SHQIPERIME NGA FAN NOLI



POEZI FRANCEZE

SHARL BODLER
(1821-1867)


ASAJ QË SHKOI

Rreth meje rruga ulërin edhe buçet,
E gjat’ e hollë, sterrë, kuje madhështore,
Një grua shkoi me një fustan të zi për dore,
Q’e kolovitte posht’ e lart me salltanet.

Si engjëll, si statuj’ e gjallë vetëtin.
Si i shastisur dhe i çakërdisur unë
Nga syr’ i saj si qiell që mbrun furtune
Thëthinja mjaltë që magjeps, dëfrim që grin.

Ja shkrepi dhe u err. Moj flutur e farosur
Që me vështrimin tënt më bëre flag’ e furrë,
Stë shoh më vallë veç në jetën e pasosur?

Ah, gjetkë, tutje, tepër vonë, nofta kurrë,
Se unë s’di ku ike, ti ku shkonj s’e di,
Të desha, moj, e dinje, vetë, moj, dhe ti.

KAPAKU I TENXHERES

Kudo që vete nëpër tok' e nëpër det,
Ku klima ngroh, e dielli të ngrin mynxyrë,
Dishepull i Jesujt, a derr pa selamet,
Lipës i humbur, a miliunar i fryrë.

Fshatar a qytetar, i çkafët a tembel,
Me trurin që lëvrin, a që gërret e fle,
Njeriu, lëmsh prej një mysteri teveqel,
Më kot përpjet' i drithtëruar syt'i ngre.

Dhe qjelli si kube qëndron prej shpelle gufe,
Tavan i ndritur prej një operaje bufe.
Ku çdo xhambaz mi pellk prej gjaku po këcen.

Për mëkatarin tmerr, për murgun shpres' e murme,
Qjelli kapak po e mbulon tenxheren zhurme
Ku e padukur njerëzi' e zezë zjen.

POEZI BRITANIKE
(angli)

CHEDIOCK TICHBORNE
(1563-1586)



NË VENGJILLEN E VDEKJES

Lul’ e rinisë m’u-bë vurk merakesh,
e kremt’ e gazit m’u-bë vurk mëkatesh,
Gruri që kora dolli egjr’ e therme,
E tër’ e mira ime dolli shpres’ e vrerme
Dita më shkoj, dhe dielli s’e pashë,
Tani po rronj, tani jetën e lashë.

Halli m’u-duk, po unë nuk e çfaqa,
Pema më ra, po fleta s’m’është tharë,
Rinin’ e kam mbaruar, po s’u-mplaka,
E pashë botën, bota s’më ka parë,
Peri m’u-pre, po i patjerur rashë,
Tani po rronj, tani jetën e lashë.

Kërkova vdekjen dhe zemr’ e gjeta,
Kam dashur jetën dhe kufomë mbeta,
Barita tokën, varrin tim miha,
Tani po vdes, kur jetën time nisa,
Kupa m’u-mbush, tani m’u-zbras, u-vrashë,
Tani po rronj, tani jetën e lashë.

POEZI SHBA

EDGAR ALLAN POE


ANNABEL LI

Ka shumë e shumë vjet
Në një vënt afër në det,
Ish një vajzë që muntni t’a njihni tani
Nënë emërin Annabel Li;
Dhe kjo vajzë më donte edhe tjatër s’kërkonte
Veç t’a deshnja sikundër më desh.

Isha e vogël dhe ish e vogël në vjet
N’atë vënt afër në det;
Po duheshin më tepër se me dashuri
Unë dhe im-Annabel Li;
Me një dashuri që dhe
Engjëjtë lart në lavdi
Që të dyve na kishin zili.

Andaj, tani e shumë vjet,
Tek ky vënt afër në det,
F’ryri veriu nga ret’ e ma ngriu
Të bukurën Annabel Li;
Edhe motrat e saj ëngjëllesha
M’a rrëmbyen, m’a mbyllën në varr se e desha,
Dhe kështu më la shëndet
Nga ky vënt afër në det.

Engjëjtë që skishin sa ne dashuri
Që të dyjve na mbanin mëri.
Po - përandaj, siç e dini vërtet,
Tek ky vënt afër në det
Fryri veriu një nat’ e m’a ngriu
E m’a vrau tim-Annabel Li.

Dashuria që kishim’ ish m’e fortë se çdo dashuri,
S’e ka patur as plak as i ri,
As i marr’, as i urtë njeri
Dhe as Engjëjt e qiellit në erë,
As demonët përposh në skëterrë;
Shpirtin tim s’munt t’a shqitin nga shpirti
I së bukurës Annabel Li.

Se tek hëna që ndrit, syri im ëndërrit
Për të bukurën Annabel Li;
Dhe çdo yll që shkëlqen syt’ e ëmbël rrëfen
Të së bukurës Annabel Li;
Nat’ e ditë e shoh, edhe zemrën m’a ngroh,
Shoq’ e dashura ime, e mjera jetime,
Përmi varrin ku deti buçet,
I rri pranë mi varrin në det.

KORBI

Një mes-nate të bezdisur
Tek këndonja i zalisur
Disa pralla dhe magjira
Të një shkence të harruar,
Tek dermitnja i kapitur
Befas vjen një e trokitur,
Me ngadalë e goditur
Përmi derë t’odës sime.
“Dikush është, thashë, jashtë
Që troket mi derën time”.
Vetëm kjo, dhe asgjë më.

Ah, e mbanj nër mënt fort mirë,
Ishte dimr’ i ftoht’ i ngrirë
Dhe n’oxhakun shkrump të nxirë
Urët shuheshin në hi.
Desha të gëdhihej dita,
Se më kot nga librat prita
Të më ngushëllonte drita
Për të lumurën Lenorë,
Vajz’ e rrallë dhe rezore
Q’i thon’ Engjëjtë Lenorë,
Përmi dhé pa emër më.

Era frynte që përjashta,
Rrihte perdet e mëndafshta
Dhe më ngjethte dhe më derdhte
Tmerre që s’i ndjeva kurrë.
Dhe tani që të pushonte
Zëmr’ e mjerë që lëftonte,
Goja po më bëlbëconte:
“Dikush do të hynjë brënda;
Ndonjë vizitor i vonët
Që kërkon të hyjë brënda.
Kjo do jet’ e asgjë më.”

Mblodha veten menjëherë
Edhe frikë më pa ndjerë:
“Zot’ i them, a Zonjë, fajin
Ndjemani, ju lutem shumë,
Se për Zotin po dremitnja,
Aq e hollë ish trokitja
Aq’ e lehtë ish goditja
Përmi derë t’odës sime,
Sa mezi ma zuri veshi.”
Dhe e hapa derën sheshit.
Errësir’ e asgjë më.

Syrin thellë n’errësirë
Shumë ndënja në drithtirë,
Ëndërra duke shikuar
Që njeri s’ka ëndërruar;
Mirpo nat’ e errët heshtte
Edhe tjatër gjë s’më theshte
Veç një emër që më deshte
Pëshpëritur si “Lenorë!”
Këtë un’ e pëshpërita,
Dikush m’u përgjegj: “Lenorë”.
Vetëm kjo dhe asgjë më.

N’odë prapë më të kthyer
Shpirti ndezur, zemra thyer,
Përsëri vjen një trokitje
Pak m’e fortë se më parë.
“Pa dyshim, pa fjalë, thashë,
Dikush është aty jashtë.
Duhet vajtur, duhet parë
Që të zgjidhet ky mister.
Hesht, moj zemër e zhuritur,
Që ta zgjith këtë mister!
Era ësht’ e asgjë më”.

Hap ahere xhamen time
Kur me shumë fërfëllime
Brënda hyn një Korb i mvrejtur
Madhështor i kohës vjetër.
As u-fal, as përshëndoshi,
As bën tjatër punë boshi,
Po si zot më shkon trimoshi
Dhe qëndron mi derën time
Ngjitet mi një bust Pallade
Mun mbi derë t’odës sime
Ngjitet, rri, dhe s’bën gjë më.

Më zu gazi, më shkoj tmerri
M’ atë Korb të zi si Ferri,
Që po mbahej aq’ i rëndë,
Aq’ i lartë, dhe i thom:
“Ndonëse je perçe-prerë,
S’ka dyshim, je trim i ndjerë,
Korb i mvrejtur, i vrerosur,
Arratisur zall më zall;
Thua-m’ emrin tënt me nam
Anës detit Plutonian!”
Thotë Korbi: “Kurrë më.”

U çudita fort, pa masë
Kur dëgjova Korb të flasë,
Ndonëse ajo përgjigje
S’kishte as kuptim, as lidhje;
As asnjë s’munt të më thotë

Që nonjë njeri në botë
Gjer tani ka parë shpëndë
Mun mbi derë t’odës tij,
Shpënd’ a shtazë mi statujë
Mun mi derë t’odës tij,
T’emëruar “Kurrë më.”

Mirpo Korbi rrinte shtruar
Përmi bustin e latuar
Dhe thosh vetëm atë fjalë
Që nga shpirti plot me flagë.
Asnjë pendë më s’lëvizte
Asgjë tjatër s’mërmëriste,
Edhe zemra më thërriste:
“Miqt’ e tjerë ikn’ e shkuan;
Nesër edhe ky do t’ikë
Si dhe shpresat që m’u shuan.”
Thotë Korbi: “Kurrë më”.

I habitur nga përgjigja
Që më tha kur nuk e prisnja,
“Pa dyshim kjo fjalë, thashë,
Ësht’ e vetëma që di,
Q’e mësoi nga i-zot’ i mjerë,
Derë-mbyllur, derë-sterrë,
Që e ndoqi, e ndoqi zia
Dhe e shojti lebetia.
Gjer sa vaj’ i shpresës tij
S’qe veç dëshpërim i ri
Edhe kurrë, kurrë më.”

Edhe Korbi më mbërtheu
Dhe në gas buzën ma ktheu.
Shpejt, pra, një kolltuk rotova
Edhe derës iu-afrova;
Edhe i ndënjur ëndërronja
Dhe me mendjen po kërkonja
Që të gjenja, të zbulonja
Ç’desh të thoshte Korb’ i zi,
Korb’ i mvrënjtur, i vrerosur
Arratisur zall më zall
Me dy fjalë “Kurrë më”.

Këtë desha të çkoqitnja
Po as fjalë nuk i flisnja
Korbit që me sy prej prushi
Zemrën si me zjarr ma mbushi;
Kështu rrinja i trallisur
Pshtetur kryet mi përkresën
Kadifeje të qëndisur
Që e ndritte llamba sipër,
Mbi të cilën ah, e mjera,
Do mos pshtetet më përsipër,
Do mos pshtetet kurrë më.
Era u dent përmi qilimet
Me temjan nga Serafimet
Që u tingëllinin zilet
Posht’ e lart në dysheme.
“Ja, me Engjëj, mor i mjerë,
Të çoi Zoti këtë herë
Prehje, prehje dhe nepenthë
Të harrosh Lenorën lart.
Pi, gëlltit këtë nepenthë
Dhe harro Lenorën lart!”
Thotë Korbi: “Kurrë më”.

“Profet, thashë nëmë-rëndë,
Po profet qofsh, djall a shpëndë!
Qoftë, se të çoi shtrëngata
A Shejtan’ i Ferrit Zi,
Të përhumbur, të patrëmbur
Tek ky vendë i shkret’ i dhëmbur,
Tek ky burk me tmerr i shëmbur,
Thuaj-më, vërtet, të lus:
A ka në Gallad ballsam?
Thuaj, thuaj-më, të lus!”
Thotë Korbi: “Kurrë më”.

Profet, thashë, nëmë-rëndë,
Po profet qofsh, djall a shpëndë!
Për një Qiell dhe Perëndi
Që po lusim un’ e ti,
Thuaj-m’i zemrës që mban zi
A do shoh n’Eden të shenjtë
Vajzën a do kap të shtrenjtë
Q’i thon’ Engjëjtë Lenorë,
Vajz’ e rrallë dhe rezore,
Q’i thon’ “Engjëjtë Lenorë?”
Thotë Korbi: “Kurrë më.”

“Mbyll-e gojën, dreq a shpëndë!
Ngrihem dhe thërres më këmbë,
“Çporru prapë mun në djall,
Në skëterrë dhe në zall!
Pëndë mos më shkunt të zezë
Të më rrej’ e të më ndezë;
Mos lër shenjë të gënjeshtrës
Që më the, po shko prej derës!
Nxir-m’a qipin tënt prej zemrës,
Thyej qafën jashtë derës!”
Thotë Korbi: “Kurrë më”.

Edhe Korb’ i zi i humbur
Qëndron edhe i patundur
Mbi të zbetin bust Pallade
Mun mbi derë t’odës sime.
Edhe sytë i shkëndritin
Si prej djajsh që ëndërritin
Edhe llamba që ndrit sipër
Ja heth hijen përmi dhé;
Shpirti im nga ajo hije
Që valon atje mi dhé
Do mos ngrihet - kurrë më.

POEZI RUSE

FJODOR TJUTÇEV



DASHURIA E FUNTME

Ah, kur na ngryset jeta, seç na tret
M’e nxehtë dhe m’e mprehtë dashuria!
Shkëndrit, moj dritë, që na le shëndet,
Moj dasm’ e funtme, shkrepëti nga zia.

Nga Lindja gjysm’ e qiellit na u err,
Pak vetëm na shkëlqen nga Perëndimi;
Qëndro, qëndro, moj mbrëmje plot me vrerë,
Vazhdo, vazhdo, or diell ngazëllimi!

Nga dimr’ i ftohtë gjaku na u mpi,
Po zemra ndrit me lul’ e me lëndinë;
Moj nus’ e funtme, helm e lumëri,
Ç’ma dogje, Ç’ma gëzove pleqërinë!

POEZI GJERMANE

JOHANN WOLFGANG VON GOETHE
(1749-1832)

QETËSIA

Përmi çdo majë mali
Ka qetësi:
Mi asnjë majë mali
Asgjë s’lëvis,
As pipëtin;
Në pyllin zoqt’ e vegjël po pushojnë:
Prit pak, se shpejt a vonë
Gjen qetësi dhe ti.

VIJA

Moj vij’ e kthjellt’ e kjart’ ergjënd,
Ngaherë rent nga vënd në vënd
Në breg qëndronj dhe po mejtonj:
“Nga po më vjen, ku po më shkon?”

“Vinj prej një burgu shkëmp greminë
Rrjeth nëpër lule dhe lëndinë,
Qiellin e kaltër bukuri
E pasqyronj me dashuri.”

KËNGA E NATËS

Që nga jastëku i butë i qendisur
Dëgjo-më pak, kur ëndërronj
Kur los vjolinë e zhuritur:
Fli! Tjatër gjë, mor xhan, ç’kërkon?

Kur los vjolinë i zhuritur,
Tabor’ i yjve m’a bekon
Çdo ndjenjë lart nga qielli zbritur:
Fli! Tjatër gjë, mor xhan, ç’kërkon?

Çdo ndjenjë lart nga qielli zbritur
Më ngre përpjat’ e më shpëton
Nga zhurm’ e dheut e mërzitur
Fli! Tjatër gjë, mor xhan, ç’kërkon?

Nga zhurm’ e dheut e mërzitur
Më shqit edhe më lumëron,
Më fal mëngjsen’ e alladitur,
Fli! Tjatër gjë, mor xhan, ç’kërkon?
Më fal mëngjsen’ e alladitur,
Për gjumë n’ëndërr më dëgjon
Ah, nga jastëku i butë i qëndisur:
Fli! Tjatër gjë, mor xhan, ç’kërkon?

I PERËNDISHMI

Vetëm njeriu ka në dorë
Të bënjë të pamundurën;
E ndan të bardhën nga e zeza,
Zgjeth e gjykon;
Di dhe zgjeron,
Çastin e vogël e madhon.

Vetëm aty ka zotësi
Të mirin t’a çpërblenjë,
të ligun t’a dënojë;
Të shëronj’ e të shpëtonjë,
Të bashkonjë për shërbim
të lajthiturit e t’ arratisurit.

Kështu pra, i nderojmë
Ata që janë të pavdekur
Sikur të kenë bërë madhërisht
Atë që më i miri vogëlisht
Ka bërë e ka dëshëruar.

Burri bujar duhet të jetë
Gati për ndihmë dhe i mirë;
Duhet të jetë i palodhur
Për shërbim e për të drejtë;
Duhet të jetë një pasqyrë
E Shpëtimtarit që po ëndërrojmë.

POEZI SHBA

HENRY WADSWORTH LONGFELLOW
(1802-1882)


SKËNDERBEU
(I kushtohet Faik Konicës)

Lëfton luftën dhe fiton
Mbreti Ladisllav* gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret
Ditën e Rushajevet*,
Dhe nga fush' e kuqe gjak
Ikën, rent përpara tij
E Muratit* ushtëri
Që shpëtoj e s'ra në lak.

Kur u-ngrys e kur u-err,
Skënderbeu, nder, lavdi
I asqerit* Osmanlli
Tok me Turqit krismën merr,
Si lëfton e si humbet
Ditën e Rushajevet.

Mbet e vdekur prapa tij
E Muratit ushtëri,
Kryerojtja* udhën hap,
Praparojtja* rent me vrap,
Dhe armiku gjakësor
Si me drapër grin e kor.

Po kujdes ay s'të ka
As për Bej as për Pasha,
Edhe natën tek' po shkon
Yjt' e fatit po shikon
Që i ndritnin n'udhëtim;
Edhe kalit tij i ra,
Nënëqeshi edhe tha:
"Është koha për gëzim".

Mez' i natës kur afroj,
Ikja e rreptë kur pushoj,
Një Qatip* na vjen i Mbretit*
Me myhyrin e Dovletit*
Edhe tha me zëmërim:
"Njoll' e parë t'u-vu sot
N'emër, o Gjergj Kastriot!
Pse kështu? Oh, mjerë ne!
Ushtërinë pse e le
Therrur fushës për vajtim?"

U-përgjeq Skënderi, e tha:
"Dergjen mbytur nëpër gjak.
Thembr' e kalit i ka prak,
Po kështu e shkruar qe
Nga i Madhi Zot atje
Q'urdhëron çdo ushtëri.
Dhe ku kemi ne fuqi
Kur ngre dorën kundër nesh
Dhe na grryen si rrebesh?

"Lidheni, tha, me litar
Shkronjësin me kallamar*!"
Dhe Qatipi tha: "Po ç'faj
Paskam bërë që Pashaj
M'a bën mua këtë gjë?"
U-përgjeq Skënderi e tha:
"Faj s'ke bërë asnonjë,
Po që të mos na shpëtosh,
Dhe të fshihesh e të shkosh,
Përandaj t'a bënj këtë."

Tani shkrua-më një shkrim
-Dhe për fis e paç bekim!
Me myhyrin* e Dovletit
Për Mytesarifn* e Mbretit
Që mban Krujën, një qytet
Rreth me mur e me hendek,
Të m'a kthenjë gjën' e atit
N'emrin e Sulltan Muratit;
Se çdo urdhër që të japë
Kurrë nukë merret prapë.

Dhe Qatipi u-krrus prej tmerrit
Dhe kështu i tha Skënderit:
"O Allah i math, i naltë,
Që të jemi hi e baltë!
Qysh t'i shkruanj këto shkrime
Kur e di që kokën time
Po m'a pret ay Dovlet?"

Shpejt ahere si një yll
Që këputet lark nga qjelli
Çpallet nga i arti myll
Një hanxhar me reze djelli
Dhe gjëmon Skënderi: "Shkruaj!"
Dhe Qatipi i tmerruar
Shkroj në dritën e drithmuar
Afër zjarrit, i dërmuar,
Flokë-bardhë, kokë-ngrirë,
Nga e ftohta i mërdhirë,
Zëmër-prerë, vdekje-grirë.

Dhe Skënderi prapë tha:
"Tani eja pas me mua
Se të mbetesh këtu s'dua
Do t'të kem si mik e vlla,
Gjithënjë do t'të nderonj
Me kujdes do t'të rrethonj
Sa të rrosh në këtë botë."
U përgjeq Qatipi e thotë:
"Udha jonë këtu ndahet,
Shoqëria jonë s'mbahet."

Pa mbaruar këtë fjalë
Një hanxhar i rëndë ra,
Kur s'ish afër asnjë tjatër
Dhe Qatipi po përmbyset
Si një gur që rrugulliset
Në liqen të zi dhe shket
Tatëpjetë dhe humbet;
Edhe rreth në qetësi
Asnjë pipëtim s'u-ndi
Përveç kalit Skënderbeut
Që përpjet' u-hodh prej dheut.

Pastaj sulet si shigjeta
Me tre qint pothua veta
Nëpër lum' e pyll e garth
Përmi malet Argjendar*;
Dhe me zemrën plot gëzim
Kapërceu lumin Drin
Dhe u-gdhi e n'agullim
Pa kështjellën Ak-Hissar*,
Krujën, ah atë qytet
Rreth me mur e me hendek,
Tek u-lint e tek u-rrit,
Yll mëngjezi mi të ndrit.

Dhe ahere trumbetarët
Brirëve t'argjëntë u bien
Edhe togje rreth i mblidhen
Turqit bashkë me Shqiptarët
Që dëgjuan atë thirrje.
Dhe kremtoj me miqt' e tij
Dhe u-ngrohnë me dolli.

Dhe u thotë: "Miqt' e mi,
Shihni fati ç'na dërgon,
Perëndia ç'na bekon!
Mbret Murati urdhëron
Mall' i gjërë i tim-eti,
Vend' i terë dhe qyteti
Të më jipen nga Dovleti."

Dhe pastaj me salltanet,
Veshur armët si një mbret,
Shkon kaluar në kështjellë
Edhe hyn nga port' e gjerë
Dhe pashajt që urdhëron
Përmi Kruj' i dorëzon
Urdhërin e Murat Mbretit
Me myhyrin e Dovletit.
Dhe Pashaj, si heshti, tha:
"Lavdi pastë Perëndia,
Ja ku hiqem nga fuqia.
Merr-e vendin dhe qytetin;
Kush lëfton dot me kësmetin?"

Nga kështjella shpejt ka rënë
Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vënt të tij valon
Flamur' i Skënderit n'erë
Shkab' e zezë me dy krerë.

Dhe një thirrje lart-u-ngrit,
Se çdo zëmër e çdo shpirt
U-mërzit nga Turku i lik,
Q'e kish bërë atë Krujë
Zi, murtajë dhe rrëmujë.
Ay zë me gas me bujë
Q'oshëtin nga brek në brek
Është: "Rrofsh, o Skanderbeg!"

Ja kështu Skënderi trim
Mori Krujën me rrëmbim;
Edhe lajma u-përhap
Si një flagë, si një zjarr
Q'i fryn era në behar
Dhe qytetet afër larg,
Thotë Ben Isa Ben Miri*
Në Qitap*, të tij fakiri*
"Binin m'atë lehtësi
Që zë burri veshn' e tij".

------------------------------
*Mbreti Ladisllav - Ladisllav II-të (1423-1444), mbret i Polonisë, më vonë edhe i Hungarisë, u vra në betejën e Varnës nga ushtria e Sulltan Muratit II-të.
*Rushajet - Shën-Trinija, Pentekoste.
*Murati - Murati II-të (1421-1451), sulltani i Turqisë, i cili i kërkoi Gjon Kastriotit katër bijtë peng; fitore dhe disfata e thuhet se, mbasi u thye disa herë prej Skënderbeut, vdiq nga helmi. Simbas Barletit, ai vdiq përpara Krujës, kurse, simbas disa historianëve tjerë, n'Edrëne.
Asqer - fj. arab., ushtar, ushtëri.
*Kryerojtja - pararoja.
*Praparojtja - praparoja.
*Qatipi - fj. arab., shkrues, sekretar.
*Mbret - Sulltan Murat II-të.
*Dovlet - fj. arab., shtet, pushtet, emën që i epej shtetit turk.
*Kallamar - Kupë për bojë shkrimi.
*Myhyr - fj. pers., vulë, timbër, shilë.
*Mytesarij - fj. arab., qeveritar i një sanxhaku në një vilajet.
*Malet Argjendar - malet e Sharrit në Kosovë.
*Ak-Hisar - fj. turq. kështjellë e bardhë, kështu e quenin turqit Krujën.
*Ben Isa Ben Miri - Kronikar arab i kohës, ose i trilluem.
*Qitap - fj. arab., libër.
*Fakir - fj. arab., kryeulët, i gjorë, i vorfen. Poeti i çquem amerikan, Henri Uodsuorth Longfello hartoi këtë poemth mbi motivin e njohun të marrjes së fermanit me pahir nga Skënderbeu prej dore së një qatipi, mbas thyemjes s’ushtrisë turke në betejën e Nishit. Me anë të këtij fermani ai mori Krujën. Barleti thotë se, si e mori fermanin, Skënderbeu e vrau qatipin, pa e ftue ta ndjekë pas, ashtu si ç’del këtu në poemth.
Beteja e Nishit ngjau më 1443 në mes të hungarezëve nën mbretin Ladisllav dhe gjeneralin Gjon Korvin Huniadi, Voivodën e Transilvanisë, dhe të turqve nënë Skënderbenë dhe Karam Benë, Pashan' e Rumelisë. Disa jetëshkrues së Skënderbeut thonë se nuk mori pjesë në këtë betejë, por, teksa Huniadi kaloi Moravën, heroi ynë u sul e goditi ushtrinë turke. Simbas Barletit, Skënderbeu e kish sendërtue planin e ikjes qysh përpara betejës në fjalë, tue u pasë marrë vesht edhe me të nipin, Hamzën.


LEIB NEIBUS
(1890-1918)

E DUA PYLLIN

E dua pyllin e përpjetë
Q’arrin në qiell ku djelli ndrit;
Ah jo, jo pyllin, po patekën
që përmes pyllit më shëtit.

Dua patekën që ka vetëm
Ca lule t’ egra dhe ca gjëmba;
Jo, jo patekën, po shtëpin e shkretë
Ku shpie kjo patekë brënda.

Dua shtëpin’ e gjelbëruar
Në mes të pyllit si kuvli,
Jo, jo shtëpinë, dua zogën,
Një vajzë q’atje brënda rri.

POEZI SPANJOLLE

MIGEL De SERVANTES SAAVEDRA
 (1547- 1616)


(NGA "DON KISHOTI I MANÇËS", vëllimi I)

MALE, PYJE PLOT ME FLETË

Male, pyje plot me fletë
Të mbëdhenj e të përpjetë,
pa pushoni e më dëgjoni,
ejani më ngushëlloni,
për hatanë, për belanë,
për qederin, për sevdanë,
që më shthuri anembanë,
këtu qan trim Don Kishoti te dëllinja
për largimin nga Dylqinja
e Tobozës.

Te ky vend më solli fati,
fat' i zi e taksirati,
se si unë s'ka ashik,
dhe si unë s'ka besnik,
dhe kështu më mori djalli,
më svarnis për kapistalli,
pra nga halli e nga malli
këtu qan trim Don Kishoti te dëllinja
për largimin nga Dylqinja
e Tobozës.

Duke ndjekur aventyra,
te ky mal i shkretë hyra,
por më ndje’k nga pas sevdaja
më qëllon, më ndjek murtaja
me shigjetën e helmuar
dhe jam djegur, përvëluar,
dhe kështu i dëshpëruar,
këtu qan trim Don Kishoti te dëllinja
për largimin nga Dylqinja
e Tobozës.

KËTU DERGJET DON KISHOTI

Këtu dergjet Don Kishoti:
Ish i fort' e ish i zoti,
botën prapa desh ta kthente
dhe me ushtën t’a mbërthente.

Këtu brenda fle Dylqinja:
se ç’këndonte si mëllinja!
Ish e kolme, rrumbullake,
faqe-kuqe, pupulake.

Këtu dergjet Sanço Pança:
si ai s'ka parë Mança!
E kish barkun sa një kosh,
e kish kokën fare bosh.

Këtu dergjet Rosinanti:
ishte më interesanti
nga çdo kalë që kulloti
barin që ka bërë Zoti.

KËTU PREHET NJË BARI

Këtu prehet një bari,
Që na shtiu dashuri
Mbi një egërsirë mali,
Dhe kështu na humbi djali.

Zemra seç iu përvëlua,
Q’e përbuzi ajo grua,
Dhe u-doq ky trim i ri
Nga e flakta dashuri.

AH! DASHURIA S’PASKA HIÇ MËSHIRË

Ah! Dashuria s’paska hiç mëshirë,
Se më ka shembur e më ka përpirë,
Se unë asnjë të keqe s’i kam bërë,
Që ma ka prerë shpresën me gërshërë.

Po, perëndi, kur qenka Dashuria,
Ahere siç na thotë Dituria,
Se merr kalemi që të na mundonjë
Dhe shpirt e zëmër të na përvëlojë.

S’them dot se fajin ma ke ti moj Fillë;
Nga mjalta jote s’del një helm i tillë,
Dhe kurrë s’them se vjen nga perëndia.

Ahere vdes, kështu e zgjidh problemin,
Se ndryshe s’kam sesi t’ia gjej melhemin
Lëngatës që s’i dihet katandia!

JAM MARINAR I DASHURISË

Jam marinar i dashurisë
Dhe në furtun’ e n’oqean
Plevas pa shpres’ e midis zisë,
Se nukë shoh asnjë liman.

Si prijës kam një yll të zjarrtë,
Që për së largu e shikonj,
Nga Palinuri* ndrit më kjartë,
Atë pasonj, atë vazhdonj.

Po nukë di se ku më shpie,
Sillem vërdall’ aty-këtu.
Dhe here’ hipënj, herë bie,
Si pas tallazit kuturu.

Kur yllin m’a mbulojnë retë
Dhe nëpër qjell s’e shoh gjëkund,
Humbas torruan në det të shkretë
Dhe frika zëmrën m’a lëkunt.

O yll i ndriçim, kij mëshirë,
Dil prap’ e ndrit-më, se të pres;
Në perëndofsh një her’ e mirë,
Ahere di-e se po vdes.

----------------------------
*Palinuri (mit) - nostromi i anijeve me të cilat Eneu me shokë erdhi nga Troja në Itali.

POEZI BRITANIKE
(angli)

RUDYARD KIPLING

NË MUNÇ

Në munç të mbash në kokë terezinë
Kur shokët çmendër dhe fajtor të nxijnë;
Në munç të kesh besim, kur të dyshon
Kushdo, dhe s'ka njeri që të beson;

Në munç të preç, dhe pritjen s'e kursen,
Në të gënjefshin, ti nuk i gënjen,
Në të urrefshin, ti s'i çan me brirë,
Dhe s'hiqesh as m'i mënçim as m'i mirë.

Në munç të çndërrosh e të mejtosh,
Dhe nga këto në mos u robërofsh;
Në munç të preç Triumfin dhe Hatanë,
Dhe t'i shkelmosh të dy si kallpazanë;

Në munç të mbahesh, kur një dreq ta dreth
Të drejtën dhe në lak syleshin heth,
Kur sheh kalan' e jetës të rëzuar
Dhe prap e ngre me veglën e çkallmuar;

Në munç të vësh m'i grumbull çdo thesar,
Edhe t'i loç të gjitha me një zar,
T'i humpç edhe të nisësh përsëri
Pa thën' asgjë për këtë batërdi;

Në munç të kesh një zemër, trup e kokë
Që të shërbejnë sa të bëhen trokë,
Dhe të vazhdosh i djegur shkrump në furrë,
Dhe të thërret vullneti: "Mbahu, or burrë!"

Në munç të zbreç në turm' e të mbash nderin,
Të hash me mbretin, të pish me neferin;
Në mos të ngaftë dot as mik as hasmë,
N'i daç të gjithë, po asnjë për dasmë;

Në munç për çdo minutë të përpjetë
Të rënç tamam sekunda gjashtëdhjetë;
Zaptove dhenë me çdo mall dhe hir,
Dhe ca më mirë, qënke trim, or bir!

POEZI BRITANIKE
(angli)

UILLIAM SHEKSPIR
(1564-1616)


HAMLETI
(fragmente)

(Akti III, Skena II;)

Këshillat e Hamletit për aktorët

Hamleti: Dekllamo-e monollogun, të lutem, ashtu si
të tregova, lehtë, në majë të gjuhës; po n’e bërtitsh
me gojën plot, siç bëjnë disa prej aktorëve tanë,
do të më pëlqente më mirë sikur radhët e mia të
m’i pëlliste nonjë tellall. As erën mos e sharro
tepër me dorë, po i bëj të gjitha me hollësi;
se dhe makar në rrëken’ e shqotës dhe, si të thom,
në vërdallën e pasionit duhet të kesh një masë,
e cila t’i japë lodrës njëfarë lezeti. Oh, më turbullohet
shpirti kur dëgjonj nonjë djalosh të shëndoshë e
flokëbush t’a coptonjë e t’a reckosë pasionin, tua
çjerrë veshët dëgjonjësve, më të shumtët e të cilëve
s’janë të zotët të çmojnë veç pantomima dhe shamata
pa kuptim; do të kisha dashur që një artist i tillë të
rrihej me kamçik, se buçet më egër Termaganti, se
tiranizon më zi se Herodi; të lutem mos bëj ashtu…
As tepër i vakët mos u bëj; po kij për udhëheqës
diskrecionin tënt; ujdis vepërimin me fjalën,
fjalën me vepërimin; dhe kij gjithënjë përpara sysh,
që të mos e kapërcesh masën e natyrës; se çdo gjë e
tepëruar largohet nga qëllimi i lodrës, i cili që në krye
e gjer tani ka qenë e është të bëhet pasqyra e natyrës dhe
t’i tregonjë fytyrën e vet virtytit, pikturën e vet poshtërsisë
dhe formën e shtypin e tyre njerëzve dhe shoqëris’ së një
periudhe. Tani, po të tepërohet kjo apo të dobësohet,
ndonëse munt t’i bënjë të paditurit të qeshin, s’munt veç
t’i bënjë njerëzit me shije të helmohen; gjykimit të këtyre
duhet t’i jepni më tepër rëndësi se një theatri të tërë prej
të tjerëve. Oh, kam parë ca aktorë të lozin – dhe kam
dëgjuar njerëz t’i lëvdojnë lartësisht, që të them profanërisht
– të cilët, pa patur as akcent as ecje prej të krishteri a prej
pagani a prej njeriu, janë lëkundur e kanë pëllitur me
një mënyrë t’atillë sa kam besuar që ca rrogëtarë të
natyrës na paskëshin bërë ca njerës dhe s’na i paskëshin
goditur mirë; aq zvjerdhërisht e imitonin njerëzinë…
Dhe ata që lozin gastorët mos i lini të flasin më tepër
se sa është shkruar në lodër; se ka ca prej këtyre
që vazhdojnë të qeshin vetëm e vetëm për të shtyrë
disa spektatorë kokëtrashë të qeshin dhe ata, me
gjithë që n’atë mes, munt të jetë nevojë të çkoqitet një
pikë rëndësore e veprës; kjo gjë është e turpëshme
dhe tregon një ambicje të vajtuarshme në gastorin
që bën. Shkoni, bëhuni gati!

THUAJ YJTË S’JANË ZJARR

Thuaj yjtë s’janë zjarr,
Thuaj dielli u shua,
Thuaj jeta është varr,
Po mos thuaj që s’të dua.

TË RROSH A TË MOS RROSH

Të rrosh a të mos rrosh - kjo është çështja:
M’ e lartë është vallë të durosh
Hobe*, shëgjeta fati të tërbuar
A të përballsh një det të turbull helmesh.
Me arm’ e funt t’u japsh? Të vdeç - të flesh
Jo më! - dhe me një gjumë të mbarosh
Çdo zëmër - dhëmbje, mijëra tronditje,
Që trupi prej natyrës trashëgon,
Ja një qëllim që duhet dëshëruar
Me gjithë shpirt. Të vdeç - të flesh, të flesh?
E nofta t’ëndërrosh! Ah, këtu ngec;
Se ç’ëndrra shohim n’atë gjumë vdekje,
Pasi na shkundet kjo pështjellj’ e mortme**,
Kjo frikë na qëndron; ja arësyja
Që aq e zgjat një jetë me mjerime;
Se kush duron përbuzjen dhe kamçikn e botës,
Zullumn*** e shtypësit, përdhunën e krenarit,
Lëngimn’ e dashuris’ së papërfillur,
Vonimn’ e ligjës, gojë-çthurrjen e zyrtarit,
Dhe shkelmet, që çdo vlerë zemër-gjerë
Nga të pavlershmit merr, kur munt t’a lanjë
Hesapin fare me një copë thikë?
Kush vallë barra mban e kush dërsin,
Rënkon nënë një jetë të mërzitur,
Po vetëm tmerr’ i saj diç pas vdekjes
Vëndit të pazbuluar nga s’na kthehet
Kurr’ udhëtari - na trullos vullnetin,
Dhe vuajmë të ligat që po kemi
Se sa të hidhemi n’ato që s’dimë.
Kështu na bën ndërgjegja gjith’ frikaçë;
Kështu me ngjyr’ e gjall’ e rezollutës****
Sëmuret, verdhet nga hij’ e mejtimit,
Dhe pllane të mëdha e rëndësore
Ndalen, përçajnë rrjedhjen, dhe humbasin
Emrin e vepërimit. Hesht tani!
E bukura Ofeli! Engjëll, në lutjet
Mëkatet m’i kujto të gjitha…

-------------------
*Hobe – vegël me një rryp lëkure a llastiku, për të gjuejtë me gur.
**E mortme – vdekje, vdekësore.
***Zullum – fj. arab., dëm, mizor, vandalizëm.
****Rezollutë – fj. neol., vendim.

SI T’ A NJOH TRIMIN QË MË DO VËRTET

I
Si t’ a njoh trimin që më do vërtet
Nga ndonjë tjatër trim?
Nga syri dhe nga zëmra që m’i flet?
Zemrës e syrit t’im.
Më vdiq, o shoqe, dhe më la,
M’a vunë në qivur,
Mi varrin bar tani më ka,
Mi kokën ka një gur.
Të bardhë si dëbor’ e kish savanin*
Me lule të stolisur,
I vogël e i math me lot e qanin
Me zemër të zalisur.

----------------------
*Savan - qefin

II
Shën Valentinin* nesër po kremtoj
Dhe ngrihem në mëngjes
Dhe, vajzës, nga dritarja po i shkonj,
Se nukë munt të pres.
U-ngrit ay ahere dhe u-vesh
Dhe derën po ia çel.
Në dhomën brënda vajza hyn e qesh,
Po vajzë jashtë s’del.

III
Për Zotin Krisht, për Zonjën Shën Mëri,
Ajme, sa turp, sa keq!
E bën, kur e gjen rasjen djal’i ri,
Dhe vajza shkon në dreq.
I thot ajo: “Më bëre be, pa shtrirë,
Që do t’më merrnje grua!”
I thotë ay: “Vërtet, po s’je e mirë,
Kur fle për turp me mua!”

KUR ISHA I RI, KISHA DASHURI

Kur isha i ri kisha dashuri,
ah dashuri,
E kisha zëmrën plot me lumtëri,
Me nuse e me dasm’ e me kurorë,
Isha si dash me brir’ e me këmborë,
Po e pabesa pleqëri më theu,
ah më theu,
Me pançën e me thonjtë më mbërtheu,
Më çthuri, m’arratisi në kurbete,
ah kurbete,
Në male, në shkëmbinj, në pronj e dete.
Një bel, një bel, një kaz’m e një lopatë,
ah lopatë,
Dhe një savan i gjërë dhe i gjatë;
Një grop’ e thellë dhe përsipër baltë,
ah moj baltë,
Kështu e do kjo mysafir’ e naltë.

MAKBETHI
(fragment)


PJESA II

Sikur të bëhej dhe të merrte funt do të ishte mirë
Të ish bërë sa më shpejt. Sikur kjo vrasje
Të përjashtonte çdo pasojë dhe të kapte
Suksesin me mbarimn’ e saj, sikur kjo vepër
Një herë e mirë hesapn’ e saj ta mbyllte
Pa lënë bisht e gjurmë e hie pas
Këtu, vetëm këtu, mbi këtë dhé-
Në këtë buzëdet të cekët provizor-
Nuk e peshonim jetën tjatër fare.
Po kemi gjyq këtu për këto punë:
Se posa bëhemi mësonjës për gjakderdhje,
Na shembin me mësimet tona nxënësit;
Kjo drejtësi me dorë të paanëshme
Na zgjat në buzë vrerin që gatitëm vetë.
Ndodhet këtu dy herë i garantuar:
E para, e kam prind dhe e kam mbret,
Që e prapsin veprën që të dyja fort;
Pastaj, e kam këtu si mysafir;
Duhet ta mbronj prej vrasësve pra unë
Jo unë të ngre thikën kundër tij.
Përveç këtyre, ka qënë aqë i ëmbël,
Ka qeverisur shtetin aqë pastër
Sa mirësitë e tij, si ëngjëj me trumbetë,
Do t’ma dënojnë vrasjen e mallkuar.
Mëshira, si një foshnjë e posalindur,
Mbi krahët e furtunës dhe e hipur
Mbi kuaj të padukur Qerubinësh
Ka për të çfryrë në çdo sy njeriu
Tmerrin e veprës sime të pabesë
Dhe do ta mbytë erën me shi lotësh.
S’kam yzengji ta çpoj qëllimin tim
Përveç ambicjes kulmëse që turret,
Që hidhet ca më tej se ç’i përket
Dhe bie në anën tjatër e përmbysur.
                       (Hyn Zonja Makbeth)
Eh, ç’kemi?

ZONJA MAKBETH

Pothua mbaroi darkën. Pse na ike?

MAKBETHI

A më kërkoi?

ZONJA MAKBETH

S’e di që të kërkoi?

MAKBETHI

Më tej s’duhet ta ngasim këtë punë.
Më ka nderuar fort tani në fund
Dhe kam fituar një respekt të artë
Në sy të gjithë botës; këtë rrobë
Të ndriçime duhet ta mbaj tani
E jo ta hedh mënjanë kaqe shpejt.

ZONJA MAKBETH

A ish e dehur shpresa ku m’u veshe?
A të ka fjetur dhe tani t’u zgjua
Dhe sheh, e zbetë, gjënë që e gëzoi?
Kështu tani ta di dhe dashurinë.
Në veprë në kurajë gjithashtu
Siç je dhe në dëshirë? Do ta kesh
Atë që quan si stoli të jetës
Dhe prapë rron frikaç në sy të vetes
Dhe po më thua “Dua, po s’guxoj”
Si macja delikate e proverbit?

MAKBETHI

Të lutem, hesht. Guxoj të bëj çdo gjë
Që i ka hie burrit; kush guxon
Më tepër s’është burrë.

ZONJA MAKBETH

Ahere, cili djall të shtyri vallë
Të bisedosh me mua këtë punë?
Kur deshe që ta bëje, ishe burrë;
Dhe ca më tepër burrë do të jesh
Kur të guxosh ta bësh me të vërtetë
Një herë as koha as vendi nuk ujdisnin
Dhe deshe t’i shtrëngoje të të ndihnin,
Tani që të ardhën vetë dhe të luten,
Pazotësia jote i largon.
Kam qenë nënë, e di sa është e dashur
Foshnja që më thëthin në krahëror:
Po prap, atje tek të m’i qeshte syri,
Ia çkulja gojën që prej thithit tim
Dhe e vërvitja kokë- tatëpjetë,
Sikur të kisha bërë be si ti.

MAKBETHI

Po në na daltë keq, -

ZONJA MAKBETH

Në daltë keq!
Vidhos kurajën mun në vend ku ngjitet
Dhe s’na del keq. Posa ta zërë gjumi,
Dhe gjumë i rëndë si pas lodhjes sotme,
Ia deh me verë e barra të dy shambellanët,
Ua bëj trutë tym e kokët trokë,
Dhe kur të shtrihen e të flenë derrërisht
Në pellg të gjumit, si në varr të vdekjes,
Ç’gjë s’bëjmë dot atëherë ti dhe unë
Mbi mbretin Dunkan të paruajtur?
Dhe pse të mos ua ngarkojmë vallë
Këtyre oficerëve të dehur
Fajin e madh të vrasjes sonë?

MAKBETHI

Bëj vetëm djem, moj grua.
Se trimëria jote e patrembur
S’duhet të lindë tjatër veç meshkuj. –
Po bota a do të besojnë vallë
Që e kanë vrarë ata që e ruajnë,
Si të përdorim kamat e atyre
Dhe si t’i ngjyejmë me gjak të dy?

ZONJA MAKBETH

Kush ka kurajën të besojë ndryshe,
Kur të bërtasim e të çirremi
Dhe të vajtojmë që na vdiq këtu?

MAKBETHI

E kam vendosur dhe tani tendos
Për veprën e tmerruar gjithë nervat.
Pra, shkojmë e buzëqeshur i gënjejmë;
Se faqe e rreme fsheh në zemër ç’ndjejmë.
                                                       
                                                         (Dalin)

(Përgatiti për botim në "ADMET", Andi Meçaj, gusht 2013)

OTELLO
(fragment)

E VARFËRA RRËZË NJË MANI PO RRI

E varfëra rrëzë një mani po rri,
Qaj, shelk, o shelk i zi;
Me kokën mi gjunjë, me duar në gji,
Qaj, shelk, o shelk i zi;
Dhe lumi buçizte me keng’ e me vaj,
Qaj, shelk, o shelk i zi;
Dhe shkrinin shkëmbinjtë nga lotët e saj,
Qaj, shelk, o shelk i zi;

“JUL QESARI”
(fragmente)


AKT I

SHKENË I

Romë. Një Rrugë.
Hyjnë FLAVI, MARULLI dhe disa QYTETARË.

FLAVI

Largohuni, përtacë! Në shtëpi!
Mos ësht' e kremte sot?
Apo s'e dini
Që nuk barisni dot, si punëtorë,
Në ditë punëtore, pa emblemë
Për çdo zanat? Or ti, fol, ç’punë bën?

I PARI QYTETAR

Zot, jam strugatës.

MARULLI

Ku ke brushtellën e lëkurt' e rigën? Ç'po bën këtu me rrobat më të mira?
Ti, ç’punë bën, or zot?

I DYTI QYTETAR

E drejta, or zot, përpara një punëtori të hollë si ky, unë s’jam veç, si të
them, një arrnonjës.

MARULLI

Më thuaj ç'punë bën? Përgjigj-u shpejt.

I DYTI QYTETAR

Një punë, or zot, të cilën besonj që munt t'a bënj me ndërgjegjie të qetë,
se me të vërtetë, or zot, ua ndreq mëkatarëve tabanet e shtrëmbëra.

MARULLI

Zuzar, zuzar i prapë, ç’punë bën?

I DYTI QYTETAR

Të lutem, zot, mos u çir me mua; se, po të çiresh, munt të të qep.

MARULLI

Si the, zuzar pa cipë? Të më qepësh?

I DYTI QYTETAR

Po, zot, të t'i arrnonj këpucët.

FLAVI

Mos je shollar, mor, apo jo?

I DYTI QYTETAR

Vërtet ashtu., or zot; rronj vetëm me gjëlpëryerin; ua qep burrave dhe
grave shollat. Me fjalë të tjera, or zot, jam xherahu i këpucëve të vjetra;
kur ndodhen në rezik të madh, un' i shëronj; këmbët më të hieshme që
baresin në rrugët, kanë shkuar nga dora ime dhe ua kam mbathur unë
këpucët.

FLAVI

Po pse ke dalë nga dyqani sot?
Përse i prin në rrugë këta njerës?

I DYTI QYTETAR

E drejta, or zot, që të grisin këpucët e të kem më tepër punë. Po, që të
mos të gënjenj, or zot, kemi dalë të shikojmë Qesarin dhe të gëzohemi në
triumfin e tij.

MARULLI

Pse të gëzoheni? Ç'vijtore sjell?
Dhe ç'tributar' i vijnë pas në Romë
T'i zbukurojnë qeren triumfale?
Ju drurë, gurë dhe shkëmbinj pa ndjenja,
O ju, Romanë, pa shpirt e pa zëmër,
Pompeun nuk e njohtë?
Oh, sa herë
U-ngjittë nëpër mure dhe fortesa,
Në tura, në dritare dhe në maja
Oxhakësh, me fëmijët në pëqi,
Dhe ndënjtë tërë ditën me durim
Pompen' e math t'a shihnit rrugëve
Të Romës kur kalonte, dhe posa
I dukej qerja, klithmës ia kërrcisnit
Sa dridhej Tibri nënë shtrat të tij
Nga brohoria e përgjithëshme,
Q' i oshëtinte nëpër breg e zall.
Dhe dilni sot me rrobat më të mira?
Dhe ditën sot e bëni një të kremte?
Dhe lule udhës shtroni për atë
Që triumfoj mi gjakun e Pompeut?
Largohuni!
Shkoni më shpi, më gjunjë perëndive
U lutuni murrtajën të ndalojnë,
Që turret mi këtë mosmirënjohje.

FLAVI

Shkoni, o miq, e lani këtë faj:
I mblithni vegjëlinë, shokët tuaj,
I shpini buzë Tibrit, derthni lot
Gjersa të fryhet rrjedhja më e unjur
Edhe të puthë bregun më të lartë.
(Dalin QYTETARËT)
Shih, zëmra plump e tyre u zbut
E çduken si fajtorë gojë-kyçur.
Ti, zbrit andej nga an' e Kapitolit,
Unë këtej. Stolit' i çkul nga çdo
Piktur' e Jul Qesarit që të gjesh.

MARULLI

A munt t'a bëjmë këtë gjë?
E di që kemi Luperkalet sot?

FLAVI

S' prish punë; s'duhet lënë varrur
Asnjë pikturë me tropè Qesari.
Unë shetit e zbonj nga rruga turmën;
Bëj gjithashtu ku t’i shikosh të mbledhur.
Kështu nga krahët shkabës Jul Qesar
Ia ndukim pëndet para se t’i rriten,
Dhe fluturon pa vrap, si zoqt' e tjerë,
Se ndryshe ngjitet përtej pamjes syrit
Dhe na përmban në frikë skllavërishte.
(Dalin)

SHKENË II

Gjithatje. Një Shesh Publik.

Hyjnë me procesje dhe muzikë QESARI, ANTONI i veshur
për rendjen, KALFURNJA, PORSHA, DECI, CICERONI,

------------------------
O miq romanë, qytetarë, më dëgjoni
Vij ta varros, jo ta lëvdoj Cezarin
E keqja që ka bërë çdo njeri mbetet
E mira i mbulohet shpesh në varr me kockat
Ashtu i qoftë edhe Cezarit.
Trimi Brut ju tha tani, Cezari qe ambicioz
Në paska qenë ashtu, qe faj shumë i rëndë
Dhe rëndë shumë e pagoi Cezari
Këtu, pas lejes, Brutit e të tjerëve
Se Bruti është burr' i ndershëm
Të ndershëm janë që të gjithë, ai dhe shokët.
Vij që të flas në funeralin e Cezarit
Ish miku im, më qe i drejtë dhe i besës
Po Bruti thotë qe ambicioz
Dhe Bruti është burr' i ndershëm
Cezari i solli Romës shumë robër lufte
Dhe arkat me shpërblime ia ka mbushur
Kjo qe ambicia e Cezarit? Si ju duket?
Cezari qante kur thërrisnin të vobektit
Ambicia duhet t'ish me zemër më të ashpër
Po Bruti thotë qe ambicioz
Dhe Bruti është burr' i ndershëm
E patë që të gjithë se në Luperkalet
Tri herë i dhashë një kurorë mbretërore
Edhe tri herë e hodhi; ambicie qe kjo?
Po Bruti prapë thotë qe ambicioz
Dhe Bruti është padyshim burr' i ndershëm
S'dua të kundërshtoj ato që foli Bruti
Por s'mund t'ju flas veç për ato që di
Një herë e deshët që të gjithë - jo pa shkak
Përse tani s'ju vjen asfare keq për të?
Ndër egërsirat paske ikur, o gjykim
Dhe njerëzit e paskan humbur arsyen!
Duroni pak se e kam zemrën te Cezari
Aty, dhe pres të më kthehet prapë.

(Përgatiti për botim në "ADMET", Andi Meçaj, gusht 2013)

ROMEO DHE ZHULIETA
(fragment)

Zhulieta

Mos do të ikësh? Ende s’është gdhirë,
Nuk ishte lauresha, por bilbili
Ai që vrau veshin tënd të frikshëm.
Ai këndon çdo natë përmbi shegë,
Besomë, i dashur, ish vërtet bilbili.

Romeo

Ish lauresha, kasneci i mëngjesit,
Nuk ish bilbili. Pa shiko, e dashur,
Rrezet nakare, si dantellë e hollë,
Qëndisin retë e zeza të agimit.
Qirinjtë e natës, dalëngadalë po shuhen,
Dhe dita e qeshur, gati për t’u nisur,
Qëndron mbi mugëtirën majë malesh.
Prandaj më duhet të iki e të rroj
Ose të rri këtu e të vdes.

Zhulieta

Ajo atje nuk është drita e ditës,
Por ësht’ një meteor që e nxori dielli,
I cili do të bëhet pishtarmbajtës
Të të ndriçojë rrugën e Mantovës.
Prandaj qëndro, se s’ke nevojë të ikësh.

Romeo

Le të më kapin, pra, dhe të më vrasin.
I lumtur jam të rri kur kërkon ti.
Pra, eja, vdekje,
Edhe mir se të vish, kur do Zhulieta!
Ç’thua, shpirt? Le të flasim, s’është gdhirë.

POEZI FRANCEZE

POEZI NGA POL VERLEN
(1844-1896)


ËNDËRRA IME E ZAKONTË

Shpesh natën më çudit një ëndërr, më sëmbon,
Një grua që s’e njoh, q’e dua dhe më do,
Që s’është kurdoher’ as fare gjithajo
As fare tjatër, dhe më do, më kupëton.

Më kupëton, dhe zemrën si kristal të kjartë
Ma di vetëm ajo, edhe ma zgjidh problemn’ e saj
Vetëm ajo; ballin e zbet’ e dirsur valë
Vetëm ajo ma alladit me lot’ e saj.

A ësht’ e zeshk’ a blonde ruse? Nukë e di!
Ç’i thonë? Emr’ i saj i ëmbël tingëllin
I dashur dhe syrgjyn prej jetës plot me zi.

Ka sy si të statujës, edhe zën’ e ka
Të larkmë dhe të qetë, plot me rëndësi
Dhe me lezet, si zë që s’bën më shamata.

JETIMI

Kam ardhur unë, një jetim,
zengjin prej syve dhe belave
Në njerëzit e kasabave*
S’ma varrnë, s’më gjetnë qesqin**.

Kur isha trim njëzetvjeçar,
U-përvëlova nga sevdatë,
I desha që të gjitha gratë;
S’më deshnë, më lanë beqar.

Pa patur mbret, vatan, a gjak,
Pa patur zëmër që të vrisnja,
Në luftë vajta që të vdisnja,
Po vdekja s’më përfilli aspak.

Kam ardhur von’ a tepër shpejtë?
Çpo bënj në botën un’ i mjeri?
O shokë, më mbyti qederi;
Për mua lutuni, o të drejtë.

----------------------
*Kasaba - fj. arabe., qytet i vogël, qytezë.
**Qesqin - fj. turq., i shkathët, hollak.

POEZI FRANCEZE

VIKTOR HYGO


“LULE MI VARR”

Menatë, nesër kur të zbardhet fush’ e shkretë,
Do nisem. Se më pret, e di që jam vonuar;
Do shkonj nga pylli dhe mali i përpjetë;
Më tepër s’mund të pres lark teje i mërguar.

Do të bares me sytë në kujtimet kridhur
Pa par’ asgjë, pa ndjer’ asnjë shamatë;
I vetëm, i panjohur, krusur, duar-lidhur,
Vrerosur, edhe dita do të bëhet natë.

S’kam për të par’ as perëndimin ar’ e zjarr
As lundrat me pëlhura tutje në luginë,
Dhe kur t’arrinj, më gjunjë do të vë mi varr
Një tufë lule besilok e trëndëlinë.

POEZI BRITANIKE
(skoci)

WILLIAM KNOX
(1789-1825)


KOTËSIA NJERËZORE

Përse njeriu është kryelartë?
Si re e shpejtme,meteor i zjarrtë,
Si dritë vetëtin si valë na vëngon,
Nga jeta në pushim, në varr kalon.

Nga dushku dhe nga shelgu bje çdo fletë,
Përndahen rotull, shtrihen tatëpjetë,
Të vogla, të mëdha, të ra, të thata
Përmbysen tok dhe hidhen në gërmadha.

Kurora e një kokë mbretërore
Me mitrën dhe me krabën priftërore,
i dituri dhe trimi zëmërmadh
Mbërthehen në qivur, zbresin në varr.

Çdo shpresë, dëshpërimi, helmi gazi
Çkallmohen nga tufani dhe porjazi,
Çdo lot e buzëqeshje, vaj e valle
Dëshmohen posi vala nëpër zalle:

Shkëndij’ e syrit edhe frym’ e jetës,
Lul, e shëndetit, edhe shkrumb’ i vdekjes,
Rrëzohen në savan nga kulm’ i artë:
Pra, qysh njeriu është kryelartë?

POEZI PERSE
OMAR AL-KHAYYAM
(1044-1123)

Omar Al-Khajami ishte një matematikan dhe astronom i shquar. Ai ishte gjithashtu i njohur si poet, filozof dhe fizikant. Në librin "Historia e Filozofisë perëndimore", Bertrand Rusell vëren që Omar Khajami ishte i vetmi njeri që ai njihte, i cili ishte poet dhe matematikan në të njëjtën kohë. Në vitin 1079 Omar Khajami rregulloi Kalendarin Diellor. Kontributi i tij në Algjebër u vlerësua në gjithë Europën. Në Perëndim ai njihet për përmbledhjen poetike me titullin "Rubaiyat" (Strofat) e cila u përkthye nga Edward Fitzgerald në 1859. Emri i tij i plotë ishte Ghijath al-Din Abul Fateh Omar Ibn Ibrahim al-Kajam.
Omar Khajami lindi në vitin 1044 në Nishapur, kryeqyteti i Khurasanit (në Iran). Ai njihet si Persian. Megjithatë një nga mendimet është që paraardhësit e tij (nga fiset arabe të quajtura Khajami) emigruan dhe u vendosën në Persi. Omar Khajami u edukua në Nishapur. Përveç kësaj ai udhëtoi edhe në shumë institucione me reputacion në fushën e diturisë përfshirë këtu: Bukhara, Balkh, Samarkand dhe Isfahan. Pjesën më të madhe të jetës së tij ai e kaloi në Nishapur ( Azia Qendrore ). Omar Al-Kajami ishte bashkëkohës i Nizam al-Mulk Tusit. Ai vdiq në vitin 1123 e.r. në Nishapur.
Khajami dha një kontribut të madh në Matematikë dhe veçanërisht në Algjebër. Libri i tij rreth Algjebrës, me titullin "Makalat fi al-Xhabr wa al-Mukabila" mundësoi zhvillim të madh në këtë fushë. Ai cilësoi shume ekuacione algjebrike bazuar ë ndërlikimin e tyre dhe njohu 13 forma të ndryshme të ekuacioneve kubike. Omar Khajami zhvilloi një mënyrë gjeometrike në zgjidhjen e ekuacioneve, e cila përfshiu një përzgjedhje gjeniale të koneve të rregullta. Ai zgjidhi ekuacione kubike duke kryqëzuar një parabolë me një rreth. Omar Khajami ishte i pari që zhvilloi teoremën e binomit dhe përcaktoi koeficientet binominale. Ai zhvilloi shtrirjen binominale për rastin kur eksponenti është një integral pozitiv. Omar Khajami në librin e tij të Algjebrës i referohet një libri tjetër që njihet si Trekëndëshi i Paskalit. Ky libër nuk gjendet më në kohët e sotme. Ai e zgjeroi punën e Euklidit duke dhënë përfundime të reja të raporteve dhe duke përfshirë këtu edhe shumëzimin e raporteve. Ai ndihmoi në teorinë e vijave paralele.
Omar Al-Khajami është i famshëm për një tjetër vepër të tij e cila e ndihmoi gjatë kohës kur po punonte per Sulltanin Selxhuk, Malikshah Xhelaludini. Atij i kërkuan të zhvillonte një Kalendar Diellor të përpiktë i cili do të përdorej për mbledhjen e të ardhurave shtetërore dhe qëllime të tjera administrative. Për të plotësuar këtë detyrë, Omar Khajami nisi detyrën e tij në observatorin e ri në Ray në vitin 1074 e.r. Kalendari i tij i quajtur "Al-Tarikh-al-Xhelali" (Rruga e Xhelalit) është superior në krahasim me kalendarin Gregorian dhe është i përpiktë brenda një dite në 3770 vite. Ai përcaktoi që gjatësia e vitit përbëhej nga 365.24219858156 ditë. Kjo tregon që ai e njihte rëndësinë e përpikmërisë duke dhënë rezultatin në 11 thyesa dhjetore. Gjatësia e vitit në kohët tona njihet 365.242190 dite. Kjo shifër krahasuar me atë dhënë prej Omar Khajamit ndryshon vetëm tek shifra e gjashtë e thyesës dhjetore.
Khajami ndihmoi gjithashtu edhe në fusha të tjera shkencore. Ai zhvilloi një metodë për përcaktimin sa më preciz të peshës specifike. Ai shkroi dy libra rreth metafizikes, "Risala Dar Wujud" dhe "Nauruz Namah". Si poet, Khajami njihet për "Strofat" e tij, ose siç quhen, rubairat. Temat e tij përfshijnë mistikë komplekse dhe mendime filozofike.

Dhjetë libra dhe tridhjetë monografi të Omar Khajamit kanë mbijetuar. Këto përfshijnë katër libra rreth matematikës, një rreth algjebrës, një rreth gjeometrisë, tre rreth fizikës dhe tre libra rreth metafizikës. Khajami dha ndihmesë të madhe në zhvillimin e matematikës dhe gjeometrisë analitike e cila ishte me përfitim të madh për Evropën disa shekuj më vonë.

RUBAIRAT E OMAR KHAJAMIT


Natën kur flija, më tha shpirti: "Pi!
Në gjumë dhe në Varr s'ka lumturi.
Ngreju! Sa rron, zbras Kupa dhe puth çupa;
se ke shekuj që të flesh në qetësi".
2
Në ëndërr, kur Agimi zbardhëllonte,
Një zë që nga Taverna po gjëmonte:
"Çohuni, djema, e Verë sillnani,
Se Fati na e thau lëngun sonte".
3
Dhe posa në tavernë këndoi gjeli,
Besnikët jashtë thirrën "Portat çelni!
E shkurtër është Jeta, ja, u mplakmë
Dhe mbretmë si kofini pas së vjeli".
4
A di përse këndesi po këndon
Dhe menatë nga gjumi po të zgjon?
Që shkoi një ditë po të lajmëron,
Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron.
5
U gdhi! Me verë zëmrën e zbardhëlloj
Përdhe çdo Fe të Natës e dërmoj:
Në Djall dërgoj Parajsën e përpjetë,
Gërshetin me lahutën lavdëroj.
6
Kur Diellin me zjarr kurorëzuar,
E pret me gas Natyra faqeshkruar,
Shoqen me mall po shoh në gjumë shtruar
Dhe foshnjën buzëqeshur më të zgjuar.
7
Ja, Kup' e Qiellit skuqet prej Agimit,
Bilbili nisi këngën e dëfrimit
Me trëndafilin: Eja, Faqepjeshkë,
Natyra qesh; nem Qelqin e Rubinit.
8
Zgjo-hu! Mëngjezi me shigjet' e grisi
Perden e Natës, Yjt' i arratisi,
Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi
Çdo majë mali, pallati e lisi.
9
O Engjëll faqedritë, ja u gdhi,
Shtjer Verë dhe këndo me ëmbëlsi!
Xhamshidi e Khosroj qysh lulëzuan,
Qysh dimërojnë sot në Varrverri.
10
Ja, Mars 'i ri dëshirat na valon,
Çdo shpirt i mënçur në Gërmadhë shkon
Ku dor' e Moisiut zbardh nga degët
Dhe frym' e Krishtit tokën gjelbëron.
11
Mbi lulet po pikojnë vesë retë,
Dhe me një zë qiellor Bilbili shkretë:
Ah, Verë! Verë! Trëndafilit
I lyp t'i skuqë faqëzën e zbehtë.
12
Bilbili nëpër kopshtet në Pranverë
Sheh Lilin Kup' e Trëndafilin Verë
Dhe thotë: "Puthuni e pihuni!
S'e gjeni këtë ditë tjatër herë".
13
Shiko luadhe, lule, bukuri,
Lumenj kristali, kronj e brohori:
Nga dimri Ferr pranvera Qiell na ndriti,
Gëzo mi Dhe Parajsën me Huri.
14
Desh Trëndafili e thotë: "Lulëzoj
Dhe botës bukurinë po ia shtoj:
Pastaj e hap kuletën e mëndafshtë
Dhe përmbi kopsht thesarin po e shtroj".
15
"Jam, thotë, lulja e Josefit t' ri
T' Egiptes, xhevahir, zëmërflori:
Ja edhe rrob' e kuqe gjak, e çjerur
Prej vllezërve dhe gruas Petefri.
16
Tufani kopshtin kur ma çkatërron
Dhe Rrot' e Fatit shpresat m'i dërmon,
Pështillem si burbuq' i Trëndafilit,
Po zemra gjak përbrenda më pikon.
17
U dogja dhe u përvëlova: Verë!
Nga vrer'i lotëve u shova: Verë!
Në Qelq rubin, e Dashur, dhe Luten
Dhe nga ky zjarr shpëtova: Verë!
18
Me Ver' e Vajza, me Lahut e Valle,
Me Fyell e me Këngë po s'u çmalle,
Jeta s'vlen hiç: Se pa këto nuk është
Veç pemë helmi, pus e tym vërdalle.
19
Nga njëra dorë Trëndafil e Grua,
Nga dora tjatër patsha Rrush e krua:
"Zotit - po thoni - i ardhtë keq për mua!"
Po as m'a fal pendimin, as ia dua.
20
Një Engjëll më tërhiqte në Xhami,
Një Djall po më zvarrniste në Dolli;
Po Ver' e kuqe e fitoi davanë:
Gërshet këtej - edhe andej Hardhi.
21
Në prehërin e Hurisë kur gëzohesh
Veten humbet, e veten gjen, bekohesh:
Kur pi kungatën shpirtrëmbenjëse,
Përsipër Jetës, Vdekjes lartësohesh.
22
Te Shpell' e Verës kemi hedhur mendjen,
Dehemi, puthim për të mbledhur mendjen:
C'pyet? Gjykim e tru na kanë rrjedhur,
Se Vajzat na e kanë vjedhur mendjen.
23
"Pse s'pi më pak?" më thonë njerëzia,
"Për ç'arësye s'ka kufi Dollia?"
Një: Faq'e Vajzës; dy: Rubin'i Verës,
Ja shkaqe si kristal nga qartësia.
24
Drit' e Kungatës vlen çdo mbretëri
N'Evropë dhe n'Afrikë dhe n'Azi:
Rënkim'i Vajzës mallëngjen më rëndë
Se çdo shamat' e turmës në Xhami.
25
Fito një Zemër, puthe dhe rrëmbeje,
Dhe adhuroje si Altar prej Feje:
Një qind Qabera s'vlejnë sa një Zemër;
Zemër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje.
26
Si mjer' ay që Dashuri s'ka ndjerë
Dhe zemra s'i ka ndritur në prënverë:
Pa Ver' e Dashuri çdo dit' e shkuar
Prej meje s'nëmërohet asnjëherë.
27
S'ka hir apo shëmtim në Dashuri,
Për Ferr e për Parajsë s'ka mërzi,
As për pallate a kasolle a shpella
As për mëndafsh a rrecka a stoli.
28
Kjo zemr' e marr' e mbytur në mjerime
Pa prerë vuan e lëshon rënkime:
Kur më dha Zoti Verë Dashurie,
Ma mbushi kupën gjak prej zemrës sime.
29
E prisja! Si rrufeja më tronditi!
E Dashura më shkoi, më neveriti:
S'e çmoja kur e kisha... Ah, çma priti!
Në Ferrin nga Parajsa më vërviti.
30
Rënkoj e psherëtij, se s'të kam pranë,
M'u çuar zëmra, vojtjet mënt s'më lanë,
Askujt s'ia qaj dot hallin, djall' o punë:
Vrermjalt' e flagëves' e qiellhapsanë!
 31
Nga hidhërim'i ndarjes jam përpirë,
Sa e sa herë zemra m'është grirë:
Ty natën të kujtoj e psherëtij,
Nga malli digjem, si qiriri kam shkrirë.
32
Kur s'dhëmp e s'shëmp nuk është Dashuri,
Pa Ferr s'gjen dot Parajsë dhe Huri:
Kur zjarr' e ke në gji, me nat' e ditë
Sot ndrit me gas e nesër ndes më zi.
33
Te rrug' e Trëndafilit plot me gjëmba
Pikova gjak, u çora dhe u shëmba:
Pa qindra plag' e çpojtje s'qepeht krehri
Në flokët e së Dashurës me dhëmba.
34
Zemrën me sy e dashura ma ndes,
Zemraqiri me flakën rron e vdes:
Te flak' e bukur zemraflutur turret,
Kurban e tëra digjet pa kujdes.
35
Me syrin bukuri e dritë çpall,
Në zemrën Dashuri e zjarr më kall:
Ti s'më vë re aspak ose më tall,
Kur unë pshërtij për ty me mall.
36
Zefire, fryre, syri im të pa,
Nga gjoksi zemra m'iku dhe më la
Dhe dyke fluturuar pas të ra:
Banesën sot në gjoksin tënt e ka.
37
Selvia që më bëri skllav e mbret
Tani më nisi prapë muhabet;
Më qesh me buz' e sy, se shpirti i thotë:
"Bëje të mirën dhe e hith në det".
38
E dashura shkëlqeu, më vërboi,
Zemra më fliste gjuha më pushoi:
Kush pa me sy torturë kësisoj?
Nga etja u dogja, u shova mun te kroj.
39
Kush në Gërmadhen të ka prurë, kush?
Kush ta ka çfaqur natën mirë, kush?
Kush të ka fryrë të më ndezësh furrë
Nga Dashuria të sëmurë, kush?
40
Në këtë Dhe pa prehje, pa pushim,
Jam lodhur me kërkim e udhëtim:
Të bukur Qiparis si ti s'kam parë,
S'të kapërcen as hëna në shkëlqim.
41
O ti mbi Dhe m'e zgjedhura Selvi,
M'e shtrenjtë je se shpirt dhe syt' e mi:
Gjë më të çmuar se sa jeta s'ka;
Një qind herë më e çmuar më je ti!
42
Si në mëngjes burbuqi i vesuar
Me rrezet buzëqesh i ngushëlluar,
Më ndrit me gas fytyra e përlotur
Kur zemrën ti ma ngroh me syt' e shkruar.
43
Ti, që me faqe Rrushin e kapërcen,
Dhe që me zë Bilbilin e gënjen,
Një sy i luan Mbretit t'Babilonës
Dhe mbretëresh' e kulla ia rrëmben.
44
Për ty bëj be të hedh në det dhe nderin;
Në shkelça fjalën, shkelmin nem dhe vrerin:
Në mos mjaftoftë jeta ime e zezë,
Laj borxhin në të Funtmin Gjyq me Ferrin.
45
Sa kohë munt, e Dashur, ngushëllomë,
Nga barr' e vrerit zemrën lehtësomë;
Se bukuria jote s'rron për jetë;
Shpejt! Nesër zbresim që të dy në Llomë.
46
Me buzët gjak, Sirenë, dehm' e mpimë,
Me dhëmbët e me thonjtë çirm' e grimë:
Me krah' e me gërshetë mbytm' e shtrimë,
Me syt' e tu të zjarrtë tretm' e shkrimë!
47
Me Bukë sa për shpirt, me Hën' e Zanë,
Me Ver' e Harp' e Vjersha dhe ty pranë
Në Pjergull të Gërmadhës jam m'i lumtur
Se në pallat a fron një qint Sulltanë.
48
"Sa bukur të jesh Mbret!" disa mendojnë;
"Sa ëmbël në Parajsë!" ca besojnë:
Ah, merr trumpetat e ler kusurin,
Daullet, pompat lark le të gjëmojnë.
49
Në botë kotësira mos lakmo
Të mirat e të ligat ia harro:
Kthjelloje zemrën si ky Qiell i kaltër,
Si Yll më ndrit, si Diell perëndo.
50
Shpirti për ku m'u bë prej Perëndie?
Për Qiell a Ferr? S'e di, po veresie
S'lë gas të saktë, Ver' e Vajz' e Këngë,
Për profka, ëndrra, prralla shenjtërie.
51
Se save që për Dhenë bëjnë rragë
Dhe save që për Qiell hedhin flagë,
Nga Kull' e Natës Korbi u bërtet:
"Të çmëndur! S'ka as lart as poshtë çpagë!"
52
Me vajzën në prënver' e në lëndinë
Me Këngën, me Lahutën, me Dollinë
Dëfrej: le të më shajnë; s'më ha malli!
Këtu e gjej Parajsën, Perëndinë.
53
Me Ver' e Valle, me Huri - në pastë,
Te vija në lëndin' u shtri - në pastë,
Dhe humbi fare Ferr'i zi - në pastë,
Dhe ja, Parajsa na u gdhi - në pastë.
54
Një kupë Verë, mor Saki - ta puth!
Vajzën e bukur si selvi - ta puth!
Atë gërshet si lak të zi ku kapet
I urti plak e djal'i ri - ta puth!
55
Nem kupën dhe këndo një melodi,
Me Engjëj dhe Bilbilë simfoni:
Se Vera qesh, këndon, kur rrjeth nga shishja
Dhe s'duhet pirë veç me brohori.
56
Me gjithë Trëndafijt' Irami u shua,
Qelqi magjik Xhamshid u çduk në prrua,
Po prapë Vreshta Rrush rubin na nxjerr
Dhe kopshti lulëzon ku rrjeth një krua.
57
Shih, mijëra burbuqe lulëzojnë
Dhe erët mijëra përdhe rrëzojnë;
Dhe ditët që na sjellin Trëndafilin
Xhamshid e Kaj-Kobad na i çkallmojnë.
58
Po eni me Khajamin dhe ia shtroni
Dhe Kaj-Kobad e Kas-Khosro harroni:
Rustemi le t'ju ftojë në kushtrim
E Taji në zijafet, mos i dëgjoni.
59
Eja, mbush Kupën e në zjarr gëzimi
Vërvit çdo vrer e helm të zi pendimi:
Se Shkab' e Kohës Jetën na shkurton,
Dhe shih se sa shpejton nga fluturimi.
60
E Dashur, mbushma Kupën që kthjellon
Të sotmen nga vreri q'ikën, tmerr q'afron:
Po nesër? nesër ndofta fryra, humba
Në shqotën ku e djeshmja fluturon.
61
Na fryri dita, mor Saki: sill Verë!
Jetën s'e shohim përsëri: sill Verë!
Bota një her' u mbyt në kataklizmë,
Ashtu u mbytshim me Dolli: sill Verë!
62
U bëra prapë djal' i ri: sill Verë!
Kërcej me flag' e lumturi: sill Verë!
S'ka gjë, në qoftë e hidhur, mor Saki,
Si jeta ime në Persi: sill Verë!
63
Sakinjtë derdhin Ver' e vala rrushi,
Në zemra shuajn' afsh' e avull prushi:
Lavdi, o Zot, se dhe këtë ballsam
Që na shëroi e me shëndet na mbushi.
64
Si merimanga vallë pse ta tjerim
Perin e Jetës, kur pastaj e çtjerim?
C'do të fitojmë kur aspak s'e dimë
Frymën që marrim jasht' a do ta nxjerrim?
65
Në Nishapur ose në Babilon,
Me Kupën që tharton e ëmbëlson,
Fletët e Jetës një nga një na bien
Dhe lëngu i saj pa reshtur na pikon.
66
Ah, mbushini Kupat! Zemra na thërret,
Se Koha nëpër këmbë po na shket:
E djeshmja vdiq, e nesërmja s'na gjen;
C'mërziti kur e sotmja ka lezet?
67
Ditën e shkuar fare e harro
Dhe për të nesërmen mos u mendo:
Gëzo një çast të lumtur, faqebardhë,
Dhe Jetën n'erë mos e çkatërro.
68
Për nesër mos u verdh sa pa e parë,
Të sotmen e gëzo, mor djal' i mbarë:
Shpejt ikim nga ky Han e hasim shokët
Që shkuan shtatë mijë vjet më parë.
69
Me Buzët trëndafilen shtatselvi
Këndo e nat' e ditë zbras Dolli:
Se nesër Vdekja fryn, te çthurr si lule
Dhe fletët t'i përmbledh në Dhe të zi.
70
Të shkuarat mos i kujto me lot
Dhe për të pritmet mos u loth më kot:
Sa kohë në luadhin je, kullot;
Nga drapr' i Vdekjes nuk shpëton dot.
71
Buza që puth e Vera që po pi
Vërtet mbarojnë dhe ato si hi:
Po sot të paktën je një hi i gjallë,
Gëzohu sa s'kalon në Hiç të zi.
72
Sa kohë po vazhdon kjo Jet' e ngratë
Për qafe kape Qiparisn' e gjatë.
Se nesër Mëmë-Dheu do t'të kapë
Dhe posa të pushtoi s'të lëshon prapë.
73
Sa nga të dashurit mbi këtë bar
Që m'emëruan për trashëgimtar
I zbraznë Kupat rrotull nja dy herë
Dhe heshtn' e zbritnë një nga një në varr.
74
Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë
M'i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë:
Festuam, pim' e biseduam bashkë,
Pastaj u shtrin' e thanë: "Lamtumirë!"
75
Dhe ne, që sot dëfrejmë në lëndinë,
Ku pleqtë na bekuan me Dollinë,
Dhe ne në shtrat të dheut do të zbresim
Dhe do ta zbrazim vendin për risinë.
76
Si lot pikon nga Qiell'i mvrojtur shiu
Sis' i jep lules si një çilimiu;
Nga varri bukën ia mëkon njeriu:
Bga pluhr'i tij kjo lul'e bukur mbiu.
77
M'i kuqi Trëndafil i çdo behari
Nga toka mbin që piu gjak Qesari:
Në gji të kopshtit manushaqja shket
Prej faqes Vajzës me ulli nga Varri.
78
Dhe kjo lëndin' e njomë që po çel
Bregun e lumit ku tani po ngel,
Ah, pshtetu leht' e but' e mos e shkel,
Se s'di nga cila buz' e bukur del.
79
Ah, Trëndafili me prënverën shkon
Vjeshta risisë fletët ia rrëzon:
Bilbili, që në degët i këndon,
Ikën - e kush e di ku fluturon?
80
Ah, pini dhe Khajamit shtjerini!
Profetët le të flasin, lerini!
Një gjë ësht' e vërtetë: Lulja vdes,
Si lulëzon, - dhe profkat prejini!
81
Çdo shpresë që në flakë na përfshin
Shuhet e bëhet hi; a shkrepëtin
Mbi kum të shkretëtirës si dëbora
Një or' a dy - dhe menjëherë shkrin.
82
Në Dhe, o shpirt, të mirat si për Mbret
Dhe gazet e dëfrimet plot lezet
S'të janë veç si ves' e lulevet,
Që ndrit menatë dhe pastaj humbet.
83
Edhe ay që mbleth e shin flori
Edhe ay q'e heth, e derth si shi,
Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë:
Po kalben, myken nënë Dhe të zi.
84
Te ky Karvan - Saraj faqekëmbyer,
Që netët edhe ditë ka për dyer,
Sulltanë pas Sulltanëve u shtruan
Sa ish' e thën' - e iknë të pakthyer.
85
Ja, sot gas paske dhe shëndet: pastaj?
Ja, mot të patshim si simvjet: pastaj?
Ja, qofsh i lumtur një qint vjet: pastaj?
Ja, për çudi, dy qint si mbret: pastaj?
86
Dhe tre qint vjet të rrosh e plot me dritë,
Këtejza do të shkosh me lot një ditë,
Qofsh Mbret i lart' a lipës i ngratë
Në varr do të mbarosh pa mot i mpitë.
87
S'banojnë veç luanë dhe zhapi
Në sallat ku Xhamshidi u shtri, u pi:
Bahrami, që me lak onagre kapte,
U lak, u kap në llom' e pellgpusi.
88
Kështjella gjer në Qiell një herë ndriti
Dhe Mbretër e Qesarë brënda priti:
Përmbi gërmadha tani qyqja qan:
"Ku vajti, ah! ku? ku, ku zbriti?"
89
Nga mur'i Tusit Korbi po vë re
Kafkën e Kaj-Kavusit tej përdhe
Dhe kujës ia kërcet: Kaj, Kral i Ngratë,
Daullet dhe trumbetat ku m'i ke?
90
C'fitova nga të gjith' andrallat? Hiç!
Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç!
Sa para bën se sot jam Yll e Dritë
Kur shuhem nesër, shkoj me prrallat? Hiç!


Google+ Followers