Lasgushi dhe Mitrushi, Letrat që zbulojnë shpirtin e dy gjenive


Admirina Peçi

Graz, Pashkë 1933. Lasgush Poradeci, pas një korespodence befasuese me Mitrush Kutelin, plot intimitete, ndjesi personale, e probleme të kohës, i shkruan mikut të tij pogradecar, me një stil të shkathët, e ndonjëherë me ton ironik për një çështje që sa ka nisur të agravojë mes të dyve. I sëmurë në Graz të Austrisë, Poradeci shkruan për librin e tij me poezi, që të dy prisnin me padurim të botohej: “...Vjershat gati që 1924. Pse si shtypa!?! Mos më “çkupto” merrmi vesh dhembjet (trupore), sepse shpirti i hekurt s’thyhet”. Larg, në një botë dhe atmosferë tjetër, Mitrush Kuteli, i shtrënguar nga fjala që ju ka dhënë donatorëve, të cilët kanë mbështetur financiarisht botimin e vëllimit poetik të Lasgushit, e që pyesin pareshtur për botimin, e nguc mikun e tij të nxitojë...
Bukuresht, 22 prill 1933. Mitrush Kuteli, shkruan nga kryeqyteti rumun. “Ti ç’bëre pas vite pune? Asgjë. Shkundu Llazar dhe vështro rrotull. Një njeri vlen sa vepra e tij. Ku e ke veprën? Nuk dua manuskrise dhe projekte, dua volum. Dëgjon? Sgjohu nga letargjia e një koncepsioni oriental. Unë pres formën e parë të volumit t’ënt...”
Më tej? Kuteli shkruan sërish, e sërish e gjuha e tij në letra sa vjen e bëhet më e ashpër, më e drejtpërdrejtë. “1) Përse gjer më sot nuk më jep asnjë indikacion përmi stagjin e shtypjes së volumit? 2) përse nuk më shënon në qoftë se do ose s’do, munt ose s’munt, të shkruash një artikull të vogël për broshurën e projektuar të Shoqërisë s’onë? 3) Përse nuk i konfirmove Shoqërisë marrjen e të hollave prej konsullatës së Vjenës? 4) Ç’ke nër mënt? – dua mendime të sinqerta, reale, të kulluara (në lidhje me shtypjen e poezive)...”.
Asnjë përgjigje e firmosur prej Poradecit nuk vjen nga Graz-i. E Kuteli, i ndërgjegjshëm se është treguar i ashpër i shpjegon gjendjen e tij të rënduar shpirtërore: “Nuk isha zot i vetë vetes. Nervoz, i konsumuar dita me ditën prej lufte e brengash, i munduar në çdo fillim lufte, i dërmuar shpirtërisht… të pata shkruar tepër ashpër. Më von-pas disa ore më ardhi keq… Po të m’a dish gjëndjen nuk do më gjykosh rëndë. Qetohem. Turbullohem. Ngrihem. Vdes. Dhe sa herë nuk e thërres argumentin e fundit…”, shkruan Kuteli në letrën e 5 majit 1933 nga Bukureshti.
Çfarë po ndodh mes tyre? Në ç’hulli po hyn miqësia e dy mjeshtrave të fjalës? Korrespodenca e tyre është mbresëlënëse….
Nuk është e ndryrë, diku në sirtarë a arkiva. E zbardhur me kujdes letërkëmbimi mes Poradecit dhe Kutelit tashmë mund të lexohet prej të gjithëve. Falë punës së kujdesshme të Marie Gushos, vajzës së Poradecit, libri i përgatirur prej saj me titull “Korrespodencë, Lasgush Poradeci Mitrush Kuteli, vepra IV” tashmë ka parë dritën e botimit. Pikërisht nga ky botim i vyer i kemi nxjerrë këto letra, që siç e thotë edhe Maria, shfaqin çdo skaj të shpirtit dhe jetës së tyre, e gjithkush sot mudn t’i shohë si një film…
***
Këto fragmente letrash cituar këtu, të shtyjnë të kërkosh më thellë brenda mardhënies shpirtërore që patën ata të dy, gjuhën e papërsëritshme që përdornin në letërkëmbimin e tyre, qejfmbetjet brilante, përshkruar me tone të pazakonta ndjesore...
Ja se si ka mbërritur në duart tona, ky vëllim letrash që është në fakt jeta e Kutelit dhe Lasgushit nga viti 1928, që i korrespodon edhe letrës së parë (Lasgushi shkruan: O shok i dashur! Ardhi koha e nisjes së letërkëmbimit t’onë! Le të fillojmë pra një muzikë të re...) e deri tek një përjetim i vonë i Lasgushit, plot ndjenja turbulluese, në vitin 1967, kur miku i tij i shtrenjtë Mitrush Kuteli nuk jetonte më...
Një thesar brenda
një dosje...
Maria Gusho, vajza e Lasgushit, shkruan në hyrje të këtij libri... “Emrin e Mitrush Kutelit e kisha lexuar ne librat e bibliotekës së babait tim, që kur isha fëmijë. Ato libra më kishin pëlqyer aq shumë, kishin zhvilluar fantazinë time e më kishin bërë të shëtisja në vende magjike, të njihja Mujin e HALILIN, Gjergj Elez Alinë, Tanushën e bukur e Ajkunën e dhembshur, trimin e ushtrisë së Skënderbeut, Xinxifillon etj. Për Mitrushin kisha dëgjuar të flitej edhe në biseda familjare, mes nënës e babait, mes miqve, që vinin e na vizitonin. Atëherë isha e vogël dhe mjaftohesha me gëzimin që më jepte ky autor me shkrimet e tij, aq më tepër që ishte mik i babait. Vetë nuk e kisha parë, nuk e njihja. Me kalimin e viteve, atëherë kur pata fatin e madh të rrëmoja në arkivin e babait tim, midis “çudirave” që pashë ishte dhe një dosje ku shkruhej “letra nga Mitrush Kuteli”. E hapa me kujdes të veçantë sikur në të ishte diçka e kristaltë, që do më thyhej. Të vendosura njëra pas tjetrës, të ruajtura me kujdes, të zverdhura nga koha, këto letra kishin rreth 70 vjet që rrinin aty. Prisnin. Prisnin që dikush t’i hapte e të kujdesej për to. Për shumë, shumë kohë, vetëm jetoja me gëzimin e çudinë e këtij zbulimi. Po në këtë dosje ishin vetëm letrat që Mitrushi i kish dërguar Lasgushit. Po të tjerat? Ato, që Lasgushi i kish dërguar Mitrushit? Në gjithë atë mori letrash do të ishin patjetër kopjet e letrave, që ai i kishte dërguar. E njihja zakonin e çmuar dhe të papërsëritshëm të tij, të paktën për aq sa di unë në njerëzit e letrave shqipe. Babai im, mbante kopjet e letrave që dërgonte. Ju vura punës me shumë dëshirë. Ishin edhe ato atje. Të gjitha, në disa fletore, që kishin përsipër vitin e korrespondencës përkatëse dhe datat që përputheshin me letrat e Mitrushit. E them me mburrje, që më del nga thellësia e shpirtit, se jam e para që kam lexuar ato mrekulli që mund të shkruheshin vetëm nga njerëz si ata. Më dukej se shihja jetën e tyre në një film. Po, në një film ku njeri nga personazhet, ishte babai im. Po zbuloja jetën e tyre të panjohur, vitet e tyre të rinisë dhe mbi të gjitha mundimet dhe përpjekjet e Mitrush Kutelit për të nxjerrë në dritë përmbledhjen e parë të vjershave të Lasgushit. Unë kisha në dorë një thesar!...

Si u botua “Vallja e Yjeve”
Letra me zemeratë, keqardhje, keqkuptime, vëshirësi fizike e shpirtërore... Lasgushi i sëmurë rëndë në Vjenë, dhe Mitrushi i keqkuptuar në Bukuresht me dëshirën e pamasë për ta parë të botuar vëllimin poetik të mikut të tij... Ky është boshti i një sërë letrash që Lasgushi dhe Kuteli shkëmbyen mes tyre në harkun kohor të katër muajve, nga prilli në gusht 1933. Këto letra na rrëfejnë shumë më tepër nga ç’reflektojnë së jashtmi dhe ç’dokush që i lexon, përfton ndjesi personale mbi këto personazhe të pazakontë. Këto letra po sjellim më poshtë të plota...

D- lui Dimitrie Pasko
Cal Dorobantilor nr.9
Bukuresti Romania

***
Graz, pashkë 1933

Ke të drejtë. Pse mos më shahsh! Dashuria të lejon… po dhe të jep urdhër: mos më çkupto!! Më the të shpëtoj “aparencën”? Pse jo? E pranova këtë thikë? Trupi pikon gjak së brendi! “Aparenca” shkoj për lum. Vanë 4 vjet që ahere. Mjaft durim. Më dërgo tashi helm? A kujtime? “shikoj vetëm parpalitjet e shpirtit t’im??? Gabim i zi! Nuk “shëkoj”!! Përkundër: mos përkujdesje mëkatare. Vjershat gati që 1924. pse si shtypa!?! Mos më “çkupto” merrmi vesh dhembjet (trupore), sepse shpirti i hekurt s’thyhet.

Qoft’ e ëmbël si 1 çupë,
Qoft’ e mbushur plot me gjak,
Do ta pi të shkretën kupë!
Siç e piu Sokrati plak. –

E në dhembjet ven’ e vinë,
Jam gati të vuaj më,
Kush m’a njojti varfërinë,
Ah! nuk njojti kurrëgjë.

***
Bukuresht 22 prill 1933

E mora k.p. Nuk të kuptoj. Nuk përpiqem të të kuptoj, nuk dua të të kuptoj përveç se ashtu si di dhe si dua unë. Përse kapërcen në mënyrë tangjenciale pyetjet e mija? Ç’është kjo inerci dhjetvjeçare për nxjerrjen e një volumi poezish? Përse rron vetëm më 1850 dhe jo më 1933? Përse nuk i përgjigjesh letrës së Shoqërisë s’onë – të paktën për formë? Përse nuk më thua kur do të vihet nënë shtyp volumi i poezive dhe kur do dalë? Kur s’ke besim në të tanishmen, qysh mund të kesh në të ardhmen? Nuk eksiston përveç se prezenti: të tjerta janë pralla dhe gënjeshtra. Më 33 vjet Krishti kish dhënë besën e re. Ti ç’bëre pas vite pune? Asgjë. Shkundu Llazar dhe vështro rrotull. Një njeri vlen sa vepra e tij. Ku e ke veprën? Nuk dua manuskrise dhe projekte, dua volum. Dëgjon? Sgjohu nga letargjia e një koncepsioni oriental. Unë pres formën e parë të volumit t’ënt. Bëj abstrakcion për çdo tjatër cirkustancë. Ky është koncepsioni im kirurgjik. Vepërim, vepërim, vepërim, thua ti. Unë të pyes: ku e ke vepërimin?... asnjë volum pas dhjetë vjet pune (ose pas njëzet vjet). Përse nuk e ve nënë shtyp kur ke edhe dorëshkrimin dhe të hollat?

***
Bukuresht 22 prill 1933

Përpara një ore të dërgova një k.p. si përgjigje. Me qënë se kam një gjëndje shpirtërore – në lidhje me shtypjen e poezive të tua – të cilën nuk mund të t’a tregoj në kartë, po të çjerr pak nga brengat dhe po t’i ve në kartë.
1) Përse gjer më sot nuk më jep asnjë indikacion përmi stagjin e shtypjes së volumit?
2) përse nuk më shënon në qoftë se do ose s’do, munt ose s’munt, të shkruash një artikull të vogël për broshurën e projektuar të Shoqërisë s’onë?
3) Përse nuk i konfirmove Shoqërisë marrjen e të hollave prej konsullatës së Vjenës?
4) Ç’ke nër mënt? – dua mendime të sinqerta, reale, të kulluara (në lidhje me shtypjen e poezive).
5) Përse nuk konfirmon marrjen e dorëshkrimit? (ç’kuptim kish të mbaj unë dorëshkrimin këtu – Hiç me hiç).
Kaqe.
Më tepër nuk dua të di asgjë. Jam tepër i brengosuar, tepër i përvojtur, tepër i lodhur, që të dij të tjera. Po të vije pak shpirtin t’ënt në një mansardë bukureshtiane… dhe ëm shumë të tjera dhembje morale dhe lëndore…do të më përgjigjej me postën e parë.
Me ndjenja të turbullta Mitrushi

***
Buk.5 maj 1933

I dashur Llazar,
S’di qysh të filloj e qysh të shkruaj. Me dhembje, dyke shkelur brutalisht përmi shpirtin t’im, të pata shkruar përpara pak kohe, në një ditë, një k.p. dhe një letrë. Nuk isha zot i vetë vetes. Nervoz, i konsumuar dita me ditën prej lufte e brengash, i munduar në çdo fillim lufte, i dërmuar shpirtërisht… të pata shkruar tepër ashpër. Më von-pas disa ore më ardhi keq… Po të m’a dish gjëndjen nuk do më gjykosh rëndë. Qetohem. Turbullohem. Ngrihem. Vdes. Dhe sa herë nuk e thërres argumentin e fundit…
I mora njera pas tjetrës të dy k.p. nuk i lëçita me gëzim. Ç’kisha në shpirt e ç’ish i pa thënë në to përplotësosheshin.
Dhe të them tashi si pat qënë puna që të shkrojta ashpër:
1) përgjegjësia morale ( dhe mbase më tepër) kundrejt një rrethi që s’më kupton e s’të kupton….pyetjet e dëndura: kur dalin poezitë e lasgushit, sa e sa insceptibilitete.
2) Dëshira e madhe q ëtë shoh të realizuar ëndërrën t’ime dhe t’ëndren, të shoh në dorë volumin e poezive.
3) Pritje e gjatë e një letre konfirmimi prej teje. Më dërgove dorëshkrimin pa asnjë shpjegim. Pas tij asnjë letrë përveçse passi e kishe vënë në postë. Të gjitha këto më prishnin mëntsh.
Po t’i lemë këto.
Është nje detyrë për ty dhe për mua që të dali volumi. Me që ti nuk munt, dergo-ma këtë dorëshkrim së bashku me shënimet e tua të fundit. Nga të 900 Schilingat që ke marrë mbaj 200 ti për harxhet e tua dhe dërgo-më vetëm 700-. Mbesoj të më sosin. Në qoftë se nuk do mjaftojnë do bëhem urë e gur e do t’i plotësoj. Korrekturat do t’i dërgoj aty. Ti të më tregosh formatin që të pëlqen. Të tjerat leri në kujdesin t’im. Passi të dali volumi do mundim të shesim mjaft numura. Fitimi do të jetë t’ëndi. Me këto të holla të përkujdesesh për shëndetin t’ënd. Përveç këture si të dali libra do mundim të kërkojmë ndo-një subvencion për ty prej M. Së Arësimit ose gjetkë. Është momenti psikologjik më i sgjedhur. Kam mik një gazetar dhe një poet gjerman M.Rosenkranz – i cili ka shtypur disa volume poezie – që do të të bëjë recenzione në gjuhën gjermane Unë do të shkruaj shqip dhe rumanisht. Gjithahstu do bëj një recenzion frëngjisht për revistën “Les Balkans” të Athinës. Do kësilloj me vepërim si thua ti, t’ja thyejmë gjunjët Djallit të shqipërisë…
Kjo është udhë më e mirë dhe më korekte. Mos rri në mendime sepse jam menduar dhe kam vrarë unë mëndjen mjaft. Sgjidh rrugën e mirë për dërgimin e të hollave dhe mos vono. Çdo vonim të sjell dëm moral dhe material. Nuk është çudi se shtypja e librës do të të sjellë një reaksion psikollogjik dhe do mund të ketë reperkusione për ty.
Unë jam në mbarim e sipër të thezës. Kam 44 faqe dorëshkrim. Gjithsej do bëhen përmbi 500. faqe shtypi do të jenë 300. Me sa vojtje e bëra vetëm unë e di. Asnjë tjetër. Mungesë materiale, mungesë morale... E si t’a mbaroj? Hiç. Perspektiva për shtypjen e kësaj proze nuk kam asnjë. Trokas derë më derë. Hiç.
Po ta levdonja Bankën e Shqipërisë do kisha “situatë”. Po shpirti është shpirt. Për pastërtinë e tij dhe për idealin e shqipes po hiqem zvarrë. S’ka gjësend. Si thua ti: Valoj me sulm e gas. U mbarua gazi? Digjet fitili dhe pa dritë nuk do mbetemi. Ç’thua ti? Nuk është kështu?
“Shqipëria e re nuk ka dalë prej shumë kohe. Me këtë numër do shikosh ndryshime. Sgjohemi, vepërojmë dhe godasim me ashk. Dhe do vazhdosh të lëçitësh (daca nu se vinde magarul acela de proprietor). Pe mine ma doboara reumatismele. Afi plona Ah. Doamne.
Cancua nuk më shkruan asgjë. Ka frikë mos i presin kreditin nga banka sep[se unë qenkam jashtë ligjit. Me dashuri e dhembje Mitrushi
Me postën e parë pres dorëshkrimin dhe të tjerat.
***
Bukurest 28 Maj 1933

I dashur Llazar,
Të fundit k.p. së bahsku me dorëshkrimin i mora. Pres të hollat – të paktën pjesërisht – që të mund t’i plotësoj dhe të vë nën shtyp volumin. Prestigji t’ënd dhe t’imi e urdhërojnë. Ndryshe bëhemi për të qeshur. (Unë fillova të ndahem të evitoj shumë njerës kundrejt të cilëve jam obliguar materialisht dhe moralisht). Mendo dhe kupto… Një gjë të cilën nuk kam mundur dhe nuk mund t’a kuptoj është kjo: Qysh në një kohë prej afër 4 muaj nuk gjete kohë të lirë(?) prej 5 ose 10 minutash t’i përgjigjesh Shoqërisë ose studentëve që i more të hollat.
Vras mendjen.
Cili është mendimi yt i sinqertë (pa asnjë reticencë) përmi këtë pikë. A lipset të mbesoj unë se e telendisëm shoqërinë – si i thonë shokët-?
... mendohem edhe unë, i shtrëngoj nervat se vetëm një herë kur desha të marr një iniciativë për vepërzën e një shokut t’im më dolli kllënjkë. E merr vesh? –kllënjkë- Dhe vuaj, vuaj, vuaj...
unë kam mjaft brenga dhe përmi nervat dhe përmi brengat e mija mu pat shtuar çështja e mosshtypjes së librës s’ënde. Ta dinje dhembjen e shpirtit t’im nuk do ta sgjatnje muaj me radhë punën... Më ke dhënë një kupë vreri... kur unë të shkruaj letër të gjatë me brenga, ti nuk më përgjigjesh përveç se me akullë. Përse? Edhe kundrejt meje akullë Llazar? Në qoftë se i shpenzove të hollat për shëndet shkruajmë. Është punë e kthjelltë. Dëshëroj ta mbyll çështjen dhe pot a varur. Dhe këtë sa më shpejt – jo javash-javash-
Përveç kësaj të bëj lutjen e fundit për çështjen e shkrimit të broshurës s’onë. Do, nuk do, kur? Brenda kësaj jave dua të kem përgjigje ose dorëshkrimin. Po të njihnje një pjesë të brengave të mija nuk do më zemërohesh për mënyrën e ashpër të shkrimit.
Të shkruan një zemër tepër-tepër e shtypur.
Mitrushi

***
Zotit Lasgush Poradeci (1)
Pogradec
Albania

Bukuresht 20.IV.1933

(Një letër bosh, pa asnjë fjalë që Kuteli ia nis nga Bukureshti Lasgushit në pogradec. Letra bosh është një shenj revolte e tij...- shënim i redaksisë)

Dhimitër Pasko,
Dorobantilor 9
Bukureshti 3 Romania

***
Zotit Lasgush Poradeci
Poradec
Albania

Bukuresht 4 korrik 1933
Llazar,
Të shkruaj sot më 4 të korrikut në piskun e vapës bukureshtiane që të të lutem shokërisht, si e di vetë ti, që të mbyllet çështja midis nesh për punën e të hollave të librës.
U bë si u bë, u bë qysh u bë tani u mbarua-consumatus est. Të betoj shpirtërisht të mos më shkruash gjë për ‘të as në çipin e një letre dhe për më tepër as të mos e shkosh fare nëpër ment, u mbarua, u mbyll. Po të kem fuqi e shëndet të rezistoj në dallgët e jetës do përpiqem t’a shtyp atë volumin-ëndrra jonë e përbashkët, në qoftë se jo, le të punojë edhe pasteriteti...
Letrën pa tekst që të dërgova dhe të cilën mbesoj se e more ish pema e një grime zemërimi se nuk më kishe dhënë një shpjegim definitive për çështjen e mësipërme. Regretova pas tri orë, passi letra ish në kutinë e postës....
Të bisedojmë – në qoftë se mundim shpirtërisht e fizikisht për të tjera çështje. Unë jam tepër i lodhur dhe i mërzitur për çështjen e tezës së doktoratës. Kam gjer tashi 540 faqe tekst dorëshkrim (si formati i kësaj letre). Është tepër, nuk shtypet dot. Me një gërshërë të vetëm preva 160 faqe-pema e disa muajve dhe e cila mund të bëjë vetëm objektin e një theze. –Jam i vrerosur se tamni në piskun e korrikut ipset t’a kompletoj, dhe jam i lodhur. Llazar, jam i brengosur. Po të ishim bashkë do të të thosha me tingull të mbytur e lotak-si thua ti- po nuk jam e s’mund të jem. Të 160 faqet që preva nga theza përbëjnë kaptinën më të dhembshur sespse mirrej me Shqipërinë dhe pikërisht me evolucionin e monedhës gjatë vjetëve të shumtë. Kjo kaptinë përbën raportin origjinal të studimit t’im. Pa fjalë se nuk do humbasë kjo pjesë. Mendohem tani që t’a përkëthe frëngjisht po të thashë se jam i lodhur dhe i mërzitur. Motori shpirtëror, nuk do, nuk munt të vepërojë. Mendoju dhe ti prej sa vjete po vepëroj e s’po bëj asgjë. Një volum novela të projektuara- Netë Shqiptare-tek në 12 rrëfime, nga një për çdo muaj, dëshironja të pushtoj tërë jetën epike të shqiptarismës, mbeti vetëm projekti. U shtyp vetëm Nata e Kollozhegut. Kaqe. Një tjatër dëshirë për të shkrojtur një varg artikuj letrarë përmi poezinë shqipe mbeti po ashtu. Dhe pres. Nuk di as unë ç’pres. Të thashë se jam lodhur. Prandaj mos më brengos me letra të hidhura. Ti e di se edhe vera ime u bë uthull-proces kimik, të cili pat bërë më parë nga sheqeri i rushit verën e thartë. Kësilloj dhe ne, ndënë rëndësinë e kohës dhe të fenomeneve të saj bëjmë nga sentimentalisma më e kthjelltë pamfletin më fshikullonjës. Vështro, rotull Llazar, a s’janë më të mira lulet se sa pemët, a s’janë foshnjat se sa të mbëdhenjtë, a s’është më i pafajshmë një zog ardhushi – si shkruan ti – se sa një ardhush. Metamorfoza negative, Llazar i dashur. Tani mbaroj.
Të dërgoj të fala. Prindërve të mij t’u thuash se jam mirë dhe mos kenë asfare kujdes për mua. Po të më shkruash gjëra të hidhura, do t’a gris letrën. Kuptomë, ndjemë e mos më rëndo.
Me dashuri Mitrush Kuteli

Dhimitër Pasko,
Dorobantilor 9
Bukureshti 3 Romania

***
D-lui Dhimitri Pasko
Dorobantilor 9
Bukureshti 3 Romania

Pogradec, 20.7.1933
...Dhe në këtë letër (Pa datë, vula postale 4.7.1933) më thua fjalë të kota, kot-së-koti, që është kot të lodhesh për t’i thënë. “Të shkruaj, që të të lutem të mbyllet çështja e të hollave të librës. U bë si u bë, u bë qysh u bë tani u mbarua-consumatus est. Letra pa tekst ish zemërimi që nuk më kishe dhënë një shpjegim definitiv”.
Mitrush!
S’ka patur ‘çështje’, të hapur, që të ‘mbyllet’, as nuk ka qenë bërë, ‘si’ a ‘qysh’, që të ‘konsumohet’; as të kam dhënë do një ‘shpjegim’ provizor që të definitëvohet. Përgjigjia ime vetëm pak ditë pas marrjes së të hollave, se ato do të t’i dërgoj prapë nga shkaku i sëmundjes recidive, kish mbyllkonsumdenfinitivuar çdo hapursiaqyshprovizorësi.
(Prej Austrie s’ti dërgova dot, sepse Konsulli jonë i Vjenës, pranë të cilit kisha ndërhyrë me një letër më 22 maj për ndërmjetësimin e dërgimit- dhe në Austri ekziston kontroll devizash- s’më është përgjigjur sikundër po të kam shkruar herë tjetër, as gjer më sot; prej Poradeci gjithashtu jo, sepse qëkur gjindem këtu s’kam ngritur kokë përveç se, pak në këto 8 ditët e fundit: pres të “forcohem” dita me ditën, aq sa mund të duroj tronditjet e automobilit për një orë udhëtim gjer në Bankën Kombëtare të Korçës, (që atje pastaj, së shpejti, do të t’i gjej të hollat prapë, siç të kam lajmëruar vetëm pak ditë pas marrjes së tyre në Austri).
Nga vepra jote e begatëshme, e variuar, inetresante- Tezë, Bankë, kritikë, Rrëfim veç ky i fundit hyn në punë, veç ky është spontan, krijim (Sikundër dhe “Vallja e Yjeve” është lule, jo pemë – intuicion djaloshar, jo spekulatë leshtarake).
Gezoju, Mitrush, ndaj po të vjen prapë Mammoni (Sipas Biblës personifikim i pasurisë materiale) i turpëruar sepse i refuzuar. O burrë, shok! Se po na shtyp nënë rëndësinë e tij shpirti shkëmbor joni.
Llazari

***
D-lui Dhimitri Pasko
Dorobantilor 9
Bukureshti 3 Romania

Poradec, 4.8.1933

I dashur Mitrush,
Passi më qite shpirtin me letrat e tua mosbesimi dhe qërtimi të nëmëruara në Austri dhe në Shqipëri, u shtrënguash gjysmë me dashje gjysmë pa dashje të t’a këthej – edhe ta këtheva prapë (26 Korrik sumën e destinuar prej S.S.S-së dhe mirëdashësve miq të tjerë të Bukureshtit për shtypjen e “Valles së Yjve”).
...Mosbesimi dhe qërtimi. Sikur kushedi kur ke patur do një herë deziluzionim në pikë nderi nga ana ime! Zemra jote, Mitrush, paska fuqi, vetë-zvogëlimi shumë të madhe, u bëka dhe zoçkë mikroskopërisht nga frika e Mammonit Sipas Biblës personifikim i pasurisë materiale).
… Gjysmë me dashje gjysmë pa dashje. Sot e 4 muaj, dyke u sëmurur keq, pikërihst ditën e marrjes së 900 Schilingave (29 Mars) pata kujdes të të lajmëroj pa vonim se në mos mundesha (nga shkaku i sëmundës) të udhëheq unë vetë shtypjen e poezive, të hollat do të t’i dërgoj prapë në Bukuresht. Ndonëse afekcioni i cistitës, nuk u mirësua (mbeti kronik me dhimbje), me të fituar pakëz (tepër pakëz) fuqi, fillova të lëvis. Më 7 Korrik mora një ofertë shtypjeje për 840 fr.ar nga Shtypëshkronja “Gutenberg”, më 26 Korrik një tjetër ofertë për 630 fr.ar,(3 000 ekzemplarë) po prej asaj shtypëshkronje (kurse ajo e “Arbërisë” ka kërkuar 3000 fr. Ar, dhe ajo e kristo Luarasit 1500 fr. ar).
Oferta (për 630 fr.ar, 3000 egzemplarë), shum e favorshme dhe e bën I.Osmani pronar i shtypëshkronjës “Gutenberg”, të cilin e njoh personalisht. Në fund të letrës-ofertë ay më shënon: “Ju shtoj edhe, se këtë çmim Ju a bëra Z.s’Uaj nënë koston, nga që ju simpatizoj tepër dhe dëshëroj që vepra e Z. s’Uaj të jetë shtypur në shtypëshkronjën t’ime”.
Më ke qortuar herë të panëmëruara “pse nuk e shtyp librin kur kam edhe poezitë edhe të hollat”. Si ta shtyp. Zot i dhembshur!, mun në flakën e sëmundës dhe mun në flakën e provimeve? Po dhe kështu s’kam përtuar: lypa (po! lypa)oferta për të “salvuar” prestigjin t’ënd që s’ka qënë kurrë në rezik, t’i dërgova të hollat prapë, për të “salvuar” nderin t’ënd që s’ka qënë kurrë në rezik. Tashi, me dërgimin e të hollave, ja se nderi yt u “salvua”. Tashi, për të “salvuar” prestigjin t’ënd, dërgo-mi dhe ti përsëri të hollat prapë!!
Që kësisoj me mbar’-e-prapë-dërgimin e të hollave dhe të poezive (që t’i dërgova dhe m’i dërgove dhe t’i dërgova prapë dhe ato!!)të kryejmë në fund një gjë: të nxjerrim një shumë modeste dhe në fund të mund të vete nga tetori në Austri për vazhdimin e tratamentit konservativ të cistitës, të cilin e këputa me të mbaruar të Majt, për të ardhur me njëmijë e njëqint mjerime udhëtimi (udhës prisha 35 napolona) këtu nga frika se mos vdes në dhe të huaj.
Atë frikë më s’e kam. Do udhëtoj rishtas për në Austri, me gjith që më s’munt të udhëtoj, do bëj regullisht tratamentin, me gjithë që s’mund ta bëj, do vuaj si një herua, me gjithë që s’mund të vuaj, dhe në qoftë se vdes atje dhe jo këtu, e! ç’far? Dhe në qoftë se më pranon dheri në Austri dhe jo në Shqipëri, e! ç’far? - gjith ay qiell prindërisht i qetë qëndron gati për të m’a pushtuar varrin zemërak, gjith ata yj zemër-bardhësisht të ndritur bëjnë vëngjill për të m’u pasqyruar në qëndër të zemrës, gjith ajo frymë e Zotit shentërisht sublime buçet e këndon sëbrëndi vetëvetes së saj dyke përshkruar qjellin dhe yjtë dhe varrin dhe zemrën t’ime, dhe për të m’a pajtuar trupin me lëndën e përgjithëshme, shpirtin me frymën e përjetëshme, trupin-dhe-shpirtin me përgjithësinë-dhe-përjetësinë.
Ndaj zotëron Gaz’ i Thjeshtë në imperiumin e vet.

Që nga bota njerëzore, ku këndoj me shpirtin plot,
Prit-e, prit! Se po t’afrohet Zog’i Qiejvet, o Zot!
Fal-i Këngëtor-finoshit Gas të Thjeshtë mun në gji:
Posi lot në reze djelli ndrit –e në përjetësi!

Shtova këto verse, që mungonin në letrën e parë, për të kuptuar se përjetësia nuk do të thotë (në më quan vjershëtor të saj) perpetium individual, s’është vala që bje që ngrihet, po rënia dhe ngritja, rënia-ngritja vetë.
P.S. dërgo së pari 21 napolonat, që të paguaj (sipas kontratës) 300 fr. Në fillimin e shtypjes së poezive, pastaj mblithni (siç më shkruan) edhe 210 fr. Të tjera për plotësimin e sumës. Sapo të marr të hollat, do nis nga shtypi (i cili, në i marça këtë javë, do ketë mbaruar fund Gushti ose krye Shtatori).

***
Si shkoi filli i kësaj historie? A u botua “Vallja e Yjve”? Në Bukuresht më 22 gusht, Kuteli shkruan se së shpejti vëllimi do të shkojë në shtyp. Por pak ditë më vonë, me 3 shtator një letër tronditëse mbërrin në Bukuresht nga Lasgushi, i cili i kërkon “të dhembshurit Mitrush” që “sapo të marrish vesh vdekjen time ti lajmërosh (më parë me ngaj një telegram, pastaj me ngaj një letër) se vdiqa, këta njerës...”. Dhe Lasgushi shënon emrat dhe adresat e 6 miqve të tij në Austri, Rumani dhe Hollandë. Çfarë ka ndodhur? Sëmundja ka përparuar kaq shumë sa ai nuk ka më shpresë? Sëmundja nuk do ta lërë të shohë të botuar librin e tij të shumëndërruar?
E përshkon një heshtje korrespodencën e tyre deri në 11 tetor 1933, kur Kuteli i shkruan nga Kostanca: “...letrat e tua më kanë djegur në zemër. Oshëtima e tyre më buçet edhe sot. Megjithëkëto, për çudi nuk të kam shkrojtur. Sepse dëshira ime është të të dërgoj sa më shpejt volumin, për të cilin kemi vojtur të dy bashkë sa nuk shkruhet në kartë. Edhe pak edhe mbarohet. Ki durim ‘si duron mali me borë’...”.
Një përgjigje emocionuese vjen nga Poradeci dhjetë ditë më pas. Befasuese, si një kthesë e beftë mirënjohjeje deri në përulje. “...Kur mendoj sot me të marrë k.p. t’ënde nga Kostanza që më 11 Tetor, se je 9 vjet m’i vogël, dhe pikërisht ti qënke destinuar të më kurajosësh në këtë kohë tatëpjete ku përorë dyke gjakosur gjith’ organet rradhazi po greminohet i mjeri trupi im, zemra më përulet po dhe më ngrihet, prej turpi po dhe prej ngushëllimi të cilën m’a këthen si çpërblim...”
Mandej një letër e 4 nëntorit nga Mitrushi ku lajmëron futjen në shtyp të librit, dhe një tjetër letër, ku më së fundi me 17 nëntor ai shkruan nga Bukureshti se më në fund libri u botua.
A mudn ta lëmë tani këtu këtë histori? Lexuesit me siguri do të rendin drejt librarive, për ta lexuar nga faqja e parë deri në të fundit këtë letërkëmbim, që vijon shumë vite më pas, plot befasi e surpriza të tjera. Pasi siç e thotë edhe Maria, “ato nuk janë letra të zakonshme, të dy njerëzve që e duan, nderojnë dhe e respektojnë njeri-tjetrin. Jo! Ky është një letërkëmbim i jashtëzakonshëm, i dy njerëzve të mëdhenj, i dy kollosëve të kulturës shqiptare, që mes letrash kanë shpalosur pikëpamjet e tyre të veçanta, për jetën, kulturën, artin, atdheun që e deshën aq shumë. Ku letër këmbim është një gur i çmuar në gjerdanin e kulturës shqiptare. Shijojeni dhe do të më jepni të drejtë.”. 

Google+ Followers