Drago Siliqi si kritik origjinal letrar

  • Drago Siliqi ishte një kritik i lindur, obsesioni i të cilit, ishte shquarja dhe njoftimi i sinjaleve të reja që sillte një vepër, apo një prirje e caktuar letrare. Kërkimi i së resë, mbetet kredoja e tij permanente
Ymer Çiraku


-Profili si kritik letrar, besoj të jetë më i spikaturi e më i çmuari në aktivitetin, për fat të keq, jetëshkurtër të Drago Siliqit. Ky dimension intelektual, pra i kritikut letrar, për hir të së vërtetës, përgjithësisht nuk është se ka aq shumë dashamirë të qëndrueshëm e për pasojë, nuk kujtohet e nuk lë gjurmë aq gjatë në meset kulturore e letrare. Por me Drago Siliqin, si me disa pak kritikë të tjerë, megjithë bjerrjet që vijnë prej tejkalimeve e shndërrimeve të natyrshme të shijeve e problematikave letrare - prej një kohe në tjetrën, nuk ka mundur ta shtrijë pushtetin e vet amnezia. Në memorien e bashkëkohësve të tij, por dhe të atyre që erdhën më pas, ai vazhdon të kujtohet e të vlerësohet dhe kjo sigurisht që ka arsyet e veta.
Si drejtues prej disa vitesh i të vetmes shtëpie të botimeve letrare e falë dhe moshës shumë të re, ai mund të rehatohej në konformizmin aq ndjellës të asaj kohe, që ia bënte më të garantuar karrierën e mëtejshme. Por përkundrazi, edhe brenda kornizave (apo kufizimeve) të njohura, ndoqi modelin e njeriut mëndjehapur, shije-hollë e të guximshëm, për të përcjellë në opinion vlerësimet sipas kredos së tij. 
Ai nuk ishte as drejtuesi burokrat dhe as kritiku ex-kathedra. Në të dyja misionet, të kryebotuesit e të kritikut letrar, ai shfaqej një dhe i pandarë; në principialitetin për të përkrahur e për të bërë kauzë me artin e vërtetë. Kësaj kohe, redaksia e përkthimeve, ku merrnin pjesë korifej të  shkollës shqiptare të përkthimit, njohu një ritëm të bujshëm shqipërimi, duke i përcjellë lexuesit shqiptar mjaft prej kryeveprave më të shquara nga letërsia botërore, që vazhdojnë edhe sot të jenë fondi i artë i bibliotekës shqiptare. Këtu duhet kujtuar dhe përkujdesja e tij për t`i dalluar e pastaj për t`i aktivizuar ata personalitete, disa prej të cilëve është e sigurt se punonin atje edhe pse ishte vënë peng garancia e tij. Dhe ai mbetej kështu për ta, si të thuash, engjëlli i tyre mbrojtës. Na qeshi fati, do të shprehej me ngazëllim Lasgushi për ato vite, kur Dragoja ishte drejtori i shtëpisë botuese e i vuri punët për mbarë.
Kjo sjellje e tij e përkorë njerëzore do të vazhdonte edhe në marrëdhëniet me shkrimtarët. Pa njohur tek vetja kurrfarë zilie salieriane, ai entuziazmohej, u sugjeronte, i nxiste miqtë e vet rreth krijimeve të tyre, duke dëshmuar shije e intuitë prej një kritiku vizionar, jo vetëm rreth veprave të realizuara, por edhe rreth atyre që ishin në fazën e projekteve, pra, duke pasur shqisën e bekuar të vështrimit të veprave qysh në ngjizje. Është fakt i njohur se ishte ai që i sugjeroi Kadaresë, se një tregim i tij i botuar në fillim të viteve `60, kishte bërthamën e një romani të pritshëm, që në fakt nuk do të vononte të ishte; “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepër e shquar kjo, që hapi udhën e famës kadarejane në Shqipëri e në mbarë botën. Shkrimtari  kujton një rrethanë tjetër rreth këtij miku e njeriu vizionar e me besë, atëherë kur nën përgjegjësinë e vet, pa ia dorëzuar askujt tjetër për procedurë botimi, i bindur se vetëm pengesa e zvarritje do të kishte, Dragoja, pra vet drejtori, botoi librin me vjersha e poema “Shekulli im”. Nga Kadareja, ky rast vlerësohet si guxim mbresëlënës, po të kihet parasysh se ajo përmbledhje poetike do të ishte vërtet nga librat më skandalozë e më të lirë, për nga mosrespektimi i skemave të socrealizmit. Në radhën e episodeve të shumta të këtij raporti sui generis të kritikut me shkrimtarin, nuk mund të harrohet fakti tjetër prekës, kur në bagazhin e tij personal të udhëtimit, i shpërndarë në Irkutsk të Rusisë, pas katastrofës ajrore, u gjet dhe dorëshkrimi i një romani të shkrimtarit Petro Marko, i marrë me vete prej Drago Siliqit për t`u lexuar gjatë atij udhëtimi pa kthim. Mbylla telefonin…Mora një stol dhe dola në ballkon. Më rridhnin lotët sikur të isha fëmijë…Humba një shok e mik të dashur…, shkruan Petro Marko rreth atij lajmi tronditës.
Por kurora e tërë këtij angazhimi në raport me letërsinë, sigurisht që mbetet kritika e tij e drejtpërdrejtë, e përcjellë sistematikisht përmes shkrimeve dhe recensioneve të botuara në shtypin letrar të fundit të viteve `50 dhe në fillimin e viteve `60.
Mund të thuhet se mbetet aksiomë misioni i kritikës, sepse para së gjithash ajo duhet të shquajë e të përcjellë me ndezullinë të renë në letërsi. Në funksion të këtij misioni, prej kritikës shqyrtohen pa droje deri dhe vlerat kanonike të traditës, ndërtohen debate e polemika të nxehta letrare, projektohen e pastaj rimodelohen (apo rivlerësohen)  hierarki vlerash, pikërisht në procesin e përballjes me dukuritë e reja. Këto dukuri të reja, mund të mos kenë mirëpritjen e menjëhershme, madje mund të krijojnë dhe keqkuptime që tronditin atmosferën letrare. Drago Siliqi ishte një kritik i lindur, i cili, e pati për obsesionin e tij shquarjen dhe njoftimin e sinjaleve të reja që sillte një vepër, apo një prirje e caktuar letrare. Në kërkim të së resë, mbetet kredoja e tij permanente, e cila, jo rastësisht përcillej në mënyrë frekuente dhe në titull shkrimi apo në lajtmotiv diskutimesh. 

“Letërsia që udhëton me të renë, i ka të garantuara vlerat nacionale”

Tek poezia, këtë të re, ai e shihte para së gjithash tek prirja për një abstraksion figurativ më të stërholluar, që në fakt shtronte kërkesën për të mënjanuar ligjërimin e thatë, steril, pa shpirtin e spontanitetit dhe velin e mjegullave të dilemave njerëzore, tekste këto, që jo vetëm shfaqeshin dendur asaj kohe, por dhe proklamoheshin me vlerat e modelit. Për të, e reja në letërsi, nuk e cenon bazamentin kulturor nacional, sikundër pretendohej nga krijuesit tradicionalistë, ithtarë të stanjacionit. Përkundrazi, sipas kritikut, një letërsi që udhëton me të renë, i ka të garantuara vlerat nacionale, të cilat, vazhdimisht përtërihen dhe nuk bjerrjen e atrofizohen. Kësisoj, ai mbron pikëpamjen e drejtë se fryma dhe koloriti nacional nuk mbeten të ngujuara kurrsesi në formate të klasifikuara vargëzimesh, apo lulkash etnografike e frazeologjish popullore. Nacionaliteti, mund dhe duhet të shprehet e të garantohet vijueshëm edhe me arsenalin e prirjeve të reja në letërsi, duke rënë kështu alibia e tradicionalistëve konservatorë, që mungesën apo zvetënimin e talentit të tyre, e mbulojnë me kinse shqetësimin dhe zellin për ta mbrojtur besnikërisht atë frymë nacionale, si të dhënë njëherë e përgjithmonë, në ngrirje muzeale.
E reja e çan rrugën me vështirësi,  shkruan kritiku Siliqi, por herët a vonë fitorja e saj është e sigurt. Kështu ngjet veçanërisht me të renë poetike. Elementet konservatorë shpeshherë s`e kuptojnë kërkimin në këtë lëmë e bile, kur gjenden përballë faktit real të zbulimit poetik, ta quajmë kështu, prapëseprapë ngurojnë në pohimin e së drejtës së ekzistencës së saj…Dashur padashur, konservatorët poetikë pengojnë larminë e stileve dhe të profileve letrare, një nga cilësitë më të çmuara të letërsisë së re; ata luftojnë vetëm për një tel, vetëm për një instrument…
Për kritikun Drago Siliqi, rruga e kërkimeve në letërsi përcaktohet si alternativa e vetme për të garantuar funksionimin e saj si një sistem dinamik, rrjedhimisht me të ardhme të paskajuar. Duke mbetur ithtar konsekuent i kësaj filozofie kulturologjike, për të shquar projektimet e atyre shenjave të reja letrare përtej kohës, ai i garantoi ndërkaq dhe vetes, një vend të sigurt për t`u kujtuar viteve të mëpasme, pra, në të ardhmen.

Bio 

Drago Siliqi lindi më 9 qershor të vitit 1930 në Tiranë. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Moskës. Pas kthimit në atdhe punoi si redaktor dhe drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Për herë të parë shkroi në moshën 15-të vjeçare. Drago Siliqi është i biri i atdhetarit dhe poetit Risto Siliqi. Vdiq më 13 korrik 1963 në një fatkeqësi të komunikacionit ajror. Disa nga veprat letrare që ka shkruar janë: “Antologjia e poezisë ruso-sovjetike”(1959), “Këngë e re për dashurinë e vjetër” (1960), “ Zgjimi i pranverës, vjersha për fëmijët e moshës së rritur shkollore” (1965), “Kur zemra flet, poezi të zgjedhura” (2000), “Në kërkim të së resë” (2000).

Google+ Followers