Rudolf Marku: Qetësinë e gjej aty ku s’ka gazeta, politikanë dhe celebrity

Shkrimtari dhe poeti në çastet e tij të lumtura, mes librave dhe shkrimtarëve të preferuar dhe revoltës për kulturën bastarde
Cila është ideja jote për lumturinë?
Lumturia është gjendje e brendshme, ngase është brenda teje. Prandaj i besoj lumturisë që vjen nga gjërat e vogla, asaj lumturie që na vjen pa e kuptuar dhe pa arritur ta shpjegojmë, sesa lumturisë së bujshme që shkaktohet nga rrethanat e jashtme. Por nga ana tjetër besoj se lumturia e vërtetë, jo euforia, ndodhet gjithnjë në balancë me trishtimin, aq sa fjala Lumturi do e humbiste kuptimin nëse nuk do të ekzistonte fjala Trishtim.
Cila është frika më e madhe?
Të mos kem frikë.
Kë person të gjallë admironi më shumë?
Nuk admiroj askënd. Admirimi më duket një term dhe koncept eunukësh, që mohon vetveten, një term që i shkon për shtat pseudokulturës populiste dhe plebejane të celebritive, me të cilat janë të mbushura kutitë e televizorëve dhe një pjesë e mirë e gazetave. Në vend që të admiroj, përpiqem të kuptoj. Sidomos në kohnat tona, më duket se ka mbetur fare pak që të vlejë luksin e admirimit. Shikoj përreth, dhe tek shoh kë admirojnë njerëzit, më jepet të besoj përherë e më tepër se kam të drejtë që nuk admiroj askënd.
Cili është ai tipar që të ngjall mëshirë?
Kompleksi i inferioritetit, aq i pranishëm në jetën shqiptare. Dhe po aq dhe binjakët e inferioritetit, fryrja, mburrja dhe arroganca e zyrtarit dhe politikanit shqiptar.
Ekstravaganca jote më e madhe?
Para ca vitesh ndodhesha në Kroaci, në Istria. Isha i vetëm dhe ndjeva një mall të çuditshëm për Tristen dhe për piacën e saj, Piazza Unita. Triste është qyteti kuiesence e europianizmit. James Joyce ka qenë njëri ndër banorët e këtij qyteti dhe aty ka shkruar ‘The artist as a young man”. Italo Svevo dhe Umberto Saba, po ashtu. Madje dhe Marsel Prust, që nuk e ka vizituar kurrë Triesten, flet për Triesten me një përfytyrim delirant. Pa u menduar gjatë, udhëtova përmes tri shtetesh për të arritur te Piazza Unita. Në kafe ‘Degli Speçhi’, që daton që nga koha e Habsburgëve, mora një kafe dhe pas pak u nisa që të kthehem në Istria prapë. Ke kaluar tri shtete për të pirë një kafe? – më pyesin me mosbesim shumë miq. Po, është e vërtetë. E megjithatë,  prapë nuk jam i sigurt se kjo që bëra mund të quhet ekstravagancë!
Cili është udhëtimi yt i preferuar?
Kam patur fatin që të udhëtoj shumë, në vendet më të largëta që mund të imagjinosh. Në konceptin lindor, udhëtimi është thjesht gjeografik. Në konceptin perëndimor, udhëtimi është shpirtëror. Mund të udhëtosh dhe pa lënë kurrë shtëpinë tënde. Ose mund të udhëtosh gjeografikisht dhe shpirtërisht njëherësh. Përbindëshat që i duhet t’i shmangë Odisea gjatë udhëtimit të vet, janë instinktet që i duhet t’i shmangë gjatë udhëtimit të jetës Njeriut. Udhëtimi im i preferuar mbetet udhëtimi shpirtëror. Kam udhëtuar dhe vazhdoj të udhëtoj gjatë me shpirtin. Natyrisht, ju e dini atë parabolën e arkeologeve europianë në shkretëtirat e Meksikës. Për të mbajtur pajisjet e tyre të punës, pajtuan ca indias vendas dhe nisën udhëtimin mes shkretëtirës. Europianët filluan të ecin me hapa të shpejtë, shpejt, shpejt, për t’i shpëtuar vapës. Vendasit, përkundrazi, ecnin ngadalë, aq sa për një çast ngurronin të ecnin më tej. Kur profesorët evropianë, të çuditur dhe të indinjuar, i pyesin indiasit përse nuk ecin, ata përgjigjen: ‘Kemi ecur kaq shpejt, sa kemi lënë shpirtnat tonë pas. Duhet të ndalemi, që t’u japim kohë shpirtnave që t’na arrijnë! Pra, puna është që të udhëtojmë me shpirtnat tanë!
Në ç’rast mund të gënjesh?
Paradoksalisht, për të thënë më qartë një të vërtetë. Shkrimtarët janë gënjeshtarë, sepse librat e tyre janë fiction, por përmes gënjeshtrave ata thonë të vërtetat e mëdha. Politikanët, edhe në rastet e rralla kur thonë të vërteta, gënjejnë, sepse ajo që është e vërtetë në gojën e tyre sot, kthehet në gënjeshtër nesër.
Personi që përçmon më shumë?
Njeriu i lig në pushtet.
Cilat fjalë ose shprehje përdor më shpesh?
Nuk e di.
Pengu yt më  madh?
Të vdekurit.
Kur dhe ku ke qenë i lumtur?
Po të parafrazoj shprehjen e L.P.Hartley-t, “Lumturia që kemi përjetuar një herë është një vend tjetër, nuk na lejohet që të shkojmë prapë atje, dhe nuk na lejohet që ta përflasim”.
Në ç’gjendje shpirtnore je tani?
Aq i lumtur, sa të mendoj për vdekjen.
Nëse do të mundesh të ndryshosh diçka nga vetja, çfarë do të ishte?
Është një pyetje nonsens. Po të ndryshoja diçka nga vetja, nuk do të isha Vetja.
Ç’gjë e konsideron arritjen tënde më të madhe?
Mendoj se në këtë botë arritja (mbërritja) e vetme e qenies njerëzore është VdekjaArritja ime më e madhe është që të kem kuptuar atë që të tjerët e kanë kuptuar mijëra e mijëra vite më parë. Se dija më e thellë dhe më e vërtetë gjendet në lutjen aq të thjeshtë: ‘Zot i madh, Ki mëshirë për ne!’ Salinxher ka shkruar një tregim të mrekullueshëm rreth kësaj!
Po të vdisje dhe të mund të mishëroheshe në një tjetër njeri apo diçka tjetër, çfarë do të doje të ishe?
Vetvetja ime. Sidomos me gabimet dhe të metat e mia. Sa herë që përpiqemi të jemi një njeri tjetër nga ky që jemi, ne shpërdorojmë në mënyrë të panevojshëm vetveten tonë, atë që jemi realisht.
Cilën quan pikën më të lartë të mjerimit?
Mjerimi më madh është ajo që vdesë brenda nesh teksa jemi gjallë.
Ku do të të pëlqente të jetoje?
Në çdo vend të botës ku të kishte qetësi dhe ku nuk do të kishte gazeta, gazetarë, politikanë dhe celebrity. Ëinteshtajn pat braktisur katedrën e filozofisë të Keimbrixhit për të jetuar i vetmuar në një barakë druri në pyjet e Norvegjisë.
Cila është veçoria juaj më e spikatur?
Sëmundja e rrezikshme për të thënë të vërtetën. Dhe sidomos ajo që i shkakton bezdi të tjerëve, mania për t’u rebeluar ndaj padrejtësisë.
Veçoria që pëlqeni më shumë te një mashkull?
Mendoj se është një pyetje që duhet t’ia adresoni femrave.
 Veçoria që pëlqeni më shumë te një femër?
Natyrshmërinë, që tek një femër do të thotë feminitet. Mendoj se nuk ka femër të shëmtuar dhe as njeri të shëmtuar. Në këtë botë çdo njeri  është qenie unike, dhe çdo femër ka diçka të bukur që nuk e ka një tjetër. Por njeriu sot ndodhet nën një presion të jashtëzakonshëm të kulturës bastarde të yjeve e të njerëzve të (pa) shquar, dhe kësisoj femra nuk i beson më vetes. Në vend që të verë në dukje bukurinë e vet unike, ajo imiton, dhe kësisoj ndodh që ajo të vërë në dukje pjesën e shëmtuar të saj. Nuk më trishton gjë tjetër më tepër se sa një femër që humbet feminitetin, duke u mashkullizuar, në emrin e të drejtave feministe!
Cilët janë shkrimtarët e preferuar?
Nuk kam shkrimtarë të preferuar, kam libra të preferuarOdisea, poezitë e Katulit e të Horacit, tragjeditë greke, Komedia Hyjnore, Don Kishoti, Hamleti dhe Mbreti Lir, tregimet e Gogolit dhe të Pushkinit, Idioti i Dostojevskit dhe Lufta dhe Paqja, tregimet e Salinxherit, poezitë e Xhon Don, Ëiliam Blejk, poezitë e trabadurëve, të  T.S Eliotit, të Ezra Pound dhe të Rilkes, Ulisi dhe Portreti i një artisti në moshën e re të Xhejms Xhojsit, Mjeshtri dhe Margerita, Madam Bovari, Tundimi i Shën Antonit i Flobert, romanet e Evelin Ëaugh, Një homazh për Katalanjën dhe ndershmëria e pashoqe e Orëellit, tregimet e Heminguejt dhe të Çehovit, poezitë e Brodckit, Anzat e Parnasit, proza e Konicës, kronikat e Ndoc Nikajt, Qyteti në gur dhe Mosmarrëveshja, të Kadaresë, tregimet e shkëlqyera të Zija Çelës, poezitë e Bardhyl Londos, të Preç Zogajt, të Gjetjes, Visar Zhitit, të Sadik Bejkos, të Agron Tufës, esetë e Arian Lekes, përkthimet e Lazer Shantojs, Shllakut, të Petro Zhejit, të Gentian Çoçolit, polemikat e Ardian Ndrecës, romanet e Andrej Makine dhe të Shandor Maraj …Lista është e pafundme.
Cili është heroi yt në art dhe kulturë?
Salinxher ( J.D.Salinger). Me neverinë e vet për famën. Nuk pranoi asnjëherë që të jepte një intervistë të vetme. Pranë shtëpisë mbante një grumbull gurësh për të gjuajtur gazetarët nëse këta i afroheshin shtëpisë së tij. Kur vdiq, gazetat dhe kanalet televizive ranë në hall ngaqë nuk kishin asnjë foto a intervistë të tij. I vetmi futixh që u përdor, qe një pamje e marrë me një kamera të fshehtë të paktën nja dy kilometra larg.
Cilët ke heronj në jetën reale?
Në jetën reale nuk ka heronj. Ka vetëm njerëz që kanë nevojë për iluzionin e heronjve. A ju kujtohet britma e Brehtit: “Mjerë ai popull që ka nevojë për heronj!”?
Si do të të pëlqente të vdisje?
Në gjumë. Sepse vetë vdekja është një gjumë i pafundmë.
Cila është motoja juaj?
Mos thuaj se nuk ke kohë. Ty të është dhënë e njëjta sasi orësh në ditë sa ç’kanë patur Mikelanxhelo, Shekspir, Leonardo da Vinçi, Njuton, Dante Aligieri, Nënë Tereza…

Google+ Followers