Mallkimi i grave

Kritika/ Realizmi fantastik në lëndën historike të romanit të Viktor Canosinaj; Shtrohet pyetja: mos vallë te figura e Aliut është tepruar me pabesinë? Apo duhen vënë në barazpeshë mizoria me aftësinë politike dhe ushtarake? Në oborret princërore sivëllezër, apo ato të sulltanit, pabesia, intrigat dhe lufta e nëndheshme për pushtet ka qenë diçka e zakonshme.
Afërsisht e tillë ishte edhe përdalja, joshja e zonjave të sërës së lartë për t’u ngjitur, apo qëndruar në pushtet, sidomos në mungesë të burrave. Por në thelb Hankoja dhe Shanikoja synojnë pushtetin dhe pasurinë, më tepër se kurvërojnë thjesht për epsh…


Mallkimi i grave – romani i radhës me bazë historike i Canosinajt, pas Një copë tokë nën qiell, Jetë të marra peng, etj. Ky roman lidhet me paraardhësin duke formuar një diptik.
Në historishkrimin letrar shqiptar kemi pararendës romanin historik të traditës me Ndoc Nikajn, Sterjo Spassen, Ismail Kadarenë, apo me bazë historike në letërsinë moderne, madje postmoderne me Mira Meksin, Ben Blushin, etj. Është me rëndësi teorike të bëjmë dallimin roman historik – roman me bazë historike. Është me rëndësi raporti e vërtetë historike kundrejt trillimit artistik, histori – fiction në këtë zhanër letrar. Le të përqëndrohemi tek romani në analizë për të ndriçuar vetë veprën dhe nocionet që cekëm më lart.
Pashallëku i Janinës dhe Ali Pashë Tepelena janë një periudhë dhe një figurë përfaqësuese e periudhës që ka grishur letërsinë dhe historinë, duke trajtuar drejpërdrejt apo tërthorazi figurën e tij, apo pashallëkun, si Sabri Godo me Ali Pashë Tepelena, Ismail Kadarenë te Pashallëqet e
mëdha, novelistikën e Kiço Blushit, etj., ndërsa principata e tij, pra tërthorazi dhe fatet e grave në të i gjejmë te Konomea e Vath Koreshit, Frosina e Janinës e Mira Meksit, etj, porse këtu kemi optikë tjetër.
Romani ka dy linja kryesore: 1. Ajo e hakmarrjes së Aliut dhe e Shanikos, fakti i rrethimit të Gardhionit nga forcat e Ali Pashës; 2. Rrëfimet, zërat narrativë i të dërguarit të sulltanit, Idar Efendiut, rrëfim ky që plotësohet nga ai i luftëtarit mirditor; ka nënzëra si ai i epilogut, të treguarit e vetë tokës, ku u zhvillua ploja, etj.
Nëse romanin do ta quanim polifonik, shumëzërash, si intertekst vjen rrëfimi i Avdo hanxhiut për kasaphanën e Valaresë, ndërfutur si letër e gjetur në arkiv, teknikë bashkëkohore kjo e pëlqyer dhe e realizuar. Autori zotëron mirë faktin historik duke e shndërruar me sukses në lëndë letrare me një rrëfimtari epike dhe realizëm ngjethës. Hakmarrja është boshti tematik i romanit, nisur
nga rrëfimi i Shanikos. Ashtu personazhet e Konomeas, Frosinës, anipse ata qenë viktima, por trajtuar krejt ndryshe. Është e veçanta e kësaj proze, pasi vë në qendër gratë, të themi “mallkimi dhe hakmarrja e grave”. Cilësia e parë – hyrja, futja në frymën e kohës (përveç detajimit të personazheve, atmosferës, arkitekturës së zonave, kostumografisë, veshjes tipike, zakoneve, etj. Tipizimin e personazheve, kryesisht grave e pasuron misticizmi dhe okultizmi mesjetar i tyre,
karakteristikë e rajasë së periudhës. Pra, me një fjalë një panormaë e larme dhe mbushamendëse e jetës dhe mendësisë shqiptare e periudhës e trajtuar letrarisht.
Elementi fantastic, personifikimi në figurën e korbit, të cilit i vrari i lë amanet, prozaizimi i këngës së nizamëve “Mbeçë, more shokë, mbeçë!”, një figurë që i shkon për shtat tematikës së trajtuar dhe frymës së përgjithshme në roman. Në këtë skenë dhe në atë të lugates Hanko, kemi elemente surrealiste, dhe mendojmë se, në skena të caktuara ndikim të realizmit magjik. Mendojmë se me
shkrirjen e elementit antropologjik dhe etnologjik shqiptar mund të flasim më saktë për realizëm fantastik. Ndërthurja harmonike e këtyre elementëve që sapo përmendëm me përbërës të modernizmit, i ka dhënë natyrshmëri lëndës romaneske duke bërë të besueshme historinë e rrëfyer.
Rrafshi gjuhësor i romanit.
Edhe dialekti, e folmja e zonave, ku zhvillohet subjekti (çka lyp një zbritje diakronike në gjuhë) ndihmojnë në krijimin dhe vërtetësinë e personazheve dhe e lehtëson receptimin e lexuesit.
Dallohet sakaq e folmja e kapidanit mirditor, dialekti i zonës jugore, duke mos i rënduar as gegnishten, as toskërishten e periudhës dhe duke i bërë të kuptueshme, por edhe duke iu
përmbajtur gjuhës së njësuar letrare kur autori njësohet me narratorin. Po ashtu neologjizmat, idiolekti, pra dhe risitë, sikundër në tekstet e mëhershme të romancierit, shpesh
ngjallin interes dhe lënë mbresë.
Thënia e trishtë: “Një popull që puth dheun, ku bën gjumin e madh një njeri si Ali Tepelena, herët a vonë do të kthehet përsëri te dhuna dhe padrejtësitë” (f. 203), të bën të reflektosh jo vetëm për historinë tonë të shkuar, por edhe për atë të shek. XX. Ky është një roman nga i cili lexuesit
i lë mbresë, madje del i tronditur nga kaq shumë urrejtje, gjak, epsh, etje pushteti dhe pabesi.
Shtrohet pyetja: mos vallë te figura e Aliut është tepruar me pabesinë? Apo duhen vënë në barazpeshë mizoria me aftësinë politike dhe ushtarake? Në oborret princërore sivëllezër, apo ato të sulltanit, pabesia, intrigat dhe lufta e nëndheshme për pushtet ka qenë diçka e zakonshme.
Afërsisht e tillë ishte edhe përdalja, joshja e zonjave të sërës së lartë për t’u ngjitur, apo qëndruar në pushtet, sidomos në mungesë të burrave. Por në thelb Hankoja dhe Shanikoja synojnë pushtetin dhe pasurinë, më tepër se kurvërojnë thjesht për epsh. Ndërsa shndërrimi i Shanikos,
apo Hankos në përbindëshe vjen nga etja për shpagim, duke iu bashkangjitur edhe trashëgimnisë gjenetike. Sa i takon etjes për pasuri, mendojmë se është dukuri e njohur.
Njëherazi mendojmë se autori e quan të paraditur aftësinë politike dhe ushtarake, dinakërinë dhe kameleonizmin e Aliut. Atij ngjarja historike e masakrës së Kardhiqit (Gardhionit) i ka shërbyer për të ndriçuar personalitetin e këtyre grave dhe në rrafsh të dytë atë të Aliut gjakësor
e të pabesë. Mbase edhe në roman i mëshohet më tepër se ç’duhet kësaj ane, mund të ketë edhe teprim, por le të mësohemi ta shohim letërsinë si të tillë, si art fjale dhe figure, jo si histori kronikanësh e njëkohësisht edhe si provokim. Për të shtjelluar dhe ripërmasuar ngjarje dhe
personazhe, historikë ose jo, edhe kur historia vetë nuk e ka aftësinë, apo guximin për të bërë këtë, “Fjalën e fundit të historisë e thotë poeti”, thotë Gëte.
Enton Bido (Pjesë libri me ese “Nga tradita te bashkëkohësia”)
Standard

Google+ Followers