NË SHPIRT KAM NJË TË FSHEHTË - FELIX ARVERS (1806-1850)




Në shpirt kam një të fshehtë dhe një mister në jetë;
Një dashuri e zjarrt' në çast m'u ndez në gji;
Brenga s'më ka shërim, andaj e mbaj të fshehtë,
Edhe ajo që e ndezi misterin nuk ma di.

Oji! Posi një hije nga pas un do t'i rri,
Ngaherë pranë saj, por prapë fill i vetë,
Gjersa një ditë sytë un do t'i mbyll përjetë
Pa thënë gjysmë fjalë nga gjithë kjo dashuri.

Ajo, që Zoti e bëri të butëzë si shtjerrë,
Udhës do të kalojë pa vënë re, pa ndjerë,
Se ne çdo hap të saj ky shpirt do psherëtijë.

Besnike ndaj kurorës, e pastër, e kulluar,
Do thotë këta vargje pasi t'i ketë kënduar:
"Cila të jet' kjo grua?" dhe kurrë s'do ta dijë!

Shqipëroi: Vedat Kokona

Google+ Followers