Femrat e ndjeshme të Arapit


Poezitë e Fatos Arapit përkthehen në polonisht
Kritiku i njohur polak, Andrzej Zaniewski, në një rrugëtim në poezinë e Fatos Arapit
Shqipëria, vendi i poezive të vdekjes dhe dashurisë

Pas prozës, tashmë dhe poezia shqipe mund të lexohet në polonisht. Libri me poezi të zgjedhura i poetit Fatos Arapi “Më jepni një emër” është botuar këto ditë në Poloni nga shtëpia botuese “Komograf” në Varshavë nën përkthimin e Mazllum Saneja & Eva Smietanska. Libri shoqërohet me një parathënie të ndjerë të Andrzej Zaniewski, poet, prozator dhe kritik i njohur polak në botë. Njohës i mirë i Ballkanit dhe i historisë së tij, Zaniewski bën një udhëtim përmes fjalëve në vendet fqinje, për të mbërritur më pas në brigjet e Jonit, në Vlorë, aty ku lindi poeti shqiptar. “Biografitë e shkrimtarëve i lexoj nganjëherë porsi poezi apo epose të përbëra nga shumë poezi. Ndërkaq, shpesh ndodh që të kuptosh në tërësi synimin dhe kuptimin e këtyre rrëfimeve dhe tregimeve, përpiqem të arrij deri te skutat më të largëta të letërsisë së tyre kombëtare, në këtë rast, deri tek historia e gjuhës së krijuar përmes mijëvjeçarëve. Mbaj mend, në vitin e kaluar, kanë kaluar 550 vite nga data e lindjes dhe e krijimit të dokumentit më të vjetër të shkrimit shqip ‘Formula e Pagëzimit’ (1462) e peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit. Ndërkaq, i pari monument i madh i shqipes së shkruar dhe i pari libër i botuar është ‘Meshari’ i autorit Gjon Buzuku, i botuar më 1555, ndërsa Fjalori Latinisht-Shqip i Bardhit (1635), ishte e para vepër e llojit të veçantë për gjuhën shqipe me rreth tre mijë fjalë”, nis ai esenë e tij për poezitë e Arapit… Mjafton të shohësh hartën e Shqipërisë, vazhdon ai, për të kuptuar gjenealogjinë-a thua të gjuhëve? “Popujt që jetojnë këtu, pastaj historia e kulturës së tyre, arrijnë deri te periudhat më të largëta dhe, që janë të ndërlidhura ngushtë me lindjen e qytetërimit mesdhetar. Ndaj, këto janë kohët dhe epokat e Argonautëve e të Heraklitit, lufta e Trojës dhe e Homerit, Odiseut-Uliksit, Eneut, perëndive, titanëve, heronjve, nimfave… Këtej u zhvillua një lidhje tregtare, luftarake dhe natyrisht mitologjike, deri sot shumë hulumtues bëjnë zbulime në skajet e saj Ogigie – Ishulli i Vdekur. Harta fsheh sekrete, mijëra sekrete. Një çik, sepse tashmë sot dihet për ilirët, enkelejtë, molosët, pellazgët, përveç sigurisë, që mbrojtën me guxim dhe forcë selitë e tyre, brigjet e tyre shkëmbore para të huajve. Greqia arriti në rreth pak a shumë ku dhe sot. Më tej fillonin tokat saktësisht të panjohura, shpella misterioze dhe tatëpjetë deri në nëntokë, male të egra, terrene gjuetie për robërit, sepse në punën e tyre e kanë bazuar fuqinë e vet Helada demokratike dhe Roma krenare. Këto zona filluan të njihen pas Itakës së famshme dhe ishujve Leukos, Paksos dhe Korkira – Korfuzi i sotëm, e banuar përmes Feakëve, gjatë, po më kot duke mbrojtur pavarësinë e vet”, shkruan Zaniewski. Ai e quan Arapin një poet të ndjeshëm. “Në veprat e Fatos Arapit na rrethojnë dhe, jo vetëm vizionet e stuhisë, dhe jo vetëm zogu që lufton me erën e fortë, edhe poeti ndien frymën ogurzezë dhe të tmerrshme. Dy forca, dy vektorë të qartë etik vigjiluakan mbi djaloshin nga Deti Jon, duke e shpënë atë në thellësirat e fatit. Kjo një energji e pashtershme e Jetës dhe një nevojë e pamposhtur e lirisë. Me një mirëkuptim të thellë e lexoj poezinë emblematike ‘Ti mos më ler vetëm’, duke e lexuar si një manifest kundër vetmisë si lutje, si kërkesë mbi praninë e mikut të përjetshëm. Ajo është e bukur, ndonëse marrësi vë maskën. A thua mos vallë është femra? Apo Zoti? Apo Fati? Apo zogu mbi dallgët e detit? E parëndësi! Na mahnit kompozicioni dhe lutja e fashitur…”, shkruan kritiku. Shqipëria ndihet kudo në vargjet që ai ka lexuar… “Nga poezitë e Fatos Arapit aq shumë kam mësuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, për fatin e poetëve shqiptarë dhe të jo poetëve, për emigrantët që përshkuan shumë kontinente, duke mos harruar askurrë se nga e kanë prejardhjen dhe mbi bukurinë magjepsëse të natyrës përreth, dhe gjithashtu për ‘zogjtë që urrejnë qiellin’, për ‘parazitë moçal dhe krime, për skajet e pista dhe zilitë e shëmtuara’. Filozofia e dëshpërimit e ngjashme me idetë dhe botëkuptimet e Jean Paul Sartre’s të ‘Rrugëve të Lirisë’ deri te bindjet e errëta të Mircea Eliade’s, këtu ballafaqohet dhe ndeshet me rezistencën e brendshme të poetit të pamposhtur, me vetëdijen e trashëgimisë antike, që atë e krijoi”, shkruan Zaniewski. Një tjetër realitet plot ngjyra dhe tërheqës që ai gjen në vargjet shqipe është dhe bota e grave, “e vetmja dhe gjithnjë e veçantë, vetëm e jotja, vetëm imja, ku fjalët e dhëna të mirëbesimit, që tashmë shekuj me radhë po ato fjalë, nuk vjetrohen kurrë dhe nuk humbin as ngjyrat e veta”. “Fatos Arapi është një mjeshtër i rrallë i lirikës intime, të rrëfimeve dhe lutjeve më sublime..”, shkruan ai. Për të “poezitë e Fatos Arapit janë ese të ngjeshura intelektuale. Nuk mjafton vetëm t’i lexosh, po para së gjithash duhet t’i përjetosh, të përsiatësh gjatë leximit. Sepse të kuptosh poezinë e Fatos Arapit duhet të kesh një përgatitje intelektuale. Sepse çdo poezi mund të jetë si një fillim i shqyrtimeve të mëtejshme ekzistenciale, morale, filozofike”. “Poezitë e këtilla i lexojnë dhe i vlerësojnë njerëzit me një ndjeshmëri të thellë, që kanë një përvojë të madhe, me një bagazh përjetimesh, duke gjurmuar nëntekstet e fjalëve, që nuk pajtohen me botën e prapët dhe realitetin brutal dhe tragjik, e njëherazi duke ruajtur distancën kundruall ngjarjeve dhe qetësinë ndaj fjalëve, të cilat ata i plagojnë…”, shkruan Zaniewski.
Fatos Arapi
Andrzej Zaniewski

Google+ Followers