DOKUMENTE ARKIVORE, PAK TË NJOHURA, PËR MIGJENIN MËSUES NË VRAKË (Me rastin e 75-vjetorit të vdekjes)


Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë



Migjeni, Poeti ynë Kombëtar

1.
- Me shkresën e Ministrisë së Arsimit nr.l574, datë 8.5.l933, dërguar Kryesisë së Këshillit të Ministrave, Millosh (Gjergj) Nikolla propozohet mësues në katundin Vrakë të Shkodrës, me  l60 fr. ari në muaj, " mbasi i naltpërmenduni ka krye Normale të Ballkanit. Të dy ( është fjala dhe për mësuesin shkodran Lin Çurçia,-shënimi im, M.G.) të përmendunit hynë për së pari në shërbim të arësimit".
      (AQSH i RSH, F. Këshilli i Ministrave,viti 1933, Dosja IV-338, fleta 564)

-  Miratohet me Vendimin e KM, nr.874-a, datë l3.5.l933 ( Po aty, f.565)

- Drejtoria e shkollës plotore "Skanderbeg"-Shkodër, me shkresën nr. l2/VI, datë 27.5.l933, njofton se Millosh Nikolla filloi detyrën si mësues në fshatin Vrakë të Shkodrës, më 27.4.l933. ( Po aty, f.569).

2.
Mbretnia Shqiptare
Shkolla mikste-Vrakë
          Nr.31                    P.T. INSPEKTORISË S' ARSIMIT
                                                                                                SHKODËR
Kam nderin me i njoftue asaj P.T. Inspektori se sot u paraqit në krye të detyrës titullari i kësaj shkolle dhe filloi mësimet rregullisht.
                                                                                 Zav.Kryemësuesi
                                                                                    Millosh Nikolla
Vrakë, më 27.4.l933
                   ( M.Kraja, " Migjeni mësues", faqe 31, fotokopje dokumenti)
3.
Në raportin për vitin arsimor l932-l933, me shkresën nr.79/ IV, datë l.7.l933, të Inspektorisë së Arsimit Shkodër, për shkollën e Vrakës thuhet se ajo:
" ka pasë 4 klasë kolektive, dy nga dy", me mësues të klasave I-II Millosh Nikollën
( klasa I me 25 nxënës, klasa II me l4 nxënës) dhe klasat III-IV me mësues Cin Bushatin. Shënohet se mësuesit: " kanë punue me zell e kujdes dhe me harmoni të plotë midis tyne".
                                                          ( AQSH i RSH, MA, 1933, D.14, f.115 )



Bust i Millosh Gjergj Nikollës-Migjeni (13 tetor 1911-26 gusht 1938)

4.

Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), me shkresën nr.l0, datë 3 mars l934, kryemësues i shkollës mikste në Vrakë të Shkodrës, e informon (me shkrim dore e kaligrafi të bukur)  drejtorinë e shkollës "28 Nandori" të Shkodrës: '' mbi gjymsen e parë të vjetit shkolluer".Aty tregon se mësimet filluan më 25 shtator l933. Më tej, shënon se: "para fillesës së mësimevet janë kenë regjistrimet" dhe u regjistruan 245 nxënës. “Por, tue marrrë parasysh ngushtësinë e lokalit shkollor dhe kapërcimin e moshës së detyrimit shkollor, në marrëveshje me Inspektorinë e Arsimit në prezencë, me datë 5 Tetuer l933, numri i nxanësvet asht paksue në l34   (dhe me shkrim,-shënimi im, M.G.). Tash, në kohët e fundit, me shpërnguljen e familjeve të nxanësvet në Jugosllavi, ky numur ende asht  paksue në 98 (dhe me shkrim,-shënimi im, M.G.). Migjeni shënon se ndjekin mësimet rregullisht 80 nxënës. Më tej tregon se, siç dihet, kjo shkollë ka qenë private, deri në mbylljen e tyre dhe se mësimet jepeshin përgjithësisht në gjuhën serbe. Ndërsa: " Mësimi i shqipes asht kenë i caktuem ka nji orë në ditë, por-defakto-as kjo orë në ditë nuk asht ekzistue,-se çdo aktivitet serioz prej nji mësuesit shqiptar asht kenë i penguem. E mjaftë asht prej këtyne mësuesve që kanë muejt me ia mësue fëmivet germat e shqipes dhe disi këndimin- verte pa kuptim, por prap mund të shenjohet nji hap i vogël përpara".
Më tej, Migjeni shënon, në shkresën e tij, se programi i shkollave fillore nuk është venë në zbatim, pasi: "nxanësit nuk e dinë shqipen, se në të gjithë katundin nuk dëgjohet as një fjalë të gjuhës shtetnore". Pastaj thotë se katundi i Vrakës përbëhet prej 6 lagjeve: Boriç' i Math, Boriç' i Vezirit, Gril, Omarej, Rrash e Kullaj. "Fëmitë e këtyne tri lagjeve mrame kanë thye gjuhën për shqyptimin e shqipes jo me aq vështirësi të madhe, për arsye se kanë pasë marëdhanje me malsorët n'anë të Lindjes e të Veriut; nsa tri lagjet e para janë fare t' izoluem.Por, në kohën e fundit, mjerisht, nxanësit që kanë pretendue ta mësojnë shqipen ma mirë, dmth prej lagjeve Rrapsh e Kullaj, të gjithë janë shpërngulun".
Më poshtë, Migjeni vijon të tregojë se kujdesi i mësuesve për ta përdorë shqipen jashtë shkollës ka qenë: "gadi fare i pafrytshëm, sidomos tash- kurse trutë e njoma të fëmive janë bllokuem me andra mbi një "Dhe të premtuem". N'orët e mësimit asht evitue sërbishtja sa asht mujt ma tepër". Më tej shton: " I arsyeshëm asht pamë mospërdorimi ma hapt i serbishtes, pse fëmija nuk ia vejnë veshin të folunit shqip, kurse e dinë se po ajo vet do t'i thohet e shtjellohet serbisht". Pastaj Migjeni vijon: "Nji cilsi të fëmive jo të lavdrueshme në pikëpamje të formimit të karakterit, kjo asht pretenza të padisin shoqishojnë për asgjesend" dhe tregon se kundër këtij “korupcioni fëminuer, personeli mësimuer ka veprue me sukses".
Në mbyllje të informacionit të tij, Migjeni shënon se, për të pasë sukses në këtë punë, kërkohen mjete mësimi me numër të mjaftueshëm dhe të tërhiqen fëmijë në shkollën e Vrakës dhe nga katundet Shtoj i Ri e Shtoj i Vjetër:  "e në këtë mënyrë, ky ndërlikim gjuhe dhe mentaliteti kish me ba të veden". Gjithashtu, propozon se duhet " një ndërtesë ma e madhe dhe me vend ma të përshtatshëm".
                                                (AQSH i RSH,Fondi MA, 1934, D.131, f.118-119 )
5.

Me shkresën nr.20, datë 8 qershor l934, mësuesi  Millosh Nikolla e informon Inspektorinë e Arsimit në Shkodër, nga shkolla e Vrakës ku shërbente,për nxënësit e klasave të ndryshme. Kështu, në klasën e parë: regjistruar - 77, të rregullt-27, kaluan-l0; në klasën e dytë: l9-6-4; në klasën e tretë: l3-7-4; në klasën e katërt: 11-1,-,-; në klasën e pestë: l5-5-5. Aty shënon se: në klasën e parë ishte mësuese Sofije Kushi, në klasën e dytë- Dhimitër Kushi e në të tjerat- M.Nikolla: " puna e të cilit- në përdorimin e sa ma të haptë të gjuhës shtetnore nga ana e nxansvet- asht përfundue me sukses".
Po në këtë shkresë, M.Nikolla (Migjeni) tregon se regjistrimet janë bërë më l8 shtator dhe mësimet filluan më 25 shtator l933. Në pikën 1 ankohet për zvogëlimin e numrit të nxënësve, nga shkaku i shpërnguljes së prindërve në Jugosllavi. Ndërsa në pikën 6 shënon: "Gjendja e ndërtesës nuk asht e pëlqyeshme". Kërkon të ketë dhe mjete mësimi, që mungojnë.Në fund shënon se për "javën e drunit" janë hapur gopa, por kanë mbetur ashtu, pasi nuk janë dërguar fidanët e kërkuar!...
                                                          ( AQSH i RSH, MA, l934, D.131, f.120-121 )
                  
Shënimi im:

Këto dokumente, pa ndonjë koment të veçantë, për jetën dhe veprën e mësuesit dhe Poetit tonë të madh Kombëtar, Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), kur ai ishte mësues në Vrakë të Shkodrës, i kam nxjerrë vite më parë, nga Arkivi Qendror Shtetëror i RSH-së, për përdorim vetjak. Siç e shihet, sipas rregullave arkivore të asaj kohe, vetëm një pjesë e origjinalit është venë në thonjza. Pjesa tjetër është sqaruar nga ana ime, duke i qëndruar saktësisht përmbajtjes së origjinalit të dokumentit.

Tiranë, 20 gusht 2013             

Google+ Followers