“Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet ‘20-‘34 në optikën e një ambasadori

Prof. Dr. Pëllumb Xhufi


Arben Cici e tregon fibrën e tij prej studjuesi e diplomati të mprehtë që në përcaktimin e temës dhe përkufizimin kohor të saj: “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934” janë, në fakt, thelbësore për të dekriptuar përpjekjet e shtetit të dobët shqiptar për të artikuluar një politikë të jashtme të qëndrueshme, që të garantonte më së paku pavarësinë, sovranitetin e integritetin territorial të tij.

Ambasadori Cici, mbi bazën e një dokumentacioni e literature historike të dorës së parë, na ilustron më së miri qerthullin vicioz në të cilin lëvizi dhe u detyrua të lëvizë politika e jashtme shqiptare në atë periudhë të parë të konsolidimit të shtetit shqiptar.

Me instiktin e një politikani të formuar në terrenin e intrigave e të luftrave klanore e ballkanike, Ahmet Zogu tentoi t’i shmangej “rrethimit” të shteteve fqinje, me interesa e synime të qarta mbi Shqipërinë, duke “u strehuar” në një aleancë me Italinë e Musolinit. Ishte një zgjedhje e detyruar, në një farë mënyre e sanksionuar nga vetë Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1921, e cila i kishte njohur Italisë rolin e garantit të pavarësisë e integritetit të shtetit shqiptar. Por Italia ishte e interesuar për një pavarësi të Shqipërisë ndaj fqinjëve ballkanikë, Jugosllavisë e Greqisë, rivalë të saj, ndërkohë që kërkonte një protektorat e deri varësi të plotë të shtetit shqiptar ndaj asaj vetë. Një përcaktim i tillë i politikës së Italisë fashiste ndaj Shqipërisë, nuk linte shumë shpresa për të ardhmen e shtetit shqiptar dhe të vetë Ahmet Zogut. Ajo çka ndodhi pas viteve 1930 në marrëdhëniet italo-shqiptare është një tentativë e dëshpëruar për ti shpëtuar “darës” italiane, duke iu kthyer një “miqësie” të pamundur pikërisht me Jugosllavinë e Greqinë apo edhe me gjithë koncertin ballkanik. Kjo ishte një përmbysje traumatike në politikën e jashtme të shtetit të brishtë shqiptar, ishte një valle e vështirë, të cilën për më tepër nuk mund ta hiqte një person si Ahmet Zogu, i mbetur peng i korrupsionit dhe i pazareve të fshehta që kishte gatuar në të shkuarën e afërt sa me qeveritarët e Jugosllavisë, aq edhe me ata të Italisë e të Greqisë. Rikthimi i tij në krahët e Italisë, pas vitit 1934, shënoi fundin malinkonik të sovranitetit e të dinjitetit të shtetit shqiptar, e bashkë me të, edhe të politikës së jashtme të pavarur të saj.

Si asnjëherë më parë, Arben Cici ka zgjedhur të analizojë një copëz ndër më domethënëset të historisë sonë politike e diplomatike, atë të viteve 1920-1934, kur shteti shqiptar dhe politika e tij e jashtme ranë viktimë jo vetëm e fatalitetit të përhershëm gjeo-politik dhe e konjukturave ndërkombëtare, por edhe e dobësive dhe e veseve të klasës së vet politike. Por ka edhe diçka, që shkon përtej interesit e përmbajtjes së këtij libri plot vlera të Arben Cicit.

Nën impresionet pozitive të tij, lexuesi papritur kujtohet se kur më shumë e kur më pak, një histori e tillë me përthyerje e përmbysje të forta, ka vazhduar ta karakterizojë politikën e jashtme të shtetit shqiptar edhe në dekadat e mëvonshme, deri në ditët e sotme.

.

Kanë thënë për librin

Libri me temë “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934”, nuk ka rëndësi vetëm për qasjen objektive ndaj fenomenit historik qe ai analizon, por edhe për burimet e pasura primare arkivore shqiptare dhe të huaja, si dhe për burimet e shumta sekondare nga historiografia shqiptare dhe e huaj. Ai ka arritur të shfrytëzojë gjithashtu gjarësisht dhe shtypin shqiptar e të huaj të periudhës që merr në studim. Autori me punën e i ia ka dalë të krijojë një vepër të vlefshme jo vetëm për studentët  e studiuesit e historisë së Shqipërisë, por edhe për diplomatët shqiptarë.

Prof. Dr. Valentina Duka

Libri është një ftesë për të hedhur një vështrim kritik në të shkuarën tonë, jo të largët, si dhe për të reflektuar rreth sfidave aktuale me të cilat përballet jo vetëm vendi ynë e rajoni, por edhe më gjerë.

Virgjil Muçi

Një libër i domosdoshëm … dhe i shkruar me elegancë e profesionalizëm. Cici ofron një material të pasur arkivor për një periudhë të rëndësishme në historinë e ndërtimit e të zhvillimit të marrëdhënieve me Italinë. Është historia e shkruar ashtu si është.

Valbona Nathanaili, Drejtore UET Press

Autori i studimit sjell të dhëna me interes dhe te dokumentuara për luftën politike të viteve 1921-1924 dhe përplasjet diplomatike të shtetit shqiptar e sidomos per interesin gjithnjë në rritje të Italisë për Shqipërinë. Veçanërisht pas dështimit të lëvizjes demokratike të 1924 dhe konsolidimit të pushtetit të A. Zogut si president i Republikës Shqiptare në plan të parë doli orientimi i jashtëm i shtetit shqiptar.

Prof.As. Adem Mezini

Titulli : Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934


Autor :  Arben Cici

Me parathënie nga Valentina Duka, Prof. dr.

Redaktor Nasho Jorgaqi


Botuese UET Press

Google+ Followers