M'i ktheni ato zhele

Nga Vasko Popa*


Para lojës
Mbyll njërin sy dhe tjetrin më pas
Përgjo, kah vetja e drejt secilit qoshk
Këqyr, të mos ketë gozhdë, apo ndonjë tinzak.
Të mos preket ajo veza e dogzës1

Mbyll dhe tjetrin sy
Kruspullosu, dhe pastaj kërce.
Kërce, lart, lart e më lart akoma…
Deri në majë, si di vetëm ti.
Dhe, më vonë, kur bie, me gjithë peshën rëndo
Në ditët kur bie pra, thellë, thellë, e më thellë akoma…
Mu në truall të honit tënd

Kur s'thyhet copash
Kush mbetet i gjithi dhe i tëri ngrihet
Ai, e bën vërtet ktë' lojë
1-Lojë lokale sllave. Ajo, në Serbi, dikur bëhej me vezë, por në Shqipëri me këtë emër njihet një lojë e ngjashme, që luhet në zonën e Beratit. Ai, që është në qendër të lojës, nuk lë njerëzit që e rrethojnë t'i thyejnë vezën (tek ne sende të tjera) që e ruan me një shkop.
***
Mes Lojës
Askush nuk qetohet
Ai, vazhdimisht këqyr me sy
I ngjit ato mbi kokën e vet
E kurdo që do apo s'do, pas të ikë
I ngul ato mbi t'tijat taban
Si kurdo që do apo s'do, të kthejë ecjen kah vetes

Kjo, tamam, i mbërrin në një vesh
Dhe kap gjithë çka që s'mund të ndjejë
Askush nuk pushon
Veçse ai po na fillon t'mërzitet
Ka mall të kthehet tek vetja
Por pa sytë, ja, që s'na mundet kurrsesi

E kjo, mu atëher', i nxjerr t'gjithë çehren e vet
Njëra pas tjetrës i flak në atlla
Të fundmen e hedh mes këmbëve
Dhe, ai, kokën zhyt mes duarvet

E fundit ia shtrin këqyrjen
E shtriq drejt njërit gisht t'madh e po kah tjetrit gisht
Ecin tek ai dhe ecin
N'fillim më ngadalë pastaj shpejt
E pastaj shpejt e më shpejt.

Ai që luan me kokn' e vet
Manovron thjesht në ajri
E pret atë me gishtin tregues
Apo s'do e has më dot fare apo kurdo

E askush pra nuk pushon
***
Mendimi arrogant
Na ishte dikur një gabim
Kaq budalla, e kaq i vogël
Saqë askush nuk arrinte me e këqyr

Por mu brenda vetes s'e dinte
E as e shihte e as e ndjente

Sesi mund të shpikte gjëra lloj-lloj
Thjesht donte ta provonte
Se në të vërtetë nuk ekzistonte

Pa na shpiku edhe një hapësirë
Provat e saj të ekzistencës brenda t'linte
Dhe kohën me provat e veta ta mbante
Dhe bota në të, provat t'na i këqyrte

Të gjitha u shpikën
Nuk ishte kaq qesharake
Dhe kaq i vogël
Por që na ishte natyrisht gabim

Mund të kishte qenë mbase një fare gjë tjetër.

***

Kali
Zakonisht
Ai ka tetë këmbë

Mes nofullave të tij
Njeriu ka vendosur
Në të, katër cepat e botës
Atëherë, kur iu gjakos goja
Do të donte
Ta përtypte përmes atij kërcelli misri
Na ishte kjo, kohë të shkuara

Në sytë e tij t'bukur
Hidhërimi është mbyllur
Në një qerthull
Sepse udhëza, fund s'ka
Dhe e gjithë toka
Drejt vetes tërheq

***
Kthehu në strofkullën tënde
Kthehu në strofkullën tënde
O ujk i çalë e langaraq

Mu atje dergju
Derisa hungëritja të të ngrijë
Dhe mallkimi i venitur
Njësh, me pishtarin e gjuetisë të vdesë

kur çdo kush të të bjerë
duarbosh në vetvete
dhe t'kafshojë gjuhën e vet të ankthit

E sunduesit kokëqena me thikën pas veshit
gjuetarët me seksin e tyre mbi shpatulla
bashkë me dragojtë e gjuetisë, vet at' ujkngrënësit

Katërkëmbësh t'zvarriten para teje
Dhe t'i gulçojnë lavdisë tënde
Deri si në ato, pra t'lavdat
Kohë të lavdat tuat

Ndaj, të lutem ty i moçmi Zot, o çalamani, ujku im
Kthehu pra në at' strofkullën tënde.
***
Në fund
Kockë unë, kockë dhe ti
Përse ti po më gllabëron
S'mund ta këqyr më

Ç'është me ty
Ti po më gllabëron
S'mund më veten ta shikoj

Tani s'di më ku jam
Nuk mund ta themi më
Ku janë dhe kush jemi
E gjitha thjesht, një ëndërr e pluhurt shëmtaraqe

Më dëgjon

Dëgjoj dhe ty dhe veten
Nga një britmë është britmuar

***
M’i ktheni ato zhele
Sapo m'plasën në kokë
Mendimet e mia t'çjerrin faqen
Vetëm kur dalin para meje
Sytë e mi ty po t'gërvishin
Vetëm hap gojën
Heshtja ime të t'shpërthejë nofullën
Vetëm më ndërmend pra për veten
Kujtesa ime, tokën nën këmbë një gropë të t'hapë
Ja kështu qëndrojnë gjërat mes nesh

Mi kthe pas ato zhelet
Zhelet e mia plot ëndrra të qashtra
Nga buzëqeshja e mëndafshtë e gungave me vija
E tejzave të mia si gajtan
Zhelet e mia të shpresës me pikëzat qëndisur
E dëshirës së filigramtë t'pamjes prej basme
E cipës së fytyrës sime
Mi kthe pra ato zhelet e mia
Mi kthe, po t'përgjërohem

Dëgjo ti teveqel
Hiqe kët shaminë e bardhë
E njihemi
Bashkë, që nga koha e vegjëlisë
Kur hanim nga i njëjti çanak
E në të njëjtin shtrat flinim
Me atë thikën e tmerrshme
Në këtë botë të keqe, ecnim
E me gjarprin tënd nën këmishë
A e ndjen ti i pabesë
Hiqe pra ti shaminë e bardhë
Pse e gënjejmë ende njëri-tjetrin

Nuk të mbaj kaliqafë
S'të çoj as atje ku më thua
S'do doja sikur edhe me ar t'më vishje
Edhe sikur mprehur t'isha në karrocën e erës me tre rrota
Edhe nëse kapistallin në ylber t'kisha
S'mund t'më blesh
S'mund t'më blatosh ryshfet
Nuk mund t'ma shkosh fillin në vrimëzë
Apo ta zvogëlosh thjesht me një dajak t'thjeshtë
Nuk më frikëson
Nuk dua t'pjek apo t'djeg
As të zhvoshkur e as kripur
Madje as edhe në ëndërr
Mos u tall
Asgjë nuk të shkon e di.

Përjashta nga murana ime e pafund
Nga vallja rrethore në timen zemër
Nga kafshata ime e diellit
Jashtë nga deti argëtues i gjakut tim
Nga rrjedha dhe nga zbatica ime
Jashtë qetësisë sime të braktisur
Jashtë, pra, të thashë, jashtë
Jashtë, nga jeta ime e shqyer
Nga trungu-atësor brenda meje
Jashtë, sa herë duhet të ta them
Jashtë pra edhe nga koka ime që copash po shpërthen
Jashtë, pra, e vetëm jashtë


Ty të vjen si shurdhët
Unë i laj ato në gjakun tim
I vesh ato ndër zhelet e lëkurës sime
Bëj tundje nga flokët e mi për to
Karro lodre prej vertebrave t'mia
Fluturakë prej vetullave të mi
I bëj ato flutura për buzëqeshjen time
Kafshë të egra nga dhëmbët e mi
Të gjuaj e t'vras kohën
Po çfarë është për mua vallë kjo lojë.

Mallkuar ti dhe kurora
Dhe gjithçka tjetër në jetë
Çdo imazh le t'thahet në trurin tënd
E vallë çdo sy vëngërosh mbi gishtin tënd
Dhe çdo hap që ti bën
E secili, tjetrin ta zhysë drejt
Tre kazanëve apo ujit
të tre furrave të shenjës së zjarrtë
Në tre guva pa emër dhe pa qumësht
I ftohti të t´vi mu në grykë
Tek guriçka poshtë sisës të majtë
Mu tek zogu biçak në këtë guriçkë
E gjithë në këtë poçe të zbrazët
Drejt gërshërëve të uritura të fillimit
E mu gjirit t'qiellit që e njoh aq mirë


Çka ndodhur me zhelet e mia
Ti s'mundesh t'mi kthesh pas pra, s'mundesh
Do t'i përzhis ty vetullat
S'mund të jesh i padukshëm përgjithnjë
Do të përziej ditë e natë në kafkën tënde
Do ta godasësh kokën pas derës sime
Do t'i pres thonjtë gërvishtës
Që vija të mos më heqësh më mbi tru
Do ta heq ty mjegullën prej kockave
Që të mbllaçitësh kukutë prej gjuhës
Do t'shikosh se ç'mund të bëj
T'gjithë këto fara dhe lëngu dhe ndriço
Dhe terri dhe pika deri në fund të jetës sime
Dhe gjithçkaje në jetë

Kështu ti donke pra edhe të duhemi
Mund t'më krijosh sërish në krye prej hirit
Nga gjepurat e t'qeshurës sime t'fryrë
Mundesh bukurosh
Mundesh t'më kapësh nga fijet e memories sime të pakët
T'ma qafosh natën në këmishën e boshtë
Të ma duash jehonën
Dhe ti që s'di të dashurosh


Zhduke teveqel
Gjurmët tona hanë njëra-tjetrën
Hahen për rërën e lënë pas
Ne s'jemi bërë për njeri-tjetrin
Krejt ftohtësinë prej teje këqyr
Përmes teje kaloj pash më pash
S'ka shumë nga loja
Pse nuk i përzihem kurrë rreckat
Më kthe çfarë do prej tyre
Më kot ndër shpatulla t'bien
Mi kthe ato në harresë, si ikjen tënde
Zhduku teveqel prej teveqelit
Ku i ke sytë
Një tjetër teveqel këtu është

Tu zezoftë gjuha dhe shpresa
Tu bëftë e zezë edhe vetëm ethja ime e bardhë
Ti ujku nën grykën time
Stuhia, t'u bëftë shtrat
Tmerri im nënkrejsja
Tu zgjerovtë livadhi i pagjumësisë tënde
Tu bëftë çdo kafshatë e vështirë dhe dhëmbët prej dylli
Po ti thirr një llupës
Për aq sa do duash me përtyp
Qeto ti erën, s'ka ujë dhe s'ka lule
E në t'gjithë, të vetmet t'mbesin dhëmbët që kërcasin zhurmshëm
Fajkoi im në grykën tënde
Një tmerr më pak për nënën tënde


E fshiva fytyrën tënde nga fytyra ime
E çora hijen tënde nga hija ime
Duke niveluar kodra tek ty
Duke i kthyer fushat n'kodra
Duke bërë sherre për çdo stinë
Duke goditur cepat e botës nga ju
Duke lidhur udhët e jetës sime rreth teje
Timen udhë të madhe dhe të pamundur
E tani, thjesht përpiqu t'më takosh

Mjaft me llomotitjet e bukura, mjaft me çikërrimat nojmake
S'dua t'i dëgjoj dhe as t'i di
Mjaft dhe mjaft me gjithçka
Do t'i them të fundit mjaft pra
Do e mbush me dhe gojën
Të grij dhëmbët
Do të mbyll së sharruari
Do ta mbyll njëherë e përgjithnjë
Duke qëndruar ashtu si jam

Pa rrënjë, pa kufi pa kurorë
Do të prirem nga vetja
Në atë xhungën time

Do jetë një gjemb që të hyn
Një i vetëm që tek ty mund të jetë
Drejt shastisjes në at' palidhjen tënde
Ti (Ajo) s'do të kthehesh më

Mos u tall me mua teveqel
Ti fsheh një thikë nën shaminë e kokës
Duke lëvizur thjesht vijën që ma pengon këmbën
E prishe lojën
Do që qiejt e mi përmbys të kthehen
Dielli kokën t'më thyejë
Zhelet t'mi shpërhapë
Mos u tall me një tjetër teveqel
Mi kthe pra zhelet e mia
Dhe, unë sërish pas do t'i kthej!

*Përktheu nga origjinali serbisht Ben Andoni. Një cikël më i plotë është botuar në numrin 24 të Poeteka-s

Google+ Followers