"PËRJETË ME SHEFIKUN”, LIBËR NGA URTI OSMANI, NË KUJTIM TË BASHKËSHORTIT

"PËRJETË  ME SHEFIKUN”, LIBËR NGA URTI OSMANI, NË KUJTIM TË BASHKËSHORTIT
Nga: Prof. dr. Pajtim BEJTJA
Mësues i merituar-Tiranë



Kopertinat e librit...

Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të mësuesit të merituar, prof. dr. Shefik Osmanit, bashkëshortja e tij, Mësuesja e Popullit Urti Osmani, e njohur, veç të tjerash, edhe përmes mjaft botimeve shkollore, ndryshe nga më parë, doli para lexuesve me një libër me kujtime për të. "Shefikut, -shkruan ajo në kushtimin e librit, - bashkëshortit tim të paharruar, me mirënjohje të thellë, për kujdesin e jashtëzakonshëm, që ka treguar dhe për dashurinë e pakufishme, që më ka dhuruar".
Për të shkruar librin ajo ka pasur shtytjen ngulmuese të miqve të saj e të Shefikut, por natyrisht edhe një dëshirë të vetën, veçse hezitonte, "sepse hartimi i një libri me kujtime nuk është i njëjtë me atë të një teksti mësimor". Kur vendosi t'i hidhte në letër kujtimet e saj, ajo shprehej e merakosur dhe e mallëngjyer: "Vallë, a do të mundem unë, që t'i shkruaj të sakta dhe ashtu si duhet e si e meriton, kujtimet e mia të një jete, me Shefikun e shtrenjtë?".
Në fakt, Urtia e ka pasur edhe të lehtë, edhe të vështirë për ta bërë këtë. E ka pasur të lehtë, sepse për një jetë bashkëshortore mbi pesëdhjetëvjeçare, të ngjeshur me përjetime dhe me një veprimtari të përbashkët intelektuale e krijuese, ke ç'të kujtosh, ke ç'të shkruash. Veç kësaj, asaj i vinin në ndihmë edhe botimet e Shefikut dhe shkrimet e të tjerëve për të, si dhe mjaft letra, shënime, dorëshkrime dhe ditarë të tij, të gjetura në kohën që merrej me hartimin e librit. Por Urtia e ka pasur edhe të vështirë për ta shkruar librin, sepse i duhej të mobilizohej mendërisht e shpirtërisht për të plotësuar detyrimin moral dhe shpirtëror që ndiente, ndërkohë që ngjarja dhembjeprurëse ishte ende e freskët.
Pas një pune disamujore, këmbëngulëse e të pasionuar, duke shfrytëzuar dhe seleksionuar të gjitha burimet e mundshme, arriti ta përfundonte në kohën e duhur librin. E ka shkruar atë me dashuri, me sinqeritet dhe me dhembje të thellë, duke e pasqyruar me vërtetësi figurën poliedrike të Shefikut, në tërësinë e dimensioneve të saj. Na ka dhënë kështu, siç shkruan prof. dr. Tomor Osmani, "portretin e një personaliteti të devotshëm, me vlera të veçanta dhe me kontribute shumë të rëndësishme, kryesisht në fushën e arsimit tonë kombëtar".
Libri është ndërtuar sipas një strukture të menduar mirë. Hyrjen e tij e ka shkruar prof. dr. Tomor Osmani,"Mjeshtër i Madh", pedagog në Universitetin "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës. Ndër të tjera, ai ka vënë në dukje se "Urtia është ndalur në ato momente që nuk janë pasqyruar në ndonjë botim kushtuar Shefik Osmanit. Këtë veprimtari të bashkëshortit nuk e ka parë thjesht në rrafsh personal, por e ka lidhur me gjithë zhvillimin e arsimit në gjithë trojet shqiptare, por edhe në diasporë". Më tej, pas parathënies së autores, vijojnë 7 krerë, të shkruar me një stil lakonik e me një gjuhë të thjeshtë e pa stërhollime, po me ngrohtësi dhe me ndjenjë të pastër, me kujdesin për të qenë e saktë dhe korrekte në ato që shkruan.
Dy krerët e parë, "Njohja dhe mbresa nga jeta bashkëshortore" dhe "Ngjarje të shënuara",që zënë një të tretën e librit prej afro 300 faqesh, autorja ua ka kushtuar kryesisht jetës intime bashkëshortore (njohjes, lidhjeve, fejesës, martesës, prejardhjes etj.), jetës arsimore e pedagogjike në Shkodër e në Tiranë etj., si dhe disa ngjarjeve që kanë vënë në dukje aftësitë e spikatura të Shefikut si metodist dhe si organizator e drejtues, të shfaqura qysh në fillimet e veprimtarisë së tij.
Vendin kryesor në libër e zë kreu i tretë, ku pasqyrohet gjerësisht "Veprimtaria shkencore e atdhetare e Shefikut", duke filluar nga puna që ai kreu në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Vend me rëndësi në këtë krye zë përshkrimi i veprimtarisë së tij në diasporë, me synimin atdhetar që asnjë fëmijë i imigracionit shqiptar të mos mbesë pa mësuar gjuhën shqipe dhe pa u shkolluar në gjuhën amtare. Autorja ka paraqitur të dhëna konkrete për ndihmesën e Shefikut në shkollat shqipe të mësimit plotësues në Zvicër, Suedi, Gjermani etj., përmes punës së drejtpërdrejtë në to dhe botimeve të posaçme në ndihmë të nxënësve të këtyre shkollave. Ajo ka pasqyruar edhe rolin e rëndësishëm që ka luajtur Shefiku në seminaret me mësuesit dhe veprimtarët e këtyre shkollave, të organizuara në Prishtinë, Prizren, Durrës etj. Në paraqitjen e këtyre veprimtarive autorja i është referuar kryesisht periudhës pas vitit 2004, periudhë e shkurtër, por që siç thotë ajo, "e ngjeshur me veprimtari dhe krijimtari, ashtu si e gjithë jeta e tij". Ajo nuk ka synuar ta pasqyrojë në mënyrë të plotë gjithë veprimtarinë e Shefikut në shërbim të arsimit tonë kombëtar, gjë që nuk mund të realizohet brenda një libri me kujtime.
Udhëtimet e shumta në vende të ndryshme të botës (si në Itali, Gjermani, Holandë, Zvicër, Iran, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabinë Saudite), gjatë një periudhe 17-vjeçare (1991-2008), për t'i dhënë shtysë mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e imigrantëve, apo për probleme të ndryshme arsimore e botime janë paraqitur më hollësisht në kreun e katërt, "Shënime dhe mbresa nga udhëtimet". Dëshmitare e këtyre udhëtimeve dhe veprimtarive ka qenë vetë Urtia, si bashkëpunëtore në botimet dhe si shoqëruese në shumicën e udhëtimeve.
Prof. dr. Shefik Osmani është njëri prej didaktikanëve më në zë të arsimit fillor shqiptar. Ndër të tjera, ai është autor i rreth 40 librave me karakter mësimor, metodik e historik, si dhe i  qindra shkrimeve në gazeta e revista shkencore dhe kulturore, të shkruara në periudhën 1940-2011. Kjo veprimtari krijuese si dhe, në përgjithësi, veprimtaria e përkushtuar atdhetare, arsimore e pedagogjike e Shefikut, është çmuar, vlerësuar e nderuar me dekorata e tituj, si dhe me kushtime (dedikime) nga personalitete të arsimit e të kulturës, kolegë e miq të tij, që janë paraqitur nga autorja në kreun e pestë, "Vlerësime, dekorime dhe dedikime". Më të rëndësishme prej tyre janë "Çmimi i Republikës" i shkallës së tretë, për "Fjalorin Pedagogjik Shqiptar" (1984); titulli "Mësues i merituar"(1989) dhe titulli "Drejtues kërkimesh (Profesor)"(1995).
I shkurtër, por mjaft mbresëlënës është kreu i gjashtë i librit, i titulluar "Vetmia, nuk kapërdihet". Është një përsiatje dhe një rrëfim i sinqertë e i hapur  i autores për ndjenjat që ajo ka provuar pas shuarjes së njeriut të saj më të dashur, është një "bisedë" në mungesë me të, me bashkëshortin dhe bashkëpunëtorin e një jete të tërë. Një marrëdhënie kjo që e ka karakterizuar shkëlqyeshëm prof. dr. Vehbi Hoti në monografinë kushtuar Mësuesit të Popullit Ethem Osmani, babait të Shefikut: "Urtia u bë shoqe e jetës, e punës dhe e krijimit e Shefikut. Një çift bashkëshortësh për t'u pasur zili, kudo e kurdoherë bashkë..". Është mjaft prekës shqetësimi i madh i Shefikut se kujt mund t'ia linte kujdestarinë e Urtisë. "Kujt do t'ia lë unë Urtinë?", shprehej ai dhe "A mund të kujdesesh për Urtinë?", i drejtohej kohët e fundit ndonjë të njohuri.
Duke bërë një përmbledhje të jetës, të veprimtarisë dhe të krijimtarisë së Shefikut, Urtia, si bashkëshorte e tij, nuk ka si të mos ndjehet krenare për tiparet e larta njerëzore që e karakterizonin atë, për gjithçka që ai bëri në shërbim të arsimit tonë kombëtar, për gjurmët që ka lënë...
Një gjetje interesante përbën kreu i shtatë i librit, "Ligjërata përmes fotografive", ku përmes fotografive janë pasqyruar pjesëmarrje dhe ligjërata të  Shefikut në veprimtari brenda dhe jashtë vendit. Duhet theksuar se fotografi shprehëse e domethënëse përfshihen edhe në pjesët e tjera të librit, me synimin për ta pasqyruar më bukur jetën e tij dhe për t'i paraqitur më të gjalla veprimtaritë dhe ngjarjet e përjetuara.
Libri në fjalë mbyllet me paraqitjen e disa veprave të Shefikut përmes kopertinave të tyre dhe me bibliografinë e përdorur për këtë botim.
"Përjetë me Shefikun", është libër që lexohet me interes dhe kureshtje edhe nga ata që e kanë njohur nga afër apo që kanë bashkëpunuar me Shefikun, madje edhe nga ata që kanë shkruar për të. Kjo falë punës së përkushtuar të autores, e cila meriton përgëzime dhe lavdërime, ngaqë ka ditur ta portretizojë në mënyrë bindëse dhe tërheqëse Shefikun, "tamam ashtu siç ka qenë", duke ndriçuar edhe tipare apo momente të jetës e të veprimtarisë së tij, pak të njohura apo të panjohura më parë.

Tiranë, më 12 tetor 2013

( E dërgoi për publikim, prof. Murat Gecaj )

Google+ Followers