Folklori dhe shteti - Vangjel Koça (Botuar më 1931)

Vangjel Koça
Pak muaj më parë, gazetat e kryeqytetit njoftuan se Këshilli Ministror vendosi t’i jepte studentit Mehmet Hoxha 250 franga për shpenzime udhëtimi në malësitë e veriut për të mbledhur folklorin shqiptar. Ky vendim i Këshillit Ministror është për t’u lëvduar tepër, sepse merr parasysh rëndësinë e madhe që ka mbledhja e folklorit kombëtar dhe detyrën që ka shteti ndaj një pune të tillë. Vetëm marr lejen të kujtoj se për të arritur qëllimin nuk është aspak e mjaftueshme puna e kufizuar dhe e metë e një studenti, përpjekja e të cilit është për t’u lëvduar, por për fat të keq, nga shkaku i natyrës së punës, ka një vlerë tepër relative. Folklori sot është një shkencë e vërtetë dhe si e tillë lyp punë sistematike, bashkëpunim të gjerë, përpjekje metodike të vazhdueshme gjëra këto që nuk mund t’i sigurojë puna e vetmuar individuale e një studiuesi sado i vyer dhe i zoti të jetë ky. Përpara një fakti të tillë do të jetë mirë sikur të shikojmë me pak fjalë se ç’rëndësi ka folklori, si veprojnë shtetet e tjerë, ç’punë kemi bërë ne gjer sot në fushën e kërkimeve folklorike dhe ç’duhet të bëjmë.
* * *
Xhuzepe Kokiara, një nga folkloristët më të shquar të Italisë, në librin e tij shumë të vyer “Folklore” (Hoepli, Milano 1927), shkruan: “Fjala folklore është relativisht moderne. U duk për herë të parë në numrin e 22 gushtit 1846 të revistës “Atheneaeum” në Londër. Në shtyllat e kësaj reviste bisedohej se ç’emër do të ishte më i përshtatshëm për të treguar kërkimet dhe studimet e zakoneve, përrallave, proverbave, këngëve dhe besëtytnive (superstitions) të popullit ose më mirë të popullit të vogël. Vërejtjet kanë qenë të ndryshme. Propozimet kanë qenë të shumta. Në mes të propozimeve, është për të shënuar propozimi i William Thoms-it i cili propozoi që nën emrin e kompozuar Folklor (leteralisht: folk-popull i vogël, lore- njohje, studim) të përmblidhej ajo që quhej “vjetëri popullore”, ose “letërsi popullore”. William Thomsi shtonte: “Çdo njeri nga ata që kanë studiuar mënyrat, zakonet, vërejtjet, bestytnitë, baladat e proverbët, nuk mund të arrijë përveçse në dy konkluzione: e para se një sasi e madhe gjërash nga kjo lëndë shumë interesante kanë humbur krejt dhe për fare- e dyta se është akoma e mundshme një gjurmim i arsyeshëm”.
Gjurmimi që kërkonte Thomsi, nisi menjëherë. Ndërkaq asnjë fjalë tjetër si fjala “folklor” pati një fat kaq të madh. Është e vërtetë se çdo komb u përpoq të vërë një emër të vetin. Bie fjala, në Gjermani fjala folklor bëhet “volkskunde” ose “volkslehre”; në Greqi “laograjia”; në Gadishullin Iberik “saber popullar”; në Francë “traditionisme” ose “mythographie”; në ltali “letteratura popolare” ose “demopsicologia” ose “demologia” ose “scienza demica”. Mirpo këto fjalë jo vetëm që s’japin kuptimin e plotë të fjalës “folklor”, por herë-herë edhe e shtrembërojnë, kështuqë fjala “folklor” mori atë karakter dhe atë vlerë që kanë në shkencë shumë fjalë të marra nga latinishtja, nga greqishtja e nga gjuhë të tjera. Kështu pjesa më e madhe e studiuesve përdorin fjalën “folklor”, e cila pastaj është e shkurtër dhe elastike dhe lejon të formohet emri dhe mbiemri “folklorist”, ndajfolja “folklorikisht” dhe fjala “folklorizëm”.
Këto shkruan Kokiara mbi fjalën “folklor”, e cila natyrisht hyri tani edhe në gjuhën tonë dhe si fjalë shkencore duhet ta mbajmë.
Për fjalën folklor janë bërë shumë definicione, të cilët e plotësojnë njëri-tjetrin. Në raportin e parë të Shoqërisë Folkloriste Angleze, sfera e veprimit të folklorit kufizohet: “Në kuptimin e gjerë mund të thuhet se folklori zë në historinë e një populli pikërisht atë vend që zë edhe ligji i famshëm i pashkruar përkundrejt ligjit të kodifikuar dhe kështu mund të thuhet si “histori e pashkruar”.
Pitre-ja shkruan se shkenca folklorike studion “jetën morale e materiale të popujve të qytetëruar, të egër dhe jo të egër”. Dhe shton në një mënyrë poetike: “Përralla, kallëzime, legjenda, proverba, moto, këngë, melodi, lojra, shfaqje, të kremte, zakone, ceremoni, besime, bestytni, tërë një botë që duket dhe s’duket realiteti dhe fantasie tundet, lëviz, buzëqesh, psherëtin për atë që di t’i afrohet dhe ta kuptojë. Buzëqeshjet, psherëtimat, zërat e saj, pa rëndësi për më të shumtët, janë zbulime për njeriun e shkencës i cili ndien atje ushtimën e largme të fiseve, të brezave të kaluar prej shekujsh. Qielli dhe toka i flasin bariut të paditur, gruas së padjallëzuar, foshnjës pa ndërgjegje, plakut që ka parë dhe ka ndier kaq gjëra: të gjithë depozitarë dhe ruajtës të qëndruar të së shkuarës. Flasin edhe elementet e natyrës, që është plot xhinde; flet deti me ushtimën e valëve të tij dhe me kafshët e tij misterioze; flasin liqenet dhe moçalet e vdekur, burimet dhe krojet plot jetë dhe përrenjtë plot zhurmë; flasin malet dhe shpellat e tyre të rrezikshme e të frikshme; flasin pyjet që inspirojnë tmerr të shenjt. Fluturidha dhe fantazma, shkurtabiqë dhe gjigandë, dragonj, silfa dhe silfida, nimfa e sirena, gra të magjepsura e fatale, shejtanë, xhinde, të çdo soji, të çdo forme po shfaqen në shpirtrat e thjeshtë që s’i ka ndritur akoma e vërteta; këta shpirtra, të robëruar nga frikat dhe paniket, nga ëndërra ose ëndërrime, u shtrohen atyre pa i kuptuar dhe i impozojnë pa ditur, me fjalë, me betime, me urime, me hajmalira, ca më shumë, sa më pak, mbijetesë (survivances) të vërtetë..
Tani folklori është bërë një shkencë më vete dhe si çdo shkencë tjetër, ndihmohet nga shkencat e tjera, sikurse edhe kjo u jep ndihmë atyre. Në çdo vend studimi i folklorit ka marrë një rëndësi të posaçme, por si shkencë dhe jo si…letërsi për t’u zbavitur. Bie fjala, në Gjermani studimi i traditave popullore bëhet një luftë e pamëshirshme dhe e shfaqur kundër kulturës latine. Në krye të kësaj kryqëzate ka qenë Herderi, i cili u vë veshin këngëve popullore që të bërtasë: eduko dhe formo shpirtin tënd mbi shpirtin e popullit tënd dhe kështu do të bëhesh imitator i shpirtit tënd; i shpirtit tënd dhe jo i atij të Romës, që zotëron botën. Anglia ka qenë komb që ka ditur më tepër nga çdo komb tjetër të përfitojë praktikisht nga studimet folklorike për politikën e saj koloniale dhe studimi i folklorit përbën një funksion zotërues në formimin e perandorisë. Shoqëria Folklorike e madhe londineze ka degë në të gjitha viset angleze. Amerika, Japonia, Rusia, Franca nuk bien poshtë në studimet folklorike. Oksford, Kembrixh, Berlin, Hamburg, Moska, Uashington, Nju Jork, Berkli, Paris bëhen qendra të radhës së parë për studimin e folklorit dhe për kërkimet etnografike. Tani edhe Italia Fashiste ka nisur dhe i jep rëndësi të madhe folklorit për të formuar një ndërgjegje koloniale.
Mirëpo studimi dhe mbledhja e folklorit bëhet me sistem, me metodë, nga shoqëri të mëdha, të cilat kanë degë anë e mbanë, mbledhin lëndën, e klasifikojnë, e shoshitin, e studiojnë dhe kështu më në fund nxjerrin rezultatet e vyera që jep shkenca folklorike. Pra, sikurse shihet, kjo është një punë kolektive për të cilën shteti jep ndihmën financiare e morale më të madhe për t’ia arritur qëllimit. Me fjalë të tjera, mund ta quajmë edhe folklorin si një funksion shtetëror.
Me përparimin e shkencës folklorike janë perfeksionuar edhe sistemet e mbledhjes, klasifikimit dhe studimit të lendëe folklorike. Do të jetë një gjë e gjatë të kujtoj këtu këto sisteme, por vetëm duhet të kuptohet mirë – mirë se duhet sistem dhe punë metodike.

***
Për fat të mirë edhe në Shqipërinë tonë ka nisur të çmohet vlera e folklorit. Kam përpara revistën “Mësuesi”, e cila e nisi këtë punë në të hyrë të vitit 1928, dhe pastaj vazhdoi trashëgimtarja e saj “Edukata e Re”, e cila i ka lënë një pjesë të veçantë folklorit. Rrallë e tek është marrë edhe “Dituria” e Lumo Skëndos. Është për t’u lëvduar edhe përpjekja e revistës shkodrane “Leka” vlera e së cilës shtohet dita me ditë. Vetëm që për fat të keq kjo punë sot ka karakter diletantesk. Lënda që mblidhet e botohet nuk kontrollohet pothuaj fare, kështuqë revista “Mësuesi” (Nr.4, dhjetor 1928, faqe 38 e shtesës së posaçme) ka botuar si këngë popullore me titullin “Trimëria e shqiptarkave” (ç’trimëri!), një vjershë shumë të njohur të “Baba Tomorrit”! Kjo gjë nuk tregon vetëm diletantizmin tonë folklorik, por provon se nuk ditkemi edhe kryeveprat e letërsisë sonë të tanishme. Është për të shënuar se “Leka” tregon një kujdes për t’u lëvduar në lëndën folklorike që boton.
Sidoqoftë, fakti është se në punën e folklorit nuk kemi nisur akoma të punojmë me sistem e me metodë. Prandaj një gjë që s’e kemi bërë gjer sot, duhet ta nisim këtej e tutje. Për realizimin e një qëllimi të tillë kaq të lartë, Shoqata Krahinore Artistike e Gjirokastrës ka përgatitur një projekt-rregullore për mbledhjen dhe sistemimin e folklorit dhe këtë projekt-rregullore ia ka paraqitur në të hyrë të marsit të këtij viti Komitetit Artistik në Tiranë. Projekt-rregullorja tregon hollësisht se si duhet të mblidhet lënda folklorike dhe kush duhet të marrë pjesë në këtë punë. Nuk do të jetë keq sikur Ministria e Arsimit ta kërkojë e ta lexojë këtë projekt-rregullore, ta perfeksionojë dhe ta zbatojë. Vetëm në këtë mënyrë mund të thuhet se shteti interesohet për folklor. Ndihmat e veçanta peë njërin e tjetrin nuk sjellin as ndonjë fitim të përgjithshëm.
Që të bëhemi shtet si duhet, që të formojmë kulturën tonë, të krijojmë qytetërimin tonë, duhet të studiojmë veten tonë dhe të kuptojmë shpirtin tonë përmes traditave dhe zakoneve tona. Por për të bërë këtë gjë nuk hyn në punë as diletantizmi, as puna individuale e vetmuar, por duhet sistem, metodë shkencore, bashkëpunim kolektiv dhe, më parë nga të gjitha, një interesim i shtetit me përkrahjen e tij morale e materiale.

Google+ Followers