Dikush të cilin po e vëzhgoj prej një farë kohe

Nga Wislawa Szymborska*



HARTA

E sheshtë si tryeza,
mbi të cilën ajo është shtrirë.
Nën të asgjë nuk lëviz
dhe rrugëdalje për vete s'kërkon.
Mbi të - frymëmarrja ime njerëzore
nuk krijon dridhje ajri
dhe krejt sipërfaqen e sajë
e lë të qetë.

Ultësirat e sajë, pllajat përherë janë të gjelbra,
rrafshnaltat, malet verdhame ngjyrë bronxi,
ndërsa detet, oqeanët një blu miqësor
përbri kësi brigjesh të brejtur.

Këtu gjithçka është e imët,e kapshme dhe e afërt.
Me majën e thoit unë mund të trys vullkanët,
polet t'i përkëdhel pa dorashka të trasha,
me një vështrim të vetëm
mund të përfshij çdo shkretëtirë
tok me këtë lum të pranishëm fare pranë.

Pyje të vjetër dallohen nga disa drurë imcakë,
mes tyre zor se e ngatërron rrugën.
Në lindje dhe perëndim,
mbi dhe nën Ekuador -
një qetësi sikur kjo t'i kish mbjellë me lulëkuqe,
por në çdo kokrrizë të zezë
njerëzit bëjnë jetën e vet.
Varret masive dhe rrënojat e befta
nuk janë më në këtë pamje.

Kufijtë e vendeve mezi shquhen,
ato sikur po lëkundeshin - të jenë a të mos jenë.

I pëlqej hartat, se mashtrojnë.
Se ato nuk i hapin rrugë të vërtetës së kulluar.
Se zemërgjerë,me një humor të ndershëm
botën ma shtrojnë mbi tryezë,
jo nga kjo lloj bote.


KA TË TILLË, TË CILËT

Ka të tillë, që tregohen më të shkathët në jetë.
Ata në vetvete dhe rreth vetes tyre mbajnë rregull.
Gjejnë për çdo gjë mënyrën dhe një përgjigje të saktë.

E zbulojnë menjëherë atë kush kujt, cili me kë,
për ç'qëllime, në ç'kahje.

I vënë vulën atyre të vërtetave që janë të vetme,
faktet e panevojshme i hedhin në kosh plehrash,
ndërsa njerëzit e panjohur
në hulli të veçanta, caktuar për ta që herët.

Ata mendojnë për aq, sa ia vlen,
as një çast më shumë,
sepse mbas këtij çasti fshihet dyshimi.

Veç kur lirohen nga detyra,
e lënë vendin e punës
nga dyer të caktuara.

Nganjëherë unë i kam smirë
- për fat kjo më kalon.
D E T Y R I M I

Ne hamë jetën e tjetrit, që të jetojmë.
Bërxollën nga një kafshë e vrarë me lakrën e ndjerë.
Menu është nekrologu.

Madje edhe njerëzit më të mirë
diçka të vrarë duhet të kafshojnë, të përtypin,
që ato zemrat e tyre të ndjeshme
të mos pushojnë së rrahuri.

Madje edhe poetët më lirikë.
Madje dhe më të rreptët asketë
përtypin e gëlltitin diçka,
që ka qenë rritur.

Vështirë e kam t'a pajtojë këtë me zotat e mirë.
Mbase ata, të cilët besojnë lehtë,
mbase naivët,
krejt pushtetin mbi botën ia falën natyrës.
Dhe pikërisht kjo, e çmendur, na imponon urinë,
por atje ku është uria,
atje është fundi i urrejtjes.

Urisë sakaq i bashkangjiten shqisat:
shija, aroma, prekja dhe shikimi,
sepse nuk është që s'të bën përshtypje, çfarë gjellërash ka
dhe në çfarë pjata janë.

Madje dhe dëgjimi merr pjesë
në atë,çka ndodh,
sepse në tryeza jo rrallë ka biseda gazmore.

R E T Ë

Që të përshkruaj retë
do të më duhet te ngutem shumë -
fill pas një grime
që ato zhduken,të tjera zën të shfaqen.

E veçanta e tyre është
të mos përsëriten më
në ato trajta, ngjyra, poza apo sisteme.

Pa e vrarë mendjen për gjë
ato ngrihen pa vështirësi mbi fakte.

Prej tyre, ato, të cilat për gjithçka ishin atje dëshmitare -
shpërndahen sakaq në të katër anët.

Në krahasim me retë
jeta duket se ka zënë rrënjë,
thuajse e qëndrueshme, gati e përjetshme.

Pranë reve edhe një gur të duket si vëlla,
të cilit mund t'i besosh,
ndërsa ato, ç'të thuash, janë kushërira të largëta dhe të ftohta.

Njerëzit le të rrojnë, nëse duan,
veç më pas do të vdesë me radhë secili prej tyre,
reve, asgjë nga
tërë këto
nuk iu duket shumë e çuditshme.

Mbi tërë jetën Tënde
dhe timen, ende jo krejt,
ato parakalojnë tërë shkëlqim,ashtu siç kanë parakaluar.

Nuk janë të detyruara të zhduken tok me ne.
Nuk është se duhet të duken,që të notojnë.


D U K E D A L E
N G A K I N E M A J A

Në atë cohe te bardhë ëndrrat lëvrinin.
Dy orë ato zgjaten në një cipë hëne.
Ish një dashuri për melodi përmallimi,
një kthim i lumtur që vinte nga shtegtimi.

Gri dhe e mjegullte ish kjo botë në një përrallë.
Fytyrat dhe rolet nuk janë përvetësuar.
Brenga partizanësh po këndon një ushtar
Dhe një vajzë po luan të vetën andrallë.

Unë kthehem tek ju në të vërtetën botë,
tërë fat në atë turmë që është krejt e errët -
ti moj vashë që i ke ata sy të përhumbur
dhe ti çun me një dorë që po rri nën portë.
***



L L O G A R I E
P Ë R Z G J E D H U R

Sa vetë prej atyre, të cilët i kam pas njohur
(nëse vërtetë i pata njohur)
meshkuj, femra
(nëse kjo ndarje mbetet në fuqi)
e kapërcejnë këtë prag
(nëse ky është prag)
vrapuan nëpër këtë urë
(nëse do t'a quanim urë) -

Sa vetë pas një jete të shkurtër a të gjatë
(nëse kjo përherë përbën për ata një farë ndryshimi)
të mirë, nga që kishte filluar,
të keqe, nga që kishte mbaruar
(nëse nuk do të donin të theshnin të kundërtën)
u gjendën në bregun tjetër
(nëse atje u gjendën,veç matanë është një tjetër breg)
për fatin e tyre të mëtejshëm
(madje nëse ky është një fat i përbashkët
dhe ende është fat)...

Gjithçka
(nëse me këtë fjalë nuk bëj kufizime)
e kanë lënë pas vetes
(nëse jo para vetes).

Sa prej tyre u gremisën nga koha që vrapon
dhe duke u larguar zhduken përherë e më dhimbshëm
nëse ia vlen t'i besosh perspektivës) -

Sa vetë
(nëse kjo pyetje ka kuptim)
po qe se mund të arrihet në shumën e fundit,
(ai që numëron mos të llogarisë më parë vetveten)
kanë rënë në gjumë të thellë
(nëse nuk ka edhe më të thellë) -

Mirupafshim.
Deri nesër.
Deri në takimin e radhës.
Ata njerëz tashmë as që e duan këtë
(nëse nuk duan) të përsëritet.
Janë të dhënë pas të pafundmes
(në mos ndonjë tjetër heshtjeje).
Ata janë të zënë vetëm me atë
(nëse vetëm me të)
drejt të cilës i detyron mosprania.

Dikush të cilin po e
vëzhgoj prej një farë kohe

Nuk i qaset turmës.
Nuk mblidhet në kope.
Nuk merr pjesë me masat.
Nuk kremton me bujë.

Nuk nxjerr nga vetja
ndonjë zë kori.
Nuk dëshmon gjithkund dhe ndaj kujtdo.
Nuk pohon në emër të dikujt.
Nuk bëhet në prani të tij
kjo lloj pyetje -
kush është pro dhe kush është kundër,
faleminderit,nuk shoh gjë.

Mungon koka e tij,
atje, ku kokë më kokë,
hap më hap,krah më krah
dhe përpara drejt qëllimit
me parulla në xhep
dhe me prodhim mushti.

Atje ku vetëm në fillim
jeta shkon vaj,
nga që shpejt njëra shtresë
përzihet me tjetrën
dhe s'do të merret vesh,
të kujt janë,ah të kujt janë
këta gurë dhe lulet,
brohoritjet dhe shkopinjtë.

Ai nuk është ndonjë njeri i përmendur.
Nuk ka bërë bujë.
Eshtë punësuar në Ndërmarjen e Pastrimit të Qytetit.
Sapo zbardh dita,
nga ai vend në të cilin diçka ka ndodhur
ai mbledh,mbart,hedh në rimorkio
atë çka është ngulur me ganxha në pemë të venitura,
atë çka është krejt e shkelur mbi barin katrahurë.

Banderola të grisura,
shishe të thyera,kukulla të djegura,
kocka të shqyera,
rozarie,bilbila dhe prezervativa.

Një herë ai gjeti në ferra një kafaz pëllumbash.
Atë e mori me vehte
dhe e mban nergut,
që ashtu të mbetet i zbrazët.

*Përktheu nga origjinali Pandeli Çina

Google+ Followers