Panairi i Librit kumton: Pirateria dhe informaliteti po vrasin librin

Aida Tuci

Në orën 9:00 të datës 13 nëntor do të çelet Panairi i 16-të i Librit “Tirana 2013”. Për pesë ditë me radhë 90 subjektebotuese, 12 prej të cilave vijnë nga Kosova e shumë më pak nga Maqedonia dhe Mali i Zi, do të sjellin për lexuesin e librit shqip tituj e autorë të rinj.

Ndërkaq një pjesë e mirë e vëmendjes do të përqendrohet në sloganin që ka këtë vit ky Panair: “Pirateria dhe informaliteti po vrasin librin”. Aktivitete të shumta do të zhvillohen mbi këtë tematikë. Shumë personalitete të kulturës dhe të politikës, institucione kombëtare dhe faktorë ndërkombëtarë do të diskutojnë mbi problemet që sjell në tregun e lirë të librit “vjedhja” e të Drejtës së Autorit. Qëllimi i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë është sensibilizimi i shoqërisë shqiptare. Sipas kryetarit të SHBSH, të gjithë bashkë mundemi t’i themi “Stop piraterisë”. Pra ky edicion i Panairit të Librit nuk do të jetë thjesht dhe vetëm prezantim. Gjatë pesë ditëve do të trajtohen edhe mjaft probleme të tjera që ka sot tregu i libri. Sigurisht që siç çdo vit edhe shumë shtëpi botuese kanë programuar aktivitetet e tyre gjatë ditëve të Panairit. Të ftuar specialë, shqiptarë dhe të huaj do të jenë të pranishëm për të prezantuar librat e tyre dhe siç e do tradita, edhe për të lënë një shënim në faqen e parë të librit për lexuesit e tyre. Për herë të parë në Panairin e 16-të të Librit “Tirana 2013” do të jenë dhe dy personalitete të kulturës italiane: Claudio Magris dhe Bruno Vespa.
Claudio Magris, është një shkrimtar dhe studiues mjaft i njohur i gjuhës gjermane. Gjithashtu ai ka qenë senator. Magris është vlerësuar si një nga shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë të Italisë. Shkruan për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”.
Bruno Vespa, drejtuesi i njohur i emisionit “Porta a Porta” është, përveç të tjerash, edhe autor i mbi 30 librave, një pjesë e madhe e të cilëve janë studime shumë serioze mbi historinë e politikës italiane dhe mbi personalitetet që kanë bërë historinë e Italisë. Ky i fundit vjen i ftuar nga Universiteti Europian i Tiranës dhe Botimet UET PRESS

Petrit Ymeri: Të gjithë bashkë mund t’i themi “Stop piraterisë”

Pak ditë na ndajnë nga Panairi i 16-të i Librit “Tirana 2013”. Si vjen tek lexuesi në këtë edicion ky Panair, me ç’risi?
Risia e vërtetë e këtij Panairi është tematika që sjell ky Panair. Duke filluar që me sloganin: “Pirateria dhe informaliteti po vrasin librin”, që është një realitet i dhimbshëm shqiptar. Kemi menduar që përmes kësaj motoje të rrisim ndjeshmërinë e shoqërisë dhe të gjithë lexuesve, institucioneve shqiptare dhe të huaja apo bizneseve që operojnë me librin. Muajt e fundit  kemi qenë veçanërisht të vëmendshëm ndaj kësaj dukurie, sidomos duke u përpjekur të sensibilizojmë opinionin shoqëror dhe profesional, e në këtë vështrim për ta bërë sa më të pranishëm këtë shqetësim kemi zhvilluar disa takime si me zyrën e Delegacionit Europian në Tiranë ashtu edhe me përfaqësitë diplomatike që ndodhen në Shqipëri, sepse ato e kanë kuptuar që ky shqetësim nuk është vetëm i yni sepse në këtë treg piraterie cenohen sidomos të drejtat e autorëve të vendeve që ata përfaqësojnë.
A keni një iniciativë konkrete në këtë drejtim?
Akoma nuk kemi një iniciativë konkrete por ajo që ne synojmë si fillim është bashkërendimi i të gjitha grupimeve të interesuara  për të mbrojtur të drejtën e autorit dhe pronësinë intelektuale. Jemi të sigurtë që në këtë rrugë që kemi nisur do të kemi edhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Kjo do të kërkojë dhe një aktivizim dhe një vështrim të ri të punës së Zyrës Shqiptare të së Drejtës së Autorit e cila mendojmë se nuk ka qenë fort e angazhuar profesionalisht këto vitet e fundit. Qëllimi ynë është që ky shqetësim të mos mbetet vetëm i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, por i gjithë shoqërisë.
Pse është bërë kaq shqetësues vetëm këto vitet e fundit kjo dukuri? Cilat kanë qenë pasojat që kanë rënduar tregun e librit?
Situata në të cilën jemi aktualisht është më keq se dhjetë vjet më parë, ndofta edhe sepse këto vitet e fundit ka patur një agresivitet në tregun e botimeve. Nëse në një treg shtohen aktorët, pa dyshim që kjo vjen për të mirë. Por për fat të keq, janë shtuar shumë individë apo subjekte që shtypin libra, që hedhin libra në treg, shumica janë botues piratë ose më mirë do t’u shkonte ‘shtypës librash’ piratë. Këta nuk pyesin për autorë, libra apo për rregulla. Nuk pyesin për asnjë lloj standardi në botimin e librit. Për ta libri është thjesht një veprimtari fitimprurëse. Pa harruar faktin se këta persona apo subjekte  kryejnë një veprimtari informale; nuk paguajnë taksa, u shmangen detyrimeve dhe nuk operojnë me kontrata ligjore. Në këtë mënyrë ata e dëmtojnë rregullat e tregut të lirë, dhe një aspekt është shkelja e ligjit të së drejtës së autorit, por ata njëkohësisht nuk respektojnë asnjë standard të punës profesionale botuese.
Sa përqind të tregut të librit zënë këto botime pirate?
Mendojmë se këto zënë gati 30% – 40% të tregut të librit. Kjo dukuri është mjaft e përhapur edhe  me librin universitar. Janë me dhjetëra botime që janë plagjiaturë, kompilime të librave të autorëve të huaj që shpesh herë kanë si autor emrin e përkthyesit. Unë gjej rastin të përgëzoj punën shumë të mirë që bëjnë 1-2 universitete private që prej pak vitesh po botojnë kolana serioze të botimeve universitare. E njëjta situatë është dhe me letërsinë artistike ku autorë të njohur si M. Kundera, Sollzhenicin, A. Bariço, Inalçik, Corbusier , A. Munro, Sh. Marai etj botohen pa të drejtat e autorit. Si këta janë me dhjetëra autorë të tjerë, të mëdhenj a të vegjël, të njohur e të panjohur.  Mendojmë se tashmë duhet të këmbëngulim fort që askush nuk ka të drejtë të përdorë veprën e tjetrit pa blerë të drejtën e autorit.
A mjafton vetëm ky slogan i Panairit për të ndaluar piraterinë?
Është e vërtetë që nuk mjafton, prandaj ne duam ta bëjmë këtë problem të të gjithë shoqërisë. Prandaj edhe ne kemi menduar të zhvillojmë disa aktivitete mbi këtë tematikë, ku kemi ftuar personalitete të kulturës dhe të politikës, institucione kombëtare dhe faktorë ndërkombëtarë. Ne duam të sensibilizojmë në radhë të parë njerëzit e kulturës, sidomos ata të fushës së librit. Edhe përkthyesit duhet të bëhen më të vetëdijshëm e profesionalë në marrëdhëniet e tyre të punës, që të mos marrin përsipër të përkthejnë autorë për të cilët botuesit nuk e kanë të drejtën e autorit. Të bëjmë me vete edhe median që të mos mbështesë apo reklamojë botime pirate.
Sa shtëpi botuese prezantohen këtë vit në Panair?
Janë rreth 90 subjekte; shtëpi botuese, organizata joqeveritare, institucione, librari e shtypshkronja, universitete etj.
Si janë të ndara gjeografikisht?
Sigurisht, pjesa më e madhe e panairit përfaqësohet nga botues shqiptarë. Si zakonisht edhe Kosova prezantohet shumë mirë, me gati 12 ose më shumë botues. Është një pjesëmarrje e organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, të cilës i shtohen edhe disa  institucione si Akademia e Shkencave, Instituti i Albanologjisë etj. Gjithashtu do të jenë në këtë panair edhe 2-3 shtëpi botuese nga Maqedonia. Për herë të parë kemi një kërkesë nga Mali i Zi për të qenë të pranishëm në Panairin e Tiranës me shtëpi botuese nga Podgorica. Përfaqësitë diplomatike kanë gjithashtu stendat e tyre të botimeve si Ambasada Franceze, ajo e SHBA-së, e Spanjës, Instituti Italian i Kulturës, Qendra Gëte etj.
Po këtë vit a duket se ka pakënaqësi për çmimet e stendave?
Shoqata e Botuesve Shqiptarë si organizatore e këtij panairi, prej disa vitesh përpiqet të organizojë një veprimtari të nivelit europian. Ne tashmë jemi në këtë rrugë dhe nuk mund të kthehemi pas. Por ju siguroj se çmimet e stendave janë të ulëta krahasuar me nivelin që ofron Panairi i Tiranës në prezantimin e librit shqip. Në vendet europiane i njëjti shërbim ofrohet shumë me shtrenjtë dhe botuesit  duhet të jenë të ndërgjegjshëm për këtë. Pakënaqësitë që shprehen aty-këtu nuk na shqetësojnë dhe mendojmë se pretendimi i disa ekspozuesve në të kaluarën ka qenë i paarsyeshëm.
A ka një statistikë paraprake sa tituj të rinj do të prezantohen në këtë Panair të 16 të Librit në Tiranë?
Jo një statistikë të saktë nuk kemi, por duke parë tregun mund të them se ky vit ka një rënie të madhe përsa u përket botimeve të reja. Mendoj se në krahasim me vitin e kaluar kemi 20%-30% më pak tituj të rinj.


Të dhëna për panairi: 

Pesë ditë me librin
Prej vitit të kaluar Panairi i Librit në Tiranë i jep më shumë kohë lexuesit që të jetë pranë librit. Edhe këtë vit Panairi i 16 “Tirana 2013”  që çelet në Pallatin e Kongreseve më 13 nëntor në orën 09.00 dhe mbyllet më 17 nëntor në orën 20.00.
Viti i Albert Camus-ë
Më 17 nëntor 2013 në gjithë botën do të festohet njëqindvjetori i lindjes së shkrimtarit të madh francez, Albert Camus. Ambasada Franceze në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë organizojnë me këtë rast një aktivitet kushtuar shkrimtarit në ditët e Panairit të 16 të Librit “Tirana 2013”. Për këtë qëllim do të vijë si i ftuari panairit një emër i njohur i kulturës franceze profesor Jean Yves Guerin. Postera me portretin e shkrimtarit do të jenë pjesë e “dekorit” të këtij Panairi, një i madh që në hyrje ‘do të njoftojë’ vizitorin se ky është viti i Camus-ë.
Konferencë gjithëpërfshirëse
Të gjithë bashkë që të luftojmë piraterinë. Këtë synon të realizojë në ditën e tretë të Panairit Shoqata e Botuesve Shqiptarë me organizimin e një konference të madhe ku do të diskutohet për piraterinë. Në këtë aktivitet janë ftuar të marrin pjesë njohës të legjislacionit të së drejtës së autorit nga Shqipëria dhe Kosova, përfaqësues të politikës shqiptare dhe europiane, përfaqësi diplomatike, Avokati i Popullit etj.
Problemet e përkthimit në fokus
Me nismën e ministres së Kulturës Mirela Kumbaro gjatë ditëve të Panairit do të zhvillohet një takim i gjerë ku do të trajtohen problemet e përkthimit. Në fakt përkthimi është një fushë që çdo vit ka hapësirën e vet në Panairin e Librit në Tiranë dhe znj. Kumbaro si përkthyese e njohur e aktive ka qenë gjithmonë prezente në trajtimin e këtyre problemeve. Këtë vit në konferencën e organizuar, problemet e përkthimit do të shihen në një vizion të ri.
Juria në punë
Juria e Panairit, e përbërë nga personalitete në fushën e letrave si Dhurata Shehri, Saverina Pasho, Parid Teferiçi, Fatos Baxhaku dhe Arta Marku, do të japë verdiktin për autorët dhe librat më të mirë të Panairit.  Janë mbi 100 tituj të paraqitur si kandidatura për të fituar çmimin sipas kategorive e të gjitha llojeve si në poezi, prozë, esse, përkthim, studime etj.
Të ftuar specialë Bruno Vespa dhe Claudio Magris
Ka shumë autorë shqiptarë dhe të huaj që do të jenë të pranishëm në ditët e Panairit si Ismail Kadare, Kim Mehmeti, Besnik Mustafaj, Sabri Hamiti, Dashnor Kokonozi, etj. Të pranishëm do të jenë dhe dy emra të njohur në fushën e letrave dhe televizionit italian: Claudio Magris dhe Bruno Vespa do të jenë të pranishëm të veçantë të Panairit të 16 të Librit “Tirana 2013”. Vespa vjen si i ftuar nga Universiteti Europian i Tiranës./mapo

Google+ Followers