"Parrullat me gure" i Ylljet Alickes - botohet ne gjuhen esperanto nga Sh. B. Swidnik‏


Të nderuar miq të librit,
Me kënaqësi ju bëjmë me dije për një ngjarje të re letrare, të sapondodhur.
Vëllimi i mirënjohur me tregime “Parrullat me gurë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka qarkulloi këto ditë në gjuhën esperanto, apo në gjuhën e së ardhmes.
Libri është përkthyer nga Tomas Chmielik dhe Bardhyl Selimi dhe shoqërohet nga një pasthënie e gjatë dhe e plotë vlerësuese e Istvan Ertl, i cili mes të tjerash shkruan:
“... Aliçka i mëson lexuesit Shqipërinë. Jo atë të fshehur pas kërpudhave të bunkerëve dhe pirgjeve të mbeturinave, por atë të oborreve dhe kafeneve, klasave mësimore dhe zyrave, autobusëve dhe stacioneve të trenit. Falë këtij mësimi ajo nuk është më e pakuptueshme dhe e paarritshme si dikur, por paradoksalisht bëhet më njerëzore, më e afërt në veçanësinë e dhe ndryshimësinë e saj, që ka më shumë cilësi universale...”
Ky vëllim me tregime, është përkthyer dhe botuar tashmë edhe në mjaft gjuhë të tjera të botës, si në frëngjisht (ku ka njohur edhe ribotime), italisht, polonisht, sllovakisht dhe rumanisht. Tregimi që mban titullin “Parrullat me gurë” është përkthyer dhe botuar gjithashtu i përfshirë nëpër antologji të ndryshme.
Bazuar në tekstin e këtij tregimi, autori ndërtoi skenarin e filmit me të njëjtin titull që u vlerësua me Çmimin e Kritikës në Festivalin e Kanës më 2001 dhe Globin e artë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio po të njëjtin vit.
Ylljet Aliçka është një nga autorët shqiptarë më të njohur të botës shqiptare, i vlerësuar me shumë çmime letrare brenda dhe jashtë Shqipërisë. Romani i tij më i fundit në shqip është “Valsi i lumturisë”.
Gjatë dy viteve të fundit ka qarkulluar në esperanto nga Shtëpia Botuese Swidnik edhe romani i shkrimtarit Fatos Kongoli “I huaji”. Po kështu ka qarkulluar tashmë edhe vëllimi “E hëna në shtatë ditë” i poetes Luljeta Lleshanaku.

 
Zyra e Shtypit dhe e Informacionit 
Shtepia Botuese Toena
Rr. "M. Gjollesha"
K.P. 1420
Tirane, Albania
Tel. ++355 4 22 40 116
Fax ++355 4 22 40 117
redaksia@toena.com.al
irena.toci@gmail.com
botimet.toena@gmail.com
www.toena.com.al
Facebook: Botimet Toena

Google+ Followers