Ishte kohë kur gjuheshin poetët - (Tregim nga: ALEKO LIKAJ)

ALEKO LIKAJ

       Agimi qëndronte i heshtur. Herë pas here kthente kokën nga dritarja dhe e treste vështrimin përtej saj, aty ku fillonte masivi i Kërrabës.  Ishim ulur përballë në tavolinë, në një cep të mensës së "Durrësit".  Drekonim përpara dy gotave me verë e një pjate të madhe me peshk. Jashtë një shi i rimët që kishte filluar që në mëngjes, dukej sikur nuk do të pushonte më.  Mali i Vashës ishte zbardhur e Zaranika sillte një erë të ftohtë, që kalonte në të gjithë luginën e lumit Shkumbin. Nga dera e mensës hynin punëtorë  e ndërtues të përbaltur. Çizmet e këpucët e rënduara lëshonin herë pas here copa dheu në dyshemenë e posalarë. Agim Shehu tani kishte ulur sytë në syprinën e tavolinës së zhveshur e dukej sikur kërkonte të zgjidhte fjalët.  E kishim lënë përgjysmë atë histori.
                        Dikush i kishte thënë që të mos shkruante më,  as edhe në gazetën "Metalurgu".  Duhej të ishte ndonjë nga ata, që e kishin në "kujdestari" poetin,  që duhej "riedukuar". Në numrin e fundit ne si redaksi i kishim botuar në faqen letrare një cikël me poezi, si dhe një rrëfim për shokët e punës së tij. Artikulli fliste për punën vetëmohuese që bënin vinçierët dhe ata të transportit  në atë kantier gjigand ndërtimi,  ku hidhnin shtat veprat e uzinat e ardhshme, duke u përballur me vështirësitë  jo vetëm të kohës.  Biseda jonë  në fakt kishte ngecur.  Më kishte thënë se , kishte patur reaksion këtu për botimin atyre vargjeve.  Vetëm kaq.  Pastaj  e kaloi vështrimin nga tavolinat e tjera që ishin pranë nesh, sikur të kërkonte diçka, ndofta ndonjë person. Mbase edhe trembej. Përreth nesh ishin shokët e punës së tij. Ai e dinte se duhej të ishte i kujdesshëm në atë ambient "kalitjeje mes klasës punëtore". Madje edhe i kursyer në fjalë. U ndjeva vërtet keq. Nuk mund  t'i thosha  ate që kishte ndodhur edhe te ne. Kolegu im, Luani, që ishte kryeredaktori, ishte ndaluar në një prej korridoreve të Drejtorisë së Kombinatit, ndërsa po çonte lëndën në shtypshkronjë  në Elbasan. Nuk ma tha asnjëherë se kush ishte personi që i kishte thënë një mëngjes më parë se Agim Shehu nuk duhet të ishte as edhe në shtyp... Kaq kishte mjaftuar që Luani të vendoste dorën në ballë tri orë më vonë, kur u kthye.
                        - Është e tmershme...
                        Zëri iu drodh e iu fik menjëherë.Unë mendova se ç'pasoja e labirinthe do ta prisnin poetin. Arkitektura ku gatuhej krimi. Me siguri edhe Luani, ndërsa vazhdonte të mbante pëllëmbën e dorës mbi ballin e lagur. Në fytyrë i kishte rënë një hije e verdhë, sikur të ishte krejtësisht pa gjak.
                        E ç'mund t'i thoja mikut tim, Agim Shehut? Këtë ia mbajta të fshehtë. Mendova që në ato çaste ishte më mirë që ai të mos e dinte. Natyrisht kjo do ta rëndonte më tepër psikologjikisht.
                        - Do të jetë ndonjë fjalë e lëshuar pa kujdes, nga ato që thonë të marrët e kësaj bote  dhe që në këtë rast nuk janë të pakët. Eh!  S'ia vlen për t'u marrë kaq seriozisht, - i thashë më tepër për ta qetësuar. Me bisht të syrit ndoqa reagimin e tij. Pashë që nuk i lëvizi asnjë muskul në fytyrë. Poshtë vetullave sytë e zinj panë sërish syprinën e tavolinës dhe gotat e verës që nuk kishin shkuar as te gjysma. Kishim harruar të pinim e të shijonim qefullin që ma kishte rezervuar Sela i gjatë, kryekuzhinieri i asaj mense, të cilit dikur i kisha bërë një nder dhe që nuk ma harronte. 
                        Dy orë më vonë, kur salla ishte e boshatisur nga turni i drekës, u kujtuam se duhej të lëviznim.
                        - Do të punoj deri vonë në mbrëmje me grupin artistik, - tha qetësisht Agim Shehu. - Është ai... festivali i grupeve amatore. Ma ka ngarkuar vetë sekretari i partisë.
                        - Do të japim çmim që të nderohesh edhe ti? - bëra shaka unë për t'i ngritur moralin. - Do të jenë miqtë tanë në juri...
                        Pesë ditë më pas  Agim Shehun e larguan edhe nga drejtimi i grupit artistik që kishte materialet e poetit. Nuk kisha se çfarë t'i thosha më. Kishte filluar të ndërtohej arkitektura e krimit. Projektuesit kishin marrë tashmë urdhër për ta goditur e rrëzuar përfundimisht poetin. Kjo do të ishte vrastare dhe e pariparueshme...
 
 
                                                         * * *
  
 
                        Njeriu që u duk se do t'i rrinte në krah poetit, ishte një drejtor ndërmarrjeje aty brenda kombinatit. Dhe kjo nuk është e pakët, kur ke një mik të tillë në një periudhë si ajo që po kalonte poeti . Vehbi Maksuti, një ish shofer dhe me një shkollë gjimnazi të pambaruar, ishte aktivizuar në fillim me Bashkimet Profesionale të Metalurgjikut. I ardhur familjarisht nga një rreth i juglindjes, u duk si dora e fortë në atë kantier të madh pune si Kombinati, i cili po hidhte shtat dita-ditës. Në një ndërmarrje shoferësh e vunë edhe drejtor në fillim, po pastaj, pasi ia kishin njohur "shpirtin luftarak" dhe besnikërinë, e emëruan sekretar të parë të komitetit të partisë të Metalurgjikut.
                        -Ia hodhi Gimi, - më tha Bashkim Çarçani që punonte si normist në montim. Ishte për poetin nga miqtë më të afërt aty. Gjirokastrit ky nga një fermë afër qytetit të jugut.  Kishin patur edhe njohje më parë, kur Agimi ishte mësues në gjimnazin e Gjirokastrës. I dinte përmendësh shumicën e poezive dhe lirikave të tij. I recitonte shpesh edhe për mua.
                        Kështu u duk në fillim. Ishin ditët e para. Me sa duket, Agimi e kishte marrë këtë mesazh, edhe pse ishte si një barkë e vogël në oqeanin e trazuar.
                        - Duhet të shkruash sërish ,- i thashë një ditë,  ndërsa e gjeta në derën e ofiçinës. Këtë herë dukej i qeshur dhe optimist. Më vuri dorën në sup. Më premtoi. - Na shkruaj ndonjë gjë për partinë...- Mendoja se këtë herë vërtet poeti do t'i sfidonte, qoftë edhe me atë "kompromis të vogël". Mbase kjo do të shërbente si pasaportë për ta lënë të paktën të qetë për një farë kohe.
                        Agim Shehu tundi kokën si për ta mohuar pikërisht ate që i propozova unë.       
                    - Mund të flasim e të shkruajmë për çfarë të duash. Është mirë që edhe ju të shkëputeni nga korniza. Pastaj lexuesi sikur ka nevojë që të rrishikojë vetveten në gazetë...
                        Kishte ndryshuar menjëherë fytyrën. Dukej tepër serioz dhe i heshtur.  Ishte bërë diplomat përpara meje. Natyrisht që e kuptova nëntekstin, por edhe botën e brendshme të poetit.
                        -Nuk bëri kompromis, - i thashë Bashkim Çarçanit në mbrëmje, ndërsa pinim nga një kakao në turizmin e qytetit.
                        - Eh!- bëri tjetri. Psherëtiu dhe qëndroi për një çast. - Ti mbase nuk e njeh. Nuk është nga ajo racë Agim Shehu. Është djalë Labërie dhe i rritur mes strallit.
                        Kishim menduar të botonim në numrin e ri të gazetës një shkrim nga sekretari i parë i sapoemëruar nga Komiteti Qendror. Luan Narazani, që ishte kryeredaktori i "Metalurgut", ia kishte kërkuar, por artikulli po vonohej. Na thanë në aparat se sekretari kishte probleme të mëdha, diskutohej pikërisht disiplina proletare.  Kuptohet që kërkoheshin rritme të tjera pune nga njerëzit që në thelb nuk paguheshin, ndonëse shteti bënte sikur ishte dorëlëshuar.
                        - Pashë  Agim Shehun, - më tha Luani të nesërmen. - Po ngjiste shkallët e komitetit me një instruktor. Siç duket e kishte thirrur ai i madhi.
                        - Eh! - i thashë. - Janë miq.
                        - Ti nuk e njeh Vehbiun nga afër.
                        Shoku im tundi kokën e shtrëngoi fort buzët, si për të më thënë mua:" Lëre mos e nga. Një injorant që nuk e ka shokun."
                        Dy orë më vonë në mensën e uzinës mekanike hëngrëm drekë me Bashkimin. Ky ishte i vetmi shok me të cilin mund të bisedonim edhe nga ato që konsiderohen sekrete. Flisnim si pa "teklif" me njëri-tjetrin edhe për probleme që konsideroheshin tepër serioze, për të cilat, pa tjetër që mund të bëje nja dy dekada burg nën siglën "agjitacion e propogandë kundër shtetit". Por ne e kishim dhënë provën.  
                   -Nuk e bën xhap Vehbiu. I duhet edhe ndihma e Agimit. Ky ka ardhur nga "Zëri" e pena e Gimit është e fortë. Por poeti nuk do ta hajë atë koqe ulliri. Të thashë që vjen nga stralli ai.
                        Me sa duket ndodhi ashtu siç e parashikoi Bashkim Çarçani. Shkrimi na mbërriti në redaksi një javë me vonesë. Sekretari i parë thirri në zyrë Luanin dhe i dorëzoi dy fletë ku ishin shkruar " gjërat kryesore" ose më saktë direktivat.
                        - Shkrimin bëje vetë në bazë të këtyre pikave që kam nxjerrë unë, - i tha ai kolegut tim.
                        Nuk kisha parë një ortografi aq të shpërfytyruar sesa ajo e sekretarit të parë.  Herë më ngjanin si hieroglifet kineze dhe herë si këmbët e pulës. Na thanë se sekretarja, një vajzë e re aty, nuk mund ta deshifronte atë. As edhe ndonjë nga katër instruktorët e aparatit. Atëhere u thirr dizenjatori i ndërmarrjes së transportit. Thuhej që ai ishte "adapt" për shkrimin e shokut Vehbi. Ky njeri menjëherë fitoi statusin e instruktorit të komitetit të partisë. I duhej sekretarit për të vetmen vlerë që kish e zotëronte në punët e deshifrimit, edhe pse ishte nxënës nate në shkollën e mesme mekanike në Elbasan. 
                        Kuptova që Agim Shehu sërish nuk do t'i kishte punët mirë. Punë dreqi me të qarkulluar si ai pozicion.
 
 
                                                             * * * 
 
                        Duhet të kem qenë në vitin e parë të gjimnazit në Cërrik. Nuk e di se kush më kishte dhënë një libër me kopertinë blu, por me siguri ndonjë nxënës i viteve më sipër në gjimnaz. Më kishte thënë:" Ka poezi të bukura". Vetëm kaq. Sapo u ktheva në shtëpi, nisa ta shfletoja dhe m'u duk sikur e përpiva. Njëra prej poezive më mbeti në mendje. Në fakt ajo kishte terma matematikore brenda saj, por mënyra se si i drejtohej një vajze ishte më se interesante. Ishte e veçantë për mua që isha aso kohe në moshën e adoleshencës dhe "gjuetia" ndaj vajzave ishte kthyer si në një preferencë absolute.
                        Ka qenë pushimi i shkurtër ai midis dy orëve të mësimit. Kthehem nga shoqja e bangës dhe menjëherë nisa të recitoj vargjet e një poezie që i kisha mësuar përmendësh brenda asaj nate.
 
                        Ty po të drejtohem, vashëzë syzezë
                        Më do apo nuk më do, kjo është hipotezë...
 
                    Tjetra në një çast heshti dhe më shikoi drejt e në sy, sikur donte të hetonte,  sikur donte të zbulonte mendimin a dëshirën time të fshehtë. Unë vazhdoja me pasion vargjet e poezisë që më kishte trazuar zemrën dhe nuk po e kuptoja se ç'po ndodhte rreth meje. Dy miq të mi më ndiqnin ashtu në këmbë duke kthyer herë pas here sytë nga dera në pritje të mësuesit të lëndës. Kur po i afrohesha fundit, ndjeva që kisha tërhequr vëmendjen. Shoqia ime nuk po ndihej mirë. E kthyer profil, dukej që po nervozohej. Duart nuk dinte ku t'i vendoste. Nga mënyra se si po i deklamoja ato vargje isha skuqur edhe në fytyrë. Nuk po u lija vendin as presjeve. Kishte në përgjithësi një nxitim për t'i thënë gjërat sa më parë, zakon që më ka mbetur edhe sot sa herë që deklamoj vargje.
                        -Bravo! - tha Taqoja i gjatë. 
                        Kisha përfunduar. Mora frymë me kraharor. Ndërkaq ndjeva një si shkrepëtimë e cila më kaloi para syve dhe faqen që më dogji. Madje sytë u lagën në një çast. Shoqia ime përballë kishte një fytyrë të përçudnuar. Dukej nervoze e m'u krijua përshtypja se kishte hapur gojën si një shpellë përpara meje.
                        -Maskara!- dëgjova që klithi.
                       Kishte dorë të rëndë shejtania. 
                        Kuptova që kishte një keqkuptim në këtë mes. Vargjet i kishte marrë vërtet si një propozim dashurie, edhe pse nuk më kishte tërhequr asnjëherë vëmendjen. 
                        Pas mësimit Donika, kujdestarja e klasës, bëri një mbledhje të shpejtë. Shoqia e bangës qante me dënesë. M'u duk krejtësisht e pafajshme dhe më erdhi vërtet keq për gjendjen që i kisha krijuar.
                        -Do të shikohet edhe pranimi i Alekos në radhët e organizatës së rinisë që do të bëhet së shpejti me nxënësit e klasës sonë.
                        Ne kishim bërë kërkesat disa ditë më parë. Kishim marrë edhe rekomandimet nga nxënësit më të rritur që bënin pjesë në atë organizatë. E vuajta këtë moment. Gjithë atë natë nuk më zuri gjumi. Më tepër se mospranimi më vinte keq për shoqen e bangës e cila ishte vërtet një vajzë e mirë dhe e urtë. Ajo mësonte, ndonëse rrjedha e mëvonshme  e çoi deri punëtore ferme. Kishte dashuruar dhe marrë një burrë me probleme në biografi. Në një farë mënyrë ajo kishte mbetur peng e dashurisë. Ndofta poezia e Agim Shehut e kishte shkundur atë vajzë krejtësisht të ndrojtur. E kishte zgjuar nga ajo përhumbje...Ndërsa mua, përveç shuplakës më bëri të jem më i kujdesshëm pas kësaj në marrëdhënie me shoqet.
                        Gjithsesi në vitet e mëvonshme gjithmonë i kam thënë Agim Shehut se më ka një borxh, të cilin nuk e ka shlyer edhe sot...Më tronditi rininë e hershme.
 
 
                                                             * * *
 
                        Kishte kaluar një vit dhe vjeshta sërish në Elbasan erdhi me shi. Në fushën e Bradasheshit ku kryheshin punimet për metalurgjikun e së ardhmes balta bëhej torturuese. U duk se atë vit dimri erdhi më shpejt se zakonisht, edhe pse ishte ende tetor. Madje në ditët e fundit të tij.
                        Prej ditësh me bibliotekaren e Klubit të Kulturës të Cërrikut, Nexhin, një ish shoqja ime e klasës, vendosëm  të organizonim një takim me poetin Agim Shehu. Tetori ishte muaji i takimeve të lexuesve me shkrimtarët. Ishte bërë traditë asaj kohe. Në intimitet i kisha treguar edhe historinë e asaj shuplake në mes të klasës që mora nga poezia e Agim Shehut dhe që Nexhi e kujtonte me buzën në gaz. I ndamë detyrat. Gjimnazistët dhe disa punëtorë do t'i lajmëronte ajo. E vendosëm që aktivitetin ta organizonim në sallën e SMT-së të Cërrikut, që ishte në të dalë të qytetit të vogël, përgjatë rrugës që të shpie në zonën e Sulovës dhe asaj të Gramshit. Ndërsa unë mora përsipër që të sillja poetin në qytet. E dija se ishte me spec kjo punë, por largësia nga metalurgjiku mendova se do të mund të na shpëtonte në një farë mënyre. Në Cërrikun e naftëtareve nuk e kishin në evidence të "qarkulluarin për riedukim mes klasës".
                        Pasi mora aprovimin e Agimit dhe caktuam datën, një ditë më parë  ia kujtova sërish.
                        -Mos u mërzit, - më tha Gimi. - E kam rregulluar. Do të vij me zisin e Petrit Qoses, i cili ka marrë një rrugë deri në rafinerië pranë Cërrikut. Ka për të ngarkuar një rrugë llamarina skarco nga të fabrikës së fuçive atje. 
                        Të nesërmen në mesditë u nisëm nga kombinati. Ndonëse takimi ishte planifikuar pas katër orësh , u bëmë për rrugë.
                        - Më mirë herët, se nuk i dihet ngarkesës, - tha Petriti, një 30-vjeçar energjik elbasanas. E dija që linte kokën pas Gimit.  Bashkë punonin atje në transport. Kishte qenë madje edhe pjesë e grupit artistik me libret të poetit dhe kishin mundur të merrnin edhe flamurin e festivalit në një konkurim aty në metalurgjik, ndonëse nuk ia përmenden emrin autorit.
                        Jashtë kabinës dallova disa fluturza bore. Ato ashtu si insekte të ftohta vendoseshin përpara xhamit të makinës duke zbritur lehtë që nga qielli. Dukej se një erë që frynte nga lindja luante me bardhësinë e tyre duke i shpërndarë kudo. Agimi që i ndiqte nga pozicioni afër Petritit, më tha ngadalë dy vargje. Nuk di nëse i krijoi aty apo i kishte shkruar vite më përpara , kur nuk e kishte këtë lloj "njolle" qarkulluese. Lamë pas Paprin e morëm kthesën në lagjen "Shelg" të Cërrikut. Aty banonin disa familje çame që punonin në rafineri. Përpara se të vinim te kthesa e Uzinës, në fund të kantierit, Petriti e ndali zisin.
                        - Këto duhet të jenë, - tha e tregoi me dorë një pjesë hekurishtesh poshtë rrugës në një shesh të vogël. - Ju qëndoni këtu, derisa të vete në uzinë për të kërkuar tre a katër punëtorë, që të ngarkojmë. Kështu bëmë. Zbritëm poshtë  e Gimi filloi  të lëvizë këmbët mbi asfalt. Kishte ftohtë. Edhe unë gjithashtu. Biseduam për kohën dhe për faktin se " ky vit ishte i jashtëzakonshëm që na kishte sjellë dimrin kaq shpejt." 
                        Petriti u kthye. Që nga shprehja në fytyrë kuptohej se nuk kishte mbaruar punë. Ora po shkonte tek treshi e turni i parë kishte lënë punën. Së bashku me ata edhe punëtorët e transportit e ndonjë vinç që mund të na ngarkonte.
                        - Ç'të bëjmë? - na pyeti shoferi i zisit. Pastaj pa pritur përgjigje, tha: - Hajdeni ta ngarkojmë vetë. 
                        Hodha vështrimin nga Agimi që qëndronte në heshtje dy hapa më tej. 
                        - E fillojmë, - tha dhe ai.
                        Dukej që mezi priste ta bënte atë takim. E shihte si një dritare të vetme në atë botë intrigash dhe presionesh që e rrethonte pas mbërritjes nga Tirana si i destinuar për t'u "kalitur dhe riedukuar në metalurgjik". Këtë unë e dija mirë, ndaj ia kisha organizuar aktivitetin publik poetit, që "nuk duhej të sillej si një poet" aty.
                        Kishim mbi një gjysmë ore që punonim. Ngarkonim copërat e llamarinave të paketuara duke i përplasur mbi karroceri. Të vetmet dorashka që gjeti Petriti në kabinë ia dhamë Agimit. Në një moment e pashë që një curil gjaku i kishte rrëshqitur sipër tyre. Dukej që ishte prerë.
                        - Pa rëndësi, - na tha, ndërsa Petriti ndërpreu punën për t'i ardhur në ndihmë. Ishte një prerje e vogël.
                        - U gjakose përpara takimit tënd,- foli shoferi që ishte skuqur i tëri në fytyrë. Punonte më shumë se ne.
                        Agimi u duk si i përhumbur. Mbase jetonte me të ardhmen, me njerëzit e lexuesit që e prisnin atje lart në qytet.  Vura re që i hodhi një vështrim vjedhurazi orës. Këtë e konstatoi dhe Petriti.
                        -Mendoj se e ngarkuam. E pat dhe kjo punë. Tani na duhet  të nisemi. Hipni shpejt.
             Pastaj se nga e nxori një shishe që ishte mbushur me benzinë. Na dha një leckë gjysmë të ngjyrosur nga pluhurat dhe vaji për të larë duart. Agimit nuk i ramë në sy, ndërsa kontrollonte në heshtje plagën, një e gërvishtur e lehtë.
                        -Nuk më dhemb, - tha ai që e kuptoi se ne e ndiqnim vjedhurazi. - E po... duhet  ta kem një kujtim nga ky takim, - vuri buzën në gaz.
                        - U bëmë vonë, - foli shpejt Petriti dhe u ngjit në kabinë.
                        Te dera e SMT- së mbërritëm gati dhjetë minuta me vonesë. Së bashku me bibliotekaren kishin dalë edhe dy a tre gjimnazistë për të na pritur. Takimi filloi shpejt. Agimi përshëndeti pas fjalës hyrëse të Nexhit që lexoi një tekst të vogël të cilen ia kisha përgatitur unë tri ditë më parë duke i uruar mirëseardhjen, por edhe një vështrim për krijimtarinë e poetit duke bërë ndonjë analizë të vogël te librat e botuara. Pas dhjetë minutash vërshuan në podium copëza letrash me pyetje.
                        -Përgatituni ta gdhijmë sonte këtu, - tha me humor Agimi.
                        E kuptova që kishte ndryshuar komplet. Dukej entuziast. Nuk e kisha parë ndonjëherë kështu dhe natyrisht ndjeva që u lumturova nga situacioni që po kalonte miku im.
                        Ndërsa Agim Shehu fliste për të pranishmit në sallë dhe ne po kalonim më shumë se dy orë aty,dallova që nga dera anësore u fut si një hije një njeri. Pak i kërrusur dhe i qetë, zuri vend nga fundi. U ul në karrige dhe pasi kontrolloi përreth,  vuri këmbën mbi këmbë. U kujtova se e kisha parë këtë fytyrë në metalurgjik. Pastaj sikur t'i kisha thirrur kujtesës, kuptova se ishte një operativ i degës së punëve të brendshme të Elbasanit.
                        Përpara nesh në podium kishin filluar recitimet. Një grup nxënësish deklamonin poezi të Agim Shehut. Operativi po më dukej moskokëçarës dhe krejtësisht i pavëmendshëm. Unë analizoja: "Si erdhi deri këtu ky njeri? Cili informacion e kishte sjellë nga Elbasani?". Sidoqoftë hamendësimet se ku kishte rrjedhur njoftimi, por edhe varianti që në sallë duhej të ishte pa tjetër edhe informatori që e kishte sjellë, më bëri që të mos reagoj sa herë që të tjerët në sallë durtrokisnin pas çdo recitimi.
                        Pas pak i bëj shenjë Nexhit që ta mbyllte pa e diturAgimi , që vazhdonte të fliste përsëri duke treguar një episod nga rinia e hershme me Ismail Kadarenë.  Historia e një "romani" të përbashkët i shkruar në copa letre që më pas kishin humbur...
                        Kishim dalë që të gjithë nga salla, aty buzë rrugës që të çonte për në qytet. Shikoja Agimin që përqafohej me lexuesit e tij, nxënës të cilët po e përcillnin deri te zisi i Petritit. Shoferi qëndronte me mua dhe po ndiqte lëvizjet e njeriut që erdhi me vonesë në atë takim. Ai e la i fundit sallën dhe u drejtua për nga dezhurni i ndërmarjes. Pas xhakaventos gjysmë "fëshfëshe" dallova siluetën e pistoletës së tij. Në një çast ai ndali dhe e kontrolloi me dorë. S'di se si, po në moment m'u krijua një shijë e keqe.
                        -Po ky ç'pati? - pyeti nën zë Petriti duke treguar me kokë nga njeriu i degës. E kishte njohur. Mbase edhe ai po ndiente të njëjtën gjë ashtu si unë. Pastaj tundi kokën si për të thënë: "Hej, bela..."
                        Pas tri ditësh,  ndërsa vija te sheshi i uzinës mekanike, njeriu i fshehtë i takimit  të Cërrikut ishte përballë.
                        - Ç'kemi? - pyeti sikur të ishim të njohur të vjetër. - Besoj se ke kohë që të na japësh edhe një kafe.
                        "Qenka edhe qylaxhi," -ishte mendimi që më përfshiu në atë çast. Jo vetëm që nuk njiheshim,  por nuk kishim patur as edhe ndonjë përshëndetje. E kuptova se ku e kishte hallin. Zumë vend në bufenë e mensës në një kënd që nuk binte në sy. E zgjodhi operativi.
                        -Të lexoj rregullisht dhe, të them të drejtën, më pëlqen penda jote.  Kam përshtypjen se më shumë se je gazetar, anon nga letërsia. E kuptoj që të pëlqen. Duket edhe në dorë, kur shkruan.
                        Tunda kokën si për ta aprovuar nga ai intimitet që më krijoi ky i panjohur.
                        - Edhe unë e kam pasion letërsinë. Lexoj shumë. Kam shkruar kur kam qenë në shkollë. Më pëlqejnë poezitë. 
                        Në një çast u ndjeva mirë që kisha përpara një njeri me të njëjtat mendime e dëshira duke harruar se diku "flinte lepuri". E prisja që do të dilte tek takimi me Agim Shehun. Nuk do  ta besoja kurrsesi se ai kishte ardhur aty në Cërrik vetëm si një sipatizant i letërsisë.
                        -Kush e organizoi takimin me atë poetin gjirokastrit? - pyeti pasi kishim shkëmbyer edhe ca mendime për botimet letrare të fundit.
                        Ngrita supet në një çast. Kërkoja të fitoja kohë.
                        - Ka një institucion që i organizon këto. Jemi në muajin e letërsisë.
                        Vetëm kaq. Operativi u ngrit duke parë orën e tij dhe në çast më tha se kishte për të shkuar deri në spitalin e Elbasanit. Kishte një të afërm që do të operohej atë ditë. Mendoi se e besova. "Dhelpra e përfundoi misionin e saj",- thashë me vete. 
                        Që nga ajo ditë nuk u takuam më me njeriun që kishte pasion letërsinë, edhe pse shpesh herë ishim vënë përballë në metalurgjik dhe në Elbasan. Në këto raste bënte të panjohurin. Më kishin thënë se kishte qenë kuzhinjer në sharrat e rrethit fqinjë, përpara së të shkonte në shkollën e sigurimit. Mbase ishte përzgjedhur për atë detyrë nga që njihte mirë teknologjinë e gatimit.
                        Pak më shumë se dy muaj më vonë Nexhin e larguan nga biblioteka. Nuk e di se si e ç'motive i paraqitën asaj. Në fakt ishte vajza e një komunisti veteran që kishte punuar në rafinerinë e naftës në Cërrik, edhe pse ishte martuar me një djalë punëtor që ishte traineri i shtangës në qytet, për të cilin flitej nën zë se"kishte problem në biografi". Por unë e kuptoja se ajo e kishte pësuar nga ai takim letrar me poetin që kishte ardhur për t'u riedukuar në gjirin e klasës". Këtë nuk ia kam thënë asnjëherë Agimit. Nuk doja t'i shtoja më tej vuajtjet.
                        Vendin e Nexhit e zuri një komshia ime, Lira.
 
 
                                                               * * *
 
                        Rruga ishte padyshim e vështirë. Poeti kishte përpara një mal të rëndë që zor se do të dëgjonte gjë nëse e godisje me një grusht. Nga Bashkimi mësova se Agim Shehu do të kishte finalen dy ditë më vonë.
                        - Do të ndahet për jetë a vdekje, - më tha ai, ndërsa pinim sërish në turizmin e Elbasanit nga një aranxhatë. -Ka vërtet një bilanc tragjik. I ka kundër që të gjithë. Aty do të hapet edhe zarfi që ka mbërritur në tavolinën e Vehbiut nga Tirana. Sigurisht edhe ky ka dhënë mendimin e vet negativ.
                        Në një çast m'u krijua përshtypja se Bashkimi po filozofonte bosh. "Ç'ia fut kot edhe ky,"- thashë me veten time. Nuk doja ta besoja se miku im poet e kishte kaq pranë tragjedinë.
                        -Agim Shehu nuk duket kaq i cfilitur përpara gjithë dramës që kaloi këtu, - thashë më tepër për të qetësuar veten, por edhe shokun që kisha përballë.
                        Me autobuzin e mbasdites që kthente punëtorët e matalurgjikut për në Cërrik udhëtova në një sedile dyshe me një të njohur të vjetër. E dija që ishte nga fshatrat përreth qytetit dhe se ishte komunist. Punonte punëtor ngarkimi në ndërmarjen e transportit të metalurgjisë. Së bashku me Agimin ishin. Madje shpesh herë më fliste me entuziazëm për të, ngaqë e dinte se unë e kisha mik poetin. Veniamin më duket se e quanin. I thashë se duhej ndihmuar në mbledhjen që kishte organizata e partisë të nesërmen mbasdite. 
                        - Asqë diskutohet, - më tha gati me një naivitet fëminor. - Por unë jam bishti i kavallit. Pastaj të shohim se ç'do të thonë ata të mëdhenjtë...
                        Kuptohet që Veniamini nuk kishte "tagër " për më shumë. Ishte nga ata komunistë që thirreshin në strukturat organizative të partisë sa për të ngritur dorën lart, sipas direktivave të sekretarit të organizatës. Kështu ishte ndërtuar e ngritur ai formacion partiak që u shemb si një kështjellë prej rëre brenda pak orësh.   
                        - Agimi e mori pretencën, - më tha Bashkimi, ndërsa e gjeta në dhomën e tij në hotelin e punëtorëve në Elbasan.- E kisha mbrëmë këtu. Erdhi vonë, direkt nga mbledhja. Pimë raki. Unë e kuptova në fytyrë, po nuk i rashë në sy. Ishte i ndrojtur. Pasi hodhëm më shumë se një gjysmë kile, më tha me zë të dridhur ata që ishte gatuar atje. Shkurt, nuk e mori klasën. "Pimë",- i thashë përsëri. Përderisa këtë poet nuk e riedukoi klasa, pse të mos e bëjë rakia? Lumë fare. Kështu deri në mëngjes. Kur na doli gjumi dhe ...pija, i thashë: " Tani ik i qetë në Tiranë. Me detyra të realizuara e ballin lart. I gatshëm për fitore të tjera".
                        Nuk kishte ironi në fjalën e mikut tim, por dhimbje. Këtë e ndieja. E kishte përjetuar keq dramën e Agim Shehut, por nuk e kishte dhënë veten...
                        Pas kësaj poeti i mungoi metalurgjikut...

                                                                                  * * *
 
                        Kur luhej prologu i lëvizjes e cila do të sillte ndryshime esenciale në të gjithë vendin, Agim Shehun e gjej në një klub aty afër Radio-televizionit. Ishte me poetin Pandeli Koçi. I heshtur dhe i tronditur si atëhere.
                        -Ngrije kokën, - i thashë. - Ti e ke mundur diktaturën. Ajo nuk të shkatërroi dot. Sot je fitimtar.
                        - Më rrofsh, o mik. - Zëri i u dridh, ndërsa dorën time e futi midis dy pëllëmbëve të tij, si për të më transmetuar një lloj mirënjohjeje, që s'kishte mundur dot të ma jepte pas asaj ndarjeje të gjatë, për ditët që kaluam atje në metalurgjik. 
                        Në fakt, ai kishte mbijetuar, edhe pse nuk mund të botonte. Vërtet qëndrimi i tij në metalurgji ka qenë dinjitoz. Nuk bëri asnjëherë kompromis...Ky është  para së gjithash, karakter.
                        Kishte mundur që të ishte gjallë në këtë kapërcim sistemesh...
                        Dhe kjo ishte në vetvete një sfidë e hapur.
 
 
                                                      Bordo, Francë 17 korrik 2009

Google+ Followers