“Thimi Mitko” po rrezikohet nga morri!

Vepror Hasani
Fondi i bibliotekës, ku ruhen vlera të rralla, po rrezikohet nga morri; kjo pasuri vendoset në duar të pasigurta për t’u kujdesur profesionalisht, si të mbahen e shërbehen librat dhe gjithçka tjetër e strehuar aty me vite. Askush nuk jep përgjigje për gjendjen e për më tepër për mungesën e aftësisë së punonjësve për të mirëmbajtur bibliotekën


Nëse ju ndodh që të shkoni në bibliotekën “Thimi Mitko” të Korçës dhe nëse keni vendosur që të eksploroni fondin e saj, atë pjesë ku ruhen vlerat e rralla historike dhe kulturore apo botime të tilla si gazeta “Korça” e Sami Pojanit, e cila është gazeta e parë që u botua në Shqipëri, si dhe mjaft materiale të tjera po me kaq vlerë, atëherë juve ju duhet të bëni kujdes, pasi keni hyrë në një zonë të rrezikshme. Me të hapur fletën e parë të materialit që keni përzgjedhur, do të ndieni një aromë të pakëndshme, të rëndë, të pështirë e të shpifur që ngjason me përzierjen mes kalbësirës dhe kutërbimit që lëshojnë sendet të cilat janë duke vdekur. Dhe e gjitha kjo nuk përfundon këtu, sepse herë pas here do të shihni që mes faqeve të gazetave do të dalin krijesa të çuditshme, që lëvizin me shpejtësi, duke u përpjekur të gjejnë një vend më të sigurt, pasi këto qenie ndiejnë se dikush po u prish strofullën e tyre të përjetshme dhe në këtë përpjekje të tyre për jetë a vdekje, këto gjallesa do t’i shohësh të të lëvizin nëpër duar, të të ngjiten deri te jaka e këmishës e më pas mund të ndiesh se të kanë mbërritur deri te flokët. Dhe këto insekte nuk janë gjë tjetër veçse morra, që brejnë çdo ditë letrën e librave. Kjo është situata në fondin e bibliotekës “Thimi Mitko” në Korçë. Cilat janë arsyet që ndodh kështu, po i shpjegojmë më poshtë.

Arsyet pse kështu
Jemi munduar gjithë këto ditë të kontaktojmë me një nga punonjëset e bibliotekës, Jorida Tollkuçi, por edhe pse ka një muaj e punësuar, nuk e kemi gjetur në vendin e punës. Së paku në tri raste ne kemi vënë në dijeni drejtorin e bibliotekës për mungesën e saj dhe ai, në të tria rastet, nuk ka mundur të na japë dot asnjë përgjigje pse punonjësja e bibliotekës nuk është paraqitur në punë. E pyetur nga ana jonë, rast pas rasti, punonjësja në fjalë na ka dhënë këto përgjigje: “Ashtu më doli një punë” ose “Po iki nga biblioteka dhe do të vij shpejt”, dhe më pas harron të kthehet. Ndërsa kur e kemi pyetur a ka qenë në dijeni drejtori për mungesat e saj në punë, Tollkuçi na ka dhënë këtë përgjigje: “Kam marrë leje diku tjetër”!!!
E lënë në mëshirë të fatit, biblioteka vazhdon të qëndrojë në një situatë të rëndë. Nga ana tjetër, mungesa e profesionalizmit të punonjëses së bibliotekës na shtyn të pyesim më tej se në çfarë kriteresh është emëruar punonjësja e re aty.
Për të hedhur dritë mbi këtë emërim ne kontaktuam me Benila Terovën, përgjegjësen e Marrëdhënieve me Publikun në Bashkinë Korçë, nga e cila deshëm të mësonim se cilat kishin qenë kriteret për këtë vend punë dhe nëse i përmbushte ose jo zonja Tollkuçi, por Terova nuk mund të na sqaronte mbi këtë çështje, pasi një përgjigje të tillë mund të na i jepte vetëm zyra e burimeve njerëzore. Për këtë arsye ne kontaktuam edhe me përgjegjësin e kësaj zyre, Hekuran Pupe, ku edhe ky i fundit nuk ishte në dijeni të kritereve dhe nëse i përmbushte ose jo punonjësja e përmendur më sipër, por sipas Pupes, ne duhet t’i drejtoheshim drejtorit të bibliotekës, pasi vetëm nga ky i fundit mund të merrnim një përgjigje të saktë. Për këtë arsye nga u desh që të kontaktonim edhe me drejtorin e bibliotekës, por për shkak të impenjimeve që ai kishte, mbeti të na sqaronte në ditët në vijim. Gjithsesi, e vërteta është se për këtë vend pune nuk pati asnjë njoftim nga ana e bashkisë dhe as ndonjë konkurrim. Jorida u vendos në punë si të gjitha punonjëset e tjera, sipas disa rregullave të pashkruara që zbatohen nga Bashkia e Korçës. Cilat janë ato?

Biblioteka, institucion fetar apo institucion shtetëror?
Rregullat e pashkruara të Bashkisë Korçë tashmë u bënë 20 vjet që dihen cilat janë: Nëse je ortodoks, mund të gjesh një vend pune në bashki ose në institucionet e tjera që varen prej saj, dhe nëse je mysliman, je i dënuar të mbetesh i papunë, sepse nuk je i preferuari i drejtuesve të saj. Dikush mund të thotë: “Si ka mundësi të ndodhë kështu, sepse kjo gjë do të ishte një skandal i vërtetë”, por ja që e vërteta është kjo që po shkruajmë. Madje, vini re çfarë ndodh: Në bibliotekën “Thimi Mitko” të Korçës punojnë 11 punonjëse, 10 prej tyre janë bibliotekare, sepse i përkasin besimit ortodoks, ndërsa fshesaxhija është myslimankë, sepse nuk mund të ndodhë ndryshe. Shpjegimi më i qartë s’ka si bëhet; e njëjta gjë ndodh edhe në Bashkinë e Korçës, gjë që e kemi denoncuar kohë më parë, rasti e solli që kësaj radhe të zbulojmë se edhe biblioteka e Korçës vështrohet nga bashkia si një institucion fetar dhe jo si një institucion shtetëror. Gjithsesi, dikush mund të pyesë sërish: “Po morrat ku janë, se e nise me këto insekte dhe i harrove?” Pyetja është e drejtë, ndërsa përgjigjja është vetëm kjo: Atje ku abuzohet me vendet e punës, morrat zaptojnë çdo kënd të institucioneve, ejani dhe shihni fondin e bibliotekës së Korçës se si po vdes çdo ditë një nga pasuritë e rralla të saj dhe kjo për shkak të morrave.

Google+ Followers