Helena Halilaj: Poezia është gjëja më e bukur e jetës time

Oralda Lahe
Poetja e talentuar Helena Halilaj në një intervistë për gazetën “Tirana Observer” rrëfen rrugën e saj si poete, pasionet për televizionin dhe radion. Halilaj edhe pse në një moshë shumë të re, ka botuar së fundmi librin e saj të gjashtë, për të cilin flet edhe në këtë intervistë. Gjithashtu ajo tregon edhe për përfshirjen e saj në politikë dhe rolin e femrës në Shqipëri.


Ju sot keni të botuar gjashtë libra, takimi juaj i parë me poezinë?
Po, takimi im me poezinë është shumë i hershëm se poezinë e kam dashur gjithmonë dhe kjo dashuri vetëm u shtua dhe sot për mua poezia është gjëja më e bukur e jetës time. Me poezinë flas e kuvendoj nëpër vargje, flas më dhimbje,me potere mendimesh, flas me kujtime, rëndësi ka që unë komunikoj me veten dhe përtej vetes me poezinë…Poezinë e kam interpretuar dhe shkruar që në bankat e fillores, kuptohet që atëherë poezitë ishin për natyrën, mësuesen, atdheun dhe kishin thjeshtësinë dhe ëndrrën brenda çdo strofe. Poezinë e kam interpretuar gjithmonë para shkollës dhe në takime letrare dhe sot vazhdoj e interpretoj në mbrëmje poetike. Kur takova poezinë si krijuese u gjenda para saj si një fëmijë para një porte të madhe dhe sot pas disa vitesh gjendem në oborrin e saj me bindje se nuk do shkëputem kurrë.
Po proza çfarë vendi zë në krijimtarinë tuaj?
Proza është lidhja ime e parë mes meje dhe lexuesit pasi dhe pse unë e dua më shumë poezinë libri im i parë ka qenë novelë. Një histori e dhimbshme që edhe sot më pëlqen sa herë e kujtoj pasi aty janë pikërisht gjurmët e thella të atdheut tim, për mua vendlindja ka gjithmonë vend prioritar në tribunën e vargjeve, pa e tepruar me atdhetarizëm unë e dua atdheun tim si tokën e shpirtit dhe të krenarisë time, mendoj që atdheu është frymë malli e lirie për çdokënd! Proza të jep më shumë mundësi të shprehesh më gjerë, unë librin e parë dhe të pestë i kam prozë dhe besoj që shpejt do shfaqem dhe me një roman.
Lidhja e Shkrimtarëve a ju ka munguar juve si shkrimtare e re?
Jo vetëm mua dhe shkrimtarëve të rinj na mungon Lidhja e Shkrimtarëve por besoj se edhe brezave të shkrimtarëve më të njohur dhe më të mëdhenj u mungon ajo strehë poetike. Në çdo vend të qytetëruar ekziston institucioni i artit dhe letërsisë dhe në Shqipëri me patjetër duhet të rikthehet lidhja e shkrimtarëve si domosdoshmëri e letrarëve për të bashkëpunuar dhe për të menaxhuar më së miri tashëgimninë letrare. Në këtë mes ka patur një fajtor të vetëm, ajo është pushteti dhe politika.
Media si ka zbritur në jetën tuaj pasi jeni përfshirë në të gjitha drejtimet e medias?
Unë e kam dashur artin dhe televizionin qëkur kam qenë fëmijë, e doja televizionin si një mrekulli të cilin e shikoja si një magji në të cilën shpresoja se një ditë do përfshihesha. Për të qenë e sinqertë udha drejt medias për mua ka qenë e vështirë se më duhej të kapërceja pengesa të lodhshme dhe t’i mblidhja gjithë rrugicat e fshehura të shpirtit për të dalë tek bregu i vërtetë i vetes pa parë më drejtime tjera. Krijimtaria ka qenë një mundësi e madhe jo vetëm që unë shprehja mendimet, ndjenjat e mia por më dha mundësinë e njohjes me njerëzit që unë të mbërrija në shtrojën e artit dhe për këtë dua të falenderoj nga zemra profesoreshë Vjollca Lubonjën e cila më mbështeti fort duke besuar në aftësitë e mia, më pas dua të falenderoj dhe regjisorin e mirënjohur Ylli Pepon që me bashkëpunimin me të m’u zgjua dëshira për filmin, dëshirë e cila s’do më shuhet kurrë!
Po media e shkruar?
Unë kam shkruar që në fëmijëri në gazetat e shkollës dhe kur isha studente kam shkruar nëpër gazeta ku dua të falenderoj Fatime Kullin dhe Albert Zholin të cilët më kanë dhënë mësimet e para të gazetarisë ku unë isha atëherë 17-vjeç dhe sot vazhdojnë të jenë miqtë e mi dhe unë do u jem përjetësisht mirënjohëse. Pastaj unë mbërrita tek ëndrra e fëmijërisë, tek televizioni, u përfshiva në televizion me emisione të shumta për dhe mund të them që televizioni më hapi horizontet jo vetëm të njohjes por mbi të gjitha të miqësisë me shumë personalitete duke mos lënë aspak prapa poezinë!
Po radio,spektaklet dhe aktivitetet?
Po, unë kam bërë dhe emisione në radio për të cilën mund të them që është një formë tjetër magjie e cila të rrëmben në ikje minutash dhe ti se ndjen sesi koha fluturon, sesi t’i flet me gjuhën e mendjes, shpirtit dhe të dashurisë. Radio është një dimension me vete që kërkon njerëz vërtetë të përkushtuar, aty është zëri, mikrofoni dhe vlera aty ska plotësues tjerë si tv, aty je ti dhe magjia në një bashkëjetesë harmonike për të dhënë emocion në veshin e dëgjuesit, unë radion e shoh si vetja flet me shumë vete, më duket më njerëzore radio dhe pse unë tv e dua më shumë. Ndërsa spektaklet dhe aktivitetet për mua janë pjesë e pandashme e jetës time, kam qenë shume e dhënë pas aktiviteteve herët dhe vazhdoj dhe sot të jem pjesë e tyre. Janë disa spektakle dhe aktivitete përfshirë ata tek fëmijët jetime, aktivitete te gratë e dhunuara apo në qendra tjera sociale. Por dua të ndaloj te aktiviteti i fundit dhe për mua një ndër më të bukurit Life Style Albania ku unë isha koordinatore dhe regjisore e aktivitetit me pjesëmarrjen e mijëra studentëve që kanë konkurruar në zhanre të ndryshëm të artit si: këngë, kërcim, poezi, pikturë, interpretim, mis dhe mister,etj dhe dua të falënderoj producentin e gjithë këtij aktiviteti Nazmi Memën me të cilin morëm një sfidë kaq të madhe përsipër. Ky aktivitete jam e bindur që do jetë ndër më të rëndësishmit me kalimin e kohës sepse evidenton dhe stimulon studentët që kanë vërtetë talent. Ne duam që punët e politikave jo vetëm t’i bëjmë por t’i bëjmë më mirë se ata.
Po roli i femrës në Shqipëri si ju duket?
Femra në Shqipëri akoma përpëlitet në djepin e mentaliteteve të cilat për mua janë të pashmangshme dhe për këtë brez. Nganjëherë duket sikur rolit të saj po i bëhet një vend por akoma femra nuk rri dot këmbëkryq në teatrin e vlerës. Besoj tek forca e disa femrave dhe i dua vërtetë femrat me ind të fortë që sfidojnë cdo gjë që u mbështillet nëpërkëmbë. Femra ka shpirt, ka finesë, ka tolerancë dhe duhet t’i jepet hapësira e saj që të lulëzojë mirësia dhe humaniteti i saj jo si formalizëm evropian po si neutralitet i nevojshëm në cdo sferë të jetës. Por nga ana tjetër kemi femrën e dhunuar, të poshtëruar, kemi nëna dhe motra që janë viktima të maskilizmit, të fshatarizimit të tepërt që kemi anëkënd trojeve tona. Femra vritet dhe askush nuk proteston për të, për gruan askush nuk hidhet në protesta as gratë që gjasme kanë shoqata për mbrojtjen e grave dhe të drejtave të tyre, gratë e pushtetshme dinë të kamuflohen me fjalë në media dhe mjedise të hapur ku u dëgjohet zëri i tyre dhe konkretisht s’bëjnë asgjë, në vendin tonë ka nevojë emergjente femra për t’u mbrojtur nga shteti, jo vetëm femra por pothuajse gjithkush se jetojmë në një vend ku asgjë dhe askush nuk ka më siguri!
Ju keni qenë pjesë aktive e zgjedhjeve të fundit, përse?
Ju me të drejtë mund të mendoni nga njëra ana se shkrimtarët nuk duhet të jenë pjesë e politikës, madje të rrinë larg saj por unë si shumë tjerë kam zgjedhur me kohë të jem opozitare me qeverinë dhe qeverisjen e viteve të fundit pasi pothuajse çdo gjë po shkonte drejt shkatërrimit. Unë zgjodha të jem pjesë aktive e politikës duke ngritur zërin e të rinjve dhe grave, duke kërkuar me po aq dëshirë të madhe rrotacionin politik i cili kishte kohën e mjaftueshme për të bërë përmirësime po aq kohë të tepërt pati dhe për të përmbysur shumëçka në jetët tona. Mendoj që arti i të drejtuarit të shtetit duhet të këtë një kënd të ri në ideologjinë administrative-funksionale. Shqipëria ka nevojë për frymëmarrje evropiane e jo për mentalitete historike, pushtet-pushtues, fronte të trashëguara, por ka nevojë për rrugë të reja për të parë nga e ardhmja. Politika nuk bëhet me tulla të kalbura të komunizmit.
Veshja dhe look-u juaj çfarë përfaqësojnë, si vishen poetët?
Gjendjen time shpirtërore, statusin tim dhe përgjithësisht natyrën time. Unë i kushtoj rëndësi pamjes së jashtme pa e tepruar pasi besoj se është një patericë që kurdo dhe kudo mund të të hedhë në ndonjë breg (qesh). Për mua ka rëndësi që të ndjehem mirë me veten dhe të mos jem në qendër të vëmendjes për efektin e jashtëm po për ato vlera që unë disponoj. Poetët janë të veshur me shpirt në çdo hapësirë dhe janë nudo para fjalës së shpirtit.
Çdo të thotë për ju të merreni me art, me poezi, me filma, me regji?
Është kënaqësi që jo shumëkush e merr, është fat që jo shumëkush e ka dhe është privilegj që mbetesh diku në përmendoren e historisë së artit duke mbartur në emrin tënd gjurmë që të përjetësojnë vlerat. Unë do luftoj me gjithçka për të mbetur në frontin e kulturës shqiptare pasi unë e dashuroj artin.
Si pjesë vitale e artit a ndjeheni ju dhe artistët të vlerësuar në Shqipëri?
Mendoj që çdo gjë kërkon traditën e vet për të mbetur gjallë, dekadat e fundit nuk mund të flasim respektivisht për vlerë-dhënie dhe vlerë-marrje se ka shumë interferenca aspak intelektuale që çojnë në dobësimin e rrjetit që përcjell vlerën e vërtetë. Është shumë e vështirë të ndihesh komode në një vend që është vendi yt dhe ndonjëherë të duket më i huaj se vendet më të largëta. Por ka edhe raste ku në rrethet e ngushta ku nuk depërton injoranca dhe artistët artificial që gëlojnë sot e ndjen se je mirë në vendin të cilin e ke fituar me mund dhe sakrificë të madhe. Tregu i konkurrencës mes pavlerës dhe vlerës që shtypet pafund është një ndër plagët që do dhëmbin gjatë në shoqërinë tonë.
Dashuria…, poezia dhe lidhja me ju?
Dashuria është poezi për mua dhe poezia dashuri!
“Mos ma vetmo fjalën”?
Po, është libri im i gjashtë që kam nxjerrë muajt e fundit. Ky libër sjell një dimension pak më ndryshe të poezisë pasi burimet e frymëzimit janë pak më shumë të dukshme, unë jam gjithkund dhe askund, është një harmoni e qetë situatash, përjetimesh dhe kujtimesh, ky libër nuk ka shumë revoltë si librat e tjerë por e tjerr kohën me derivatet e saj si një dorë e vrarë dhe e butë e hera-herës. Unë i flas fjalës, i flas dashurisë dhe s’dua kurrë që fjala të mbetet pa njeriun dhe njeriu pa fjalën!
Burimi i krijimtarisë tuaj dhe për të ardhmen…?
Jo vetëm unë, por besoj se shumë shkrimtarë kanë disa burime frymëzimi të cilët mbushin indet e shpirtit e derdhen në vargje. Unë shkruaj ne çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo gjendje kur më vjen frymëzimi, më revoltojnë fenomenet, më mbërthejnë historitë e veçanta dhe më frymëzon lirizëm modern dashuria. Poezia dhe pse është arti elitar ajo gjen burime pothuajse gjithkund.

Google+ Followers