“Hiret letrare” dhe hiret e personalitetit të Nasho Jorgaqit


Nga MIHO GJINI
-Mjeshtër i Madh

Duke pritur në një takim shkrimtarin, studiuesin e letërsisë dhe publicistin Nasho Jorgaqi, pas një ndarjeje tepër të gjatë, që përfshin jo me pak se katër dekada, do të befasohesha se tepërmi… Ai do të shpejtonte në rrugën e gjerë me një biçikletë sportive, ashtu sikundër na vinte edhe në vitet ‘60 të shekullit të kaluar, për të dhenë leksionet e Letërsisë Shqipe në Shkollën e Lartë të Aktorëve “A. Moisiu” qe sapo ishte krijuar në Tiranë. Me atë trup të hijshëm e të gjatë, si të një atleti, me atë prezencë përherë elegante, përzemërsi e buzëqeshje, me zërin e butë e të shtruar, profesor Nasho Jorgaqi, që atëherë, ishte nga pedagogët tanë më të mirë e më të dashur. Mezi e prisnim ta dëgjonim tek fliste pa ndërprerje, me pasion e elokuencë, duke ecur me hap të lehtë nëpër auditor dhe pa na i shkëputur sytë e shkruar. Edhe nder pushimet e orëve, do të mblidheshim përreth tij, duke mos e lenë aspak të çlodhej e të “merrte frymë”. E “mbysnim” me pyetje… Qe koha kur bënte edhe vetë një sprovë letrare, me novelën “Dashuritë e Mimozës”, të cilën ne e kaluam dorë më dorë me etje adoleshentësh dhe vajzat tona-aktore “kakarisnin” fshehtazi, jo pa e parë profesorin e tyre me afeksionin e moshës… Pse jo…,e donim shume këtë pedagog, qe na emociononte pafundësisht me dijet e tij e oratorinë vetjake, i cili ishte me ne edhe kur nuk qe aty për të dhënë leksione!
Personalisht, pata edhe një arsye tjetër për ta ndjerë më të afërt pedagogun tim të letërsisë: Një ditë, ai më thirri veçmas në oborrin e Teatrit Popullor (ku qe instaluar shkolla jonë) dhe më tha se, ishte duke shkruar edhe diçka tjetër: një monografi me karakter letrar, për bashkëfshatarin tim, heroin Vasil Laçi, atentatorin e perandorit italian Viktor Emanueli i tretë. Me pas ai shkroi edhe skenarin e filmit “Atentatori i perandorit” dhe kështu, profesori im, do të bëhej “pjesë e imja” tërësisht…

Dhe, do ta takoja përsëri mësuesin që shtiri në vetëdijen time pasionin e ethshëm të letrave, pas një kalvari të gjatë mungese, ndëshkimi, vuajtjesh e dhimbjesh njerëzore, të cilat ndikuan që të shkruaja edhe unë, jo pak libra. Tek po e prisja i malluar, i ulur në bordurën përballë “Taivanit”, do të vija re që larg trupin elegant të profesorit tim, duke u dhënë pedaleve të biçikletës, si të ishte një djalosh i vërtetë. Që të dy ishim “ngarkuar me dëborë”, po nuk kishim nge për t’ia thënë njëri-tjetrit. Na kishte mbërthyer entuziazmi i atyre viteve… Hapëm çantat dhe këmbyem librat që kishim shkruar kohët e fundit. Në frontespicin e një libri voluminoz, me titullin: “Hire letrare, shpalime historike” shkroi diçka për ish nxënësin e tij, Miho Gjini, dhe unë do të ngazëllehesha, duke e përpirë me sy mësuesin, si atëherë, kur ai ligjëronte nëpër “udhëtime letrare” që nuk kishin të sosur…
Duke i lexuar, mandej, këto “HIRE LETRARE…”, do të mrekullohesha rishtazi me mençurinë e thellë e të gjithanshme të profesorit tim, me stilin elegant e me atë ngazëllim të brendshëm që kanë shpesh herë zbuluesit e letrave e të vlerave të hershme dhe, nuk do të më ndahej shpirti e mendja nga HIRET e këtij personaliteti të kulturës shqiptare, i cili përherë ka rrezatuar me dijet, studimet e veprat e veta. Nëpër 500 faqet e këtij libri të vyer, është ngërthyer një jetë e tërë zhvillimore e letërsisë shqipe, e personaliteteve të saj, ku do të duket (jo pa modesti), edhe personaliteti i Nasho Jorgaqit si studiues i letërsisë, si shkrimtar, si përkthyes, po edhe si historian…Në rrafshin kohor, ai do të “lidhë” këtu të tria epokat: të paraçlirimit, të shoqërisë komuniste dhe atë të sistemit demokratik…Por, vështrimi i tij, do të hidhet nëpër humbëtirat e se shkuarës historike, do të “gërmojë rrënjë e degë” të saj, si të ishte një arkeolog pasionant, duke u bere kështu një dëshmitar “okular”, po edhe një pasqyrues i rrjedhës historiko-gjuhësore-letrare, një biograf i saktë e plot talent, i paanshëm dhe, mbi të gjitha: emancipues dhe emocional. Bagazhi i grumbulluar studimor, kthehet befas, në një “det për të gjithë”, ku vet ai do të loz rolin e lundërtarit të sigurt. “Vjen një ditë,-thotë ai në një intervistë, kur, me kalimin e viteve, njeriu behet një SHTËPI KUJTIMESH”!

Duke marre përsipër të bëjë një Antologji të kulturës shqiptare, Nasho Jorgaqi, përcjell zëra të ndryshëm e madhor të kësaj kulture, në një gjithanësi e gjithëpërfshirje të trevave shqiptare. Vështrimi i studiuesit, hulumtimi e paraqitja që bën është e saktë, koncize dhe objektive, në masën dhe rolin e duhur, ku historia e gjuhës dhe e letrave shqipe shkruhet nga pena e një shkrimtari të mirëfilltë. Gjurmimet e tij janë panoramike dhe problemore, në rrethana e kthesa të mëdha historike, ku do të shfaqën edhe përmasat e personalitetit. Argumenti logjik, me vështrimet emocionuese të zbuluesit, marrin tek ai një ngjyrim letrar. Por, i pakënaqur ende me misionin e vet fisnik, Nasho Jorgaqi, do të luajë, jo pak herë, edhe rolin e një “zhytësi” të thellësirave detare, për të gjetur pasuritë shpirtërore të mendjes njerëzore. Dhe kështu, biblioteka personale e shkrimtarit, do të rëndohet nga libra “me peshë” të të gjitha gjinive, ku përfshihen; Antologji letrare, Tekste Universitare, Monografi të ndryshme, tregime, novela, romane, skenarë të filmave artistik, përkthime nga letërsia botërore dhe mijëra artikuj publicistik. Midis tyre shquhet një vepër madhore, e botuar dhe e ribotuar disa herë në tirazhe të larta, sikundër është romani “Mërgata e Qyqeve”, ku shkrimtari zhbiron një realitet konkret, atë të zbuluesve shqiptarë, jo thjesht si aventure policore e agjenturore, po si një jetë reale njerëzish që kanë jetuar e vepruar në rrethana të vështira të një sistemi diktatorial gjysmëshekullor, gjithsesi, jo pa zotësi, profesionalizëm e sakrifica sublime…Edhe në vepra të tjera, Jorgaqi, ka një pleksje harmonike midis shkrimtarit, historianit dhe hulumtuesit rigoroz të vlerave letrare e njerëzore. Si askush tjetër në këtë “Arkeologji Shpirtërash”!…E gjithë kjo aftësi e vlere, ka ardhur pikërisht, jo vetëm nga përgatitja e tij, nga akumulimi i gjatë dhe i vëmendshëm, po edhe nga një ndjesi e jashtëzakonshme e aftësie depërtuese në “botën” e autoreve që gjurmon dhe të atyre që i pasqyron si karaktere. Nga procesi njohës ai kalon bukur në procesin pasqyrues e përgjithësues. Ky depërtim psikologjik, e ka bere Nasho Jorgaqin, që të jetë përherë i prekshëm, i thjeshtë, emocionant, NJERËZOR.
Vepra përmbledhëse “Hiret letrare, shpalime historike” është një panorame e gjerë dhe e thellë, si një film në ekranin e madh, i cili nis që nga fjalët e para të gjuhës e të letërsisë shqipe, që vazhdon në rrugëtimin e mëtejshëm e që nuk përfundon as në ditët e sotme. Edhe pasqyrimet e këtushme, edhe interpretimet vetjake, si edhe profecitë, përbejnë një vlere dhe një kontribut të ndërgjegjësuar qytetar e intelektual. Nasho Jorgaqi i sheh gjerat, proceset, bëmat, veprat dhe personalitete letrare e ato historike, në realen dhe dialektikën e tyre të zhvillimit, përmes kontradiktave, kufizimeve, rrethanave. Subjektiviteti i tij nuk del nga rrafshi i përgjithshëm shoqëror, por ka gjithherë një intonim objektiv. Dhe një përkushtim i habitshëm, kur, thuajse, e gjithë jeta e këtij njeriu, është e ezauruar me atë të Nolit! Si biografi më i plotë i këtij personaliteti poliedrik, na i dha ATË në të gjitha dimensionet e tij: si teolog e klerik, si politikan e burrë shteti, si shkrimtar, poet, dramaturg e përkthyes, si studiues arti e kompozitor. Mirëpo, studiuesi i thellë i jetës, i veprimtarisë dhe i krijimtarisë së Nolit, di që ti vlerësojë e të dallojë edhe dritë-hijet që këta kollosë, (përfshire këtu edhe Konicën), patën në jetën dhe kohen e tyre. Po kështu, do të vazhdojë edhe ndër studimet që bën për Migjenin, Poradecin, Kutelin, Markon, apo me tej, me Agollin e Kadarenë, duke i paraqitur ata si individualitete të veçanta, që edhe dallojnë nga njëri-tjetri në hapjen e “shtigjeve” letrare. Mandej, është meritë e tij që, “rrënjët” e Lirikës Shqiptare, po edhe të prozës, i kërkon qysh në gjurmimet e hershme të Bogdanit, për të arritur të Koliqi e Fishta…Në ketë “udhëtim letrar” ai përfshin edhe gjithë diasporën shqiptare, duke u ndalur nder figura mitike si ato të De Radës, Skiroit, po edhe në figura, thuajse të panjohura më parë, që ai i ka hulumtuar me kujdes e skrupolizitet shkencor, sikundër është Nikolla Lako në Paris, kur vendoseshin fatet e Shqipërisë. Atij, do ti interesojnë edhe figura të panjohura, që kanë bërë një jetë “inkognjito” nën diktaturën e egër, siç janë poetët Muhamet Ademi dhe Nelo Drizari… Si një “pe i kuq” duket këtu figura e mohuar e Sejfulla Maleshovës, po përkushtimi i tij, nuk le mënjanë portrete të spikatura dijetarësh, intelektualësh të shquar, duke filluar që nga figura e profetit Muhamet e deri në personalitete bashkëkohëse si Petër Prifti, Aleks Buda, Kristo Frashëri, Sofokli Lazri, Pëllumb Xhufi, etj. Ca më tepër akoma, nuk mundet të anashkalojë figurat e Rilindasve të famshëm, siç ishin vëllezërit Frashëri, midis të cilëve rrezaton edhe një personazh, thuajse “i padukshëm”, siç qe studiuesi i asaj kohe, në Stamboll, Niazi Sulçe, që hedh dritë mbi jetën prej martiri të Sami Frashërit. Po, profesori im, nuk do të harrojë edhe mësuesin e tij të nderuar Muzafer Xhaxhiun (njëherësh edhe mësues i imi), ashtu sikundër nuk do të veçojë miqtë e afërt, bashkudhëtarë, poetin Drago Siliqi dhe kineastin Viktor Gjika. E megjithatë, sikundër vërteton edhe ky libër, personaliteti i Nasho Jorgaqit, do të ketë dy kollona të fuqishme: veprën e plotë të Nolit dhe romanin “Mërgata e Qyqeve”. Të gjitha të tjerat që përfshijnë këndvështrimin e tij, janë pjese të diapazonit të tij krijues, të interesave studimore intelektuale, të pasionit e të meditacionit të vazhdueshëm. Jeta e këtij personaliteti nuk e ka pranuar kurrë boshllëkun shpirtëror, qetësinë vetjake, qëndrimin soditës…I papërtuar, me një dinamike jetë të qëndrueshme, të pastër, të ndershme, duke qenë përherë në lëvizje (si ajo biçikleta e tij!), Nasho Jorgaqi, i ka dhënë lexuesit shqiptar vepra të shumëllojshme, që dallojnë nga njëra-tjetra, por që kanë të njëjtin origjinalitet, për nga brumosja e pasur dhe stili lapidar. Nasho Jorgaqi është një intelektual erudit, me kapacitet gjithëpërfshirës e të gjithanshëm, cili ka përmasat e plota të shkrimtarit e të historianit, të pedagogut e të përkthyesit,, të n je bashkëshorti e prindi shembullor, duke nënvizuar gjithandej figurën komplekse të NJERIUT TË MADH.

Google+ Followers