Poeti i detit, intervistë me të “paudhin” Koço Mërtiri


Nga Miho Gjini
Atë e gjen kurdoherë në sheshin kryesor të Lukovës, pranë një gote me raki, me vështrimin nga deti. Është poet. E quajnë Koço Mërtiri (Kosta). S’ka pak vjet që është kthyer nga emigrimi në Greqi, me po atë veshje që u largua nga vendlindja. I varfër. Nuk i eci fare. Nuk bëri prokopi, siç i themi ne anëve të Bregut. Por i pasuruar në shpirt me vargje poetike dhe me pesë libra të botuar që i këndonin vendit që la e gjeti kur u kthye rishtazi. Në Lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë të emigruar në Athinë, emri i tij figuron ndër poetët më të veçantë, me frymë lirike, dhe anëtar i përhershëm edhe pse nuk e paguante kuotizacionin. S’ka pak ditë që duke biseduar me të, rreth librit të fundit “Nuk kam Kohë” u intrigova të bëj këtë intervistë. Ca më tepër që disa nga bashkëfshatarët thonin të kundërtën për të, së është i vetmi njeri që ka kohë dhe që “e vriste kohën në mënyrën e vet”…. Por kushdo që ka lexuar poezinë e tij, dhe unë si lexues, bindet se ky poet interesant, jeton me artin e tij poetik dhe ja kushton gjithë kohën dhe meditimin Lukovës, detit dhe njerëzve, që e rrethojnë dhe e duan.
-Pse dy mbiemra?
-Ka kohë kjo punë. Qysh kur poetët, shkrimtarët dhe gazetarët merrnin honorare për shkrimet dhe krijimet e tyre…që në fatin tim të keq, ishin dhe dy Koço Kosta të tjerë, të cilët firmosnin për të marr honoraret edhe kur shkruaja unë. Atëherë shtova dhe mbiemrin e gjyshit… Kështu që nuk u ngatërrova më…(qesh)
- Ç’është ky titull që i vure librit, “Nuk kam kohë”, kur njerëzia e këtushme thonë që Koço Kosta Mërtiri ka më shumë kohë nga të gjithë?
- Ky libër lindi kur unë u ktheva në Lukovë dhe u binda se nuk kisha kohë që të merresha me shumë njerëz, për shkak të diferencës së niveleve, pa dashur të ngacmoj askënd.
- Mos vallë ngaqë poezia juaj është me adresime konkrete?
- Jo, po jeta ime është konkrete, e mbushur me kujtime, emocione të drejtpërdrejta dhe dhimbje, mall, dashuri, det…të gjitha këto i gjen në poezinë time. Aty s mund të gjesh gjë tjetër veç jetën time.
-Shpesh, gjatë verës, juve ju shohim të veshur mbi ndonjë shkëmb buzë detit edhe pse të tjerët bëjnë banjo…Si kështu?
- Më kujtohet Heminguei, shkrimtari i detit me “njeriu pa detin nuk jeton dot”…kështu jemi ne si ai “plaku dhe deti” i Hemingueit. Vijmë të veshur e për punë, soditim detin, por edhe përballojmë edhe dallgët dhe pastaj dalim në “dritaren e jetës”.
-Qenia jote si njeri, si poet, është e lidhur shpirtërisht vetëm me artin e fjalës dhe me natyrën, apo keni në kokë edhe bindjet politike, që i shfaqni herë pas here?
- Të dyja bashkë nuk i përjashtojë…po parësore janë përkushtimet për artin, për letërsinë në përgjithësi, për poezinë në veçanti. Më pëlqen shumë poezia lirike, poezia e shkurtër. Më lodhin (për moshën që kam) romanet e gjata…më mërzit e ashtuquajtura poezi moderne, e cila nuk duhet të quhet më poezi…emër s’të jap dot mos ma kërko këtë!… Ndërsa, për bindjet e mia, më duket se ndihem i djathtë, dhe aspiroj për të mesmen…Jam kundra ekstremeve të bindjeve në politikë.
- Një lukovjotë që jeton në Athinë dhe është pjesëtarë i “Agimit të Artë” kur erdhi në fshat ju ofroi një kapele të zezë, ju nuk pranuat, pse?
- Personi në fjalë ka të drejtë të ketë bindjen e tij… po ai nuk mati mirë që kam bindje të tjera. Dhe kështu kapelja u kthye mbrapsht..Më lejoni që t ju pyes unë tani: Nga e dini ju që mu ofrua kjo kapele e “Agimit të Artë”?
- Kjo u pa publikisht se ndodhi në mes të fshatit dhe gjesti juaj u vlerësua si patriotizëm i kulluar. Jeni vetvetja Koço Mërtiri dhe nuk del nga sfera e shpirtit tënd prej bohemi. Dikush bile bërtiti: ta dekorojmë Koçon..
- Kurrë mos u dekorofsha…mjafton fjala që thuhet..fjala e hedhur…s’kam nevojë për dekorata, më mjafton poezia ime, deti dhe mali Levan që kam mbi kokë…Zoti kryetar i Liter Artit, unë sapo jam dekoruar që nga ky çast.
-Poezia që ke krijuar për detin dhe poezia për barin e shtëpisë tënde të vjetër janë ndër më të bukurat që kam lexuar unë…Ç’mund të më thuash për to?
- S’ më dhëmb më shumë gjë se bari i shtëpisë time të vjetër dhe se deti karshi saj…më dridhet shpirti për to.
-E dinë të gjithë, o Koço se jeni i “dashuruar” dhe me gotën e rakisë…
- S’kam ç’them, veçse të recitojë vargjet e famshme të Omer Kahjanit, që “ngrihet nga varri” për atë të shkretë gotë, apo të kujtoj vargjet e Dritëroit, të cilit i vete koka në tavan kur e kthen gotën e katërt a të pestë..Po s’pive raki s’je poet…
- Në disa poezi të tjera ti flet edhe për disa njerëz të thjeshtë, që kanë hyrë në jetën tënde…
-Po më kanë pëlqyer gjithmonë njerëzit që janë përherë në lëvizje, që bëjnë udhëtime të gjata si Gogo Nini e Spiro Gjezo dhe që i gjen gjithmonë mes njerëzve.
-Një ditë të pash tek bisedoje shtruar me priftin e fshatit…jeni- fetar?
- Është pyetja më e vështirë që më bëtë…Prifti ynë është njëri i urtë dhe i ndershëm po ka difekt në “foni” dhe unë nuk dua të më varrosë me këtë zë të hollë..nëse vdes para tij…
-Flitet se jeni kundërvënë “Njeriut të shenjtë” duke hequr banderolën e vënë në mes të fshatit duke u kërkuar fshatarëve ti afrohen “parajsës së tij” kur të ndërrojnë jetë..
- Djalli nuk ka vend në parajsë dhe prifti ynë e ndien mungesën e vlerësimit dhe nuk ka të bëjë fare me parajsën, dhe ai s’ka të drejtë të ftoj njerëzit në katet e ferrit të Dante Aligerit, përsa më takon mu le të më gjykojë vetë Zoti…Edhe për gabimet që kam bërë në jetë, mua mund të më ndëshkojë vet zoti që është në qiell.
-Dashuron?
-Dashuroj njeriun, dashuroj gjithçka është e bukur, dashuroj Bukovskin, dhe dëshiroj të sakrifikohem për të tjerët..jam i bindur që jeta është një keqkuptim dhe skam frikë të vdesë për të tjerët. Më pëlqejnë fjalët që tha Julius Fuçik përpara litarit “Njerëz ju kam dashur…jini vigjilent”.
- Thuhet se një “damar poetik” e keni nga kushëriri i parë i nënës suaj, shkrimtari i madh i Bregdetit Petro Marko?
-Është e vërtetë … Barba Petrua siç i thërrisja unë i vogël ishte Heminguej i Shqipërisë. Amaneti i tij i fundit qe prehja në Dhërmi…dhe atje prehet…besoj se ky dell poetik që kam prej tij është trashëguar…kam shumë kujtime e mbresa..
- Poeti Koço Mërtiri Kosta u bëre gati një vit më parë të shkoje në Amerikë pse nuk shkove?
Brengosem për këtë po do të shkoj një ditë atje, në tokën ku është varrosur gjyshi im…më ftoi mbesa amerikane në një takim për poetët e atjeshëm si dhe të kisha mundësi të vija një tufë lule mbi varrin e gjyshit në Boston.
- Po poeti Koço ku dëshiron të prehet kur të vdesë…
- Në Lukovë, në Lukovë dhe vetëm në Lukovë…siç kam thënë dhe në një poezi, dua të më vijnë pulëbardhat/të shkundin stërkalat/të shkundin kaltërsi/ndoshta do të ngjallem përsëri..

Google+ Followers