Botohet "Bota qe krijoi Amerika" e Robert Kagan‏


Si do të ishte bota, nëse roli i Amerikës si superfuqi botërore, do të vijë duke rënë, teksa do të rritej ndikimi i vendeve si Kina apo Rusia?
  Po a është e vërtetë që fuqia e Amerikës është duke rënë, apo kemi të bëjmë veçse me një mit?
  Këto e të tjera janë pyetjet që Robert Kagan, një ndër autorët më me ndikim në politikën e jashtme amerikane, përpiqet t’u japë përgjigje në këtë libër, duke na dhënë një tablo sa të gjallë aq dhe alarmante të asaj që do të ishte bota nëse vërtet do të binte ndikimi që ka sot Amerika në botë.
Robert Kagan – Historian, politolog me ndikim të madh në politikën dhe opinionin publik amerikan. Pasi punoi në Departamentin e Shtetit, në vitin 2008 Kagan qe këshilltari politik i kandidatit republikan për president, John McCain. Sipas revistës prestigjioze Foreign Policy, Kagan është sot një ndër 100 intelektualët publik më me ndikim në botë. Ndër veprat e tij kryesore mund të përmendet “Of paradise and power” (2003), e cila u kthye në një bestseller ndërkombëtar. Libri “Bota që krijoi Amerika” (2012) është vepra e tij më e fundit, e cituar gjerësisht nga Presidenti Obama në Fjalën e tij Drejtuar Kombit në vitin 2012.


Hyrje


Në filmin klasik të Frenk Kaprës It’s a Wonderful life, Xhorxh Bejli ka rastin të shikojë se si do të ngjante bota, nëse ai nuk do të kishte lindur ndonjëherë. Do të ishte interesante, po të mund të bënim të njëjtën gjë për Shtetet e Bashkuara, të shihnim se si do të ngjante bota, në qoftë se nuk do të kishin qenë Shtetet e Bashkuara, ato që i dhanë asaj formë gjatë gjashtë dhjetëvjeçarëve të kaluar dhe të përfytyronim se si do të dukej bota, po të binte Amerika, sikurse parathonë aq shumë njerëz në ditët tona.
Ne e marrim shumëçka si të vetëkuptuar në atë që është bota sot – një liri aq të përhapur, begatinë botërore në nivele të precedent (pavarësisht krizës aktuale ekonomike), apo mungesën e luftës ndërmjet fuqive të mëdha. Më 1941, në mbarë botë s’ekzistonin veçse një duzinë vendesh demokratike. Sot janë mbi njëqind. Gjatë katër shekujve përpara vitit 1950, prodhimi i përgjithshëm i brendshëm global (PPB) kishte një rritje prej më pak se 1 përqind në vit. Ndërsa, pas 1950-s ai është rritur me një mesatare prej 4 përqind në vit dhe miliarda njerëz kanë dalë nga varfëria. Gjysma e parë e shekullit të njëzet u karakterizua nga dy luftërat më shkatërrimtare të historisë së njerëzimit, por po ashtu gjatë shekujve paraardhës lufta ndërmjet fuqive të mëdha qe diçka thuajse e vazhdueshme. Por gjatë gjashtëdhjetë vjetëve të fundit asnjë prej fuqive të mëdha nuk ka bërë luftë me ndonjë fuqi tjetër. Epoka jonë është e njohur më shumë për një luftë që nuk ndodhi kurrë, atë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.1
Natyrisht, ka plot gjëra që nuk shkojnë mirë në botën tonë, por nga këndvështrimi i mijëra vjetëve të historisë së dokumentuar, gjatë të cilëve lufta, despotizmi dhe varfëria kanë qenë normë dhe paqja, demokracia dhe begatia s’kanë qenë veçse përjashtime të rralla, epoka jonë ka qenë një epokë e artë.
Disa mendojnë se ky është rezultat i pashmangshëm i përparimit njerëzor, një kombinim i përparimit të shkencës e teknologjisë, me një ekonomi që sa vjen e po bëhet gjithnjë e më globale, forcimit të institucioneve ndërkombëtare, evoluimit të “normave” të sjelljes ndërkombëtare si dhe ngadhënjimit gradual, por megjithatë të pashmangshëm, të demokracisë liberale mbi format e tjera të qeverisjes – forca të ndryshimit këto që shkojnë përtej veprimeve të njerëzve dhe kombeve të veçantë.
Por ka edhe një mundësi tjetër: ndoshta përparimi që gëzojmë mund të mos jetë rezultat i një evoluimi të pashmangshëm të llojit njerëzor, por më shumë produkt i një bashkësie të papërsëritshme dhe efemere rrethanash: një ndarje e veçantë e fuqisë në sistemin ndërkombëtar e cila favorizon një botëkuptim të caktuar në krahasim me të tjerat. Ndoshta, nëse këto kushte do të ndryshonin, duke sjellë një zhvendosje të raportit të forcave, atëherë edhe vetë karakteristikat e rendit botëror do të ndryshonin. Ndoshta arsyeja përse pas vitit 1950, demokracia u përhap në më shumë se njëqind vende shpjegohet jo thjesht sepse njerëzit mezi prisnin demokracinë, por dhe sepse që prej viteve 1950, shteti më i fuqishëm i botës ka qenë një demokraci. Ndoshta dhe rritja e mahnitshme ekonomike globale e gjashtë dekadave të fundit, pasqyron një rend ekonomik të sendëzuar nga ekonomia kryesore botërore e tregut të lirë. Ndoshta dhe vetë epoka e paqes që kemi njohur në një farë mënyre ka të bëjë me faktin se një shtet i vetëm zotëronte një fuqi të jashtëzakonshme.
Historia tregon që rendet botërore, duke përfshirë edhe këtë tonin, janë kalimtare. Ato ngrihen dhe bien. Dhe institucionet që ato kanë ngritur, pikëpamjet që i udhëhoqën apo “normat” që modeluan marrëdhëniet midis shteteve brenda tyre – edhe ato bien. Të gjitha rendet ndërkombëtare në histori kanë pasqyruar pikëpamjet dhe interesat e fuqive të tyre më të mëdha dhe të gjitha rendet ndërkombëtare kanë ndryshuar sa herë që kemi pasur një zhvendosje të fuqisë tek fuqi të tjera, që kishin të tjera pikëpamje dhe interesa. Ka pasur raste kur rendi mbizotërues botëror thjesht është shembur në kaos. Kështu, kur ra Perandoria Romake, ra gjithashtu edhe rendi botëror që ajo mbështeste. S’qenë vetëm qeverisja dhe e drejta romake ato që ranë, por dhe një sistem i tërë ekonomik i cili shtrihej nga Europa e Veriut deri në Afrikën e Veriut dhe më pas u deshën shekuj që të ringrihej. vetë kultura, artet, madje edhe përparimi në shkencë dhe teknologji patën një regres për shekuj të tërë. Kështu, njerëzit humbën formulën sesi bëhej çimento.
Dhe në kohën tonë kemi parë një kolaps të tillë të rendit botëror. Bota që njohim sot u ngrit mes kaosit dhe shkatërrimit që pasuan Luftën e Dytë Botërore dhe kolapsit të një rendit të zhvilluar përgjatë katër shekujsh, të dominuar nga Europa. Qe një rend aspak i përsosur, i cili kishte prodhuar shumë luftëra, një imperializëm agresiv si dhe një shtypje të përhapur të racave jo të bardha, por që gjithashtu kishte prodhuar kushtet për një përparim të madh të njerëzimit. Deri aty nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, kontrolli i Britanisë mbi detet dhe baraspesha mes fuqive të mëdha në kontinentin europian, kishin sjellë atë siguri dhe stabilitet relativ, që bënë të mundur një rritje të begatisë, një zgjerim sado modest dhe të lehtë të lirive personale, si dhe një botë më të bashkuar si pasojë e atyre revolucioneve të ndodhura në tregti dhe në komunikim, që ne sot i quajmë globalizim. Ai ia doli të ruante paqen për gati katër dhjetëvjeçarë pas luftërave napoleoniane, si dhe për katër dhjetëvjeçarë të tjerë pas luftërave për bashkimin e Gjermanisë. Ai qe aq i suksesshëm, saqë në agimin e shekullit të njëzetë qenë të shumtë ata që dolën me përfundimin që njerëzimi kishte arritur një kulm të evolucionit dhe se luftërat e mëdha dhe tiranitë tashmë qenë diçka që i përkiste të kaluarës.
Por me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, ky shekull i paqes së qëndrueshme dhe i përparimit të liberalizmit, kur dukej sikur qytetërimi europian po i afrohej majës së vet, befas u kthye në një epokë të hipernacionalizmit, despotizmit dhe të katastrofës ekonomike. Përhapja shpresëmadhe e deriatëhershme e demokracisë dhe e liberalizmit pësoi një ndalesë, madje më pas ndërroi dhe kah, duke bërë që një grusht demokracish të pakësuara tashmë në numër, të rronin plot frikë nën hijen e fqinjëve të tyre rishtazi të kthyer në vende fashistë dhe totalitarë. Befas tashmë kishim një botë të mbushur plot me prijës grabitqarë në krye të fuqive grabitqare. Rënia e rendit botëror britanik dhe europian që patëm në shekullin e njëzetë s’është se prodhoi një epokë të re errësire – ndonëse dhe kjo mund të kishte ndodhur në qoftë se Gjermania naziste dhe Japonia perandorake do të kishin fituar luftën – por sidoqoftë, kataklizma që kjo në njëfarë mënyre solli, s’qe më pak shkatërrimtare.
A thua që fundi i rendit të tanishëm amerikan do të kishte pasoja më pak të kobshme? Kjo është një pyetje që ia vlen të bëhet tani, ndërkohë që janë aq të shumtë ata që parashikojnë mundësinë e rënies së Amerikës. Një numër befasues intelektualësh, politikanësh dhe vendimmarrësish politikë amerikanë e presin një perspektivë të tillë me qetësi. Ka një ndjesi të përgjithshme që fundi i epokës së përparësisë së Amerikës nuk ka pse të nënkuptojë fundin e rendit të tashëm liberal ndërkombëtar. Ka një pritshmëri, në mos dhe besim, që cilësitë e mira të këtij rendi – demokracia, begatia dhe paqja mes fuqive të mëdha – mund të shkojnë përtej rënies së fuqisë dhe të ndikimit amerikan. Qoftë dhe me një fuqi të pakësuar amerikane, shkruan politologu G. Xhon Ajkënberri, “themelet ku mbështetet rendi ndërkombëtar liberal do të mbijetojë dhe lulëzojë”.2Dhe kjo shoqërohet me idenë sipas së cilës, sido që të jetë, perëndimi i Amerikës tashmë është një fakt, prandaj, qoftë kjo për mirë apo për keq, ne s’kemi ç’të bëjmë.
Në këtë sfond, ia vlen të hulumtohet se deri në ç’masë rendi botëror ekzistues varet nga fuqia amerikane dhe nga cilësitë e saj unikale. Ç’nënkupton kjo për të ardhmen, në qoftë se rendi ndërkombëtar s’do qe më i sendërzuar para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera aleate të ngjashme me to? Kush apo çfarë do ta zërë vendin e Amerikës? Ekziston dhe një pyetje tjetër, po njësoj e rëndësishme: A është vërtet në rënie Amerika? Apo: a mos vallë ekziston rreziku që amerikanët të kryejnë një vetëvrasje paraprake si superfuqi, për shkak të frikës së pavend për rënien e fuqisë?




TAKO XHORXH BEJLIN: Ç’ËSHTË AMERIKANE NË RENDIN BOTËROR AMERIKAN?


Në fund të fundit, përse e quajmë “rendi botëror amerikan”? Sigurisht që Shtetet e Bashkuara s’e formuan të vetme mjedisin ndërkombëtar. Shumë popuj të tjerë, po ashtu si dhe forca të mëdha historike – evoluimi i shkencës dhe teknologjisë, luhatjet në burimet natyrore të zotërueshme, prirjet ekonomike afatgjata, rritja e popullsisë – kanë dhenë gjithashtu kontributin e tyre në krijimin e botës së sotme. Popujt e gjithë kontinenteve kanë punuar dhe janë përpjekur për të dalë nga varfëria dhe shkatërrimi dhe për të përmirësuar jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Bota është tepër e madhe që një komb i vetëm të mund t’i jap asaj formë. Megjithatë, në çdo periudhë të historisë janë shtetet më të fuqishme ato që i venë vulën e vet të veçantë rendit ndërkombëtar, qoftë edhe vetëm në sajë të peshës relative që ata kanë brenda sistemit. Janë ato që përcaktojnë shumë prej “normave” dhe rregullave të sjelljes ndërkombëtare. Janë ato që modelojnë natyrën e marrëdhënieve ekonomike. Madje ato mund të ushtrojnë ndikimin e tyre edhe në fushën e ideve dhe të besimeve, duke përfshirë këtu edhe vetë mënyrën sesi njerëzit adhurojnë perënditë e tyre apo ato forma qeverisjeje që ata i konsiderojnë legjitime. Për shekuj me radhë fuqia mbizotëruese e Kinës modeloi mënyrën sesi miliona njerëz në mbarë Azinë mendonin, flisnin, adhuronin, pikturonin dhe bënin tregtinë e tyre. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, qenë fuqitë e mëdha europiane ato që imponuan standardet e sjelljes si në nivel ndërkombëtar ashtu dhe brenda vetë vendeve jo vetëm për europianët, por dhe për miliona të tjerë në mbarë Afrikën, Azinë dhe Amerikën Latine. Ka pasur një rend egjiptian, një rend romak, një rend grek, një rend islamik, një rend mongol, një rend osman dhe shumë të tjerë, ndaj dhe s’ka dyshim që historianët do ta shohin periudhën që nis me fundin e Luftës së Dytë Botërore deri në një kohë që mbetet të përcaktohet, si një rend amerikan.
Por po ashtu, mund të flitet për një rend amerikan dhe në një kuptim tjetër më të veçantë. Sepse s’është vetëm fakti që Shtetet e Bashkuara kanë qenë fuqia më me ndikim në sistemin ndërkombëtar. Ato çka përbëjnë tiparet më të rëndësishme të botës së sotme – përhapja e gjerë e demokracisë, begatia, si dhe paqja e zgjatur mes fuqive të mëdha – qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi kanë qenë të varura nga fuqia dhe ndikimi që kanë ushtruar Shtetet e Bashkuara. Asnjë fuqi tjetër nuk kishte mundësi të ushtronte një ndikim të tillë mbi botën si ai që ushtruan amerikanët, sepse asnjë komb tjetër nuk ka ose nuk ka pasur ndonjëherë një kombinim aq të veçantë cilësish e vetish.
Disa prej cilësive më të rëndësishme janë të vetëkuptueshme. Rrethanat e papërsëritshme gjeografike të Amerikës, sistemi i saj ekonomik kapitalist, forma demokratike e qeverisjes dhe fuqia e saj e jashtëzakonshme ushtarake, të gjitha këto së bashku i dhanë formë një lloji të veçantë të rendit ndërkombëtar i cili do të kishte qenë shumë ndryshe, në qoftë se një shtet tjetër, me karakteristika të ndryshme, do të kishte zotëruar një masë të ngjashme ndikimi.
Më pak i lehtë për t’u kapur, por megjithatë po kaq i rëndësishëm për të kuptuar natyrën e rendit botëror amerikan, është karakteri kompleks i popullit amerikan. Këtu s’është fjala thjesht për t’i thurur lavde virtyteve eprore të amerikanëve. Disa i portretizojnë amerikanët si ndërtues largpamës të institucioneve ndërkombëtare dhe të strukturave të rendit liberal, si “operatorë” dhe “menaxherë” të arsyeshëm të sistemeve të gjera globale..3 Por janë të paktë ata amerikanë apo joamerikanë që do ta pranonin një portret të tillë. Në shumëçka, amerikanët janë si gjithë popujt e tjerë, ku bashkohen së bashku egoizmi me bujarinë. Më të shumtën e herës ata kanë qenë një popull me impulse kontradiktore dhe me një pikëpamje shumë të dyzuar për rolin që duhej, nëse vërtet do duhej, të luanin në botë.
Ata janë një popull i mbushur plot me mite të fuqishme kombëtare, të cilat janë sa frymëzues aq dhe mashtrues. Duke e nisur me faktin që një prej popujve më të fuqishëm, më me ndikim dhe më ekspansiv në histori, vazhdon ta shohë veten si një popull i rezervuar, i vetëmjaftueshëm dhe përgjithësisht, i prirë të shohë punën e vet. Brenda më pak se dy shekujsh amerikanët e shndërruan kombin e tyre nga një grusht ngulimesh të përqëndruar kryesisht  përgjatë bregdetit, në një superfuqi botërore, me një fuqi e ndikim të pashembullt në histori. Por, po të dëgjosh amerikanët, ata janë Greta Garbo e kombeve: pra s’duan gjë tjetër veçse t’i lenë rehat. Në mitologjinë e tyre kombëtare, nënshtrimi dyshekullor i kontinentit amerikanoverior, një rajon në të cilin banonin spanjollë, francezë dhe rusë, po ashtu si dhe një racë e tërë me popuj vendalinj, s’ka qenë pushtim, por një popullim paqësor i një hapësire të zbrazët. Amerikanët nuk shkojnë “jashtë vendit të tyre në kërkim të përbindëshave që duhen shkatërruar” është fraza që citohet shpesh nga Xhon Kuinsi Adams. Nëse dikush u ve në dukje se, në fakt, shpesh herë ata kanë bërë pikërisht këtë gjë, atëherë ata nisin ta portretizojnë veten si ndonjë “sherif pa dashje”, me këmbët mbi tryezë, që rri e lexon gazetën, derisa është i detyruar të marrë pushkën nga varësja sa herë që në qytet turret ndonjë bandë e çmendur, qofshin këta imperialistë japonezë, nazistët, komunistët sovjetikë apo xhihadistë islamikë. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk shkojnë në luftë sepse duan, - thoshte para pak vjetësh një politikan i shquar. – “Ne bëjmë luftë vetëm kur jemi të detyruar”.4
Por ky vetëperceptim, ndonëse i sinqertë, nuk ka lidhje me realitetin. Që prej fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur Shtetet e Bashkuara u bënë një fuqi botërore, amerikanët e kanë përdorur forcën ndonjë duzinë herësh dhe rrallë sepse ata nuk kanë pasur zgjedhje tjetër.5 Ata kanë dërguar trupa në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore, për të rrëzuar udhëheqës ngatërrestarë; ata kanë luftuar me spanjollët në Kubë dhe me guerilet që kërkonin pavarësi në Filipine; kanë luftuar kundër forcave antiperëndimore në Kinë dhe kundër komunistëve në Vietnam dhe Kore dhe dy herë kanë dërguar miliona trupa në Europë; ata kanë luftuar kundër diktatorëve dhe xhihadistëve në Lindjen e Mesme, në Azinë Qendrore dhe në Afrikë. Dhe arsyet përse e kanë bërë këtë kanë qenë të shumta: për të mbrojtur veten nga kërcënime të largëta, për të siguruar interesat ekonomike, për të mbrojtur njerëzit nga masakrat, për t’i rezistuar agresionit, për të luftuar tiraninë, për të mbështetur demokracinë. Shumë më tepër nga çdo popull tjetër në botën e sotme, amerikanët e shohin luftën si një mjet të ligjshëm, madje thelbësor të politikës së jashtme.6 Janë të pakta kombet moderne, mes tyre asnjë prej demokracive moderne, që t’i nderojë më shumë heronjtë e vet ushtarakë të së kaluarës dhe së tashmes. Por sa herë që amerikanët futen në luftë, ata i premtojnë vetes se kjo do të jetë hera e fundit që e bëjnë këtë.

Autori: Robert Kagan

Titulli: BOTA QË KRIJOI AMERIKA

Perktheu: Kujtim Ymeri

Numri i faqeve:  178 fq

Cmimi: 650 leke

Botues: Botimet IDK

ISBN:  978-9928-136-12-1

Google+ Followers