PËR ATË QË S’E MERR GJUMI (Cikël poetik nga Sokrat Habilaj)

Sokrat Habilaj
  
1-PO IKI

Po iki…Ndihem deri në palcë i dërmuar,
Më lodhi zhurma, më lodhi dhe heshtja.
Kur si imazh të zbehtë të më keni harruar,
Kujtoni veç një çast, se sa shumë ju desha!

2-NDOSHTA

Ndoshta shpesh harroj të them se të dua,
Si të thosha dikur, kur ishe përball.
Tani tek unë, je bërë njësh me mua,
E s’ka kuptim që vetes t’i them fjalë.

Ndoshta nuk vrapoj, shkallëve me ngutje,
Të ndihem i lumtur në krahët e tu.
Je kaq madhështore, s’je vetëm puthje,
Dhe ecja ime duhet të jetë po ashtu.

Ndoshta harroj të të pushtoj tek dera,
A me gishta të kreh flokët e bukur.
Sa gjendem jashtë, pëshpëritë era,
Ktheu një çast, s’rri dot pa më puthur.

Ndoshta para teje, humbas në ëndrra,
Dhe nuk të shikoj, kur pulitë sytë.
Zgjohem me ankth, se më dridhet zemra,
A thjesht të shikoj se jam vet i dytë.

Po, ndoshta tani flas më shumë pa zë,
S’kam besim tek fjalët, më pëlqen heshtja.
Nëse do e kuptosh që s’marr frymë më,
Mendo më të keqen, por jo se s’të desha.

3-TË LUTEM MOS SHKRUAJ VARGJE DASHURIE PËR MUA!

 Se mund të mendosh që kur bien netët,
Më këndon si fllad, apo thjesht si hënë.
Pastaj, hutaq si të gjithë poetët,
Buzën time e lë krejt të pa ngrënë.

Se mund të mendosh që ti nëpër rreshta,
Krijon edhe jetë, nën strehë reje.
Dhe harron pa dashje, gjëra të thjeshta,
Që bota krijohet veç brenda meje.

Se mund të mendosh që çdo pëshpërimë,
Ti nis e ma kthen në vargje me ngutje.
Dhe harron, i dehur, se asnjë rimë,
As gjithë vargjet s’vlejnë sa një puthje.

Se mund të mendosh që fjalë mrekullish,
Shkruhen në libra, a letër së paku.
Dhe harron se dua gërvishtje në mish,
Sikur pas çdo germe, të shpërthejë gjaku.

Se mund të mendosh që me yjet fletë,
Dhe s’kupton asgjë çfarë do një grua.
Që ta mësoj unë, ashtu si di vet,
Mos shkruaj të lutem vargje për mua!

4-NGUTJE

 Unë flas me ty pareshtur, flas, flas, flas,
Kaq i drithëruar, sikur s’do të kem më.
Asnjë fjalë për ty, s’dua ta humbas,
Nis të flas me shenja, nëse nuk kam zë.

Nëse mpihet trupi, frymën kthej në puthje,
A gishtat në flokë, i përthyej si germa.
Në grimca lëkure, derdh tinguj me ngutje,
Nëse s’më dëgjon, hyj të klith nga brenda.

Unë flas me ty pareshtur, flas me merak,
Mos ndoshta një çast, më ikën e heshtur.
Edhe një jetë të kem, është fare pak,
Se s’mjafton të them, gjithçka më ka mbetur.

5-RELIEV I THYER

Gjithçka e sheshtë të duket si mjegull,
Me rregullsinë e saj të mërzitshme.
Në të tilla pamje, vështrimi rri pezull,
Kur s’sheh reliev me ulje e ngritje.

Dhe foshnja, a dhe burri që u thinjë,
Në pamje të sheshtë s’rehatohen dot.
Kokën e mbështesin, ata mbi dy gjinj,
Thjesht që të çlodhen, mbase ashtu kot.

Gjithçka e sheshtë, trishtim pikon,
Me rregullsinë e saj të mërzitshme.
Ç’më frymon e dashur, sikur dallgëzon,
Vetëm që për mua, të krijosh brigje!

6-INATI IM

 Ta dish të kam inat sa nuk bëhet më,
Që ky djalë ngjan me ty si pikë lot.
Kisha thënë do kem një fytyrë me të,
Se është vetëm imi, e mburrje kot!

Veten e ribënë, të thash gjithashtu,
Ai që në ngjizje ka zjarr më tepër.
Faji është imi, kam fol kuturu,
Po ti qesh dhe thua, bëjmë një tjetër.

Dhe më fton, eja ta nisim së mbari,
Por dhe po bëmë dy, pesë, a shtatë.
Do të më ngjajnë mua, si i pari,
Mos fol më të lutem, se të kam inat!

Nisem drejt teje, me zjarr e mëri,
Po ti më shuan, e digjesh vet brenda.
Mos m’u mërzit thua, në u bëfsha hi,
Ty do të ribëjë, thjesht nga zemra.

7-PËR TY

 Unë i thash të dua, fare papritur,
Thjesht se m’u duk që hëna mbi ullishte.
Ca çaste mbi flokë të saj kishte zbritur,
Po të doni, quajeni dhe prozaike.

Unë i thash, bëhu gruaja ime nesër,
Thjesht se pa imazh hëne s’mund të rrija.
Dhe brenda asaj do ta gjeja patjetër,
Thoni po të doni, ku është poezia?

Më bëjë dhe dy djem i thash me të lutur,
Thjesht se kur shihja fytyrën larë në hënë.
Kisha bindje se ajo krijon djem të bukur,
Quajeni marrëzi, por kështu i kam thënë.

Tridhjetë vjet pas, tre burra dhe ajo grua,
Dy dalë prej ëndrrës, një nga shpirti i saj.
Vazhdon më pëshpëritë: Të dua… të dua!
Thoni…prozaike, veç mos më bëni me faj.

8-KUR TË IKËSH NGA UNË

Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,
Që unë të mësohem me ikjen tënde.
A thjesht të mendoj se do kthehesh prapë,
Muzgjeve të vjeshtës si vegim hëne.

Ti do të ikësh, por mos ikë e gjitha,
Që unë mos ta ndjej se të kam humbur.
A thjesht të më lesh pas ikjes si grimca,
Çdo pore të lëkurës që të kam puthur.

Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,
Që të besoj se pendohet dhe vdekja.
A thjesht të gjej shpesh vetëm një shkak,
Për të të thënë sa shumë të desha…!

9-PËR ATË QË SE MERR GJUMI

Kur thash lamtumirë, se dija natyrisht,
Se unë do të rrija larg jush kaq pak.
Njeriu ka arsye, botës t’i bëjë bisht,
Por për t’u kthyer, nuk gjen asnjë shkak.

Nuk gënjeva kur ju fola fare hapur,
As u tremba të ndjek ata që s’kthehen më.
Ai që kthehet, është vërtet i çartur,
Kush ikën tek të shumtët, nuk bënë asgjë.

Si të tjerët, lash pas dashuri e lutje,
Lash lot që më përgjëroheshin, ktheu!
Po si të kthehesha, qoftë për një puthje,
Kur buzët e mia kishin grimca dheu!?

S’vija, as për ty që lexon këto rreshta,
Ndërsa belbëzon, shihni, erdhi për mua!
Mos m’u mërzitë se nuk të pyet vdekja,
Dhe kur i lutesh se të pretë një grua.

Nga kjo udhë nuk më kthente as plumbi,
Dhe asnjë dashuri, s’më tundonte në faj.
Erdha se thjesht dikë, netëve se merr gjumi,  
Pa ndjerë frymën time në flokët e saj.

10-TI, KURRË S’MË NJOHE MUA

Rri e qetë, ti s’më njohe mua,
As unë s’të njoha asnjëherë.
Në këtë botë, je thjesht grua,
Unë, burrë si mijëra të tjerë.

Në të flet ty një yll pa dashje,
E ti thua një emër nëpër natë.
Rri e qetë, rri pra se më plase,
Është nata që fletë përçartë.

Në të duket, kur puth një tjetër,
Se ngjizen me të, buzë të ftohta.
Rri e qetë, ikja është e vjetër,
E vjetër është vdekja, sa bota.

Në druhesh se kush vjen më pas,
Gjen grimca aty, si mbetje zjarri.
Rri e qetë, burrat janë tuhafë,
Ndërsa thonë, për ty jam i pari.

Në trembesh nën lutje e klithma,
Se pa faj të tradhton ty qerpiku.
Rri e qetë, gratë dinake të gjitha,
E mbulojnë me dhè atë që iku.

Në të ndjej ty ende nën lëkurë,
A ti më ndjen se frymoj brenda.
Rri e qetë, s’të kam takuar kurrë,
Dreqi ta hajë, shohim dhe ëndrra.

11-MOS I BESO VARGJET E MI

 Ndoshta ti mendon dhe me vete thua,
Si ky, s’di të dashuroj askush tjetër.
Mos beso vargjet, beso vetëm mua,
Unë s’dashuroj aq, por ca më tepër.

Ndoshta mendon, fjalë me kaq zjarr,
Nuk thotë njeri, përgjëruar nga lutja.
Mos beso, memec të tillë s’ke parë,
Që gjithë fjalët ia kafshon ngutja.

Ndoshta mendon, ajrin kthej në vesë,
Duke i spërkatur lulet nën brymë.
Mos beso, ajri përreth meje vdesë,
Dhe grimcat e tij për ty i bëj frymë.

Ndoshta mendon, kur rri duke pritur,
Mjafton një rimë të sillja në mendje.
Mos beso, ende nuk kam lajthitur,
Rimat t’i ngatërroj me aromën tënde.

Ndoshta mendon, se dua t’i puth sytë,
Që si papritur, të më ndizet muza.
Mos beso, kur unë jam vet i dytë,
Di udhë të tjera që çojnë tek buza

Ndoshta mendon, ky malli i poetëve,
Nuk derdhet ndryshe, veçse në rreshta.
Po besoji asaj që më çuçuritë netëve,
Dashuromë kështu dhe jo si në vjersha?

Google+ Followers