Kujdes: Në pishinë ka peshkaqenë!

Majkëll R. Edelshtajn
Dejvid Ramsej Stile
Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli


Krisi, një konsulent ambicioz kompjuterash, ishte pushtuar nga një lloj ankthi i veçantë – frika se mos i binin mbi kokë vida, bulona apo edhe agregatë të tjerë aeroplanësh, të cilat mbase e linin shakull në vend. Kur dëgjonte ndonjë zhurmë avioni ndërsa ecte jashtë, i shkonte mendja të futej poshtë ndonjë strehe. Këtë ankth e ndjente madje edhe në ato raste kur vija e fluturimit të avionit nuk ndodhej tamam mbi kokën e tij – ngaqë llogariste se gjatë rënies, objektet mund të përhapeshin në njëfarë largësie nëse qenë flakur përjashtë gjatë mënjanimit rrotullues të avionit apo të qenë shtyrë tutje nga rrymat e fuqishme të ajrit.
Ky shembull ishte në një nga listat e gjata me përshkrimet e frikave të pabesueshme të disa prej klientëve të mi: Më poshtë po jap edhe disa shembuj të tjerë:
•Një inspektori ashensorësh i qe fiksuar mendimi se mund t’i shkrepej e të merrte befas vendimin për tu shndërruar në femër, duke kryer madje edhe operacionin për ndryshim seksi – megjithëse këtë lloj dëshire as e pati ndjerë ndonjëherë dhe në preferencat apo qëndrimet e veta seksuale paraqitej tërësisht si mashkull tipik heteroseksual.
•Një avokate ndihej tepër e frikësuar se mos e linte veten pa dashje shtatzanë nga kontakti i dorës së saj me objekte të ndryshme – për shembull, dorezat e dyerve – ku mbase mund të kishin mbetur grimca mikroskopike sperme e pastaj me atë dorë të prekte pa dashje veten në banjë.
•Një llogaritare, e martuar dhe në moshë të thyer, i pati dërguar një letër me tone zemërimi, por jo kërcënuese ish bosit të saj dhe tani kishte nisur të shqetësohej se mos ky e hidhte në gjyq, duke bërë që ajo të humbte shtëpinë e tërë kursimet e saja e kështu të kthehej në një lypsare rrugësh.
•Një zonjë e ndrojtur, e cila s’i kishte bërë keq as mizës, i shmangej përherë dëgjimit të lajmeve rreth motit dhe e zinte paniku po t’i kapte veshi qoftë edhe një fjalë prej tyre, ngaqë trembej se mos dëgjonte për ndonjë mizori, si p.sh. vrasje masive a diçka tjetër dhe pastaj do te qe e detyruar ta nguliste këtë gjë në mend.
•Një i ri, mësues muzike, kishte frikë të shkonte në pishinën publike të qytetit ngaqë atje mund të gjendeshin peshkaqenë dhe e llufisnin ose më e pakta, i zhvatnin ndonjë këmbë. Si tip inteligjent që ishte, e pranonte menjëherë se peshkaqenët nuk i frekuentojnë rregullisht pishinat. E dinte se qe mjaft e vështirë të sillje kontrabandë ndonjë peshkaqen të gjallë e ta hidhje brenda pishinës. E dinte se edhe po të kishte ndonjë peshkaqen atje, ai duhej të ishte aq i aftë sa ta shquante dhe se fundja çdo peshkaqen që e respekton sadopak vetveten padyshim që nuk do të rrinte shtrirë dhe pa e prishur terezinë në fund të pishinës me tërë atë sasi klori që i hedhin përsipër ujit. E prapëseprapë, ai e përshkruante veten si të pushtuar nga mendimi se një gjë e tillë mund t’i ndodhte, prandaj edhe e pati braktisur notin që bënte atje dy herë në javë.
Nga ana ime unë e pranoj se nuk munda t’i provoj dot përfundimisht që ai s’do të haste kurrë ndonjë peshkaqen në pishinë!
Kësi lloj frikash absurde janë shumë më të zakonshme se ç’mund t’i përfytyrojmë të gjithë neve.
Ekziston, p.sh., një revistë kulti, e titulluar “Frika prej peshkaqenëve” apo lloj-lloj legjendash rreth piranhave1), krokodilëve, etj., që enden nëpër tubacionet e ujit dhe që sot janë të përhapura nga Florida deri në Nju Jork. E ndonëse shumë njerëzve, këto lloj makthesh u duken krejt qesharake, personat që i përjetojnë dhe i vuajnë ato, nuk gjejnë ngushëllim.
Më poshtë po japim edhe disa frika të tjera, që janë gjerësisht të përhapura – të gjitha këto i kam hasur mjaft shpesh – dhe që u shkaktojnë vuajtje të vërteta miliona njerëzve. Vriteni mendjen nëse janë apo nuk janë ato më të arsyeshme sesa frikat absurde që përmendëm më lart:
•Frika e të qëndruarit majë tarracës së ndonjë godine të lartë nga shkaku se mos shembet befas njëra anë e fasadës apo se mos të kap papritur dëshira për tu hedhur poshtë prej andej.
•Frika se mos të shkrep befas një ëndje e parezistueshme për të kryer diçka mizore apo të shëmtuar në publik. Për shembull: dikush që po rri ulur në sallën e teatrit, yshtet befas nga mendimi që të ngrihet prej karriges, të sulet përpara e të vërvitet lart në skenë te aktorët. Për këtë shkak, ky person vazhdon të rrijë ulur në karrige, mbuluar nga djersë të ftohta, pa e shijuar pjesën që luhet prej ankthit se mos nga çasti në çast nuk e përmban dot veten dhe mund ta kryejë atë vepër të shëmtuar, gjë të cilën ai nuk dëshiron aspak ta bëjë.
•Frika se mos vdes, ndërsa të ka zënë gjumi. Një person vëren se rrahjet e zemrës po i ngadalësohen tek i mbyllen sytë për të fjetur dhe nis e shqetësohet se mos ato i pushojnë fare, kur ta zërë tamam gjumi.
•Frika se mos vret apo i ngul thikën ndokujt që ke pranë vetes. Nënat provojnë shpesh një tmerr lebetitës se mos i ngulin thikën fëmijës së tyre, ndërsa bashkëshortët e torturojnë nganjëherë veten me frikën se mos ia përdredhin qafën gruas dhe e mbysin.
Këto ankthe të zakonshme janë po aq të paarsyeshme sa edhe ato të pazakonshmet që përmendëm më sipër. Ne e shohim fare lehtë se të gjitha këto nuk qenë veçse lloje frikash për gjëra që s’ka fare gjasa të ndodhin. Kjo na jep një lloj gjurme drejt rrënjëve të faktit se ka shumë lloje shqetësimesh krejt të panevojshme: kërkesa nga dikush për të patur një koracë të hekurt, një mbrojtëse të sigurt, një garanci qind përqindshe se gjëja e pakëndshme nuk do të ndodhë absolutisht.

 Ngjarjet e pabesueshme
Mundësia që kanë ngjarjet e pabesueshme e që vështirë se ndodhin për të ndikuar te njerëzit, duke ua pushtuar atyre përfytyrimet me lloj-lloj aspektesh dramatike e spektakolare, është shumë më e madhe sesa mundësia që mund të krijonin ngjarjet objektive, të cilat ka mjaft gjasa që të ndodhin. Bie fjala, jo rrallë, ju keni dëgjuar për njerëz që kundërshtojnë të shpërngulen në Kaliforni, me arsyen se atje mund të vdesin nga tërmetet, ndërkohë që statistikat e vdekjeve prej motit të ftohtë në lindje të Rokit – pa përmendur tornadot dhe stuhitë – i tejkalojnë jashtëzakonisht më shumë fatalitetet që ndodhin prej tërmeteve në vendet Perëndimore. Ose, disa njerëz ndihen nervozë nga fluturimi për shkak të mundësisë fatale të rrëzimit të avionit, por harrojnë se udhëtimi me makinë deri në aeroport, objektivisht është shumë më i rrezikshëm./standard

Google+ Followers