Mbi librin e Dom Viktor D. Sopit, “Fishta-dëshmi për identitetin shqiptar”, botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës

Nga Ndue Ukaj


Antologji për identitetin


Libri i Don Viktor Sopit, Fishta për identitet, vjen në kohën kur më së shumti i duhet jetës tonë kombëtare dhe kështu e përplotëson mozaikun e botimeve dhe studimeve për At Gjergj Fishtën. Letërsia e Fishtës, me dimensionet dhe përmasat e larmishme ideore, përbën njërin nga opuset themeltare të kulturës letrare shqipe. Prifti dhe autori i zellshëm i kësaj antologjie, Don Viktor Sopi, i vetëdijshëm për vlerat ontologjike dhe mesazhet e tejkohëshme që ngërthen vepra kuptimplote e Fishtës, e sjell atë, para lexuesit shqiptar, me disa karakteristika autentike dhe interesante.  Autori i antologjisë, në këtë libër, ka përfshirë pjesë të përzgjedhura nga korpusi i gjerë e krijimtarisë se Fishtës, si: epikë, lirikë dhe satirikë. E këto tekste, i ka shoqëruar me një vlerësim interesant, ku vë në spikamë vlerat dalluese të poezisë së tij dhe duke interpretuar mesazhet e fuqishme që përçon kjo vepër. Don Viktori, këtu veç faktit se tregon që e njeh veprën e shumëdimensionale të Fishtës, ai di edhe ta interpretoi që t’ia mundësoj lexuesit shijimin më të lehtë. Në këtë ribotim, autori sjell mendime të reja për Fishtën dhe veprën e tij, e thellon përqasjen për veprën letrare të autorit dhe e kontekstualizon mesazhin letrar, etik dhe filozofik të Fishtës, si mesazh tingëllues për çdo kohë e brez. Don Viktori këtë e bën, me qëllim që vepra e Fishtës ta ndihmoj njeriun tonë në kthjellimin e territ të mendjes.
Leximi i klasikëve, sikurse është Fishta, bëhet i patjetërsueshëm , në kohë krizash identitare, siç është kjo e jona. Autori kësaj antologjie, në kontinuitet me traditën e priftërinjve katolik, të angazhuar gjithmonë për Atme e Fe, synon ta transmetoi të lexuesi edhe njëherë mesazhin e Fishtës, i bindur se kështu ndihmon në kthjellimin e territ të mendjes. Vepra e Fishtës, siç kanë vërejtur shumë studiues, ndër të cilët edhe Don Viktori, duke qenë enciklopedi e mendjes dhe shpirtit shqiptar, është njëherësh porta ma e mirë për të hapur dyert e vështira të lirisë së njëmend. Ajo është një gurrë e pashterur frymëzimi, për ideale kombëtare e fetare, për kulturë kombëtare e vlera universale. Don Viktor Sopi, ashtu sikurse Fishta, lirinë më tërë përmasat e saj, e kërkon përtej lirisë pragmatike, që e shfrytëzojnë profiterët - liri të cilën liri e stigmatizonte ashpër Fishta. Pikërisht për këtë, autori Sopi kërkon sendërtimin e një liri të mirëfilltë, si mishërim i idealeve të larta dhe sublime të lirisë së shpirtit dhe mendjes. E kjo liri, mbërrihet me lehtë duke e njohur dhe shijuar veprën e Fishtës.
Poet me sens të brumosur artistik, dramaturg me shpirt të rrëmbyer skenik, lirik më ndjenja të holla e drithërima vibruese, epik me natyrë glorifikeuse e diskurs të fuqishëm heroik, Fishta mbetet modeli më interesant e më i veçantë i letërsisë shqiptare të shekullit XX, por edhe kulturës shqiptare përgjithësisht, ngase vepra e tij e gjithanshme, më së miri arrin të sintetizojë rrugëtimet shqiptare nëpër kohë dhe kështu u bë fanar i pashuar i identitet shqiptar. Me poezitë e përzgjedhura, me parathënien interesante, me mendimet më reprezentative për veprën e Fishtës, kjo antologji, veç tjerash plotëson një boshllëk të nevojshëm, që lexuesi shqiptarë të gjej brenda një libri, larmi tekstesh nga vepra e ne pasur poetike e Fishtës. Ndërkaq, në planin qëllimor, ky libër mëton t’ia rikujtoj shqiptarit nevojën e domosdoshme, për t’u ushqyer me veprën e Fishtës, sepse ajo është tharmi dhe gurra e pashterur e ideve të larta kombëtare dhe fetare. Duke e shijuar këtë vepër, duke reflektuar për mesazhet që dalin nga kjo vepër, lexuesi ndjen një lehtësim, sepse gjen një udhërrëfim për të ardhmen, një shpjegim për të kaluarën dhe mëshirohet me të sotmen. Të rralla janë ato vepra që kanë funksione kaq shumëdimensionale.
Krijimtaria shpirtërore e At Fishtës, nëpër kohë ka pasur funksione të shumëfishta shoqërore.  Fishta  sa ishte gjallë, u bë një institucion në vete, e vepra e tij pati roli qenësor  për kombin. Fishta shkroi një letërsi, siç do të thoshte studiuesi Northrop Fraji me një funksion, që nuk ka qenë në rend të parë estetik. Fishta shkroi një letërsi me një funksion universal kulturor. Don Viktori e ndjen këtë puls të krijimtarisë së Fishtës dhe pikërisht për këtë, ja ofron lexuesit shqiptar, ngase vepra e Fishtës në çdo kohë e ruan të freskët këtë funksion dhe jo vetëm këtë. Është thënë shpeshherë dhe përsëritet vazhdimisht se Gjergj Fishta është autori më i madh nacional, i cili bëri transformimet më të mëdha dhe më cilësore në letërsinë shqipe, sikurse në planin tematik, ashtu në atë ligjërimor e stilistik. Këtë portret të Fishtës, ne e gjejmë të plotësuar dhe nga një këndvështrim tjetër, nëpërmjet punës së Don Viktorit. Nëpërmjet kësaj antologji, ne shohim se Don Viktori i është përqendruar me dashuri dhe përkushtim veprës së Fishtës. Ai e lexon Fishtën në thellësi  duke mëtuar të vë në pah vlerat më dalluese, duke theksuar postulatin Athe e fe. Në këtë mënyrë, kjo antologji realizon katarsisin shpirtëror, pra ndihmon në kthjellimin e territ të mendjes. Secili lexim dhe interpretim i ri i letërsisë së Fishtës, nën dritën e zhvillimeve të reja letrare e kulturore, dhe shngarkimet nga tensionet e panevojshme e të dëmshme ideologjike (pse jo edhe të natyrave të tjera), duhet të ketë pikësynim të vë kuptime të reja brenda letërsisë shqipe, veçanërisht në marrëdhënien e kësaj vepre kolosale me historinë e letërsisë. Kjo, për faktin se vepra e Fishtës është paradigma themelore dhe shenja identifikuese e letërsisë shqipe. Këtë gjë e vëren drejt Don Viktori, sikur me përzgjedhjen e teksteve cilësore të autorit, po ashtu edhe me mendimet shoqëruese, që e përplotësojnë kuptimin e kësaj antologjie.
Letërsia e At Fishtës, vështruar në kontekstin më të gjerë të letërsisë shqipe në përgjithësi, është hallka ma e rëndësishme e kulturës letrare shqiptare. Krijimtaria e tij plotësoi mungesat dhe boshllëqet që e karakterizonin letërsinë e deriatëhershme dhe i dha  asaj pikërisht veprat që i mungonin. Kësisoj, vepra e tij do të ketë një funksion të posaçëm komunikues brendapërbrenda një konteksti kulturor shqiptar, të dekadave të para të shekullit XX. Këtë funksion, ajo e ruan të freskët edhe sot dhe do ta ruaj në të ardhmen. E për të ndihmuar në këtë drejtim, Don Viktor Sopi ka bërë një punë serioze dhe të çmuar.

Google+ Followers