Mëma dhe djali - Branko Merxhani

Cili është koncepsioni i sotmë i shoqërisë s’onë për këtë fenomen dublë psykologjiko-sociologjik? Kaq Mëma sa edhe Djali, brënda në qarkun e koncepsionevet të sotme shoqërore, ç’tjetër përfaqësojnë përveç se vetëm vdekësinë e një mysteri të heshtur? Në hiet e errësirës s’onë mendore po pëlcasin dallgat e një padijeje të tmerëshme. Dhe brenda në një botë të tillë, plot mjergullë, myk dhe shkretëtirë, krijesa e sa-polindur, që nga djepi akoma, po përball errësirën e parë të qënies: Djali është i dënuari më i pafajëshmë i shoqërisë s’onë…

Vjen në jetë pa nonjë ndihmë, mirë po instiktet naturale e shtyjnë përpara një nevojë të madhe: Të orientohet me jetën rreth e rrotull tij. Të gjithë janë të ra, të panjohura, të pakuptuarshme për ‘të. Pikërisht në vitëret e para po përball vështirësitë më të mbëdha. Po kush do t’i japij kurajo? Cili do të kuptojë nevojat e tij dhe kush do t’a udhëheqij që të sgjidhij vështirësit e para dhe dyshimet e para?

Pozita e tij brënda në familjen t’onë të sotme është krejt e çlumtur. Mëma s’i jep gjë tjetër përveç dashurisë naturale. Të mbëdhenjtë, që e rrethojnë, e shohin vetëm me syrin e superioritetit. As nonjë nga ne nuk mban mënd më vitëret e tij të foshnjërisë. Po askush nuk e studjoi kurrë Psykologjin e Djalit. Djali, brënda në shtëpin e prindërvet të tij, sheh të gjitha fuqitë, të gjitha zotësitë, të gjitha meritat në pushtetin e të mbëdhenjvet. Marja e tij pjesë në këto kondita të rrethit (milieu) është pothua e asgjëshme. Kjo gjëndje e bën më të pazotë, më të dobët nga ç’është. Dhe e vetmja gjë që i fal ky qark familjar është i pari rëzim shpirtëror, që psykologjikisht thuhet Sensi i lnferioritetit. Po kjo është e padurueshme dhe e shtyn në një shpëtim me pahir. Djali për këtë sens kompensohet me një aktivitet real, gjer sa gjen rast për këtë gjë, ose shtyhet për një kompensim fenomenik, për një forcim fiktif të vetë-vlerës së tij, zakonisht me inatin, me padëgjimin, me rebelimin. Kështu rjedhin “të metat fizike gjoja të moshës foshnjore”, siç thotë populli, kur se në realitet të gjitha këto anomalira nuk janë tjetër veç se mjete që përdor djali që të shpëtojë nga shtypja e padurueshme që i bën sensi i inferioritetit. Bile shumë herë trazohen edhe shumë faktorë të tjerë kurajonjës, p.sh. Inferioriteti i Organevet, që kontribuojnë gjithëmonë në ndjenjën më të thellë të inferioritetit të, tij dhe paraqitin gjithëmonë trazime shpirtërore dhe anomalira më të mbëdha në veprën e edukatës së tij: Psykologjia e sotme në këto kondita të jetës familjare gjen shkaket e origjinës të së gjitha po thua typevet neurastenike dhe thymopathike si edhe të karakterevet kriminale.

Me formën e sotme të shoqërisë dhe në gradën e tanishme të organizimit arësimor, Familja zë vendin e parë në rritjen e djemvet dhe Mëma është personi kryesor në jetën e Djalit. Lidhjet e Djalit tek Mëma përbëjnë periodën e parë të marëdhënievet të tij njerëzore dhe dashuria e mëmës sgjuan brënda tij ndjenjën e lidhjes së tij me botën e jashtme. Kur mungon dashuria e mëmës, d.m.th. kur grada e interesit të mëmës nuk është e mjaftë që të sgjuajë brënda në shpirtin e Djalit çfaqjet e para të sensit shoqëror, ahere Djali e ndjen vetëhen e tij brënda në një vënd armik dhe shvillohet në një misanthrop. Po mëma duhet të ketë shumë mëndjen që të mos e tepërojë në dashurinë e saj. Përkëdheljet e tepërta të mëmës, “dashuria e madhe”, shton gjer në një pikë të rezikëshme monotoninë shpirtërore të Djalit, provokon në djemtë femërëzimin e tyre, pengon sgjerimin e sensit shoqëror, e bën mëmën të doemosme për çdo gjë e përherë dhe krijon një izolim të fortë me botën e jashtëme.

Të gjithë karakteret sociale janë viktima të ngatërimevet psyqike të moshës foshnjore, sidomos rrjedhje “të dashurisë së madhe”.

Mirë po edhe rreptësia e mëmës është e dëmshme. Prindërit, që përdorin djemt e tyre si kuklla të stolisura me përkëdhelje pa fund, ose si shërbëtorë të vegjël që rrihen dhe goditen për çdo çqetësim pa rëndësi, nuk bëjnë gjë tjetër përveç se pregatitin njerëzit e dështuar të jetës së pastajme, klientë për psykiatrët, për çmëndinat, për burgjet. Nuk ka dënim që të mos jetë shumë a pak i dëmëshmë. Shumë mëma, kur dënojnë djemt e tyre, pandehin se diç bëjnë. Po dënimi nuk sjell veç një përmirësim të jashtmë. Po dëmi, që provokon brënda në shpirtin e djalit, është i pallogaritëshmë. Dënimi është ai që lëron tek djali inatin, reaksionin, të cilat luftojnë kryesisht kurdoherë me mjete negative: Bindje fenomenike, rëndim i fantasisë, të rrema, dynakëri, vjedhje e rafinuar etj.

Dashuria e mëmës duhet të jetë kaq e matur, llogjike dhe pa pasion, sa që të mos e bëjë djalin të pazotë edhe për dashurira të tjera. Një lidhje konfidence. Vetëm me këtë lidhje do të mundij mëma të largojë në çastin e duhur djalin e saj, pa nonjë tronditje, dhe do të mundij më lehtazi t’a udhëheqij për te babai, vëllezërit, miqtë, shkolla, profesioni, martesa – për te Shoqëria.

Një nga konstatimet më serioze të Psykologjisë së re është edhe ky: Rolin më të madh në formimin e karakterit dhe në trajtimin e personalitetit e lozin vjetet e para të jetës së djalërisë!. Fati i djalit gjëndet në duart e prindërvet. Sigurisht në çështjet e edukatës lot një rol me rëndësi edhe rrethi shoqëror: “Edukata është gjithëmonë dhe kudo një fonksion i shoqërisë. Shoqëria, me të gjitha fenomenet e saj historike, psyqike dhe ideologjike, ushtëron një shtypje kolosale mbi trajtimin e karakterit të njeriut’: thotë Durkheim-i.

Atavisma është fakt. Djali është një krijesë, që sjell me vetëhe një formë të caktuar inteligjence dhe një typ sentimental jete. Psykologjia e re nuk mohon se instiktet janë të bashkëlindura (innes). Një instikt nuk çduket. Mirë po “ngjarjet dhe peripetitë e jetës së çdo njeriu caktojnë edhe shvillimin e instiktevet. Është në dorën tonë të permetojmë ose jo punimin dhe shvillimin e lirë të imtiktevet, d. m. th po të duam, mundemi të pengojmë veprimin e tyre të lirë dhe të hapët brënda në ndërgjegjen t’onë. Mundemi shumë bukur të përpiqemi ti! realizojmë SUBLIMASIONIN e instiktevet”

Po vjetet e para të moshës së djalërisë, ndështypjet e para të jetës, japin drejtimin positif a negatif në shvillimin e këtij sublimasioni moralizonjës. Në këtë fazë të jetës mbillen rrënjat e karakterit dhe sigurohet shvillimi normal i qënies shpirtërore së njeriut: Nga edukata e mëmës varet fati i Kombësisë dhe njerëzimit t’onë.

Sot nuk dimë vetëm këto gjëra. Nuk dimë vetëm se shvillimi shpirtëror i jetës së djalit ndryshon dhe vjen më parë nga perioda në të cilën fillon shvillimi i personalitetit mendor të tij (në moshën 6 vjeç). Për hir të punës së Sigmund Freud-it, dihet sot se djali i vogël nuk është pa seksualitet. Pas Freud-it, Hovi Seksual, ky element afrodisiak, lot rolin më me rëndësi në zhvillimin e jetës shpirtërore të njeriut.

Për fat të keq nuk më permetohet të vazhdoj më tepër në një analizë më të gjerë të parimevet të shkollës psyko-analitike, se pse kuptimi i parimevet shkencore të kësaj shkolle lyp një thellim shumë të specializuar në problemet e psykologjis së re. Tash-për-tash ne nuk kemi tjetër qëllim përveç se të shtyjmë njerëzit e paktë t’onë me kulturë për studime psykologjike. Po ajo që mund t’u kujtohet këtu mëmavet është rëndësia kryesore e çështjes së gjumit në moshën e djalërisë. S’i merrni dot me mënd përfundimet e tmerëshme dhe konsekuencat katastrofale, që shkakëtojnë në rrugën shpirtërore dhe mendore përgjithësisht të peripetisë njerëzore dhe në trajtimin e karakterit shpirtëror, ndërshtypjet e moshës së djalërisë, kur në dhomën e fjetjes së prindërvet krijesa e vogël bëhet dëshmonjës i një skene bashkëshortore. Hidhërohem shumë që edhe në këtë kaptinë me shumë rëndësi të mos sgjatem dot. Po kam të jap një këshillë:

Mëma! Mos i mësoni djemt të flënë në folenë e dashurisë!

Mëma ka për detyrë të vëjë re dhe të ndihmojë shvillimin e jetës shpirtërore të djalit të saj. Në qoftë se nuk është në pozitë t’a bëjë këtë gjë, të paktën duhet të jetë kaq e rezervuar dhe kaq e hollë sa që të mos shkakëtojë pengime dhe dëme në dispozitat shpirtërore të njeriut të vogël. Po djali, që të mundij të shvillojë, pa pengime dhe pa ndërhyrje të huajë, entitetin e tij, më parë nga të gjitha ka nevojë për një qark të lirë aktiviteti dhe lëvizjeje. Vetëm mëma mundet të pregatitij këtë qark. Çdo ndërhyrje në veprat dhe lëvizjet e djalit, çdo zëvendësim i zotësisë individuale dhe spontaneitetit të tij, çdo ndihmë dhe përkrahje e kotë, janë gjëra të rezikshme dhe antipedagogjike. “Systemi pedagogjik më i mirë – thotë Maria Mantessori – është ai sistem që ka si bazë dhe parim lirinë.

Mirë po për fat të keq ngjau krejt e kundërta. Prindërit më të shumtë i përdorin djemt si skllevër të vegjël. Mëmat t’ona duhet të kenë kurdoherë para sysh se edukata e djalit nuk nus nga shkolla. Fillon nga djepi. Di shumë prindër, që dërfejnë me skercot e djemvet të tyre, si djemtë me kukllat e tyre. Kam takuar prindër, jo dhe fare pa kulturë, të cilët vetëm e vetëm që të kënaqin vizitorët e tyre u japin cigare djemvet sapo trivjeçarë dhe kur krijesa gracioze, nga një imitim semplë, nga zakon ose dhe nga korrupsion trashëgimor, e pi duhanin si burrat, pashë babanë dyzetvjeçar të humbasij brenda në një det gëzimi dhe dëfrimi!…

Natyrisht, në thembrën e kufizuar të një artikulli, nuk është e mundur të vë brënda as të gjitha marëdhënjet midis mëmës dhe djalit, po as edhe vijat e përgjithëshme të psykologjis së djalit. Pastaj edhe qëllimi im nuk është ky. Po nga sa shkrova gjer këtu mundemi lehtazi të nxjerim përfundimin e parë se edukata familjare lot një rol shumë më me rëndësi në shvillimin e karakterit dhe të personalitetit të njeriut, shumë më me rëndësi nga ç’e marim me mend, dhe sa për një edukatë familjare të mirë, më parë nga të gjitha, duhen mëmat e mësuara. Ja ku duhet të qëndresojnë përpjekjet e tyre, të marim përsipër rolin e ndriçimit dhe të propagandës, themelonjëset e inspiruara të Organizatës së mirë që quhet “Gruaja Shqiptare”.

Problemi i edukatës së Djalit është lidhur ngusht me problemin e edukatës së prindërvet. Besoj të më jepet rast të shkruaj edhe mbi këtë themë disa radhë. Po ajo që dua të theksoj edhe një herë këtu është: Kurrë nuk do të mundim të hedhim bazat e rilindjes s’onë shoqërore, pa ndihmën dhe basbkëpunimin e botës femërore. Dhe kurrë nuk do të mundim të krijojmë elementë shoqërorë më të mira, njerës me një kulturë të vërtetë dhe me një njerëzim dhe qytetërim me të lartë, në qoftë se nuk do të derdhim një përpjekje intensive që të japim baza psykologjike në formën dhe jetën e brëndëshme të shkollës s’onë fillore, dhe në qoftë se nuk sjellin një ndryshim shpirtëror në konditat e sotme të edukatës s’onë familjare…

1930

Google+ Followers