Vjen nga Prishtina vepra e Podrimjes

VISAR ZHITI



   I ndodhur përballë veprës së poetit Ali Podrimja, më përftohet ndjesia se jam përpara një kalaje të rijetësuar, plot me ngjarje dhe zëra, me plagë muresh dhe mishi, emblema, afreske, salla, puse, bodrume, shkallë, katakombe, fantazma dhe fëmijë, flamuj dhe libra, tempuj, ekspozita, madje dhe televizorë, kumte nga Kosova, nga bota dhe midis ndodhive, tashmë të ngrira në një kujtesë estetike, një burrë që endet, me një bllok të vogël në dorë, që shkruan herë pas here kudo që të ndodhet dhe ia tregon atij që është më pranë në atë çast, ka kultin e fjalës dhe nderim për tjetrin: është vetë Ali Podrimja. 

Botimi shumëpërfshirës i veprës së Podrimjes nuk është vetëm një riardhje e Tij, por dhe një ngjarje letrare e kulturore. Ndërkaq, Podrimja na shfaqet fuqishëm, me madhështinë e vet dhe bukurinë e vet. Mendoj se këto janë dy nga tiparet kryesore të prozodisë së tij, madhështia, më shumë e brendshme, dinjitet, dhe bukuria si prej shkëmbi, e ashpër nga erërat. Por gjithsesi, me poezinë e Podrimjes kemi Poetin thellësisht njerëzor, në një përditshmëri ekzistenciale, në të zakonshmen e pazakonshme, i çasteve që i takojnë më shumë sesa së tashmes, asaj që bëhet histori. Dhe më shumë sesa histori – përvojë e një kolektiviteti në dramat, në qëndresën për të qenë ashtu siç do dhe jo ashtu siç duan. Poeti Ali Podrimja ndihet popull, duke mbetur vetvete, plot me porositë – dhe të atyre që nuk janë, që nuk i thanë dot. Me një vetëdije rrëqethëse që dhe ai nuk do të jetë më dhe pikërisht atëherë do të jetë më i pranishëm. Detyra të tilla duket sikur kanë marrë përsipër përgatitësit e kompletit prej 9 volumesh të Podrimjes: redaktori përgjegjës, kritiku dhe studiuesi Ali Aliu, akademiku Rexhep Ismajli, shkrimtarët Eqrem Basha, Sabri Hamiti, Mehmet Kraja, miq të poetit, bashkëluftëtarë të fjalës, të njohur dhe të nderuar si punëtorë të kulturës, krijues të saj. 

* * * 

Kur atdheu është përgjysmë, dhembja nuk është përgjysmë, por përkundrazi, shtohet përtej vetvetes dhe bëhet e hiperpoetshme, vërshon me shkulme duke e përmbytur pa kufi truallin. Sheh se çarja e madhe e mespërmestë nuk është vetëm e tokës, por dhe e ndërgjegjes kolektive, duke mbërritur dhe te vetanakja si mbi xhamat e një dritareje, ku priten të rifryjnë shtrëngatat…, shtrëngatat e frymëzimit poetik. Poeti i gjysmës së andejme, i Dardanisë së hershme, Ali Podrimja, na e përforcon mendimin se është më i frymëzuari, sublim dhe i tëri dhimbje prej dheu, e koskët, që trand peizazhet ballkanike ku përshfaqen pllanga gjaku mbi gurë, aq sa shpesh ai na ngjan si këngëtari elegjiak i një plagome gjenerale. 

9 VOLUME, 9 DUKURI…
 


Do të më pëlqente, në nderim të Veprës podrimjane, të rendisja këtu shkurt 9 dukuri, virtyte, siç më duken mua tani, thjesht i nxitur nga botimi, detaje të jetës dhe të vdekjes, pse jo, dhe të pavdekësisë së tij. 

1- Duke qenë sintetik, por dhe i asociacioneve tronditëse, vargu i Podrimjes na lejon, sipas meje, komentet e kapërcimeve pindarike, ndërkohë Poeti Ynë është disi homerik dhe konkretisht ngjan dhe me ortekët e Homerit më të fundit në Ballkan, me Gjergj Fishtën, gjithsesi me të kundërtën e tij, se poemat e Podrimjes janë tejet të pakta, dramatikisht me pak vargje, ku satirën therëse bardi i ri e ka shndërruar në ironi të hidhët, similitudat në metafora, tradicionalen në moderne: 
Vdekja më e shpejtë se unë,
megjithatë deri në vdekje
do ta kërkoj atë që e hum kryesorja:
Jetën ta jetosh pa e vrarë.
 

2- Podrimja e ka shkrirë poezinë intime me atë të fatit kolektiv të kombit. Dhe jo ku mbaron njëra dhembje të fillojë tjetra, por së bashku. Volum pas volumi, fjalë pas fjale, kompleti duket si një ditar i atdheut, shkrimi shpesh i ngjan grafikut të temperaturës, zëri i tij është i ngarkuar me elektricitet ngjarjesh, jo me ngjarjen, duke përvijuar të folurën e profetizuesit dhe si në legjendë gjysma kërkon gjysmën. Podrimja sjell britmën e thellë të gjakut të fisit të lashtë dhe ne befas kuptojmë se ajo është dhe britma jonë e tanishme dhe mbijetojmë dhe nga shkaku i asaj britme… shpesh pa shenja pikësimi, madje dhe pa atë shkronjën e madhe nistore, moderne, pra, ku fuqia e demontë shemb kohërat, kufijtë mes saj dhe mbetet bëma e pakohë ose e gjithkohëshme. 

3- Koha heraklitiane te Podrimja, aq sa rrjedh, po aq ngrin e pezullt me magjinë e poezisë. Imazhet e tij nuk është se i bën befasia të çuditshme. Dhe as çudia që i kthen në të befta. 

Sytë i lan në shuplaka të engjëjve.
 
Mbi të gjitha është poet i qëndresës dhe i dinjitetit të saj. Dhe e zbulon te vuajtja, te humbja, te guri i themelit, te çelësi, ashtu si dhe te thika, te heshtja, të gjitha të shndërruara në fjalë, në pak fjalë, shpesh sa të një epitafi, pa i lejuar varrit fuqinë absolute të asgjësë.

4- Ali Podrimja thërret në ndihmë simbolet kombëtare dhe ballkanike, nga areali mesdhetar dhe si poet është hermetik po aq sa dhe kraharori i njeriut. I mjafton plaga për të parë brenda. Dhe na duket sikur shohim më shumë nëpërmjet plagëve. Dhe besojmë bashkë me të se… 
Dritë e plagës i verbëron kohërat dhe sunduesit e tyre.

 Shpesh Podrimja është qytetar i acartë i një dimri pa skaj, i pambrojtur mes erërave në ishullin e atdheut të përgjysmuar. Duke qenë në gjysmitakën e vet, njëkohësisht ai ravgon brenda vetes për në Itakën tjetër të atdheut. Atdheu i tij nuk është vetëm prej malesh, fushash e bëmash, por dhe prej mishi, prej gjaku aq sa dhe prej ujërash, është njeriu, me truallin dhe qiellin së bashku.

5- Në Vepër do të gjejmë dhe retrospektivën që pse Podrimja ishte rreshtuar dikur me lëvizjen letrare që do të njihej me emrin “Vox”, e cila ngriti krye për të nxjerrë letërsinë nga kthetrat e realizmit socialist, ndërsa vonë Podrimja do të shkruante dhe Himnin e UÇK-së duke qenë vetë pjesëtar i një UÇK-je tjetër, asaj kulturore, pa vetëdijen e së cilës nuk mund të arrihej ajo që u arrit: të mblidheshin ushtritë e botës, asaj Perëndimore, për t’i dhënë Kosovës lirinë dhe pavarësinë. 

6- Letra ku shkruan Podrimja, sikur është lëkurë e jetës. Poezitë e tij janë hedhur mbi pergamenë të hershme, një palimpsest kohërash, por dhembja është e gjithsecilit si një rrjepje, si një torturë e porsa shpikur, risi, që i bëhet shpirtit.

7- Dhe shfaqet bukuria ndryshe si dita e shtatë e javës: 

Trupi yt, oj grua
– mbrëmje e rrëzuar në gjunj.
 
Kaq. Dhe Podrimja ikën. Por rivjen Vepra e tij. Që përmbledh shumëçka. Por ka prapë. Duke qenë poeti shqiptar më i përkthyeri dhe ndërkohë fisnik pa shtirje, më shumë se gjithkush ai u ka kushtuar me emër poezi të tjerëve, i jemi borxhlinj, do të thosha. Me të drejtë Presidenti i parë i Kosovës, Gandi i Ballkanit, Ibrahim Rugova, kishte vënë re që Podrimja është “rrëfim i pambyllur”. Por Vepra e tij e plotë do t’i ketë këto, kushtime, letërkëmbime, parathënie, siç ka dhe esetë, tregimet etj. 

8- Shfletoj. Kërkoj. Me lëkurën e vet, siç shkruan Podrimja në një poezi, ai arnoi lëkurën e atdheut. Është poeti më instiktiv që kemi, spontan dhe sfiduesi i së përkryerjes duke mbetur vetëm i natyrshëm, duke e bërë poezinë natyrë, pra përkryerje. Aq sa parake, po kaq dhe futuriste. Askush si Ai nuk i bashkoi këto skaje. Thirri si poet qysh i ri, u bë kushtrimtar. Dhe zërin e Tij e vuri në gojën e fisit, të popullit. Që të kërkonte vetveten, lirinë, të cilën të egrit e shekullit XX ia kishin shkelur.

9- Fenomeni Podrimja si epilog. Kujtoj kur ishim në Prishtinë për t’i dhënë lamtumirën e fundit një vit më parë. Teksa hidhnim grushtet me dhé në varrin e porsahapur, kori i burrave të Gjakovës, ku dhe ka lindur Poeti ynë, këndoi pikëllueshëm një elegji qiellore, shqiptare e gjitha, aq sa dhe kurorat e luleve dukej sikur po pikonin lot. E paharrueshme atë ditë në Prishtinë ishte vetë rruga. Të njohur, të panjohur ngushëllonin njëri-tjetrin për Poetin që ishte shuar befas në Francë, në festivalin tradicional të poezisë në Lodevë, buzë një pylli. Podrimja kishte ndër duar ca fije bari e gjethe, të fundit dhe të vetmet që i mori tokës duke i dhënë aq shumë. Gjindja kështu po ndante dhembjen mes vedi, poezia i kishte përbashkuar, e ndienin poetin më fort të vetin dhe veten të poetit. Ato ditë sms-të, mesazhet elektronike sikur e mbushnin ajrin me psherëtima për Podrimjen. Dhe pastaj vërshuan poezitë për të, nga gjithandej, u mbushën faqe gazetash në Prishtinë dhe në Tiranë, nga arbëreshët, nga Çamëria, nga Maqedonia, Mali i Zi duke e parë Podrimjen si investitor të zjarrit prometean, shkruanin nga përtej oqeanit, edhe nga ata që nuk e kishin njohur apo nuk e kishin parë ndonjëherë. Një antologji e re për Mjeshtrin e antologjive. Të gjithë donim të pakësonim vdekjen e Podrimjes, por në fakt ishte Podrimja që edhe i vdekur po sillte forcë jete, mendim sipëran qëndrese. Podrimja i përket një populli martir, që ndërsa ka nxjerrë një kryetrim, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, i shtoi botës dhe një Nënë Terezë, e cila bëri profesion dashurinë. Edhe poezia e tij emblematike sikur ka rreptësinë e shpatës dhe përdëllimin e lutjeve. Është një shpatë që lutet… Më vjen ta përfundoj fjalën time si rapsod: Trim mbi trima Poeti Ali Podrimja, që nant varra si nant vepra n’shtat m’i ka… Në pritje të së dhjetës! Ka poetë që kanë fuqinë të vazhdojnë dhe pas vdekjes.

Google+ Followers