë me fjalët e vetë Matrangës".

Është e para herë që dëgjojmë për një shkollë në gjuhën shqipe në shek. XVI. 


"Ishte një shkollë ku mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe dhe kjo bëhej me lejen e autoriteteve fetare siciliane. Ajo shkollë pati sukses të madh dhe vijimësi në kohë, madje ishte baza mbi të cilën në fillim të shek. XVIII u themelua Seminari arbëresh i Palermos nga At Gjergj Guxeta, pararendësi i konceptit të sotëm të "identitetit kulturor" shqiptar që lindi pikërisht në mjediset arbëreshe, për të kaluar më pas në Ballkan ku i dha jetë Rilindjes Kombëtare. Këto të vërteta historike njihen tashmë nga studiuesit, ndaj edhe habitem nga disa studiues të huaj që sot vazhdojnë të injorojnë hapur rolin e arbëreshëve duke u mëshuar disa teorive fantastike mbi prejardhjen historiko-kulturore të identitetit kombëtar shqiptar". 


Pse u mora me Lekë Matrangën?!

Nga Prof. Matteo Mandala*

" Interesi për veprën e Lekë Matrangës më lindi gjatë kërkimeve që zhvillova pranë arkivit historik të eparkisë së Horës së Arbëreshëve dhe të dioqezës së Monreales, rreth viteve 1980-84, kur isha ende student. Gjatë shqyrtimit të dokumenteve të shumta, që deri atëherë nuk ishin studiuar nga kërkuesit arbëreshë, m'u shfaq para syve një numër i madh të dhënash që në një mënyrë a në tjetrën hidhnin dritë mbi figurën e të parit shkrimtar arbëresh që njohim deri më sot, duke ndriçuar aspekte të panjohura të jetës dhe të veprimtarisë së tij si përkthyes. Disa vjet më pas (1984-87), gjatë një fushate kërkimore trevjeçare që ndërmori Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe të Universitetit të Palermos, me nxitjen e mësuesit dhe udhëheqësit tim, prof. Antonino Guxetës, gjeta disa dokumente që më vonë vendosa t'i mblidhja e t'i paraqisja në një studim të shkurtër, që u botua në vitin 1989 . Duke qenë i sigurt se të tjera dokumente do të dilnin në dritë nga hulumtime më sistematike, vijova punën, që ndërkohë e kisha shtrirë edhe mbi studimin filologjik të tekstit të katekizmit.
" Nga rezultatet e krahasimit të të dhënave të mbledhura prej dy burimeve, atij arkivor dhe atij tekstor, zuri të përvijohej një kuadër më i qartë, që vetëm disa vjet më parë, nën shtysën e një studimi të botuar prej të ndjerit Prof. Dhimitër Shuteriqi , i cili i kushtoi kontributin e tij të fundit Lekë Matrangës duke na lënë kështu një lloj testamenti shkencor që e vë theksin mbi rëndësinë e veprës së tij, vendosa ta botoj megjithëse isha i vetëdijshëm se për të përballuar e zgjidhur problemet e shumta që shtronte kjo vepër, ishte e nevojshme të pritej përfundimi i kërkimeve. Nevoja për të vënë në dukje, nga njëra anë, kufizimet e interpretimeve filologjike të derisotme qysh prej zbulimit të dorëshkrimit, e nga ana tjetër, paqëndrueshmërinë e shumë hipotezave të hedhura mbi kontekstin historiko-kulturor ku jetoi dhe punoi Matranga, më nxiti t'i paraqisja ato rezultate si parashtresa zbulimesh arkivore e ta shtyja diskutimin e thelluar të problemeve të patrajtuara në studimin hyrës të botimit kritik të veprës E mbsuame e krështerë.
" Problemi më i vështirë kishte të bënte me studimin e botimit të shtypur, që rëndohej edhe më shumë prej faktit se nga e vetmja ksombël që njihej deri atëherë e që ruhej në Bibliotekën e Vatikanit para se të vidhej, na kishte mbetur vetëm një kopje fotografike, që ishte e pamjaftueshme për një analizë filologjike. Jo më të lehta për t'u zgjidhur ishin edhe problemet që kishin të bënin me aspekte të panjohura apo pak të njohura të jetës, personalitetit dhe veprës së Lekë Matrangës: formimi i tij kulturor, kushtet historike, kulturore e fetare që, në valën e periudhës së trazuar të Kundërreformës, ndikuan mbi veprimtarinë e tij si përkthyes; arsyet që e shtynë të përkthente në shqip katekizmin e jezuitit Ledesma; çështjet që lidhen me marrëdhëniet mes tekstit italisht dhe atij të përkthyer, si edhe me gjetjen e dorëshkrimit autograf në Romë; dy variantet e mëpasme joautografe dhe marrëdhëniet mes këtyre dhe botimit të shtypur; zgjedhja e shtypshkronjës, qarkullimi dhe shpërndarja e librit të shtypur dhe përdorimi praktik i tij në mësimdhënien e doktrinës së krishterë.
" Vështirësi paraqiste edhe problemi i identifikimit të atyre që ndërhynë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, në procesin hartimit të dy varianteve joautografe para se katekizmi të shihte dritën e botimit. Pra synimi ishte jo aq shqyrtimi kritik i çështjeve të shumta, të lëna pa zgjidhje nga studiuesit kryesorë që janë marrë me veprën e Matrangës në dritën e dokumenteve të reja e të panjohura , sesa një studim filologjik i veprës E mbsuame e krështerë thelbësisht i ndryshëm nga të mëparshmit, që vërtet të bazohej metodologjikisht në historinë e teksteve, por njëkohësisht të përligjej edhe nga një inkuadrim i qëndrueshëm historiko-kulturor i veprës dhe personazheve që lidhen me të. Këtu e ka burimin domosdoshmëria e thellimit të kërkimeve në arkiva e biblioteka që nuk kisha parashikuar kur fillova punën. Prej këtej rrjedh edhe nevoja e rishikimit të strukturës ekdotike, që në krye të herës ndiqte modelin e studimeve filologjike shqiptare, për të propozuar një tjetër, rrënjësisht të ri.
" *****
" Intensifikimi i punës kërkimore gjatë trevjeçarit të fundit (2001-2003) dha rezultate, të themi, përfundimtare, qoftë sepse përpjekja për të zgjidhur nyjat kryesore të historisë së teksteve që na përçojnë veprën e Matrangës ishte bërë më konkrete, qoftë edhe sepse qëmtimi i të dhënave dokumentare kishte dhënë fryte të mjaftueshme.
" Mes këtyre të fundit po zë ngoje vetëm atë më të rëndësishmin: gjetjen pranë Bibliotekës "Angelica" të Romës të një ksomble tjetër të shtypur, e cila, nga njëra anë, konfirmon disa hipoteza që kam hedhur në studimet e mia të mëparshme, nga ana tjetër, duke qenë një kopje që nuk përputhet me atë që humbi, përbën një objekt të ri analize filologjike. Me këtë gjetje të papritur, historia e ndërlikuar e rindërtimit filologjik mund të përmbyllej. Jemi të bindur se dokumente të tjera që shpresojmë të dalin në dritë herët a vonë, do të konfirmojnë rindërtimin tonë a, së paku, do ta plotësojnë atë në ndonjë aspekt të dorës së dytë.

" Me fjalë të tjera, historia e teksteve ngrihet mbi historinë e personazheve që i prodhuan ato dhe anasjelltas, historia e çdonjërit prej personazheve mbështetet në historinë e teksteve, në një lloj gërshetimi të ndërsjellët e dialektik mbi të cilin nuk mund të mos bazohej metoda filologjike, përndryshe rezultati do të kishte qenë jo vetëm i pjesshëm, por do t'i kishte hapur udhën hipotezave të tjera të çala që do t'u shtoheshin atyre që tashmë janë në qarkullim.
" Projekti i këtij botimi kritik është rezultat i vendimit për të mbajtur parasysh të gjitha këto elemente e për t'i trajtuar ato si një "masë kritike" e vetme që shket mbi dy shina: njëra filologjike e tjetra historiko-kulturore. Prej këtej rrjedh struktura e këtij punimi që, po të përdorim të njëjtën metaforë, mbulon etapat e një udhëtimi, gjatë të cilit botimi i çdo teksti paraprihet nga studimi i fazës përkatëse të shkrimit dhe kjo e fundit paraprihet nga rindërtimi i kontekstit historiko-kulturor dhe i profilit të çdonjërit prej personazheve që marrin pjesë në të.
*Marrë me shkurtime nga parathënia e monografisë
Shënime
Matteo Mandalà, "Luca Matranga e la tradizione linguistica arbreshe attraverso fonti storiografiche inedite", në Il contributo degli Albanesi d'Italia allo sviluppo della cultura e della civiltà albanese, Atti del XIII Congresso Internazionale di Studi Albanesi (a cura di Antonino Guzzetta), Palermo, 1989, f. 207-233.
2 Dhimitër S. Shuteriqi, "Mbi jetën dhe veprën e Lekë Matrëngës" në Studime filologjike, nr. 1-2 (1999), Tiranë, 1999, f. 135-154.
3 Shih Matteo Mandalà, "Jeta dhe vepra e Lekë Matrangës sipas të dhënave të reja arkivore dhe bibliografike", në Studime filologjike, nr. 1-2, Tiranë, 2000, f. 79-115, ribotuar me të njëjtin titull në Studi in onore di Antonino Guzzetta, a cura di Francesca Di Miceli e Matteo Mandalà, Palermo, 2002, f. 265-292.
4 Sikur ky shqyrtim të ishte bërë edhe vetëm mbi bazën e dokumenteve të njohura, do të kishte prodhuar një radhë hipotezash të tjera pak a shumë të bazuara, si ato që hodhi Shuteriqi.

Google+ Followers