Sazet e Ohrit - Agim Vinca

Agim Vinca

Fustanellë e bardhë posi shkumë lumi
nderë mbi liqe gjer te Shën Naumi.

Gjer te Shën Naumi e tutje në breg
për një zjarr të fshehur, për një mall që djeg

Për një mall që djeg, për një bukuri:
"Falmi, moj, falmi, Falmi, moj sytë e zi!"

Tingujt e gërnetës derdhen palë palë
si vala në breg, si lumi në zallë

Tingujt e gërnetës, tingujt e xhurasë
se ç'ja thonë të shkretës, aty rrëzë kalasë

Aty rrëzë kalasë, te çinari plak
një kaba e vjetër, një rimë, një baladë

Një rimë, një baladë, një mall i pashuar:
"Falmi, moj, falmi, Falmi, moj sytë e shkruar?"

Ata sytë e tu që mi ke nën vetull:
ditën ma bënë vit, vitin ma bënë shekull!

Fustanellë e bardhë posi shkumë lumi
një kind te Ohrija, një te Shën Naumi

Një te Shën Naumi e tutje në breg
për një zjarr që s'shuhet, për një mall që djeg!

Google+ Followers