Kriza e konsumimit të njeriut të letrave, politikës dhe medias


 Nga Mexhit Prençi



1.Kriza e konsumimit të njeriut në rrafshe të ndryshme këto vitet e fundit, është fort e dukshme, e prekshme dhe evidente. Përsëritja e vetvetes është thelbi i konsumimit si dukuri e zvjordhjes së vlerës. Në raste të veçanta konsumimi është promovuar në dimensione të tilla sa është bërë i mërzitshëm dhe i papranueshëm. Ngopja me shije të keqe ka arritur gjer në refuzim. Shumëkush nuk do t’ua shohë portretin të kosumuarve në ekranet televizive. As zërin nuk do t’ua dëgjojë. Mendimet jo e jo. As emrin mbi kopertinën e librit apo në faqet e gazetave nuk do t’ua shohë. As portretin në Facebook apo tweet.
2.Të diturit, të mençurit dhe të talentuarit nuk i ka prekur kjo sëmundje e rrezikshme për individin dhe shoqërinë. Fatkeqësisht ata janë të paktë. Të shumtë janë të tjerët, ata që nuk njohin vetveten. Çdogjë që ideojnë, krijojnë dhe bëjnë, e fantazojnë të përkryer. Vërtiten me nja dyqind a treqind e ca fjalë mbarë e mbrapsht. Përsëritin mendimet, idetë, veprimet, sjelljet, bëmat dhe fjalët pa bukë. I vënë në rresht fjalët me urdhër mizori, i telendisin e zgërlaçin si limon i shtryrdhur e bashkë me to edhe vetveten. Këta janë nga soji i mediokërve. Ca të tjerë që i përkasin Sojit të atyre që i ka pushtuar deliri i madhështisë së marrëzisë, që dijnë pak nga çdogjë (në asnjë fushë  jospecialistë), me fantazi të jashtëzakonshme të paarsyeshme e vendosin veten në rendin e epërm të vlerës cilësore duke i atribuar titujt: i madh, kolos, gjigand e gjeni në rrafshin e letërsisë, artit e kultures; ndërsa në atë të politikës: reformator, progresist, rilindas… sigurisht me fjalë jo me vepra. Duke e besuar surealen si reale, përsëritin në forma e variante të ndyshme ditë për ditë, javë për javë, muaj për muaj e vit për vit se janë të tillë, çka se pa dashje konfirmojnë standardizimin dhe konsumimin e tyre në këtë qasje të gabuar duke mashtruar të paditurit.
3.Në politikë, alternativa për ta minimizuar dhe mënjanuar konsumimin e personazheve, sidomos tek Liderit ëshë shumë më e mundshme se në rrafshe të tjerë. Modeli ekziston. Filozofia e rotacionit politik që aplikon bota me demokraci të konsoliduar, është modeli më efikas që politika jonë duhet ta aplikojë. Liderët kurrësesi nuk duhet të jenë të përjetshëm, sanksionimi me ligj që kushdo mund të konkurojë për dy mandate dhe këtu të vihet pika, është domosdoshmëri historike për demokracinë tonë të brishtë. Historia na mëson se, sado të zotët të jenë liderët politikë, madje jo vetëm liderët por edhe gjithë personazhet në fusha të tjera të pushteteteve, nuk i shpëtojnë dot konsumimit (me përjashtime të rralla të jashtëzakonshme), ndaj filozofia e rotacionit ëshë qasja e duhur më e vlertë për të shpëtuar nga të konsumuarit, për t’u krijuar hapësira  personazheve të tjerë, sidomos të rinjëve të japin kontributin e tyre për reformimin, zhvillimin dhe progresin e shoqërisë duke u mbështetur edhe në arritjet më të mira e të sukseshme të deritanishme. Tradita pozitive gjithnjë është e vyer.
4.Dukuria e konsumimit të personazheve në rrafshe të ndryshme shfaqet në forma të ndryshme. Kështu psh disa deputë vazhdojnë të lexojnë hartime në parlament të përgaditura në shtëpi sipas porosive të shefit partiak pa e vrarë mendjen se çka ligjëron kundërshtari. Kjo qasje stereotipike ka standartizuar dhe konsumuar këto tipe deputetësh. Edhe personazhe të tjerë: gazetarë, ministra, intelektualë, idhtarë partishë, funksionarë të lartë etj, etj, në debatet televizive nuk dëgjojnë njeri-tjetrin, njeri i bie thumbit e tjetri patkoit. Në mënyrë vulgare spostojnë problemin dhe vënë në fokus atë që është personale madje edhe familjet e njeri-tjetrit e sidomos të shefave të lartë. E grinden e fyhen e shamatohen magjypçe, sa u ka dalë boja. Përsëritjet dhe stërpërsëritjet e gënjeshtrave, mashtrimeve, të vërtetave dhe të pavërtetave sipas tyre, i kanë tjetërsuar në personazhe të shtrydhur, të konsumuar që përveç padronit askush nuk i duron; nuk është e tepërt të them se për ca prej tyre ndjen edhe neveri.
5.Nga të konsumuarit e një formati tjetër, në fokus të kritikës kam vënë ca “analistë politikë” inkompetentë, që hiqen si specialistë për çdo fushë, e flasin broçkulla me fjalë të përgjithshme duke kaluar degë më degë nga paaftësia të argumentojnë atë që është substanciale. Nga kokat e tyre të turbullta e kaotike del turbullirë që e bën lëmsh mendjen e dëgjuesit naiv dhe tifoz.
                                                        ***
Këtë stil debatues, mjerisht, e imitojnë dhe aplikojnë njerëzit në mjedise të ndryshme, ku sharjet e fyerjet derdhen me shumicë si nga tifozë të majtë ashtu edhe nga të djathtët. Madje ka edhe ndonjë që i hedh gotën e rakisë në fytyrë kundërshtarit, një tjetër përmbys tavolinën, një i tretë i forti i lagjes siç thuhet, jep edhe ndonjë grusht… (modeli është marrë nga “ndeshjet” në sallën e parlamentit gjatë kësaj dekade të fundit me protagonist disa cuba të ish- opozitës).
6.Me shumicë gjen të konsumuar edhe në komunitetin e shkrimtarëve, artistëve dhe humoristëve shkrimtaro-aktorë, që vetëkënaqen për gjithçka, shkruajnë e botojnë apo aktrojnë dhe mbivlerësojnë veten pikërisht nga paaftësia për të shquar vlerën dhe jo vlerën e krijimtarisë apo aktrimit të tyre: sa është artistike dhe joartistike,estetike dhe jo estetike,çka përsëritin vetveten në këtë qasje të gabuar duke arritur një konsumim perfekt. Përsëritjen e vetvetes disa shkimtarë të mëdhenj botërorë e quajnë vetëvrasje, unë duke përdorur një term mjekësor, do t’i diagnostikoja janë në “reaminacion”, nëse më lejohet të shprehem kësisoj, metaforikisht.
7.Një nuancë të veçantë në dukurinë e konsumimit, shoh tek disa tipe të tjerë krijuesish, të cilët në fillim të karrierës duken të veçantë dhe me fara, por shumë shpejt talenti venitet dalngadalë pikërisht nga përsëritja e vetes në ide, fantazi, mjeshtëri, artikulim të fjalës, në oratori etj, etj. - ngaqë nuk vaditet pjesa e talentit të vërtetë. Krijimi i iluzionit se jam më i miri që në nisje duke e menduar veten personalitet, duke mos dëgjuar zërin kritik ngado që të vijë, bën të thellohet mosnjohja e vetvetes, çka nga moskuptimi refuzohet vetëkorigjimi, vetëreformimi, vetëpërsosja. Urtaku, me të drejtë do të thoshte kjo rrugë nuk të bën personalitet, por perso-nul-itet. Askush nuk mund ta arrij personalitetin duke u kënaqur me vetveten e gabuar, që të largon nga ai që je në të vërtetë; flaket ajo pjesë e vetvetes kur u shfaq talenti në fillim, kur duhej bërë e kundërta. Duhej zhbiruar brenda vetes të shquaje embrionin e talentit dhe të shkriheshe me të, kështu ai, talenti, do të shfaqej me thelbin e vet, me forcën e vet, me origjinalitetin e vet, me energjitë e veta aq sa i ka, pa fryrë asgjë. Krejt natyrshëm do vinte krijimi, pa përsëritje të vetvetes krijuese, pa kopjuar të tjerët, pa u bërë hije e tyre.
8.Konsumimi si dukuri e antivlerës shfaqet pothuajse në të gjitha fushat me specifika të veçanta. Do ndalem tek personazhi më specifik i vetëquajturi “analisti”. Disa kokrra nga ky kontigjent shquhen si ekstremistë  të majtë, disa të tjerë të djathtë. Në debate mediatike kur njeri e kundërshton, tjetri në mënyrë cinike, goteske dhe komike i thotë: “Mos më fyej inteligjencien”! Të njejtën frazë përsërit tjetri kur e kundërshton debatuesi “inteligjent”. Kështu duke refuzuar njeri-tjetrin flasin të dy në një kohë që të imponojnë mendimi e vet, por asnjeri nuk e dëgjon tjetrin, madje as dëgjuesi nuk merr vesh asgjë. Me këtë format, shfaqen në debate: në fushën politike, ekonomike, letrare, poetike; në debate për arkitekturën, muzikën, teatrin, mjedisin, plehrat e të tjera, e të tjera, pa qenë kompetentë në asnjerën prej tyre duke përsëritur veveten, sa arrijnë në një konsumim që kurrë nuk kanë për ta kuptuar dhe braktisur!...
9.Kokëfortësia për t’u imponuar edhe me forcë, jo me argumente e fakte (për shkak të paaftësisë) ndez dellin e marrëzisë dhe vendin e logjikës e zë fyerja, britma, ulurima, ndonjëri dhe bolorit edhe akërrohet edhe shanë kundërshtarin në debate, nëse nuk mendon e gjykon si ai. Kjo mënyrë të debatuari përsëritet e përsëritet në çdo debat në rrafshe të ndryshme sa vetëvuloset  konsumimi pa vetëdije. Dhe kulmi arrihet kur këta tipa akuzojnë politikanët, kundërshtarë të politkanëve të cilëve  u shërbejnë, se janë të konsumuar dhe duhet të largohen nga pushteti! Urtaku do t thoshte edhe analistësh që turbullojnë ujrat e mendimit të ktjellët e të pastër duhet të sikterisen nga pushteti që ju jep media. 
10.Karakteristikë e të konsumuarve, siç nënvizova më sipër, është mosdëgjimi i partnerit në debat. Kjo bën që debatuesi të mos e marrë mendimin e tjetrit, të mos e fus në sistemin e të menduarit, të mos e analizojë; përkundrazi ai përqëndrohet tek ajo që do të thotë vetë për të imponuar mendimin e tij, të cilin e quan më të drejtë, më të përsosur. Kështu krijohet një steriotipi arësyetimi dhe gjykimi, që nuk i shpëton përsëritjes së vetvetes, karakterit të përgjithshëm të debatit, nivelit të ulët të argumentimit, çka e çon drejt standartizimit e steriotipizimit sa bëhet i padëshirueshëm, i mërzitshëm e i papranueshëm nga shikuesit e mençur, të diturit e të moralshmit. Paradoksalisht personazhe të tillë deklarohen të pavarur. Urtaku me shpoti do të thoshte: e pavarur është gjysma e kokës që hesht”.
11.Këtu, është momenti të theksoj  se krahas këtij kontigjenti në realitetin mediatik të sotëm,  kemi edhe gazetarë dhe analistë me kulturë, etikë, integritet dhe specialistë në një rrafsh të caktuar, por këta janë fort të rrallë dhe mbyten nga shumica mediokre. Natyrshëm lindin pyetjet: Përse TV-të preferojnë dhe ftojnë në ekran “analistët” grindavecë, konfliktues e të konsumuar që përsëritin vetveten në gjithçka, që nuk janë specialistë në asnjë fushë, që mbajnë qëndrim të njëanshëm? Përse drejtuesit ftojnë sistematikisht të njejtat fytyra që abuzojnë me sloganin: “flasin në emër të publikut?”. Përgjigjet janë të ndryshme. Unë do të mendoja se ata përfaqsojnë vetëm veten e tyre sipas profilit që paraqita më sipër. Ndërsa për drejtuesit idhtar të tyre që nuk bëjnë dot pa to, mendoj se konsumimi ka trokitur në programet me këtë qasje të gabuar.
12.Si përfundim, konsumimi si dukuri e antivlerës, është i rrezikshëm jo vetëm në media dhe në rrafshin e politikës, por edhe në letërsi, art, kulturë dhe spektaklet humoristike etj. Është i rrezikshëm për zhvillimin e gjithanshëm të shoqërisë sonë demokratike. Kriza e “konsumimit” thërret për profesionizëm, reformim dhe progres! Roli protagonist i meritokratëve të rinj në bashkëpunim me meritokratët historik të traditës është i domosdoshëm, sfidë ndaj të konsumuarve dhe shkërdhatokracisë. Kështu do të mënjanoheshin grafomanët, delirantët, lavdëruesit e vetvetes, të vetëquajturit kompetentë dhe specialistë për gjithçka, njeriucët, mediokërit, të shiturit dhe aventurierët e gangsterët e të gjitha ngjyrave.  

Google+ Followers