Lediana Stillo - Letra Orfeut - Cikli i plotë



Letër Orfeut

  
I


I dashur Orfe, 
jehona e lirës tënde çukiti gjumin tim dimëror. 
Mbi veshë më shungëllon puthja 
e mëngjesit të kaltër. U xhelozuan zotat prej nesh. 
Humnera u thellua. 
Hadesi është kaq i ftohtë. E brishta flatra ime 
nuk di të fluturojë. Ma kanë ndaluar. 
Prej teje, më ka mbetur fytyra, buzëqeshja 
dhe këngët.
 Era e nesërme fryu në Styx dhe zgjoi Hadesin. 
Prehem përjetësisht në kështjellën e tij 
me shpresën se ti, do të vish sërish. 
Mos harro ç’i pëshërisnim njëri-tjetrit, 
“Ne do të mbetemi dy lulet mbi shkëmb
 me rrënjët e lidhura përjetësisht”. 
Mbi buzët e tua kam dërguar një bletë 
dhe një pëshpërimë vese. I gjeta të thara. 
Kur mendoj se tani do të shtriheshim
 në krahët e njëri-tjetrit, më vjen ta vras mendimin 
se si s’munde të duroje dhe pak sa të shkelnim
 mbi “tokën e premtuar”! Jeta jonë, u vendos
 membranë kaktusi. Të dy, mbi një teh...

Në sytë e tu të mbyllur ruaje dashurinë 
aty, askush s’mund të xhelozojë!

E jotja përjetësisht, 
Eurydice



II

Nuk na kanë dashur zotat Orfe. 
Sot ndihem krejt e huaj. 
Në panteonin e dashurisë sonë 
shoh veç cefla fjalësh
 si mozaik shumëvjeçar 
me sy të ngrënë nga koha. 
Nuk di ç’të shoh më.
 Fluturat e natës lanë flatrat e tyre
 ne arkën aortiale 
dhe venat e mia pluskojnë 
jehonën e fjalëve që na mëkuan. 
Kam kaq kohë këtu, në galerinë “mordiale”. 
Biletën e trenit ma paguan fatat, 
njëra prej tyre më vendosi 
mallkimin: 
“Ti do të lindësh nga një mitër Aurore 
por, mbi kryet tënd, çdo çast
 rrufetë e Zeusit do të gjemojnë”, 
si pashaportë.

Eurydice, 
Hades 4.19.2011



III

Orfe, si munde ta shquaje dashurinë time,
 si vesë mbi gonxhen e trëndafilit rozë? 
Ëndrra ime ishte një luledele prilli, 
trefishuar në pikëpyetje ere mbi detin e karafiltë. 

Nefeli s’di ku e pati shtëpinë e re, në qiell a në det. 
Ato të dyja ishin nginjur me lëng shege. 
Testementi i lules nën shi, 
u nënshkrua me pika vese, 
si pikël vese. 

Orfe, të kujtohet si rrëshkitëm 
në lëkurën e gjarprit përbri maleve? 
Si peshq të pavetëdijshëm në valën oqeanike
 për furtunat e papritura mbi vertebrat e tyre imcake. 

Përjetuam çdo moment fund-fillimin e Kaosit Qiellor. 

Bri zotave të mi, u rrëfeva keqas, 
si një fëmijë me buzë të papërlyera mëkatesh. 
Vetëm mali diti ta stisë dashurinë time, 
në shtresa dëborash të pashkelura. 
E humba krejt. Dielli nuk dinte të më pikte. 
Nefeli më ndenji mbi krye, e gatshme
të më pagëzonte me ujë-harresën e saj.

E di! Jam perdja ndarëse e realiteteve.
kaq të ndryshme. Si gjithnjë në kufi.
Në themel të tij, lutem me shpirt që të harrohet
xhelozia e zotave mbi mua, gruan
që mbi shpinën gjarpërushe, thurte
rrjetat e shpresës mbi lulëkuqe dhe lule të limonta.

Eurydice,
Hades, Maj 2011



IV


Tani më ke në dorë Orfe. Nuk ka më himn që harpa jote ta luajë, 
as për mua, besniken tënde të brishtë. Dielli e lau fytyrën në mëngjes. 
Unë, ende s'kam marrë leje të ngrohem poshtë tij. 
Dritarja është veshur me brymë të tejdritshme dhe në ballë, ka shirit të zi. 
Rrotull meje fatkëqinjtë llogarisin shtizën e hekurt. 
Nuk kam veshë të dëgjoj fjalët e tyre. 
As sy t’u shoh dhimbjen e përfolur. As ndjenjë. 
Nuk ka më ëngjëj të gatshëm që mbledhin kuarce
 Gota e Neronit është mbushur me kristale të rremë. 
Ajo është purteka e botës. Klithma e mirëqënies së shpërblyer. 
Tashmë edhe Gea më ka kthyer shpinën. 
Vetëm gjëndem në këtë terr kozmik.
 Prej zotave, s'kam marrë mesazhe 
pos kaosit që më “gostit” me kufoma kasnecësh. 
Orfeu im i mirë, si mundet ta shkruaj një elegji dheu? 
Gërmat mbeten të padukshme, se i shkruaj mbi gjoks, gjithnjë. 
Si mund t'i këpus sytë e verbër të tokës? 
Si mund t'i bind erërat të mos gjëmojnë mbas shpine, 
t'i shkatërroj mitet e t’u kall histori të pathëna?

Si mundet pra, më thuaj !?

Në pritje të një mesazhi prej teje,

Eurydice,Hades 2011




V


Sot, kam parë një mrekulli. Dielli ishte prerë prej qiellit. 
Në vend të tij një trëndafil, kish pirë 
verën e lëkurëve tona të brymta. 
E gjeta të dehur në breg të Styx-it 
kur i përgjoja gurgullimën. 
E mora mesazhin tënd, 
e putha dhe e vara në qafë si hajmali. 
Ai pështetet ende si dielli i mohuar
 në gjoksin tim me aromë borziloku. 
Të kujtohet lulja e vogël 
që këputëm, kur doje të më thurje 
me lirë këngën e përshëndetjes?
 Prilli ka ashte të forta, të pathyeshme, tunduese, 
bërë njësh me ashtet e mia, të ciflosura. 
Jam e dehur. Mungesa është këngë maji, e brishtë 
në fluturimet e panfundme. 
Orfe, 
kam mall për ty. Nuk më nginj më as kënga e gjinkallës,
 as heshtja përmbi supe e fshehur si zhguall breshke.
Pres ditën të vish e të luash mbi timin trup, harpën tonë!

Eurydice,Hades 7.22.2011


VI


Orfeu im, të kam prurë pasqyrën që më pate kërkuar. 
Thonjtë, i kam prerë. Hëna ishte vetgjakosur. 

Mbi luleverdhën gjeta aromë kujtimesh.
 I vetmi kujtim që ruaj në faqen e shpinës time. 

Ti je zhdukur! Letrat e tua kanë kohë
 që fshihen reve të Nefesit, a thua se
 lirinë ta kam mbërthyer mbi ndonjë varg! 

Është vjeshtë. Dimri, ka filluar ta nxjerrë
 këtë stinë prej shtëpisë së vet. Netët 
janë zgjatur. Dhëmbët e tyre po ashtu.
 Edhe pritja. 

Sot iu përvodha Hadesit, 
nuk mund të rrija pa dëgjuar zërin tënd 
por, nuk është e thënë që jeta të jetë ndryshe, 
asgjë tjetër veç një gur sizifi pështjellë 
me shpresa pafund, i pambërritur 
në kodrën e vet. 

Nuk është e thënë që, në palcë, 
të mos më parafliten mitet (edhe i imi)
e të mos derdhin eterin
 mbi segmentin tim intim. 

Nuk është e thënë që ditëve të gjata
 tua qëndis pritjen me ankthin e të shkurtuarave. 
Nuk është e thënë! 

Nuk më mbeti më kujt t’i përcjell frymën e hirtë
 As për kë të përkund telat e lirës. Ti ke ikur.

Nuk ka më gjurmë hapash mbi rërën e shkriftuar 
as përmbi kërmijtë e reve. Gjithçka ka mbetur si parafinë 
e pandezur. E pashuar.Veç heshtje. 

Me sa duket, dashuria qenka shumë e shkurtër. 
Kam filluar të ndiej ftohtë. 
Është e premte, sigurisht, jo ajo e zeza, 
e tmerrshmja. 

Eurydice,Hades 2012




VII


Nuk më kanë mbaruar fjalët, 
ato janë litari që thuren 
prej ashtit tim të njomë 
në gërryerje me fatin.

As mendimi nuk më ka shterrur, 
heshtja s'më është shthurur, 
dhe, morali me kodikët e tij gjenialë 
nuk më ka braktisur.

E pamundur të të qartësoj
 autostradën oqeanike, 
peshqit që pres e përcjell 
vetëm për hir tëndin, 
pamundësinë që më rri varur në fyt 
dhe kufijve ku më përplas çdo natë.

Nuk ka terr më të madh se mjegulli i trishtimit. 
Nuk ka përbindësh më të madh se Abao a Qui 
ku çdo natë hijes time do t’i përvidhet 
e me timen vetmi do te luftojë sërisht.

Nuk më kanë mbaruar fjalët! Jo, 
ato tani po fillojnë të shkokolepsen...

Eurydice,Hades 2012




VIII


Nuk e besoja se nata do t’i trokiste kaq shpejt hapat mbi dëborë. 
Gishtërinjtë e saj të hajthme i ndiej sipër qafës time cinike, 
veshur me argjilë. Tek-tuk, harpa jote më sillet në vegime. 
Tek- tuk, notat e saj, më ngjasojnë me një timbër inkadeshent 
që sytë e mi i vesh ngadalë me muzgun e kujtimit tonë të fundit. 
Harpa jote tashmë kuis nën kryet tënd melodinë e mallkimit tim,
 ndërsa mbi sytë e mi, “requiem për një ëndërr” do të fillojë të shuhet. 
Kam filluar ta bluaj dheun rreth e rrotull meje me dhëmbë.
 Mbretëria e krimbave, filloi punën e përjetësisë 
thellë në gjurmët e harresës, mbi minierën e ndjenjës sonë. 
“Kam mall”, togfjalësh i pahijshëm. I pashpresë. Përbuzës. 
Hadesi nuk ka vend për dy. Olimpit i është zvogëluar rrethi 
dhe, unë do të vazhdoj të pres mesazhe prej teje poshtë lumit Styx
që si humnerë, na i ka gozhduar kahjet si shigjeta busulle.

Eurydice,Hades 2012




IX


I kam shtrydhur të gjitha ditët 
dhe mbi netë, kam varur fytyrën tënde si diell.
 Në kurmin tim, hijet e dyshimeve
 klithin largimin tënd si pulëbardha të uritura. 
Mbi retinën e pashuar, era luan valsin e fundit. 
Jemi dy planete që duan të luajnë shah mbi kaosin e dlirë, 
dy qiej kaq të ndryshëm që puthin ëndrra erëmira
dhe në përplasjen e reve, mallkojmë skajin e tjetrit.

Tashmë, kam mësuar të fluturoj mbi litarët limaneve të shkreta 
ku nder elegjinë time njomështake.

Kam mësuar se, shëmbëllimi i erës 
është më i fortë se puhiza e times frymë, 
purteka që lind mbi telat e kohës 
mbart belbëzimin e djepit të patundur,

flokët e mia, nuk janë aq të gjatë 
sa të mund të pluskojnë erërave
 e të mbysin tingujt e lirës së saj.

Siç e sheh, ende mbetem një vdekatare 
në pritje të shfaqjes së shtyllës së dritës, 
mbi ujvarën time.

EuridyceHades, May 2012




X

Mendimet e mia mbetën lidhur
 me gërshetin e Zenitit mbi kokën tonë. 

Ndër ujrat e gjelbra ku zanat
 lanë trupin e tyre të qelqtë,
 unë njoma sytë e mi prej letre.

Era e mykut më shoqëroi kudo;
 edhe në bibliotekën e dorëshkrimeve të fundit 
ku, me sytë e mi preka ëndrrat e fikura
 të atit tonë. I gëlltita mesazhet e tij 
si lulebora vesën e mëngjesit 
dhe mbi kapakët e pashkruar,
 shenjova vendodhjen tonë.

Jemi bashkë Orfe( !) 
edhe pse pa lejen e Hadesit 
ne zbuluam kalimin e fshehtë ─, 
lundrën e erës mbi Styx 
me pulëbardhat e uritura mbi kokën tonë.

E thjeshtë të jesh para një akullnaje, 
t’i presësh copëzimin e kristaltë 
e ta shkrish me afshin e mohimit. 

E thjeshtë të jesh një amforë përdëllimi!

Eurydice,Hades 2012.





XI

Ti e di Orfe se nata këtu nuk është natë 
dhe dita është më e terrshme se vetë terri. 
Cepat e fustanit i lidha fort në bel 
si hëna pelerinën e saj pa yje, 
kur një qen i llahtarshëm me katër kokë 
e me një rryl të tejdukshëm 
në gadishmëri për të më përbirë 
m’u avit. Ishte më i lebetitshëm
 se vetmia ime këtu. Në sy i lexova
 historitë e përbirjeve, dashuritë
që kishte bluar me dhëmbët e tij 
jashtëzakonisht të mprehtë
 dhe klithmat e tyre, britnin llahtarshëm
 në bebëzat e mia ëndërruese. 
Përballja me të nuk qe e lehtë. 
Trokthi im rrihte më shpejt 
se përpëlitja e hijeve gojës së tij. 
Nuk di për sa kohë mbeta e shtangur, 
e palëvizshme, si të isha e shigjetuar 
nga ndonjë shikim meduze. 
Por era, era me madhështinë e zërit tënd, 
më çliroi. Sytë i mbajta mbyllur 
dhe gojën fashuar me thonj 
kur gjëmimi i tmerrshëm u ndje rreth meje. 
Nuk di ç’ndodhi teksa bluaja me dhëmbë
 frikën time. Po ta përcjell me erën këtë letër,
është më e shpejtë se ardhja ime aty, në Styx.
A e ndjen pëshpëritjen time në zërin e saj?

Në pritje të një përgjigjeje,

EurydiceHades, 2012




XII


Ç'më panë sytë Orfe? 
Ti qëndroje para meje si ajzberg në stadin e tij të lindjes. 
Gjarpërinjtë që po shkelja duke ndjekur hijen tënde, helmuan retinën time. 
Trungut tim të brishtë i mbollën me mijëra dyshime të kobshme. 
Heshtja jote, ishte heshtja e sirenave që marrosin më shumë se kënga e tyre e stisur 
mbi një të kaluar të dhimbshme. Nuk kisha patur kurrë nevojë për të. As për ty 
që u fshehe si Murlan pas Shirokut. Nuk e pe si po dridhesha teksa
 para teje ndihesha më hije se një hije? Nuk e ndjeve se si duart e tua 
ngrehën vuvakë mbi të miat kyçe? Orfe, të kam pritur 
siç pritet dielli të lindë nga mitër Aurora! Ta kam ndjerë brengën teksa akuzoje 
Aristaeusin për vdekjen time të pafajshme. Ti e di fort mirë se unë s'kam vend këtu. 
Vdekja ime i shkeli rregullat e Hadesit. Këtë të gjithë e dinë. Edhe Zeusi! 
Elegjitë e lirës tënde bien si floska dëbore mbi trupin tim të mardhur.
Tashmë, asgjë s'ka më kuptim. As ti. As letrat që të shkruaj çdo ditë. 
As mesazhet që t'i dërgoj me zërin e erërave mbi Styx.
 Gjithçka mbeti shkretë. Shkretë, si në gijotinë.

Eurydice, 
Hades, 2012




XIII

Nuk e di më se ku jam. Hadesi është gjithçka kam.
Tani, aroma e myshkut dhe e kalbësirës më duket
si nektar lulesh. Nuk mbaj mend gjë. Asgjë s'i
tingëllon harpës së mishit tim. As ylberit.
Në petalet e mia të drunjta nuk fshihet më hija jote e mermertë.
Mbaj mënd se frymën e kam pas patur të shenjtë ─,
afshi ngrohtë që yshte gjithmonë rregëtimat e vetmisë time.
Kalimtarët e ferrit përplasin buzët e ngrëna prej talljeve,
pëshpërijnë një emër të panjohur për mua, "Orfe".
Një grua plakë, më e vetmuar se unë, lidhi spangot
e dhimbjeve në këmbën e saj të prerë dhe tha:
U vetëvrave dy herë. Dashurove jetën njëjt si vdekjen
dhe prej vdekjes u dënove sërisht.
Heshta teksa gratë vunë kujën e tyre të fundit
nën dehjen apolloniane. Ato çirreshin me rrobat e tyre
të marrisë kur unë shkulja prej vetes fijet e fundit të kujtesës.

Tanimë nuk di as kujt duhet t'ia nis këtë letër.
Në teshat e mia të reja, dehem, dehem pafundësisht
me virgjërimin e shenjtë të natës së përjetshme...

Eurydice,
Hades, 2012-2013

Google+ Followers