Dritëroi: Të mbrojmë gjuhën shqipe, është bërë përshesh, politikanët të parët

Dritëro Agolli
“Toena” promovoi dje librin “Fjalori rimor i Dritëro Agollit”

“Aristoteli thotë: Njeriu është kafshë politike. Një politikan edhe gjepura të thotë, u jepet vlerë”


“Të ruajmë gjuhën shqipe, është bërë ‘përshesh’!”. Ky ka qenë mesazhi që na ka dhënë dje një nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë, Dritëro Agolli.  Mesazhi i tij u drejtohet të gjithëve, që nga politikanët, që ta përdorin më mirë gjithën shqipe, kur flasin nëpër foltore, por edhe njerëzve të thjeshtë, biznesmenëve, që i kanë mbushur tabelat me emra të huaj. Këtë shqetësim Agolli e ndau dje, gjatë promovimit të veprës voluminoze “Fjalori rimor i Dritëro Agollit”, me autor gjuhëtarin Mina Gero. Sipas shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, tha sot se gjuha shqipe është bërë “përshesh”, ndërsa bëri thirrje që ajo të ruhet. Shkrimtari foli gjatë promovimit të librit “Fjalori rimor i Dritëro Agollit” i autorit Mina Gero, botim i shtëpisë botuese “Toena”. Një vepër interesante që merr në shqyrtim të gjitha poezitë e Agollit. “Po të dalësh në pazare e të numërosh dyqanet janë me fjalë të huaja, po vëri emrin e një mali, një lumi… E kam fjalën që gjuha shqipe duhet ruajtur”, tha ndër të tjera Dritëro Agolli.
“Fjalori rimor i Dritëro Agollit”,
me autor Mina Gero,
i promovuar dje nga
Shtëpia Botuese “Toena”


Duke u ndalur te poezia, e cila është edhe kryefjala e veprës së promovuar, ai u shpreh se poezia ka ndryshuar. “Nuk mund të themi se shkruajnë të gjithë me rimë, madje rima është rralluar, tani e domosdoshme në poezi është muzika, se ajo plotëson edhe rimën. Por ka edhe poetë që shkruajnë me rimë dhe që kanë marrë edhe çmime Nobel”, tha ai. Sa i takon veprës së Mina Geros, sigurisht që ai e vlerëson shumë, pasi bëhet fjalë për një vepër kolosale e që fatmirësisht botohet në të gjallë të tij. “Është një punë studimore e thellë, shumë origjinale, një temë që nuk është trajtuar shumë. Mund të jetë trajtuar në artikuj. Kolë Ashta ka bërë një punim të tillë për Mjedën, por ka mbetur në dorëshkrim, ndërsa ky është i pari i botuar, prandaj ka vlera të mëdha si i tillë. Jo thjesht për rimën, por edhe për fjalët, pasurinë e fjalorit, rimat e rralla, të papritura, për teknikat e vargut”, thotë Agolli.

Fjalori

“Fjalori i rimave të Dritëro Agollit” është një vepër voluminoze, që autorit i ka marrë jo pak kohë dhe mund për ta qëmtuar. “Ishte një kërkesë e brendshme ndaj vetes dhe detyra për të studiuar gjuhën shqipe që më shtynë drejt kësaj pune. Dritëro Agolli është një poet që e dua shumë. Poezia e Agollit më është dukur shumë interesante, e çuditshme, ka disa dukuri letrare artistike dhe sidomos gjuhësore, që ma ha mendja nuk i kanë shumë të tjerë. Ka shumë risi, të cilat jam përpjekur t’i paraqes në veprën time. 
Kam marrë një për një të gjitha poezitë e tij. Libra janë 25, ndërsa vargje 100 mijë. I kam marrë një për një, se ndryshe nuk do të isha i vërtetë”, thotë autori i librit. Ai shpjegon se i ka paraqitur rimat sipas çerdheve rimore, çka nuk është hasur herë tjetër. “Rima është teknikë e organizimit të vargut, që nuk lidhet drejtpërdrejt me kuptimin. Rima është një njësi mbisegmentare dhe e organizon atë. Është si një kostum, që nuk do të rrinte bukur nëse do të kishte një kopsë të këputur. Kopsa e lidh kostumin, e bën elegant. Edhe rima e bën të përkryer vargun. Dhe Dritëroi në këtë pikë është një poet për t’u pasur zili”, thotë ai. 

“Njeriu, kafshë politike”
Tashmë është kthyer në “modë” që Panairi i Librit të paraprihet nga promovimet e librave të politikanëve apo gazetarëve që i kushtohen politikës. Të tillë janë librat e Grida Dumës, Alfred Pezës, Sokol Ballës… Denduria e tyre, që jo rrallë eklipsojnë çdo ngjarje tjetër kulturore, i ka rënë në sy pa dyshim edhe Dritëro Agollit. “Librat politikë janë më të dukshmit e ndoshta është edhe vetë realiteti, që të gjithë merren me politikë. Është e vërtetë ajo që thotë Aristoteli: ‘Njeriu është kafshë politike’. Dhe, si e tillë, flet për politikë dhe do të shkruajë për të. Madje, edhe shtypi më shumë flet për politikën dhe e kufizon kulturën. Një politikan edhe gjepura të thotë, e shkruajnë, ndërsa për një shkrimtar apo historian, është e vështirë…”, tha Agolli. 

ALMA MILE

Google+ Followers