“VJERSHAT E MIA BËHEN NJËSH ME NATYRËN, ME SYTË DREJT KALTËRSISË SË DETIT…” (Bisedë me poeten durrsake, Alma Begaj)

Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë

Ku po vështron Alma Begaj?

1.-Përshëndetje, Alma! Është kënaqësi, që po bisedojmë bashkë…Në këto çaste, sjell ndërmend se si, fillimisht, jemi “njohur” përmes Internetit, kësaj shpikjeje ndër më të bukurat e njerëzimit. Nuk di për ty, por unë ruaj diçka prej tyre, në “arkivin” tim…
-Përshëndetje, Babush i nderuar! E gjithë kënaqësia për këtë bisedë është imja dhe a e dini se pse? Sepse, së pari, kur mendoj “nofkën” Babush, (me të cilën ju drejtohen jo vetëm nipat e mbesat, por mjaft miq e kolegë tuaj, madje edhe të moshuar), më kapë menjëherë një ndjesi bije, sikur jam ulur pranë babushit tim, me dëshirën për t’i folur e treguar gjithë ditën, kur jam larg tij.
Së dyti, përveç faktit se jemi “njohur” (lexuar e këmbyer e-maile, komente dhe opinione) përmes botës virtuale (Internetit), mezi kam pritur që t’u takoja nga afër, në ndonjë nga veprimtaritë artistike-letrare dhe asnjëherë nuk e kam patur një rast të tillë. Përgatitja e botimi i kësaj bisede, më duket si një mundësi për të shprehur më shumë, se sa në “ritualet” e virtualitetit.
2.-Tani, le të hyjmë drejt e në temën e bisedës sonë…Pra, kur e ke nisur, për herë të parë, krijimtarinë letrare dhe cilat janë arritjet e tua, deri më sot?
-Oh! Gjithnjë ka një “herë të parë”, e cila mbahet mend, si të ndodhë në këtë çast, tani. Nuk e di, nëse erdhi vargu tek unë apo shkova unë tek ai. Mendoj se kjo gjë ka ndodhur që herët. Ndoshta dhe jo shumë, por unë gjykoj se me vargun jam marrë që nga lindja, ardhja ime në jetë. Them që nga lindja, sepse kujtoj mjaft nga shprehjet e nënokes sime të ndjerë (nënës së babit tim) në formë vargjesh, që rimonin aq bukur dhe kishin tinguj këngësh, që edhe sot i kam në vesh e të cilat m’i thurte ajo, aty-këtu, për të më ledhatuar, si: “Alma si serma, kolopuçe të ka nëna, / topsheqere e nënës, sot i ngjake hënës. / Alpinushe sylarushe, të ka nëna si ketrushe…”  etj etj.
Kam lindur në qytetin e Beratit, ku ishin prindërit e mi, në vitet ’60-të të shekullit të kaluar. Filloren dhe 8-vjeçaren i kam mbaruar në shkollën e muzikës, në qytetin e Lushnjës. Kam studiuar për violinë, më pas kitarën dhe, natyrisht, veglat muzikore më kanë ushqyer me magjinë e vërtetë të artit. Edhe të mesmen e kam mbaruar në Liceun Artistik “Jakov Xoxa”, në Fier, për fagot. Këtë instrument e studionin rrallë, në ato vite, por ende më të rralla ishin femrat (ndoshta, klasifikohesha e vetmja femër në Ballkan atëherë). Ndaj shpesh, në provimet semestrale, vinin të më dëgjonin edhe prej matanë dheut mëmë. Kjo nuk ishte e çuditshme për mua, që as kisha dijeni, se kush më dëgjonte dhe çfarë diskutonte për mua në sallën e saxhos.  Dymbëdhjetë vjet radhazi, muzika ka qenë ajri dhe fryma ime. Pra, nuk janë pak, për t’u gatuar me ndjenjën e melodisë në vesh dhe shpirt, për t’u edukuar me elitën muzikore dhe artin, në përgjithësi. Aty nga fundi i vitit të dytë, në shkollën e mesme, kur po organizoheshin mbrëmjet e matures ’85, shumica e shokëve dhe shoqeve, si traditë, kërkonin të mbushnin “blloqet e kujtimeve”, me shënime e vizatime. Ndërsa unë, e mbaj mend që, në atë periudhë, kam filluar t’i “mbush” blloqet e tyre me vjershat e mia të para, në vend të shprehjes së mendimeve. Hmm, fjala mori dhenë dhe askush nuk i linte bankat e shkollës, pa marrë “bekimin” me vargjet e mia.
Me mbarimin e Liceut, më 1987, më emëruan mësuese muzike, larg qytetit, ku banoja me prindërit e mi, pra në kodrat e Divjakës. Endesha në mes arash e parcelash, për orë të tëra, deri sa të mbërrija në shkollë për mësim. Mendojeni dimërin me shira ose verën e nxehtë, e cila shtohej edhe më shumë, kur ishte koha e korrjeve të grurit. Shpesh, zetorët ishin mjetet, me të cilat mund të bënim një copë udhë. Gjithësesi, nuk i harroj shtatë vitet e jetës sime, të rendura rreth e qark Myzeqesë. Kjo përvojë, sido që ishte, gjendet në disa prej vjershave të mia, kur bëhem njësh me natyrën, kur ujtohem si bima prej shiut, kur lëkundem me erën e fushës, kur tretem me retë në hapsirë ose kur ndodhem me sytë drejt kaltërsisë së detit të pafund… 
Në vitet e mëkëtejme, pasoi një “heshtje” e brendshme, pasi dihet që periudha e tranzicionit na “trazoi” të gjithëve. Njëherazi, kam shkruar në fletoret e mia “të fshehta”, por që fatkeqësisht, bashkë me bibliotekën time të vyer, në vitin 1993, m’u dogjën të gjitha, nga një shkëndijë zjarri, e cila përfshiu dhomën time! Peng i kam partiturat e shkruara me kujdes, nga veprat e Moxartit, Schumann, Schubert, Beethoven etj., të cilat ishin unike. E, megjithatë, sado që përpiqem, nuk gjej në kujtesë asnjë krijim të hershëm, veç disa grimcave të gjinisë së Hajkut, të cilat m’i kishte ruajtur një mike imja (fletoren e kishte ajo për ta lexuar dhe daton: 12 shkurt 1983).
Në vitin 1995, u bëra nënë dhe nisa t’i përkushtohem tërësisht engjëllit tim, Adelaidës. Nga viti 1996 dhe deri në mesin e 1998, emigruam në Greqi, me familjen e sapongritur. Pastaj u rikthyem në atdhe, në qytetin e Durrësit, ku banoja tashmë prej nga martesa, e zhgënjyer dhe pa shpresë, se do mund të filloja punë, në profesionin tim. Ndërkohë, etja për të lexuar nuk kishte reshtur tek unë. Duke parë oferta të ndryshme në tregun e punës, fillova disa kurse intensive në fusha të disallojshme. Së pari, kreva një kurs për stilim dhe prerje në parukeri, por nuk e ushtrova asnjëherë këtë zanat. Më pas, bëra njëherësh dy kurse, në fushën e administrimit dhe babysitter-it. Ndërkohë, gjeta punë në një rrobaqepësi, ku punova për gati dy vite dhe këtë gjë e vlerësoj për përvojën, që mora aty. Më tej, për afër dy vite, kreva kursin e kompjuterit dhe arrita të fitoja “Master Passport European”, në fushën e elektronikës. Më 2001 e deri më 2003, u punësova në sektorin privat, menaxhere e një kopshti privat, në Durrës. Ndërkohë, vazhdimisht kërkoja punë në arsim, në profilin tim. Ja arrita qëllimit, vetëm në shtator të vitit 2003 dhe nisa punë mësuese në shkollën e mesme “Benardin Qerraxhia”,  po në qytetin tonë, ku shërbej dhe tani. Krahas punës, kreva edhe studimet në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, në Degën e Edukatës Qytetare, të Universitetit “A.Xhuvani”, Elbasan.
E gjithë kjo periudhë, ka qenë e mbushur plot me përvoja, si të ëmbla dhe të hidhura. Por asnjëherë nuk ma prishën “nektarin” e brendshëm, me të cilin ushqeja shpirtin tim.
  

Kopertina të librave, nga autorja Alma Xhelal Begaj

Cila është krijimtaria ime? Ah!... Pas gjithë kësaj, që u tregova, “heshtja” ime  shpërtheu dhe, bashkë me të, ndërkohë, kishte marrë hov zhvillimi i kibernetikës. Si fillim, shkruaja në vebsite të huaja, në ato italiane më së shumti. Duke qenë se shkruaja shqip, ndihesha më e lirë në gjithçka shkruaja, se mendoja që askush nuk ma kuptonte gjuhën!?(ha,ha)...
Më pas, një mik më ndihmoi të hapja një faqe Interneti, që ta përdorja si “Ditarin” tim vetjak, ku askush nuk mund të hynte (e kam ende dhe sot). Se nuk u besoja më fletushkave, që më humbisnin, sa herë ndërroja çantën ose edhe fletoreve, të cilat dikur më ishin djegur. Pas shfaqjes sime në rrjetin social të Internetit, publikimit të disa cikleve me poezi, në vebsite të ndryshme, si dhe gazeta elektronike (ku më keni shkruar, se keni lexuar dhe juve) ose edhe në revista të respektuara letrare, sikur mora edhe “zemër” të re për t’u përballur me kritikën letrare. Shumë, shumë kam publikuar. Disa nga poezitë e mia janë botuar në revista periodike letrare-artistike, si “Obelisk”, “Pegasi” e “Art Jonian”, në antologji poetike, si “Korsi e hapur- 2”, “Galaktika poetike, Atunis”, “Lotët e virgjër” etj. 
Po aq sa vjersha janë botuar e publikuar, ndoshta, më shumë janë në “ngrirje” brenda ditarit tim. Por, vetëm para tre vitesh, arrita të bëja botimin e librit të parë,  me titullin, “Shikim që sfidon distancat”, i cili përmbledh 118 poezi. Ndërsa më tej, botova vëllimin e dytë poetik, me titullin “Farfurima e shpirtit”, që përmban 80 poezi.
3.-Si ka ndikuar fakti, që ti jeton, punon e frymëzohesh në brigjet e Detit Adriatik, pra në qytetin e lashtë dhe të bukur të Durrësit?
- (Ha,ha,ha!) Deti? Ai, ka qenë, është dhe do të mbetet i vetmi “dashnor” i imi, që kurrë s’do më tradhëtojë. Deti Adriatik, mbart brenda qytetin e Durrësit, me gjithë historinë e tij të hershme. Ai mban brenda dhe mua, mos harro! E di? Unë jetoj dhe punoj në Durrësin e bukur e të lashtë, por magjia e tij më ka bërë të ndihem sirenë e detit. E them me bindje të plotë këtë, pasi në çdo lloj situate emocionale të ndodhem, edhe pse jo shpesh fizikisht, sikur notoj ujërave të tij, në çdo njëzet e katër orë, në secilën ditë të vitit. Atje, përballë tij, ai më vështron dhe ma thith shpirtin, ma tret, ma vorbullon, ma mbush me qetësi dhe paqe, e ma risjell në trup, sërish. Ndërkohë, unë bëhem fëmijë i lumtur dhe luaj me çdo valë, i them të pathënat e mia dhe ai nuk bën zë. Nëse rikthehemi te pyetja e parë, ikni e bëni “kompromis” me detin, që të t’ua tregojë “sekretin” tim…Si ka ndikuar bregdeti në frymëzimin tim? A mund të përgjigjem, me disa vargje? Ja, ato:
Tek shkëmbi në bregdet,
Ulur këmbëkryq
E dëgjoj si më flet.
I flas me zë të ulët,
Ulur këmbëkryq
Me duart bërë grusht.
Mbushem me të
E veç ai më mbush.
Kur shkoj para tij,
Me një gllënjkë e përpij!

Shpresoj të kem dhënë përgjigjen, që dëshironi, Babush! J
4.-Sigurisht, ti lexon autorë të ndryshëm…A mund të veçosh ndonjërin prej tyre, si shqiptar e të huaj dhe përse të pëlqen?
-Natyrisht, vazhdoj të lexoj shumë, çdo ditë, deri sa më mbyllen sytë. Po, për ta bërë më të thjeshtë, po citoj disa autorë, që më kanë lënë mbresa, qysh nga fëmijëria dhe adoleshenca. Sepse, shpesh nëna ime, më thërriste me dashamirësi: “Hutaqe, ha bukë, kur ulesh në tavolinë dhe mos lexo më!”. Ndërkohë që unë as dëgjoja ç’më thoshte ajo dhe vazhdoja të lexoja, duke harruar të fusja një kafshatë bukë në gojë!? Autorët, që kam në mendje, nga periudha e adoleshencës, janë: Petro Marko, Lasgushi, Kuteli, Jakov Xoxa, Noli e Migjeni, por dhe Esenin, Bajron, Berns, Neruda, Remark, Heminguej, Markez, Ricos, Tolstoi, Pushkin, Borges, Kafka, Osho dhe mjaft të tjerë…
Oh, aq shumë kam lexuar dhe vazhdoj të lexoj, sa shpesh mes miqësh them: “E kam kokën si një magazinë pa inventar!...”. Me këtë dua të them se, që nga koha kur m’u dogj biblioteka e familjes, jam përpjekur të bëj zëvendësimet e titujve të librave. Por disa nga librat ende nuk i kam gjetur. E, megjithatë, e them me krenari se kujtesa, hera-herës, më mbetet te veprat e para artistike, të raftuara në bibliotekë, si: “Ana Karenina” e Leon Tolstoit, “Tom Sojeri” dhe “Hakelber Fini” nga Mark Tvein, “Lumi i vdekur” nga Jakov Xoxa, “Nata e Ustikës” nga Petro Marko, “Tregime të moçme shqiptare” të Kutelit etj etj. Nuk mund t’i rreshtoj sot gjithë librat, që kam lexuar ose rilexuar, pasi nuk dua të renditem si një lexuese “absolute” e gjithë veprave më të arrira të autorëve të huaj ose shqiptarë. Por, mund të them me kënaqësi, se vazhdoj të lexoj letërsi artistike dhe njëkohësisht vepra të tëra, me përmbajtje historike, filozofike e sociologjike, nga autorë vendës e të huaj. Kjo literaturë zë një vend të rëndësishëm në bibliotekën time. Meqë kam rastin sot të shprehem për librin në përgjithësi, një vend të veçantë e të rëndësishëm zë tek unë edhe hapësira e botimeve poetike, proza, essatë, studimet etj., nga miqtë e mi, të cilat më janë dhuruar prej tyre, në takime përurimesh të ndryshme.
5.-Para se të bëhet njeriu shkrimtar ose poet, mësues, artist etj., ka një udhë të mëparshme në jetë…Pra, a mund të na tregosh diçka më tepër për këtë gjë, si dhe për punën, familjen etj?
-Ha,ha,ha! Unë nuk di të jap përgjigje për udhën e shkrimtarëve ose poetëve, sepse nuk e fus veten në një “rang” të tillë. Madje, as në rangun e artistëve. Por mund të ritregoj udhën time mësuese, që e sqarova më sipër. Vetëm se dua të shtoj diçka për këtë çështje. Me fjalën “Mësues”, unë kuptoj një njeri, i cili në çdo sekondë të jetës së tij nuk resht së mësuari, së pari, vetëveten, me qëllim që të jetë i aftë dhe të dijë të japë nga vetja, për të tjerët. Ndaj dhe unë, çdo ditë, përpiqem të mësoj. Kjo është udha ime, në të cilën kam 26 vjet, ku eci dhe që, në çdo hap, mundohem të lë shenjë, sado të vogël.
Gjatë këtyre viteve, siç e tregova edhe më sipër, asnjëherë nuk jam përpjekur që të mos eci përkrah me kohën, me të rejat e shekullit. Me këtë dua të kujtoj kujdesin, që kam treguar dhe vazhdoj të tregoj në përmbushjen time intelektuale, gjë e cila nuk arrihet pa vështirësi. Pas kaq përvoje, duke theksuar faktin se jam një femër, jam një nënë, një bijë, ndihem vërtetë me fat që ekzistoj, falë dy prindërve të mi të mrekullueshëm e të thjeshtë, falë vajzës sime të dashur, Adelaidës, që m’i mbushin çastet e jetës me kënaqësi e optimizëm.
5.-A të ka mbetur ndonjë gjë tjetër “merak”, për ta shtuar në këtë bisedë tonën?
-Profesor Murati, “meraku” im është vetëm një: T’u falënderoj nga zemra për gjithë sa trajtuam së bashku, rreth jetës e punës sime dhe për durimin, që patët. Ishte kënaqësi për mua të bisedoja me një njeri të veçantë si ju, publicist e studiues i njohur, autor i disa librave, sidomos nga historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar. Respekte maksimale prej meje dhe ju uroj gjithçka të bukur, në jetë e familje!
-Shumë faleminderit për urimet, Alma! Por, në mbyllje, dua të them diçka… Pak më lart, më tregove për autorët tu më të pëlqyer, për leximin e librave të kolegëve e miqëve, që t’i dhurojnë. Kam kënaqësinë që edhe unë, në takimin më të parë, të dhuroj ty, libra të mi. Ndër ta, ende kam libra: kushtuar pedagogut e mikut tim të ndjerë, prof.Bedri Dedjes-Akademik dhe shkrimtar i njohur; për mbesën time të dashur, me titullin “Dorela” dhe, së fundi, libër me shënime e mbresa nga vizita ime në Suedi, në prillin e vitit 2012…Sigurisht, në bibliotekën vetjake do të vendosi me kënaqësi edhe dy librat tu me poezi dhe presim botime tjera të reja, pasi ti shkruan e shkruan, pandërprerje…
Së fundi, të falënderoj për përgjigjet tua të bukura e të sakta, me frymëzimin e një poeteje dhe artisteje muzikante. Përmes tyre, lexuesit do të krijojnë një mendim më të plotë për jetën dhe krijimtarinë tënde, me sytë e ngulur gjithnjë nga deti, nga Perëndimi apo jo? (ha,ha).


Tiranë, korrik 2013

Google+ Followers