Një enciklopedi albanologjike


Libri më i ri që studiuesi Shaban Sinani i paraqet lexuesit, nën titullin “Pyetje në albanologji - autorë dhe teza”, ashtu si tërësia e studimeve të tij (mbi 20 tituj librash të publikuar deri më tani), përveç vlerave shkencore, përbën një kontribut për theksimin e origjinalitetit në kërkimet shqiptare, në një kohë kur pikërisht origjinaliteti në një pjesë të madhe të studimeve të sotme është mjegulluar. Libri “Pyetje në albanologji”, i sapo publikuar nga shtëpia botuese “Naimi”, merret me autoritete, argumente e probleme të hershme e të sotme të albanologjisë. Krahas identifikimit të imët të kontributeve të këtyre autoriteteve, si: A. Buda, Dora d’Istria, Hasan Ceka, De Rada, Lef Nosi, Mahir Domi, Qemal Haxhihasani, Shaban Demiraj, Tahir Dizdari, Vexhi Buhara, Matteo Mandalà, Maximilian Lambertz, Milan Šufflay etj., krahas tezave e hipotezave të tyre për çështje të tilla, si origjina e kombit shqiptar, historia dhe gjuha e tij, eposi, folklori etj., autori, me modesti dhe me një stil elegant rigoroz, duke marrë shkas prej pikënisjes, ofron të dhëna, gërsheton njohuri ndërdisiplinore, hedh teza e hipoteza të reja, duke na bërë të kuptojmë jo vetëm zotësinë e tij, por dhe të zbulojmë vlera të reja tek ata për të cilët shkruan. Ndryshe nga disa grupe studiuesish, që nuk kanë shkruar qoftë dhe një rresht në nderim të personaliteteve të të njëjtit urdhër, ose të tillëve që kujtojnë se mund të mbingrohen duke mohuar e errësuar punën e paraardhësve apo të tjerëve ende, që sipas shijes së pragmatikës ditore, duan të zhvlerësojnë dijen dhe dijetarët për hesap të orientimit, ky libër i Shaban Sinanit dëshmon se albanologjia, ashtu si çdo degë tjetër shkence, nuk mund të ngrihet në një stad të ri pa njohuritë, dijet e kontributin e “të parëve”, të atyre që kanë kontribuar para nesh. Nuk është e rastit që autori i librit ka përfshirë këtu edhe disa figura që ishin mënjanuar, si: Lef Nosi, Haxhi Shehreti i Delvinës, Dora d’Istria, Margaret Hasluck apo të dhënat e zbuluara prej tij mbi kontin Junku të Krajës, një familje patriotike shqiptare, duke i vlerësuar si burime të dhënash me vlera të shumëfishta etnologjike, gjuhësore, folkloristike dhe historike.

Google+ Followers