Shuhet dashuria e përjetshme e poetit Drago Siliqi

Gjithë jetën e saj ia dedikoi nderimit të emrit të bashkëshortit, Drago Siliqi, dy vajzave të saj dhe një pune të palodhur intelektuale. Drita Siliqi bashkëshortja e poetit, kritikut letrar dhe publicistit, Drago Siliqi, është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare. Ajo ka qenë një intelektuale e zonja, që ka kontribuar në edukimin e disa brezave në fushën e arsimit dhe të botimeve. Ka punuar si pedagoge, publiciste dhe së fundmi si përkthyese nga italishtja në shqip. Drita Siliqi botoi veprën e plotë të Drago Siliqit, u mor me studimin e jetës dhe veprës së Dora d’Istrias (Elena Gjika), përktheu librin “Rinia e një shqiptareje” (viti 2002), botoi librin me studime “Gruaja shqiptare, probleme të gruas në shtypin e Rilindjes dhe pavarësisë” (viti 2003), përktheu nga italishtja librat “Seksi i shpërfillur”dhe “Intervistë me historinë” të gazetares dhe publicistes së njohur italiane Oriana Fallacci.

Drita Siliqi (Shundi) u lind në Tiranë, më 2 mars të vitit 1933, në një familje patriote tiranase. Babai i saj ishte Athanas Shundi, i cili ka qenë mësues në shkollën e parë shqipe të Tiranës dhe pas përfundimit të studimeve universitare për kimi dhe farmaci në Napoli, hapi farmacinë e tij në Tiranë. Ai ishte delegat i Tiranës në Kongresin e Kishës Autoqefale, që u mbajt në Berat në shtator të vitit 1922 dhe që vendosi që gjuha e liturgjisë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare të ishte ajo shqipe. Nëna e Dritës, Kaliro Spiru Shundi ishte nga një familje tregtare nga Durrësi, që pati nxjerrë njerëz të njohur si Nako Spiru, por që u persekutua nga regjimi komunist. Shumë pjesëtare të familjes së saj vuajtën shtetëzimet, madje edhe burgjet e komunizmit. Ndërsa ishte studente në Tiranë, Drita u njoh me poetin e ri Drago Siliqi, me të cilin do të lidhte më pas jetën e saj. Pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve universitare për letërsi, ajo punoi për shumë vite me radhë si arsimtare, fillimisht në Institutin Bujqësor të Kamzës e në gjimnazin e Shkodrës, në shkollat e mesme “Petro Nini Luarasi” dhe “Sami Frashëri” në Tiranë, ndërsa më pas si pedagoge në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, katedra e Letërsisë. Më vonë ajo do të punonte për disa vjet si kryeredaktore në revistën “Shqiptarja e Re”. Në vitin 2000, Drita  u vendos në Shtetet e Bashkuara pranë vajzës së saj, gazetares së njohur të “Zërit të Amerikës”, Laura Konda. Ajo la prapa dy vajza, Darina Demiri (Siliqi) dhe Laura Konda (Siliqi). “Drita Siliqi lindi e u rrit në mesin e një familjeje të shquar për atdhedashuri e profesionalizëm, vendosur në Tiranë qysh në fund të shekullit të 17-të. Dashuria e lidhi atë me pinjollin e një familjeje tjetër të shquar nga Shkodra, Drago Siliqin, një shkrimtar, kritik e botues i ri e premtues për kohën. Nuk dihet se si do të kishte qenë fati i Dritës në qoftë se i shoqi i saj i ri nuk do të kishte humbur jetën në aksidentin tragjik. Me talentin, temperamentin e iluminizmin e tij, vështirë se Drago Siliqi, njeriu që u dha një pranverë të vërtetë botimeve në vitet ’60 në Shqipëri, do të qe pajtuar me fushatat komuniste antikulturë që pasuan. Këtë ma ka thënë dikur me bindje miku i tij asokohe, Ismail Kadare. Jam i sigurt që gruaja e tij e dashur do ta kishte ndjekur atë burgjeve e internimeve. Po fati e solli ndryshe. Drita Siliqi rrojti shumë pak me të dashurin e saj, por e mbajti dashurinë e tij si yllin polar gjithë jetën. Ajo nuk e ndërpreu veprimtarinë letrare e botuese, që nga botimet e antologjive poetike, problemet e gruas shqiptare në shtypin e rilindjes, pavarësisë dhe luftës çlirimtare e deri te përkthimet siç ishin librat më të fundit nga Oriana Fallacci. Vitet e fundit të saj u jetuan në trekëndëshin Amerikë-Kanada-Shqipëri”,- do të shprehej për të poeti dhe shkrimtari Betim Muço./mapo

Google+ Followers