Ditën e nisjes sime - Viktor Hygoi


Krijesa ka dy gjendje të mundshme: të qenit dhe të jetuarit. Të jesh është gjendja pasive, të jetosh është gjendje aktive. Të jetosh, do me thënë të kesh ndërgjegjen e të qenit. Ndërgjegjja është parimi i veprimit. Ai që nuk ka ndërgjegjen, mund të përmbushë një funksion, por nuk mund të bëjë asnjë veprim. Të bësh është saktësisht të jetosh. Të jetosh do me thënë të veprosh. Të veprosh do me thënë të duash.
Vullneti fillon tek veprimi dhe provohet nga ai. Mendimi fillon tek vullneti dhe afirmohet nga ai. Arje ku nuk ka veçse veprim dhe vullnet, nuk ka ende veçse instinkt. Instinkti është nocioni fillestar i mendimit. Instinkti është gjithë sasia e mendimit të mundshëm në qenien pa liri.
Vullneti gjen, liria zgjedh.
Të gjesh dhe të zgjedhësh, do me thënë të mendosh.
Njeriu ka lindur skllav. Ai është skllav i domosdoshmërisë absolute, skllav i egoizmit të tij dhe skllav i ndërgjegjes së tij. Liria e tij konsiston në të zgjedhurit ndërmjet këtyre skllavërimeve.
Egoizmi është tirani, ndërgjegjja është despoti. Bruti është skllav i virtytit, Katoni është skllav i detyrës, Uashingtoni është skllav i lirisë. Nën emrat virtyt, detyrë, liri, është koshienca që mbretëron mbi këta njerëz.
Ndërgjegjja juaj u gjykon dhe u ekzekuton. Kur ajo është e egër, atëherë është e mirë. Ndërgjegjja i jep skllavit të saj varfërinë, rrënimin, mërgimin, gjithë mohimet, gjithë mjerimet, gjithë torturat. Ajo do që ai ta vuajë dhe ajo kërkon ngultas që ai të qeshë. Dhe sa më shumë që ai është skllav, aq më shumë ai është hero. Ndërgjegjja thotë: shko. Duhet shkuar. Ndalo. Duhet ndaluar. Mos fol. Duhet heshtur. Vdis. Duhet vdekur.
Egoizmi thotë: rrej, tradhto, vidh, vra. Bindmu mua. Unë quhem haku yt. Pi, ha, fli. Dhe njeriu bie të flejë. Dëfre dhe njeriu ia shtron të dëfrejë. Kjo është skllavëria e njeriut. Ndërgjegjja, edhe ajo gjithashtu, kërkon nënshtrim total.
Robëri e pafund, totale absolute; të themi e verbër, në qoftë se kjo nuk është bindje karshi dritës. Ç’është kjo skllavëri? Skllavëria e zotit.
Ai që zgjedh këtë skllavëri, është njeriu i lirë./Standard

Google+ Followers