Edgar Allan Poe dhe shtëpia e tij historike në Bronx-New York

Nga Gjekë Gjonlekaj

Shumë vjet më parë kishim blerë një pronë në Bronx, afër Parkut Edgar Allan Poe, ku gjendet edhe shtëpia e këtij shkrimtari të madh amerikan. Dy vjet më parë aty ndërtova zyrën time të biznesit. Ky park gjendet midis bulevardit të famshëm  Grand Councurse dhe Valentine Avenue, që është mbi një kodër afër Fordham Road. Në këtë park zhvillohen  aktivitete të ndryshme deri në orët e vona të natës. Në fund të parku gjendet shtëpia e Edgar Allan Poe. Këtë park e kisha vizituar disa herë, por jo shtëpinë e tij, sepse gjatë ditëve të javës është e mbyllur për vizitorë. Hapet vetëm në fund të javës.
Kjo shtëpi e vogël prej druri mbase nuk është aspak atraktive dhe nuk tërheq shumë vizitorë. Është tepër e thjeshtë. Këtë shtëpizë e kishte ndërtuar pasaniku John Valentine. Edgar Allan Poe e kishte marrë me qira për 8 dollarë në muaj. Bronxi, në atë kohë, ishte një ndër zonat më të pazhvilluara të New Yorkut. Virginia, gruaja e Edgar Allan Poes vuante nga tuberkulozi dhe ata mendonin se klima e kësaj zone rurale ishte e përshtatshme për shëndetin e saj. Më përpara, ata kishin jetuar në disa qytete verilindore të vendit, bile edhe në disa zona të Manhattanit. Shtëpi të tilla prej druri bënin fermerët, sepse nuk kushtonin shumë dhe ishin të përshtatshme për ngrohje gjatë dimrit.
Kjo shtëpizë është dykatëshe dhe ka 5 dhoma. Në katin e parë dy dhoma dhe në katin e dytë tri. Dhoma e pritjes dhe ajo e gjumit janë relativisht të mëdha, ndërsa dhomat e tjera janë të vogla. Pullazi është shumë i ulët. Është bërë kështu për të kursyer nxehtësinë gjatë dimrit. Në dhomën e pritjes është një tavolinë e vogël dhe karrika ku ishte ulur Edgar Allan Poe. Orenditë e tjera  janë dhuruar më vonë. Në dhomën e pritjes është oxhaku dhe stufa. Në katin e parë është dhoma e gruas së tij, Virginia. Pas një sëmundje të gjatë, në atë dhomë, në shtratin e saj, kishte dhënë shpirt gruaja e tij e dashur.
Virginia vdiq më 30 janar të vitit 1847 në moshën 23 vjeçare. Vdekja e saj e tronditi në shpirt këtë poet të madh amerikan.  Kujdestari i  kësaj shtëpie, Neil Ralley, kishte shumë njohuri për dashurinë e tyre. Një ditë para vdekjes Virginia i kishte lutur shoqet që të ishin të kujdesshme për burrin e saj. Ai tregonte gjëra të mrekullueshme.
Të shtunave kishte më shumë vizitorë. Bile në atë çast u futën brenda dy vajza të vogla afrikano-amerikane. Ato ishin kurioze për dhomën dhe shtratin ku kishte dhënë shpirt  gruaja e Edgar Poe. Kërkonin shoqërimin tim, sepse kishin frikë nga Korbi i poetit. Kishin dëgjuar për vdekjen e saj dhe për atë shpend kobzi. Në njërën prej dritareve kishin vënë një korb të madh, thua se është i gjallë.

Ne foto: Shtrati i gruas se Edgar Allan Poe’s Virginia. Ndryshe e njohur me emrin Anabali. Ndersa Noli ne perkthim e quan Leno


Vitin e kaluar, afër shtëpisë së Edgar Poes, në Universitetin Fordham përkujtuam, pas vdekjes, poetin tonë të madh Ali Podrimën. Ato ditë, tërë kohën më ngacmonin ngjashmëritë dhe fatet pak a shumë identike të poetit tonë me poetin amerikan. Poe, i shtyrë nga dhimbja për vdekjen e gruas, kishte shkruar “Korbin”, ndërsa Aliu ynë, mbase edhe më shumë i pikëlluar për djalin e tij, kishte shkruar “Lum Lumin”. Emërat e dy poetëve u bashkuan ato ditë në Universitetin Fordham, të cilin Edgar  Poe e kishte vizituar shumë herë, sepse shtëpia e tij ishte pranë këtij universiteti. Të gjithë profesorët dhe akademikët e nderonin dhe e ftonin, bile edhe për ligjërata.
Ato ditë, në bibliotekën time të vogël gjeta një libër të vjetër që e kisha blerë në Boston, në zyrën e gazetës “Liria” para 40 vjetësh. Ky libër mban titullin “Këndime”, autor K. A. Çekrezi, botuar në vitin 1921 nga “Federata Panshqiptare Vatra”, shtypshkronja e “Diellit”. Në këtë libër janë botuar 35 shkrime të autorëve të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj. Por “Korbi” i Edgar Allan Poe, shqipëruar nga Fan S. Noli dhe botuar në Revistën Adriatik në vitin 1918, më ra në sy menjëherë. Këtë libër të mrekullueshëm e kisha harruar krejtësisht. E shfletova vetëm se isha kurioz për vjetërsinë e tij. Në hyrje të poemës Fan Noli shkruan:
“Korbi” është vjersha më e mallëngjyer dhe më artistike e vjershëtorit amerikan Edgar Allan Poe. Mund të thuhet lehtë që s’ka shoqe letretyre të botës. Është përkthyer në të gjitha gjuhët evropiane… Poe-ja e shkroi këtë vjershë më 1845 kur e shoqja e tij u sëmur dhe s’kishte më shpresë shërimi. Si themi shqip e qau të gjallë…
Për shqipërimin e shkëlqyeshëm të “Korbit” nga Fan Noli është folur e shkruar më shumë se për asnjë përkthim tjetër në gjuhën shqipe. Ja disa nga ato vargje:
Më zu gazi më shkoj tmerri, m’atë Korb
të zi si Ferri
Që po mbahej aq’i rënd, aq’i lartë, dhe
i thomë:
Ndonëse je perçe-prere, s’kam dyshim je
trim i ndjerë,
Korb i mvrojtur, i varrosur, arratisur zall
më zall—
Thua-m’emërin tënt me nam anës detit
plutonian!
Thotë Korbi: ”Kurrë më.
Shumë përkthyes të famshëm shqiptarë e të huaj, bile edhe albanologë amerikanë, thonë se shqipërimi “kurrë më” është më i natyrshëm se origjinali anglisht (never more). Kjo është dhuntia natyrore e gjuhës shqipe dhe zotësia shqipëruese e poetit tonë. Për këtë varg poetik flitet  më shumë se për asnjë varg tjetër.
Kujdestari i shtëpisë së Edgar Allan Poe, Neil Ralley, tregonte shumë për korbat. Janë shumë inteligjentë dhe  paralajmërojnë katastrofat shoqërore e familjare.
Vajzë e rallë dhe rezore q’i thonë engjëjtë
Lenore
Thotë Korbi: “Kurrë më”.
Dy vjet më vonë, domethënë në vitin 1849, edhe Edgar Allan Poe vdiq në moshën 40-vjeçare. Ai kishte lindur në Boston. Nëna dhe babai kishin qenë aktorë të njohur. Në moshën dy vjeçare kishte mbetur krejtësisht jetim. E mori në mbrojte John Allan, një afarist i njohur dhe për këtë e mori emrin Allan. Ai e dërgoi në shkollat fillore më të mira të Anglisë. Pasi u kthye në Shtetet e Bashkuara vazhdoi studimet në Universitetin Virginia, ku kishte qenë rektor ish presidenti amerikan Thomas Jefferson. Pas pak kohe u largua nga ky universitet dhe filloi studimet në Akademinë Ushtarake West Point, në New York. Por edhe nga kjo Akademi u përjashtua. Edgar Poe kishte përjetuar shumë kriza ekonomike. John Allan e ndihmonte edhe pse poeti bënte gabime të mëdha dhe shpenzonte shumë. Gjyshi i tij, David Poe, kishte qenë gjeneral në Ushtrinë Revolucionare të Georoge Washingtonit. Edgar Poe kishte miqësi me gjeneralin Marquis de Lafayette dhe me shumë përsonalitete të larta ushtarake dhe politike të Amerikës.
Edgar Poe i admironte shumë Lord Bajronin dhe John Miltonin. Ai e imitonte Lord Bajronin më shumë se asnjë poet tjetër, bile edhe vishej si ai. Një here, Edgar Poe ishte zhdukur për disa ditë nga shoqëria e tij dhe shokët menduan se kishte shkuar në Greqi për të vazhduar misionin e Bajronit.
Kishte probleme të mëdha me poetin Henry Longfellow. Poe e kishte akuzuar Henry Longfellown për plagjiaturë.
Në vitin 2009, me rastin e 200-vjetorit të lindjes, u bë ceremonia kishtare e varrimit në Baltimorë. Me rastin e këtij përvjetori u përkujtua në mënyrë madhështore.  Gazeta “The New York Times” shkroi javën e kaluar për një festival poetik në New York dhe se Edgar Allan Poe ishte në qendër të vëmendjes.
Para shumë vjetësh, Fatos Omari kishte përkthyer dy vepra letrare të Edgar Poes. Ai dëshironte që ato të vendosen në Bibliotekën  “Edgar Poe”, në Bronx – New York. Librat i solli  në Amerikë Profesor Nasho Jorgaqi. Pas disa ditësh i dorëzova në Bibliotekën e lartpërmendur. Drejtori i kësaj biblioteke ishte mirënjohës për këtë dhuratë të çmuar të Fatos Omarit.

Google+ Followers