Ballkani i shqetësuar i Luan Starovës

Dje shkrimtari Luan Starova mbushi 72 vjeç/ Një rrugëtim në jetën e një prej personazheve më të njohura të letrave shqipe në Maqedoni, përmes një prej librave të tij më të dashur “Librat e babait”….
Alda Bardhyli
“Libri i ri në shpirtin e babait ngjallte gëzim të madh. Jetonim në një shtëpi të vogël e ishim familje e madhe. Çdo pëllëmbë e hapësirës në shtëpi ishte e mbushur me sende, me prezencën tonë. S’kishte kënd ku, sikur të vihej qoftë edhe një libër, nuk do të prishej rendi, me të cilin ishim mësuar në shtëpi. Për çdo libër që blinte babai, nëna kishte të drejtë të hidhërohej, në radhë të parë pse ishim ngushtë, por edhe për shkak të buxhetit familjar. Mirëpo nëna, si ndonjë mjeshtre e vërtetë e vatrës familjare, gjithmonë zbulonte ndonjë vend të ri, për librat e rinj, qoftë edhe jashtë bibliotekës ding të babait. Kështu ajo bëhej bibliotekare e padukshme e librave të babait. Dhe kur babai kërkonte ndonjë libër, për të cilin s’ishte i sigurt vallë a e ka, nëna do të kujtohej se për cilin ishte fjala dhe ashtu qetë e ngadalë do ta nxirrte prej dollapit dhe në mënyrë diskrete do ta lente mbi tavolinën e punës të babait, i cili, ashtu i shkapërderdhur e sodiste bibliotekën e vet e në një cep të mendimit e gjurmonte librin që i duhej, por me kujdes e ruante edhe mendimin që duhej ta formësonte. Kur kjo qetësi prishej prej hapërimeve të qeta të nënës që largohej, hapërime që si pëshpërtije lajmëronin për librin e gjetur, atëherë babai sikur vinte në vete…”. Kështu e nis rrugëtimin e tij në labirinthet e pafundme të fshehtësive që mbartin librat në bibliotekën e babait, shkrimtari i njohur shqiptar nga Maqedonia, Luan Starova. Sapo i kishte kaluar të 50-tat, kur nisi të shkruante një nga romanet më përfaqësues të letërsisë së tij, “Librat e babait” një libër gati-gati autobiografik, i cili nuk është vetëm një rrëfim për njeriun e tij të shtrenjtë, por një rrëfim që mbart brenda historinë e një brezi dhe të një epoke. Ashtu si babai që s’mund ta fshihte dot historinë se ajo fshihet gjithnjë diku në libra, Luan Starova nuk ka frikë t’i afrohet historisë, e ta nxjerrë atë nga pluhuri i kohës, aty në librat e trashë me kapak të rëndë, për t’ia treguar sërish lexuesit, i cili edhe pse mund të jetë njohur me të, e sheh me një tjetër këndvështrim nën rrëfimin e shkrimtarit. Një libër i shkruar gati dy dekada më parë, është një përshkrim letrar i dramës së madhe ballkanike, pjesë e së cilës është dhe babai i shkrimtarit. Babai i Starovës nuk është vetëm babai i tij, por është njeriu që me urtësinë dhe besimin e tij në Lindje ashtu siç thotë shkrimtari, mendonte një të ardhme më të mirë për familjen e vendin e tij…” Prej jetës së përbashkët pesëdhjetëvjeçare të babait e nënës, unë për të gjitha kohërat e mia si thesar të madh e trashëgova vetëm qetësinë e krijuar prej heshtjes dhe prej goditjeve të fatit në dyert e familjes sonë. Prej jetës, që prindërit e mi ma dhanë, më mbeti vetëm ta hulumtoj burimin e qetësisë dhe me ato pak fjalë që më gufonin ta kompnoj historinë e familjes sime që në të njëjtën kohë ishte dhe historia pesëdhjetëvjeçare e Ballkanit prej 1926 e deri më 1976”, thotë Starova. Duke zbuluar në Ballkan veprën e Marsel Prustit, ai zbuloi rëndësinë e vërtetë të leximit në jetë. E romanet e Prustit nuk mungonin në bibliotekën e babait. Kafka pothuajse ishte thërrmuar prej kohës. Nëse Prusti e zbuloi kohën e vetë të kaluar, fëmijërinë e vet, rininë në zemër të artit të Europës, babai i tij kërkonte që ky zbulim të ndodhte dhe në Ballkan. Por Ballkani do të ishte vendi i luftërave, vendi i konflikteve dhe fshehtësive të përhershme që asnjë libër nuk do të mund ta zbulonte… dhe udhëtimet në Ballkan ishin ndryshe… pasi me to ikje e nuk ktheheshe më…. “Në jetën e babait e të nënës gjithnjë ekzistonte njëfarë strategjie e heshtjes para fëmijëve për shpëtimin e familjes gjatë viteve të luftës e të shpërnguljes. Ne kurrë nuk mund të kuptonim pse babai para shpërnguljeve papritmas humbte gjëkundi, që mandej përsëri të kthehej para rrezikut ose pas tij. Kurrë, kurrë nuk mund ta kuptonim këtë shpëtim nga luftërat, nga rreziqet, nga vdekja gjatë e pas viteve të luftës…”, tregon shkrimtari. Vonë kujtimet e nënës do t’ia zbardhnin më shumë atë pjesë të kujtesës… “Në Pogradec erdhën italianët…pastaj erdhën grekët. Ndodhte të na lindte dielli nën italianët e të na perëndonte nën grekët… Nëna kur i kujtohej lufta ndalesh. Atëherë mbretëronte një qetësi e madhe. Ajo e shkreta pa se ç’ishte lufta! Dhe në vitet kur mbeti pa babanë, e shqetësuar pas ngjarjeve në Ballkan pas lajmeve që i dëgjonte, gjithnjë e më pak i kuptonte e na pyeste: Bijë do të ketë luftë?”, kujton Starova.
E Ballkani që shkrimtari jetoi në kohën e fëmijërisë, atje në shtëpinë e vogël buzë liqenit pothuajse vetëm me nënën, nuk ka ndryshuar shumë që atëherë… Luftërat kanë mbaruar, por hijet e tyre kanë mbetur kudo në vendet që e jetuan atë.
Dhe pse fotografitë e Stalinit dhe të Titos i kanë hequr nga muret e shtëpisë, fqinjët tanë nuk janë të qetë. Starova nuk e harronte atë natë pranverore të vitit 1948, kur në shtëpi ia bëhen disa njerëz të panjohur. “I pari që u zgjua ishte vëllai i madh dhe duke kapërcyer disa shkallë menjëherë u gjet para babait. I trembur mezi belbëzoi se njerëzit e ardhur kërkonin fotografinë e Stalinit. Në dhomën tonë mbi kokat tona rrinin varur dy fotografi të mëdha me kornizat e bukura të Stalinit e Titos”, kujton shkrimtari. Por foton disa ditë më parë e kishte hequr nëna prej kornizës, sapo marrëdhëniet mes Titos dhe Stalinit ishin prishur. Letërsia e Starovës është një rrugëtim në të shkuarën ballkanike, duke dhënë një tablo të vërtetë të asaj çfarë ka ndodhur jo vetëm me Maqedoninë. Komunizmi ka qenë i njëjtë kudo dhe ëndrra e babait të tij për një medalje ishte ëndrra e shumë burrave që punuan me përkushtim ndaj sistemit. “Gjatë kohës midis librave të babait shkëlqente medalja e tij e argjendtë e punës socialiste e rendit të tretë, e vetmja dekoratë që kishte fituar gjatë punës së tij shumëvjeçare. Babai, gjatë në kohë, sidomos pas shpërnguljes së madhe gjatë viteve vendimtare për ekzistencën e familjes, intimisht ëndërronte për çfarëdo dekorate. Pasi s’ishte anëtar i partisë, mundësitë për t’u dekoruar thuajse s’ekzistonin fare…”.
Starova nuk ka nevojë për shumë personazhe për të prekur lexuesin me rrëfimin e tij. I mjafton një udhëtim në librat për vite me radhë u afrohej i prekte ngadalë dhe u largohej me frikën se babai do ia behte në derë, për të treguar se kufijtë në Ballkan nuk kanë qenë shenja fatale për vendin e ndarë, për lumenjtë e ndarë, për borën e maleve, por edhe për shpirtrat e ndarë të njerëzve. Kufijtë për vite e vite me radhë e kanë ndalur rrjedhën e kohës së shumë njerëzve, familjeve, gjeneratave. Kufijtë e robëronin, e përbinin kohën njerëzve. Për shkak të këtyre vijave njerëzit në Ballkan kanë qenë gjithnjë në eksod. Çdo luftë, e luftërat në Ballkan kanë qenë të shpeshta shënonte një kufi të ri, e të tjera fate për njerëzit. Starova jetoi në një nga ato familje ku kufijtë i ndanë me dekada të tëra nga njerëzit e tyre të dashur, ku të parët e tij ikën fëmijë e u kthyen të thinjur në tokat ku lindën. Ndaj vite më parë ai u ndal para bibliotekës së madhe dhe vendosi të prekte një nga një faqet e atyre librave pafund. Ai e dinte librat do të ishin udhërrëfyesi më i mirë i jetës së tyre. Në librat e babait ishte e gjithë jeta e tyre. Ai mblodhi libra nga të gjitha anët e botës e më së shumti nga vendet e Lindjes e Ballkanit, aq sa kishte menduar se mund t’i lexojë deri në fund të jetës. “Këto parashikime nuk iu sendërtuan, i mbetën edhe shumë libra të palexuar, libra që na i la neve për lexim me qëllim që ta zbulojmë jetën e tij, kohën e tij të humbur, e kjo kohë i qe kushtuar edhe zbulimit të kohës osmane në Ballkan”, tregon Starova. Përmes këtij rrugëtimi kaq të ndjeshëm, e shpeshherë dhe melankolik në jetën e të atit, Luan Starova ka dhënë një rrugëtim në rrugët e vjetra, në ankthin e shkuar të luftërave, ka ringjallur një kohë, e portrete njerëzish, që nuk janë vetëm të afërmit e tij, por dhe imazhet e të afërmeve tanë, që i jetuan ato kohë…


Dashuria
Pas vdekjes së babait vite me radhë, s’u afrohesha librave të tij. Një grumbull dorëshkrimesh të vjetra, libra të zverdhur, të bartur nga të gjitha anët e botës, jetonin sipas renditjes së babait. Të renditur nëpër raftet e bibliotekës, ata rrezatonin me domethënien e tyre të fundit. Pasi kaluan vite, siç shuheshin edhe kujtimet e para, unë fillova t’ua ndërroj vendet librave të babait. Merr një libër e lëre diku tjetër. Thuaja pa vetëdije e tradhtoja renditjen që ua kishte bërë babai librave në bibliotekë: kurrë më nuk e qëllova atë renditje… Por, para disa ditëve babai më foli prej një libri të luajtur vendit! Kujtimet e mia u dallgëzuan. Po e shoh se si po përpiqet t’ua gjejë rendin librave. Pasi secilit libër ia gjeti vendin e njëmendët, ai filloi të lexojë. Si lexues i pasionuar e si duhanxhi edhe më i pasionuar, ai i tëri zhytej në leximin e ndonjë faqeje dhe thuaj  se harronte të shkundte hirin e cigares. Edhe sot, kur i shfletoj librat e babait, aty ku më së shumti është përzier hiri me germat, thuaj se ngjallet edhe zëri i tij.
Fror, 1976.


Miqtë
Babai kah fundi i jetës kishte shumë libra e pak miq. Në rini shumë miq e pak libra. Në të shumtën e rasteve librat e shpinin kah vendosja e miqësive e shumë rrallë miqësitë kah librat. Njëri nga miqtë e këtillë ishte dhe K.K. Në rini ky kishte studiuar në Paris, kurse babai në Stamboll. Babai në kohën e rënies së Perandorisë Osmane dhe në kohën e Ataturkut, kurse plaku K.K në kohën e rënies së Europës nën fashizmin. Që të dy qenë robër të një përhershme. Babai i asaj të Lindjes, e ai i asaj të Perëndimit. Miqësia mes tyre mbahej me këmbimin e shpeshtë të ëndrrave të tyre. Ata kështu barteshin te njëri- tjetri. Kështu vazhdonte miqësia e tyre.

Luan Starova ka lindur në Pogradec më 14 gusht 1941. Si student i Gjuhës dhe i Letërsisë Frënge punoi pak kohë si gazetar. Më vonë u pranua asistent në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge në Fakultetin Filologjik të Shkupit. Aktualisht ligjëron në Universitetin e Europës Juglindore të Tetovës dhe është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe të Akademisë Mesdhetare në Napoli. Ka botuar shtatë romane, dy vëllime me tregime, një me poezi, disa vëllime me ese dhe studime, ka përkthyer poetë të njohur francezë në shqip dhe maqedonisht. Shkruan paralelisht shqip dhe maqedonisht. Disa nga veprat e tij ende nuk janë botuar në shqip. Pas botimit të katër romaneve të para në frëngjisht: tre nga “Fayard” në Paris ( Librat e BabaitKoha e dhive dhe Muzeu i ateizmit ) dhe një prej “Les Editions de l’Aube” ( “Bregu i egzilit” ) dhe pas jehonës që i bëri kritika, disa nga romanet e tij u përkthyen në 14 gjuhë të ndryshme. Renditet ndër shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë. Është fitues i çmimit më të lartë francez për artet dhe letërsinë.

Google+ Followers