Alfred Uçi nga një shekull në tjetrin

Gianni Mazzei

Një intelektual koherent i së majtës, që lufton dhe që ka në shpirt civilizimin kolektiv. Alfred Uçi dëshiron t’i përmbyllë betejat e tij intelektuale e politike për futjen e Shqipërisë në Komunitetin Europian  

Alfred Uçi

Të flasësh për Alfred Uçin si intelektual, besoj se së pari duhet të sqarojmë “pikën kyçe” të këtij termi në mënyrë që të kuptojmë vendosjen e Alfredit në realitetin “e veçantë”, në të cilin ka jetuar, pikën që kalon përmes ndryshimeve të thella në lidhje me formimin e tij. Për një si puna ime që është përpjekur të kuptojë Jugun e Italisë si dhe shumë “Jugë” të Europës, përcaktimi i figurës së intelektualit, bëhet disi “strategjike”Antonio Gramshi, mendimit të të cilit nuk mund të mos i referohem, duke u nisur nga një gjykim mbi Jugun italian, që e konsideronte “një shpërbërje të madhe shoqërore”, pohonte se në përcaktimin e konceptit të intelektualit, “masës së madhe amorfe e të shpërbërë” mund t’i referoheshin edhe ata intelektualë të borgjezisë së vogël e të mesme rurale, që ushtronin një funksion ndërmjetësimi “midis fshatarit dhe administrimit të përgjithshëm”. E solla këtë pasazh për të thënë se e njoh Alfred Uçin që nga viti 1981 dhe besoj jam në gjendje të pohoj se ai as minimalisht nuk mund të katalogohet në vizionin e intelektualit, që e përkul kokën për t’iu bindur pushtetit në fuqi. Në të kundërt, mbështes fort mendimin se Uçi mund të vendoset legjitimisht në një tjetër kategori interpretuese të personalitetit e të vlerës së tij intelektuale, duke u nisur gjithmonë nga metoda e hetimit gramshian. Alfred Uçi ka jetuar në Tiranë në një periudhë të caktuar historike të vështirë, por në funksionet që ka luajtur si profesor, si Ministër i Kulturës e kështu me radhë, duke kaluar nëpërmjet specializimit mbi problemet e zakoneve e të folklorit, të shkrimeve të shumta mbi estetikën, filozofinë etj, për të arritur deri në anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është vendosur me një vizion të fortë kritik brenda këtij realiteti kompleks, duke mbajtur një lidhje me popullin dhe duke gjetur një drejtpeshim pozitiv ndaj pushtetit në fuqi brenda mbrojtjes rigoroze të një identiteti kombëtar të përjetuar si një fitore të madhe të tij dhe të familjes së tij.Pas përmbysjes së regjimit të Enver Hoxhës, mbi të cilin nuk ka munguar të shprehë gjykimin e tij kritik në fillim të viteve ’90, Alfred Uçi, edhe pse gjendej në kushtet më të mira përsa i përket prestigjit e njohjes për të luajtur role politike të dorës së parë, u tërhoq nga shamatat, duke iu përkushtuar librave e shkrimeve të tij mbi estetikën e filozofinë Për këtë forcë morale e intelektuale që kam ndeshur tek ai, ashtu sikurse edhe në pak intelektualë të tjerë të rinj, besoj se mund të them që prof. Uçi nuk është një intelektual si të tjerët, por një bartës idesh e koherence që përbëjnë më të mirën e kulturës të nënkuptuar si shoqëri e që mendoj se mund të përcaktohet sipas mënyrës gramshiane një “intelektual organik” i historisë më të mire të vendit të tij: do me thënë, e kundërta e figurave të “intelektualoidëve” sipas përcaktimit përçmues të një shkrimtari italian Curçio Malaparte pas një udhëtimi në Rusi, edhe pse i nisur nga pozicionet e tij disi të vagullta e të diskutueshme. Është pikërisht ky shkrimtar që na informon se si kishte përçmuar hapur atë lloj bizantin intelektualësh llafazanë, thashethemexhinj, formalë e të pavendosur. Është krejt e qartë që prof. Uçi pozicionohet në krahun e kundërt të kësaj kategorie, andaj ky raport dialektik midis pohimit të teorisë së tij intelektuale dhe qëndrimit ndaj pushtetit, si dhe në respekt të lidhjeve të forta me shoqërinë nëpërmjet veprave të tij, mund të përkojë me atë koncept që kishte Gramshi për figurën e intelektualit: ai që din të kapë thjeshtësinë e dijen e popullit e ta bëjë të tijën. Në aktivitetin e tij spikat entuziazmi e inteligjenca, ideali në të mirë të vlerave njerëzore, të kulturës, të dinjitetit kombëtar kundër padrejtësive shoqërore. Kanë kaluar shumë dekada, por pavarësisht vështirësive të shumta, ngjarjeve dramatike shoqërore e vetjake, prof. Uçi ka qenë gjithmonë koherent me vetveten e i devotshëm ndaj vlerave morale e progresit. Veprat e tij shkencore, mbi të gjitha ato filozofike dhe estetike përbëjnë një kontribut të veçantë; ato lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën kombëtare dhe europiane. Alfred Uçi nuk është as ortak i një kaste, as prift: në të kundërt, ndërmjet intelektualëve shqiptarë, me autonominë e tij intelektuale ai duhet të renditet midis atyre që duan të “ndiejnë” e ta bëjnë të “ndjehet” zëri i të thjeshtëve edhe pse, ashtu si pak të tjerë bartës idesh kritike, iu duhet të menaxhojnë në mënyrë dialektike dy rreziqe: të mbeten të vetëm dhe, për pushtetin në fuqi të shënjohen si pjesë e një kaste të shkëputur nga masat; ose ta delegojnë kokën e tyre nëse nuk duan të shndërrohen në fraksionistë ose tradhtarë të popullit. Uçi e ka shmangur këtë dilemë, duke mos u bërë “ventrilok” i drejtimit zyrtar. Pra, mund të thuhet se në ekzistencën e tij të nderuar ka përfaqësuar më të mirën e popullit shqiptar. Alfred Uçi nuk ka qenë vetëm një intelektual “i veçantë” që nuk ka abdikuar nga funksioni i tij për t’u vënë në shërbim të pretendimeve të regjimit, por me një drejtpeshim të përkryer midis respektit të detyrës dhe sjelljeve praktike, ka mbrojtur konkretisht me forcën e ideve të tij, pozicionin e vet politiko-intelektual në rreshtimin e një të majte kritike, duke afirmuar kësisoj një personalitet të tij. Në respekt të ligjeve etike e morale që kanë udhëhequr ekzistencën dhe historinë e tij vetjake e familjare, në të njëjtën mënyrë ka refuzuar në vijim tundimin për të ndjekur modat e post-regjimit për të pranuar favore apo poste në nivel institucional. Përballë dy grupimeve që mes konfliktesh e të shtyrash, pasi kishin qenë që të dyja palët bashkëpunëtorë e besnikë të Enver Hoxhës dhe pasi e ndanë pushtetin duke u rreshtuar me taktikë disa nga e “djathta’ e të tjerët nga “e majta”, Alfred Uçi edhe pse ishte bartës i një kapaciteti intelektual e i një prestigji vetjak, pra duke i patur të gjitha numrat në rregull, por edhe për tensionin moral që e karakterizon për të aspiruar legjitimisht për përgjegjësi të larta në jetën politike shqiptare, nuk e bëri këtë. Nga ana tjetër ama, ai ka mbetur një pikë referimi e lartë dhe e patundshme e forcave rinore dhe intelektualëve që aspirojnë të ndërtojnë “Shqipërinë e re”.

Impenjimi kulturor i Uçit
Në lidhje me impenjimin e tij kulturor dëshiroj të citoj dy vepra të mëdha të tijat për t’i dhënë kësisoj bindjes time motivimin se gjendem para një intelektuali organik: Universi Estetik i antikitetit greko-roman; Universi estetik – Mesjeta, Rilindja dhe Klasicizmi; Estetika Moderne (Bashkëkohore). Të tre vëllimet janë botuar nga 2003-2007 nga Akademia e Shkencave të Tiranës. Kjo vepër ndahet në dy aspekte: i pari përfaqëson pikëpamjen filozofiko-historike në njohjen e historisë botërore të teorive estetike, ndërsa i dyti na flet për historinë botërore të kulturës artistike (4000 faqe). Seria Universi estetik nuk është një vepër që përmban tematika të së kaluarës, të harruara tashmë; përkundrazi, bëhet fjalë për një vepër me të cilën na duhet të përballemi në këtë Mijëvjeçar të tretë për t’u përpjekur t’i japim një përgjigje kapërcimit të krizës së idealit estetik i cili reflektohet edhe në zhvillimin e kulturës artistike moderne. Vepra paraqitet origjinale si në përmbajtje ashtu edhe në strukturë. Ajo merret me njohjen e ndërgjegjësimeve artistike krijuese në brendësi të të cilave janë përfaqësuar vlerat ambientale dhe problemet e shoqërisë, që të gjitha modele të mundshme të idealit estetik, të bukurisë, të mirësisë njerëzore. Vepra lëviz si një pishtar i mbajtur ndër rrugë të vështira, me sqarime e turbullime të errëta, e pakrahasueshme me standardet dogmatike e subjektive të gustove të ndryshme, duke stimuluar në këtë mënyrë zgjedhje të lira të artistit e të lexuesit. Njeriu që përndjek një qëllim, i duhet të shikojë prapa meqenëse e ardhmja është e panjohur e nuk jemi të sigurt se ku do të na çojë. E vetmja dritë që e ndriçon tunelin e pritshmërive përbëhet nga ndërgjegjësimi për atë që ka ndodhur në të kaluarën. Historia nuk kthehet mbrapsht, nuk përsëritet e nuk rregullohet. Ajo mund të kuptohet vetëm me vlerat, me objektivat e arritur e me ato të munguar me të cilët ajo e fiton lexuesin dhe e detyron që të ndjekë odisenë e gjinisë njerëzore duke kuptuar nevojën e studimit që lejon zbulimin e të panjohurësVetëm në këtë mënyrë historia e estetikës arrin të jetë pikë dialogu midis të kaluarës dhe të tashmes si dhe favorizon kultivimin e një ideali estetiko-modern, bashkëkohor, duke e nderuar me sintezën e njohjes estetiko-artistike të së kaluarës e duke ndriçuar rrugët e lulëzuara të arteve të ardhshme. Prof. Albert Uçi ka qenë ndër organizatorët e Fakultetit të filozofisë të Universitetit të Tiranës dhe ka drejtuar për shumë vjet katedrën e Filozofisë e të Estetikës. Në kushtet ideologjike e politike të vështira e të komplikuara të monizmit, ka mbrojtur frymën shkencore duke iu kundërvënë dogmatizmit dhe subjektivizmit në filozofi dhe estetikë. Ka botuar vepra të rëndësishme origjinale mbi probleme të mprehta bashkëkohore të kësaj disipline. Ai ka drejtuar formimin profesional filozofik dhe estetik të shumë të rinjve specialistë që tani punojnë në Universitetet e Tiranës. Prof. Alfred Uçi është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ku ka krijuar e drejtuar për shumë vjet Institutin shkencor të kulturës popullore (Folklori dhe Etnologjia), dhe vazhdon të botojë vepra të rëndësishme të filozofisë e të estetikës bashkëkohore. Në një intervistë që prof. Uçi u ka dhënë disa gazetarëve në lidhje me përmbajtjen e librit të tij “Klasika apo Nonklasika?” me dy vëllime (2008-2009), pyetjes së tyre se çfarë ka dashur të përfaqësojë me botimet e tij të shumta e në veçanti me vëllimet e fundit “Estetika metateorike e Artit”, ai u përgjigjet: “Në katër pesë vitet e fundit janë botuar shtatë vëllime akademike të cilët kanë qenë një nga objektivat më të rëndësishëm të jetës sime profesionale. Zakonisht, botime të kësaj fare ndërmerren nga ana e institucioneve shkencore me grupe bashkëpunëtorësh, ndërsa për mua kanë qenë një impenjim vetjak, tej mase i lodhshëm i plotësuar nga një punë e imja gjatë 50 vitesh në fushën e studimeve estetike e filozofike në kushte shoqërore të vështira e të komplikuara... Në dhjetëvjeçarët e fundit kemi përjetuar situata të turbullta, të ngatërruara, ndërkohë që besimi në parimet ideologjike ishte tronditur. Kjo jo vetëm në politikë, por edhe në kulturë e në art. Ky mosbesim është i pranishëm akoma sot, ashtu sikurse ndodh shpesh që të vihet në diskutim mundësia për të pranuar ndonjë sistem idesh të vërtetash të besueshme. Si mund ta fitojmë atëherë besimin e orientimeve e të zgjidhjeve më të kujdesshme, më të dobishme e më të pranueshme? Ka patur edhe momente hovjeje; ndokush ka përshpejtuar për t’iu ngjitur ndonjë ideje të re, fjalës së fundit të doktrinave e praktikave të modës, por është kaluar në imitime banale duke shkuar nga shiu në breshër.
.. Unë kam zgjedhur një rrugëtim tjetër të ndryshëm, duke e kthyer vështrimin drejt historisë së filozofisë, të doktrinave estetike e të kulturës estetike ashtu siç jemi përpjekur të bëjmë në veprën Universi Estetik apo në Filozofia e Kavaliotit (2003 – Çmimi europian “EXELLENCE”), në monografi të tjera e në kohë të reja deri në historinë e shekullit të XX-të. Për ne, zgjedhja e një drejtimi të tillë në kërkim, nuk ka qenë një ikje, apo një shmangie nga bashkëkohorja drejt hapësirash “arkeologjike” e “muzeale” të historisë. Përkundrazi, të përballurit me historinë e kulturës ka qenë për ne një nevojë aktuale, që na rrinte mbi kokë jo vetëm për të njohur më mirë trashëgiminë e mendimit njerëzor të së kaluarës, por edhe për të ravijëzuar një rreth idesh të sakta, për të kapërcyer krizën për shembull të idealit estetik, për një rivlerësim të ideve e të doktrinave të praktikave artistike bashkëkohore. Në studimet tona ne i jemi përmbajtur postulatit që “pa histori, nuk ka teori”. Ndërkaq, në dy vëllimet Estetika metateorike dheKlasike ose Jo Klasike?, kemi paraqitur përfundimet që nxorëm nga historia botërore e Universit Estetik; paraqitëm një seri paradigmash orientuese relativisht të reja, të cilat në kontekstin e pluralizmit dhe të lirisë së mendimit, arrijnë një siguri të mundshme teorike e metodologjike për realizimin e zgjedhjeve e të ideve estetikisht produktive.

Lulëzimi i kulturës, nis nga brezi i ri
Gjithsesi, është entuziazmi, shpresa e brezave të rinj, besimi i tyre në perspektivat e ardhshme, veçanërisht në integrimin europian të Shqipërisë që i jep lulëzimin e vërtetë kulturës, shkencës, arteve e mirëqenies. Në paraqitjen e këtij libri të Alfred Uçit, i cili del me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, “L’Istituto Mezzogiorno Mediterraneo” di Cosenza  dhe “Lisi i Arbërit” i Tiranës, janë marrë vesh që në “Itinerarët Gramshianë 2012” t’i kushtoheshin rolit të jashtëzakonshëm që kanë luajtur arbëreshët në histori, me titullin: Dy Rilindjet. Bëhet fjalë për atë italian, festimet e të cilit me rastin e 150-vjetorit të Bashkimit të Italisë sapo janë përmbyllur, si dhe atij shqiptar të shpalljes së Pavarësisë të vitit 1912. Paraprakisht desha të them se nuk bëhet fjalë për një tekst të tipit klasik, por një lloj “plotësori” i shumë çështjeve, të cilat shkojnë e përmblidhen në një drejtim të vetëm të prodhimit letrar të prof. Alfred Uçit, që për këtë rast sintetizon tre momentet e ngjarjeve të Shqipërisë në këto 100 vjet. Një gjykim sintetik i historisë së vendit që nga lindja e tij, me personazhet protagonistë dhe me momentet dramatikë që kanë shoqëruar çiftin terminologjik shtypje/çlirim. Një gjykim mbi aspektet politike që kërkojnë në mënyrë të heshtur nevojën për të shënjuar qëndrimin e tij në situatën politike të Shqipërisë post-komuniste, aktivitetin e tij si shkronjës i epërm i estetikës. Vetëkuptohet, që kjo paraqitje që më është besuar mua për të dhënë një gjykim mbi meritën e aktivitetit të një hartuesi të estetikës, shndërrohet në një detyrë të guximshme. Në pjesën më të madhe të shkrimeve të Alfred Uçit si dhe në arsyetimet e tij gjendet vula e kategorive interpretuese gramshiane përtej këtij gjykimi që iu përmbahet “koncepteve”, por që nuk mund të vazhdoj arsyetimin tim pa nënvizuar konstatimin e rëndësishëm që kam bërë nga leximi i veprave të prof. UçitDua të sjell në kujtesë që epërsia e mendimit të tij origjinal estetik qëndron në synimin për të mos u shndërruar në një skllav të nënshtruar të cilitdo mendimtari o filozofi të kohës së tij apo të atyre që do të vijnë më pasUçi, në kuadrin e kërkimit shkencor ka besuar gjithmonë që nuk duhet të vendosen kufij përtej të cilëve nuk mund të kalohet. Ky është një fakt i vërtetë edhe në fushën e artit, krijuesit e të cilit kujtohen për individualitetin që bartin, por përtej kësaj nuk mund të ketë një model artistik si një objekt i vetëm absolut imitimi, për sado i përkryer të paraqitet. Si pasojë e kësaj bindjeje, Uçi gjatë gjithë jetës së tij ka menduar që jo vetëm në të kaluarën kur estetika, filozofia apo shkenca përbënin një privilegj për personalitete apo edhe për tema të reja, por edhe në kohërat tona ka shumë persona të cilët janë marrë e merren me këto studime dhe që kanë merita të mëdha, secili në mënyrë të ndryshme. Nëse lexohen veprat e Uçit, lehtësisht mund të konstatojmë që ai ka mësuar nga shumë filozofë, estetë, artistë e shkencëtarë të Lindjes e të Perëndimit. Nga veprat e tyre ai ka përfituar shumë duke i bërë të vetat përvojat e tyre pozitive, duke i çuar në sinteza këto ide, por edhe duke kritikuar ato të pasaktat apo të gabuarat. Pa një dialog të tillë tolerant do të kishte qenë e pamundur t’i jepej një përgjigje e saktë pyetjes – Klasika apo jo Klasika? Në fakt, ai ka të drejtë kur edhe duke u nisur nga konstatimi hegelian shprehet se, “arti” zotëron meritën e madhe të çlirimit të shpirtit njerëzor nga “burgjet njohëse të empirizmit momental”. Kjo ngritje shpirtërore të çon të shqyrtosh raportin kompleks midis bukurisë dhe të vërtetës, inkuadrimit të një problematike të së cilës i dhanë një kontribut të qenësishëm risie shumë autorë si Giovanni Verga, Luigi Pirandello, Umberto Eko e të tjerë që sot na ndihmojnë të kuptojmë estetikën e Alfred Uçit.

Shënim: Me rastin e kremtim të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nga Instituti Shkencor Mezzogiorno-Mediterraneo u botua në italisht libri i Prof. Alfred Uçi, “Nga një shekull në tjetrin”. Redaksia e pa me vend të botojë një pjesë nga studimi i profesorit të Universitetit të Kozencës, Gianni Mazzei, mbi këtë libër.

Google+ Followers