Ndriçim Kulla: Kadare, ndërmjetës i Hoxhës me Perëndimin


Ndriçim Kulla

Pyetjet nisën të bëhen gjithmonë e më me këmbëngulje për diplomatët shqiptarë: "Pse nuk udhëton kurrë ky Kadareja në Francë, në Perëndim? A i lejohet të udhëtojë?" Ndonëse Kadareja akoma nuk ishte përkthyer në frëngjisht, përsëri emri i tij kishte depërtuar në sallonet kulturore të Parisit dhe në rrethet e botuesve atje. Vërtet shumë pak francezë mund të lexonin në shqip, por shumë më tepër francezë, si dhe të tjerë perëndimorë jofrancezë, gazetarë, kritikë letrarë etj., mund të lexonin në rusisht dhe atyre u kishte rënë në dorë vëllimi poetik i Kadaresë i botuar në rusisht. Libri ishte një gjë që i bënte përshtypje një perëndimori, për shkak se autori kritikohej për ndikime perëndimore.
Diplomatët shqiptarë në Paris bënin përpjekje të mëdha për t'i bindur bashkëbiseduesit se Kadareja ishte i lirë të udhëtonte kur të donte dhe ku të donte, por për momentin ai ishte i zënë me punën e tij krijuese dhe nuk kishte dëshirë të udhëtonte. Ja, shtonin diplomatët shqiptarë, kohët e fundit Kadareja ka qenë në Kinë dhe në Vietnamin e Veriut.
Erdhi një moment kur pyetjet në Paris u bënë aq këmbëngulëse sa me këtë çështje iu desh të merret vetë Enver Hoxhës. Por diktatori donte që t' ia ruante Parisin shkrimtarit si dhuratë për veprat letrare që do të kishte shkruar për të. Atë Parisin mund ta fitosh si shpërblim për portretin tim letrar, pëllumb, ishte mesazhi i heshtur i diktatorit për shkrimtarin, që përcillej me mungesën e lejes për të vizituar Francën. Tanimë po bëhej gati një dekadë që nga pakti i tyre i heshtur dhe shkrimtari akoma nuk kishte bërë ndonjë vepër për të. Tanimë shkrimtari kishte marrë dy kërkesa dhe kërcënime rresht nga diktatori. Të tretë nuk do të kishte me sa duket. Shkrimtari e kuptoi se tani duhet të ndërmerrte diçka. Jo thjesht për të larguar zemërimin e diktatorit dhe për të fituar të drejtën të vizitonte Parisin, por se kështu mendonte se mund t' i shërbente popullit të tij, duke kontribuar sadopak për të ndryshuar kursin e vendit në drejtimin e dëshiruar nga Perëndimi. Kadareja vendosi që ta sfidonte diktatorin duke kërkuar që të shkruante një libër për prishjen e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Nëse diktatori donte që ai shkrimtari i parë i vendit të shkruante diçka për të, atëherë ishte shkrimtari ai që zgjidhte të shkruante një roman për atë ngjarje që kishte në qendër një episod me të cilin Enver Hoxha mburrej aq shumë, pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e partive komuniste të botës në Moskë në nëntor 1960 kur Enver Hoxha ishte ndeshur me Hrushovin. Shkrimtari donte që me një gur të vriste dy zogj si i thonë fjalës. Kadareja donte që të njihej me dokumentet sekrete që kishin të bënin me këtë ngjarje dhe ta përshkruante atë artistikisht, si dhe të kishte mundësi që me anë të librit t' i dërgonte një mesazh diktatorit, duke i thënë se përse shërbeu kjo ngjarje e madhe nëse ai nuk e përdori atë për të ndjekur rrugën e Titos, afrimin me Perëndimin. Kadareja kur vendosi të shkruante librin, me zgjuarsi nuk iu drejtua me një kërkesë vetë Enver Hoxhës (duhet të bënte një kërkesë patjetër për shkak të dokumenteve sekrete që i duheshin për të shkruar librin) por iu drejtua Ramiz Alisë, njeriut i cili e kishte kritikuar në mbledhjen e vitit 1961 dhe që ishte i afërt me Nexhmije Hoxhën....
Kur Ramiz Alia e vonoi kështu shkrimtarin, tani që kishte përgjegjësi direkte për kërke-sën e tij, mund të mendohet se si do të kishte vepruar nëqoftëse kërkesa do të kishte shkuar nga Lidhja e Shkrimtarëve në zyrat e Komitetit Qendror. Në këtë rastin e fundit, Ramiz Alia nuk do ta kishte pasur të vështirë të sajonte shumë shkaqe që kërkesa të bënte ecejake për shumë vjet. Hezitimi i Ramiz Alisë duket se vjen ngaqë ai e ka marrë me mend se çfarë kishte ndërmend shkrimtari dhe nuk donte të kishte telashe.
Kur Kadare mori vendimin për të shkruar librin për prishjen shqiptaro-sovjetike, ai mendonte se pasi të botohej libri në shqip, e siç shpresonte shkrimtari edhe në frëngjisht, Perëndimi do të shihte te ky libër, që kuptohej se nuk mund të ishte shkruar pa lejen e diktatorit për përdorimin e dokumenteve sekrete, shenjën më të qartë se Enver Hoxha po i kërkonte Perëndimit shpërblimin për prishjen me Bashkimin Sovjetik, pra pranimin e tij nga Perëndimi. Libri ishte një sinjal se Kadareja kishte miratimin e heshtur të Enver Hoxhës për t' u bërë ndërmjetësi i këtij të fundit me Perëndimin, duke i kërkuar Perëndimit shpjegime se përse nuk e pranonte Enver Hoxhën ashtu siç kishte pranuar Titon. Më vonë shkrimtari ka pranuar se kjo ishte një shpresë e kotë, pasi fati i Shqipërisë ishte vendosur në marrëveshje sekrete mes Perëndimit dhe Rusisë, por në kohën kur shkrimtari bënte këto përpjekje, kjo nuk mund të mos quhej një ndërmarrje fisnike, dhe me risk të madh siç e tregoi koha. Tani shkrimtari e kishte bërë zgjedhjen e tij për ta lidhur fatin e tij me romanin që po shkruante për prishjen me Bashkimin Sovjetik. Ai e dinte se ky roman, mund t' i jepte një periudhë ripërtëritjeje të paktit me diktatorin, por mund edhe ta rroposte fare. Çfarë do të ndodhte në rast se Perëndimi nuk do ta pranonte mesazhin, do të bënte sikur nuk e kuptonte? Diktatori do të zemërohej shumë me shkrimtarin dhe mund ta bënte atë ta paguante shtrenjtë përpjekjen e tij.
Të gjitha këto vuajtje psikologjike të shkrimtarit janë shfaqur në një mënyrë interesante në romanin e tij "Kështjella" që u shkrua në periudhën midis pranimit të kërkesës së Kadaresë për të bërë një roman për prishjen shqiptaro-sovjetike dhe fillimit të punës për këtë roman. Kadareja vendosi ta përdorë pozitën e përkohshme të favorshme që kishte fituar, pasi iu miratua kërkesa për të shkruar romanin për prishjen shqiptaro-sovjetike, për të botuar ndërkohë libra që ndryshe nuk do të ishte në gjendje t' i botonte. Kadare bën këtë dialog me gazetarin Denis Fernandez Recatala për këtë çështje në librin "Kohë barbare":
Kur arrita të shtij në dorë materialin e dosjes, iu futa menjëherë punës për të shkruar "Kështjellën". -Përse? -Kisha kohë, kohë të lirë dhe qetësi, mandej nuk isha i sigurt se kjo situatë do të vazhdonte kështu. Ia dhashë botuesit këtë roman që nuk kishte të bënte fare me komunizmin. Ai ishte i shqetësuar. (Ismail Kadare, Denis Fernandez Recatala: "Kohë barbare", Shtëpia botuese "Onufri", Tiranë, 2005, f. 66-67)
Pikërisht në romanin "Kështjella", Kadareja e ka vënë vargun e Eseninit "Gori zvjezda moja, nje padaj" (Mbahu o ylli im, mos bjer) në gojën e një personazhi, të astrologut të ushtrisë turke që ka rrethuar kështjellën. Astrologu kishte si detyrë që të studionte yjet dhe të bënte një parashikim se kur ishte ishte koha e përshtatshme për të sulmuar kështjellën. Por astrologu fitoi zemërimin e kryekomandantit të ushtrisë turke për shkak se bëri një parashikim të gabuar për ditën e favorshme të sulmit, sipas yjeve.
Ç'lidhje ka parë shkrimtari mes vetvetes dhe personazhit të astrologut? Kuptohet se Kadaresë i është dukur i ngjashëm me rolin e astrologut të ushtrisë turke, roli i ndërmjetësit mes diktatorit dhe Perëndimit, që kishte marrë përsipër ai. Në romanin "Kështjella" astrologu ndëshkohet nga kryekomandanti turk për shkak të parashikimeve të gabuara dhe përfundon si i burgosur që punonte në gërmimin e llagëmit me të cilin kërkohej të depërtohej në kështjellë nga nëntoka. Fati i astrologut në roman është një shenjë se Kadareja kishte frikë se diktatori do ta ndëshkonte rreptë nëqoftëse Perëndimi nuk do t' u përgjigjej demarsheve të tij. Llagëmi ku përfundon astrologu është një aluzion për minierat ku punonin të burgosurit politikë në Shqipëri dhe ku shkrimtari mund të përfundonte nëqoftëse diktatori do ta humbiste durimin me të.
Duke kërkuar që të shkruante një roman me temë për prishjen e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik Kadareja rrezikonte shumë, sepse ky libër do të shqyrtohej shumë më imtësisht se çdo libër tjetër i tij dhe konservatorët do të kërkonin që ta përdornin atë për ta shkatërruar shkrimtarin. Që kur konservatorët mësuan për kërkesën e shkrimtarit, ata duhet të kenë fërkuar duart të sigurt në fitoren e tyre, se ata e njihnin mirë shkrimtarin dhe e dinin se ai nuk do të rrinte dot pa bërë ndonjë nga ato të pabërat e tij në libër. Diktatori duhet të ketë qenë në dilemë nëse duhet t' i jepte mundësi shkrimtarit që ta shkruante këtë libër apo jo. Nga njëra anë Enver Hoxha e kuptonte se përshkrimi në një vepër letrare i prishjes shqiptaro-sovjetike do të ishte mënyra më e mirë për të realizuar kërkesën e tij për t' iu bërë portreti letrar. Nga ana tjetër diktatori mendonte se shkrimtari do t' i krijonte probleme të padëshiruara me shtresat e militantëve partiakë, për të cilët e dinte se nuk e donin shkrimtarin. Diktatori me rastin e shkrimit të këtij libri deshi ta takojë për herë të parë shkrimtarin. Kadare shkruan mbi këtë:
Ky takim, që është i pari dhe i fundit midis nesh, ndodhi në vitin 1971, në kohën që po skicoja strukturën e romanit. Ai ishte gjoja i rastësishëm. E shoqja e tij N. Hoxha, prej së cilës varej arkivi i partisë prej nga do të tërhiqja dosjen e fshehtë të bisedimeve të Moskës, më kishte folur në shtëpi për të biseduar për këtë gjë e për të pirë një kafe. Pas njëfarë kohe, ai hyri në dhomë duke kërkuar ndjesë që po na shqetësonte. Të ulem dhe unë një çikë? Mos po ju prish bisedën? (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese "Onufri", Tiranë 2009, f. 248-249)
Diktatori ishte në hall se ai kishte pritur që shkrimtari, pas vlerësimit në publik që i ishte bërë atij në mbledhjen e korrikut 1961, të kërkonte vetë një takim me të, gjë që do të ishte e natyrshme, se shkrimtari i parë i vendit kishte nevojë ta njihte udhëheqësin për të shkruar për të. Enver Hoxha sigurisht që do ta kishte mirëpritur këtë kërkesë, ndonëse do të kishte bërë disa naze, duke e shtyrë takimin, sikur ishte i zënë me punë. Por shkrimtari nuk e kërkoi këtë takim kështu që diktatori u detyrua që ta kërkonte vetë takimin indirekt me anë të gruas së tij. Por për të dy, shkrimtarin dhe diktatorin ishte e qartë se ishte diktatori ai që kishte kërkuar një takim në shtëpinë e tij me shkrimtarin. Enver Hoxha e kërkoi takimin me shkrimtarin, para së gjithash që të mund t'i jepte mundësi atij ta njihte nga afër, gjë që do të ishte e nevojshme për ta përshkruar si personazh në libër. Kadare tregohet shumë i sinqertë dhe nuk kërkon të na bindë se Enver Hoxha u ndodh rastësisht në atë bisedë që Kadare dhe gruaja e tij, kishin me gruan e diktatorit. Kadare, në librin "Pesha e kryqit", shkruan për sjelljen e diktatorit në këtë takim:
Aktor i përsosur, ishte aq i sjellshëm e engjëllor, saqë të bënte të ndiheshe fajtor për të ligat që mund të kishe menduar për të. Me sa dukej, kishte aftësinë, që në çaste të caktuara, të bëhej vërtet ashtu siç donte të paraqitej, përndryshe mirësjellja e tij s' mund të ishte aq vijimisht e natyrshme... E folura e tij sa vente e po më habiste. Për një të tretë, kjo ishte biseda midis dy intelektualëve, që kishin lindur në të njëjtin qytet dhe që nuk donin të dinin se ekzistonte në botë komunizmi ose lufta e klasave, madje politika në përgjithësi. (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese "Onufri", Tiranë 2009, f. 249)
Diktatori qëllimisht u soll në mënyrë shumë miqësore dhe të përzemërt me shkrimtarin, që t' i bënte atij një përshtypje të mirë. Diktatori, gjatë bisedës me shkrimtarin mendonte për përshkrimin që do t' i bënte ky i fundit figurës së tij. Kështu që diktatori donte ta mbushte shkrimtarin me përshtypjet që donte ai për figurën e tij. Të dy e dinin se më pas mund të ndodhte që diktatori të jepte urdhër për goditjen e shkrimtarit, por atë ditë ata ishin dy njerëz të barabartë, miqësorë me njëri-tjetrin, që po kalonin një pasdite të këndshme... Shkrimtarit nuk mund të mos i ketë bërë përshtypje kjo sjellje e pazakonshme e diktatorit. Çfarë mesazhi kishte dashur t' i përcillte diktatori shkrimtarit të parë të vendit me këtë sjellje? Me sa duket diktatori e kishte kuptuar qëllimin e fshehtë të Kadaresë me këtë roman, për të bërë ndërmjetësin mes tij dhe Perëndimit.
Diktatori, duke e kuptuar këtë qëllim të shkrimtarit të parë të vendit, për t'u bërë ndërmjetës mes tij dhe Perëndimit, deshi t' i bënte një surprizë shkrimtarit, duke i demonstruar pikërisht atë imazh të zbutur të tij, të cilin shkrimtari kërkonte t' ia ofronte si maskë. Me këtë diktatori donte që ta inkurajonte shkrimtarin e parë të vendit, dhe donte t' i jepte atij këtë mesazh: "Unë di të jem edhe kështu, plotësisht i ndryshëm nga një udhëheqës stalinist, di të jem aspak komunist. Dhe jo vetëm në një bisedë private, në shtëpinë time, por me të gjithë vendin, me të gjithë botën. Di ta bëj rolin e Titos edhe më mirë se ai, pra di të jem krejt si një lider perëndimor. Meqenëse ti dashke ta provosh atëherë merre dhe përcille këtë figurë timen në Perëndim dhe të shohim se si do ta presin ata. Para dhjetë vjetësh nuk më ofruan gjë, ndryshe nga ç'bënë me Titon pas vitit 1948. Të shikojmë se mos bëjnë gjë tani".
Për ta përforcuar mesazhin që do t' i jepej Perëndimit me anë të librit të ardhshëm të Kadaresë, Enver Hoxha bëri dhe dy lëvizje të tjera, për të cilat ai mendonte se Perëndimi nuk mund të mos i kuptonte. E para ishte që nisi një periudhë të liberalizimit të jetës së vendit në kulturë e në mënyrën e jetesës. E dyta që lejoi shkrimtarin që po shkruante librin-mesazh për Perëndimin që të udhëtonte në Perëndim në Paris. Të dy këto mesazhe duhet ta bënin Perëndimin që të kuptonte se ai diktatori shqiptar ishte gati të sillej si Titoja, madje ndoshta edhe të shkonte më tej se ai. E gjithë kjo nisi me vizitën e Kadaresë në shtëpinë e diktatorit dhe me bisedën e pazakonshme që patën ata të dy. Fryma e asaj bisede u ndje shpejt në të gjithë vendin. Por edhe pas kësaj pritjeje në shtëpinë e diktatorit, mosbesimi i Enver Hoxhës ndaj shkrimtarit dukej nga shumë shenja. Njërën prej tyre na e tregon Kadare në librin "Katër përkthyesit", të shkruar së bashku me gazetarin francez Denis Fernandez Recatala, ku na jep këtë detaj nga takimi i tij me Nexhmije Hoxhën, kur ai i shkoi në zyrë gruas së diktatorit për të marrë dosjen sekrete mbi mbledhjen e Moskës: "Nexhmije Hoxha e njohu shkrimtarin me rregullat që duhej të zbatonte. Ai duhej t' i linte shënimet aty dhe do t' ia kthenin përsëri pasi t' i kishin kontrolluar..."
Kuptohet se kjo sjellje e Nexhmije Hoxhës ishte pasojë e frikës së diktatorit se mos shkrimtari i nxirrte jashtë Shqipërisë dokumentet sekrete. Shkrimtari nuk kishte arsye përse të mos u përmbahej rregullave ndërkombëtare. Në fund të fundit ai donte të shkruante një roman dhe jo të bënte spiunazh. Nëqoftëse shkrimtari do të shkelte rregullat nga kjo gjë do të përfitonin vetëm konservatorët, të cilët do të gjenin rastin e kërkuar për të vërtetuar tezën e tyre se Kadareja ishte fatkeqësia e Shqipërisë socialiste. Tanimë që diktatori u bind se shkrimtari i parë i vendit nisi të punonte seriozisht për të realizuar paktin e tyre të lidhur dhjetë vjet më parë, ai vendosi ta lejonte Kadarenë që të shkojë në Paris për një vizitë atje. Duhet të ketë pasur në këtë leje dhe një llogari djallëzore të diktatorit. Me zgjuarsinë e tij, Enver Hoxha duhet ta ketë marrë vesh pak a shumë se Kadareja ishte duke kaluar një krizë të re si shkrimtar. Raportet e spiunëve që kontaktonin me shkrimtarin, në tërësinë e tyre duhet t' ia bënin të qartë diktatorit tablonë e gjendjes shpirtërore të Kadaresë. Kriza e shkrimtarit, e shkaktuar pas mënyrës sesi u kritikua "Përbindëshi" e futi shkrimtarin në një mërzi të thellë. Pritja që iu bë "Përbindëshit" do të thoshte se në Shqipëri nuk kishte asnjë shpresë për të bërë letërsi të vërtetë. Kadareja e përshkruan kështu krizën e tij të kësaj periudhe, më tepër se dy dekada më pas: Pas dushit të ftohtë me të cilin u prit "Përbindëshi" dhe sidomos me afrimin e viteve 1966-1967, gjithçka ndryshoi me shpejtësi... Ndjenja e shkretisë dhe e vdekjes ishte kaq zotëruese, saqë një ditë, ndërsa po bëja shkarravina të kota mbi një copë letër, pashë se nën emrin dhe mbiemrin tim I. K. kisha shkruar në kllapa: "1936-1967".
Historia e letërsisë botërore na thotë se shkrimtarët e mëdhenj, në periudha krizash të tilla krijuese, ndërmarrin udhëtime jashtë vendit të tyre, për të njohur kultura të tjera, vende të tjera, kolegë të rinj etj. Kadareja në mes të krizës së tij krijuese kishte shkuar në… Kinën e Revolucionit Kultural, gjë që nuk mund të mos sillte një traumë më vete. Shkrimtari nuk ishte i lirë të zgjidhte se ku do të udhëtonte. Këtë gjë e kishte në dorë diktatura, ose më saktë vetë diktatori. Por edhe diktatori ishte i trembur se mos e humbte shkrimtarin e parë të vendit. Nëqoftëse Kadareja do të bëhej një shkrimtar shterp i humbur do të ishte edhe diktatori që priste prej vitesh prej këtij shkrimtari portretin e tij letrar. Prandaj në 1971 diktatori me sa duket kundër dëshirës së vet, vendosi që ta lejonte shkrimtarin e parë të vendit që të udhëtonte në Paris. Në atë kohë Parisi ishte ai që i nevojitej Kadaresë për të gjetur vetveten...
Parisi ishte ai që ngriti i pari zërin që në fillim të viteve shtatëdhjetë duke i tërhequr vëmendjen jurisë së Çmimit Nobel ndaj këtij shkrimtari shqiptar që e meritonte çmimin botëror për letërsinë. Botimin dhe vlerësimin e veprave të Kadaresë në Perëndim konservatorët në Shqipëri e panë si provën më të mirë se ata kishin pasur të drejtë në akuzat e tyre ndaj këtij shkrimtari. Kjo sipas parimit të tyre se një njeri duhet gjykuar sipas qëndrimit që mban armiku për të. Kështu që me botimin dhe njohjen në Perëndim, nisën të shtohen edhe problemet e Kadaresë në Shqipëri.

Google+ Followers