Si s’të desha pak më shumë


Tri mendime poetike që ndajnë të njëjtën periudhë në përvojën intuitive që shkaktojnë realiteti, imagjinata, politika, ideologjia, absurditeti… ndjeshmëri të shoqëruar me mendimin filozofik e që shpeshherë i dalin jetës përballë me ashpërsinë e tyre. Pasiguria, ndrydhja, atmosfera e frikës, stigmatizim i politikës antikombëtare dhe i egërsisë së diktaturës (vërehet tek poezia e Pipës)… çojnë tre poetët në kontekste të ndryshme meditimi: Lexime vetjake nga Fatos Arapi, Kasem Trebeshina dhe Arshi Pipa

Fatos Arapi
E paëndërrta ime
Më duhet një gjysëm ëndrre,
E paëndërrta ime.

Vë kokën në gjoksin tënd
E tani përplasem
Te kokë e një tjetri.

Më duhet një gjysëm ëndrre.

Shigjetat e orës së dorës
Tutje i shtyjnë kalimtarët,
në ditë të rrëpirta tiranase.
Shpirtra jo shpirtra që shkojnë…
Bri meje dikush flet me vete.
pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.

Dikush, prej zhgënjirni të egër,
mbërthen kryqe të reja.
I hedh një gjysëm leku
Dhe blej kryqin tim.

Tani që ta ngre
Më duhet një gjysëm ëndrre,
E paëndërrta ime.


Si s’të desha pak më shumë

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:

“Si s’të desha pak më tepër…”.


Nuk mbyllen dot

S’kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.
Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s’mbyllen më dot.

Mund të hyjë kush të dojë.





Arshi Pipa

Nemesis (mallkim)
I
Ndër gropa burgjesh shkrye për gur e baltë,
mbërthye qelash ndër pranga,
nga gjoksi i shtypun sungullon mâ e naltë
kur del prej s’thelli kanga.
Na shajnë e na poshtnojnë, na plasin gjamën:
anmiq t’adheut! Tradhtarë!
pse duem Shqipnin e plotë, pse urrejmë na namën
e huej, pse jem, shqiptarë.
E ata qi e shitën tue ja lidhun qerit
t’anmikut për trofe,
ata qi flamurin, heu, i’Iskanderit
e zhyen me tjetër fè,
ata qi deri dje mbajshin kapistra,
teneqexhinj, shollarë,
gjysmakë, t’falimentuem, e sot ministra:
ata janë atdhetarë!
Na zhgulin thonjt me danë, ndër plagët krypë
na këllasin, na e shtyjnë
n’gërmaz me grushta, e uj kur bâjmë me lypë
qeshin e na pështyjnë.
Na lagin dimnit qelat, elektrikun
na e venë ndër veshë e n’gojë
e ndër trupa… E qeshin tue fikun
cigaret n’sy për lojë.
Na vene jelekun sa me u thye kërbishtnash,
na lanë me ditë e netë
varun për shpatullash mbi maje gishtash,
pa ngrënë, pa pi, pa fjetë.
Mandej po ngelëm prapseprap na gjallë
me shkelma na mbarojnë,
na hjedhin prej dritores, e veç rrallë
me nji plumb na nderojnë.
Pa gur, pa shenj, ndër gropa plehu hjedhun
si coftina na kallin,
ku grat e foshnjet tona s’vinë me rrjedhun
lotët që zbusin mallin.
Po e fortë asht zemra jonë, ma e fortë, o vllazën,
se tortura qi e sosë.
E zjarrmi i anmikut veç mâ keq na ndezën
urrejtjen qi rroposë.
Heu e tmerrshme ajo ditë tri herë fatore
kur shokët qi nuk ranë,
me shpirtin dalldisur për fitore,
do t’thrrasin gjakun tonë.
Dridhnju tiranë mbi frona e ju xhelatë
qi vegla u bâh’ ni qorre.
E zezë asht nata, por s’ashtë veç një natë.
Dielli i liris, ti shporre!
E n’se lypet durim e besë qi s’vdaret.
aq sa më dhambë me bre
hekurin që kryqzon dyert e dritaret,
qoftë ajo ligjë për né.
Nga gropa burgjesh me njeni-tjetrin rrokë
me besën e dëshmorit,
nga shpirti i bamë thëngjill qyshkur, o shokë,
pa shfrim mbrenda kraharorit,
ushton kanga e kushtrimit. Then çelikun,
shpartallon ledh e strehë,
dhe si shqiponja e flamurit vërtikun
ndër qiellna t’lira zhgrehë.
Përpëlitet Shqipnija nën mizoren
thundër si krymb n’handrak.
Heu, deri kur ma do puthim dorën
qi syt na i plasi gjak?
Kushtrim, o male, o fusha! Qitni bén
ksaj zgjedhe fund me i dhanë!
Ta zhbijmë krajtën qi na e bani atdhen
veç burg e kasaphanë.

*Poema është shkruar në burg prej vitit 1946-1948.


Kasem Trebeshina
Mendimi

Bie mendimi në mendjet e njerëzve dhe duket nuk ndalet,
s’e merr dot era s’e lag shiu që bie rrëmbimthi.
N’er’ dhe në shi, as në mendjet e njerëzve nuk mbetet mendimi…
Ne nuk do vemi më pas, kur vdekja vdekje të bëhet?!…
1953

Melankoni

Në dritare të dy rrimë
dhe nga hëna po shikojmë
s’jemi parë dhe të mërguar
njëri-tjetrin po kërkojmë.

Jemi fare pran’në jetë
dor’ për dore gati zënë:
Diku rrugët na takojnë,
po kalojnë nëpër Hënë!
Burg 1954


Dy botët

Dy botë
një mrekulli…
Një jet’ më vete tirret ditën
dhe nata ngre një tjetër mbretëri.

Te jet’ e ditës
nxitojmë të harruar,
të ndjekur nga një frikë e paformë
te jet’ e natës kthejmë
për t’ëndërruar.
1963


Pa Titull
Mes territ ngjitem kodrës fill i vetëm,
mundimin shtyj më kot dhe me përtim.
Po lehin rrotull qentë… U lehin yjeve.
Unë territ çaj e ngjitem me nxitim.
Pse të nxitohem kur do kthehem prapë?
Një yll u dogj diku në gjithësi…
E ftoht’ kjo mbrëmje vjeshte… Në të ngjitur
Unë po mendoj atë që s’di njeri.

Po kthehem… prush janë yjt’ te qiell i lartë,
si vatër e madhe Durrsi tej po ndrin.
Kam ftohtë… te qielli nuk i ngroh dot duartë.
Të ngrohtët e qytetit s’më arrin.
1964

Qentë
Te bosht’ i natës kthehen yjet,
te gjum’ i natës zgjohet gjumi,
te heshtj’ e natës shkon mendimi
te hap’ i rëndë!
Nga larg dëgjohet një rrëmujë;
po lehin qentë!
Te pyll’ i natës së qytetit
po lehin qentë!

Dhe hap’ i rënd’ përplaset nëpër shkallë,
dhe hap’ i rënd’ përplaset nëpër rrugë,
përmes pallatesh një buçimë.
Po lehin qent’ te frik’ e natës
dhe griset befas errësira
nga nj’ ulërimë.

Po kthehen yjt’ ngadal te bosht’ i natës,
te gjumi po kërkon të fshihet gjumi,
Sa ndihen qent’ në largësi. Ushtojnë hapat.
Përmes pallatesh frik’ e heshtjes shkon si lumi.
1972

Standard

Google+ Followers